Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Fryti i frymës» i jep lavdi Perëndisë

«Fryti i frymës» i jep lavdi Perëndisë

«Fryti i frymës» i jep lavdi Perëndisë

«Kjo i jep lavdi Atit tim: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt.»​—GJONI 15:8.

1, 2. (a) Ç’mundësi kemi që të inkurajojmë të tjerët? (b) Cila dhuratë nga Perëndia përmirëson aftësinë tonë për t’i shërbyer?

MENDO për këto dy situata: një grua e krishterë vëren se një motër më e re duket e merakosur. Ajo lë takim që të dalë me të në shërbim. Ndërkohë që bisedojnë, motra më e re nis t’i flasë për problemin që ka. Më vonë, motra e re falënderon Jehovain për interesimin e dashur që tregoi motra e pjekur; ishte tamam ajo që i duhej. Diku tjetër, një çift sapo është kthyer nga një vend i huaj ku kishin qenë për të predikuar. Në mbledhje, teksa tregojnë plot entuziazëm përvoja, një vëlla i ri dëgjon i heshtur. Disa vjet më vonë, ndërkohë që përgatitet të niset në caktimin e tij në një vend të huaj, ai mendon për atë çift dhe bisedën që i ngjalli dëshirën për t’u bërë misionar.

2 Ndoshta këto situata të kujtojnë ndonjë vëlla a motër që ka ndikuar për mirë në jetën tënde. Qartë, rrallë ndodh që vetëm një bisedë të ndryshojë jetën e dikujt, sidoqoftë çdo ditë kemi raste të inkurajojmë e të forcojmë të tjerët. Imagjino sikur të ekzistonte diçka që do të përmirësonte aftësitë dhe cilësitë e tua, me qëllim që të ishe edhe më në gjendje të ndihmoje vëllezërit e motrat dhe më i dobishëm në shërbim të Perëndisë. A s’do të ishte e mrekullueshme? Në të vërtetë, Jehovai na jep pikërisht një dhuratë të tillë: frymën e tij të shenjtë. (Luka 11:13) Fryma e Perëndisë vepron në jetën tonë dhe prodhon cilësi të bukura që përmirësojnë çdo aspekt të shërbimit tonë ndaj Perëndisë. Ç’dhuratë e jashtëzakonshme!​—Lexo Galatasve 5:22, 23.

3. (a) Si i japim lavdi Perëndisë kur kultivojmë ‘frytin e frymës’? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Cilësitë që vijnë nga fryma e shenjtë, janë pasqyrim i vetë personalitetit të atij që është Burimi i kësaj fryme, Perëndisë Jehova. (Kolos. 3:9, 10) Jezui tregoi arsyen kryesore pse të krishterët duhet të përpiqen të imitojnë Perëndinë, kur u tha apostujve: «Kjo i jep lavdi Atit tim: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt.» * (Gjoni 15:8) Teksa kultivojmë ‘frytin e frymës’, rezultatet janë të dukshme në mënyrën si flasim e veprojmë; nga ana tjetër, kjo i jep lavdi Perëndisë. (Mat. 5:16) Si ndryshon fryti i frymës nga karakteristikat e botës së Satanait? Si mund ta kultivojmë frytin e frymës? Pse kjo mund të jetë një sfidë? Do t’i shqyrtojmë këto pyetje, ndërsa do të flasim për tri aspektet e para të frytit të frymës: dashurinë, gëzimin dhe paqen.

Dashuri e bazuar në një parim më të lartë

4. Ç’lloj dashurie u mësoi Jezui dishepujve të tregonin?

4 Dashuria që vjen nga fryma e shenjtë, ndryshon dukshëm nga ajo lloj dashurie që është e zakonshme në botë. Si? Bazohet në një parim më të lartë. Jezui e theksoi këtë ndryshim në Predikimin në Mal. (Lexo Mateun 5:43-48.) Ai vuri në dukje se edhe mëkatarët duan ata që i duan dhe i trajtojnë të tjerët ashtu siç i trajtojnë ata. Një «dashuri» e tillë s’përfshin ndonjë sakrificë të madhe, por është thjesht shkëmbim favoresh. Nëse duam ‘të jemi bij të Atit tonë që është në qiej’, duhet të jemi të ndryshëm. Në vend që t’i trajtojmë të tjerët ashtu si na trajtojnë ata, duhet t’i shohim e t’i trajtojmë siç i sheh e i trajton Jehovai. Mirëpo, si është e mundur të duam armiqtë, siç urdhëroi Jezui?

5. Si mund t’u tregojmë dashuri atyre që na përndjekin?

5 Të shikojmë një shembull nga Bibla. Kur po predikonin në Filipi, Pavlin dhe Silën i arrestuan, i rrahën keqas dhe i futën në pjesën më të brendshme të burgut, ku ua shtrënguan këmbët në fallaká. Ndërkohë, ka shumë të ngjarë që të jenë keqtrajtuar edhe nga roja i burgut. Kur u liruan krejt papritur nga një tërmet, a u kënaqën ata që u erdhi rasti të hakmerreshin kundër tij? Jo. Të nxitur nga shqetësimi i sinqertë për mirëqenien e tij dhe nga dashuria vetëmohuese, ata vepruan shpejt për të mirën e rojës së burgut, duke i dhënë mundësi atij dhe gjithë atyre të shtëpisë së tij të bëheshin besimtarë. (Vep. 16:19-34) Sot, shumë nga vëllezërit tanë kanë vepruar njësoj, ‘duke i bekuar ata që i përndjekin’.​—Rom. 12:14.

6. Në ç’mënyra mund të tregojmë dashuri vetëmohuese për vëllezërit? (Shih kutinë në faqen 21.)

6 Dashuria që kemi për vëllezërit e motrat tona shkon edhe më tej. «Ne kemi detyrimin të japim shpirtin për vëllezërit tanë.» (Lexo 1 Gjonit 3:16-18.) Sidoqoftë, më shpesh mund të tregojmë dashuri në mënyra më të thjeshta. Për shembull, nëse themi ose bëjmë diçka që fyen një vëlla, mund të tregojmë dashuri duke marrë iniciativën që të rivendosim paqen. (Mat. 5:23, 24) Po sikur dikush të na fyejë? A jemi ‘gati të falim’ apo ndonjëherë kemi prirjen të mbajmë mëri? (Psal. 86:5) Dashuria e thellë që vjen nga fryma e shenjtë, mund të na ndihmojë të mbulojmë shkeljet më të vogla, duke i falur bujarisht të tjerët, ‘ashtu si Jehovai na fal bujarisht’.​—Kolos. 3:13, 14; 1 Pjet. 4:8.

7, 8. (a) Si lidhet dashuria për njerëzit me dashurinë për Perëndinë? (b) Si mund ta thellojmë dashurinë për Jehovain? (Shih ilustrimin poshtë.)

7 Si mund të kultivojmë dashuri vetëmohuese për vëllezërit tanë? Duke thelluar dashurinë për Perëndinë. (Efes. 5:1, 2; 1 Gjon. 4:9-11, 20, 21) Çastet që kalojmë vetëm për vetëm me Jehovain kur lexojmë Biblën, kur meditojmë dhe kur lutemi, na japin zemër dhe na thellojnë dashurinë për Atin tonë qiellor. Megjithatë, kemi nevojë të blejmë kohë që t’i afrohemi Perëndisë.

8 Ta ilustrojmë: ta zëmë se do të kishe mundësi të lexoje Fjalën e Perëndisë, të meditoje për të e t’i luteshe Jehovait vetëm në një orë të caktuar të ditës. A nuk do ta ruaje me xhelozi atë periudhë kohe, në mënyrë që asgjë tjetër të mos ndërfutej në çastet që do të kaloje vetëm për vetëm me Jehovain? Patjetër, askush nuk mund të na pengojë t’i lutemi Perëndisë dhe shumica prej nesh mund ta lexojmë Biblën kur të duam. Por, ndoshta kemi nevojë të marrim masa që vorbulla e punëve të përditshme të mos na përpijë, aq sa të ndërhyjë në kohën që kalojmë personalisht me Perëndinë. A po blen sa më shumë kohë që mundesh çdo ditë për t’iu afruar Jehovait?

‘Gëzimi që vjen nga fryma e shenjtë’

9. Cila është një karakteristikë e gëzimit që vjen nga fryma e shenjtë?

9 Një karakteristikë e spikatshme e frytit të frymës është qëndrueshmëria. Gëzimi, aspekti i dytë që do të shqyrtojmë, është një shembull i kësaj qëndrese. Gëzimi është si një bimë rezistente që mund të lulëzojë edhe në terren të ashpër. Anembanë botës, shumë nga shërbëtorët e Perëndisë ‘e kanë pranuar fjalën mes shumë shtrëngimesh me gëzimin që vjen nga fryma e shenjtë’. (1 Sel. 1:6) Të tjerë përballen me vështirësi e humbje. Megjithatë, Jehovai u jep fuqi me anë të frymës së tij ‘që të qëndrojnë plotësisht e të jenë shpirtgjerë me gëzim’. (Kolos. 1:11) Nga buron ky gëzim?

10. Nga buron gëzimi që kemi?

10 Në ndryshim nga «pasuria e pasigurt» e botës së Satanait, thesaret frymore që kemi marrë nga Jehovai kanë një vlerë të përhershme. (1 Tim. 6:17; Mat. 6:19, 20) Ai ka rezervuar për ne perspektivën e gëzuar për një të ardhme të pafund. Gëzojmë ngaqë jemi pjesë e një vëllazërie të krishterë mbarëbotërore. Mbi të gjitha, gëzimi ynë bazohet te marrëdhënia që kemi me Perëndinë. Ndihemi si Davidi, i cili, ndonëse u detyrua të jetonte në arrati, i këndoi lavde Jehovait: «Meqenëse dashamirësia jote është më e mirë se jeta, buzët e mia do të të lavdërojnë. Prandaj do të të bekoj gjatë gjithë jetës.» (Psal. 63:3, 4) Edhe kur përjetojmë vështirësi, nga zemra na gufojnë lavde të gëzuara për Perëndinë.

11. Pse është e rëndësishme t’i shërbejmë Perëndisë me gëzim?

11 Apostulli Pavël i nxiti të krishterët: «Gëzoni përherë në Zotërinë. Edhe një herë ua them: gëzoni!» (Filip. 4:4) Përse është e rëndësishme që të krishterët t’i shërbejnë Jehovait me gëzim? Për shkak të çështjes që ngriti Satanai lidhur me sovranitetin e Jehovait. Satanai pohon se askush nuk i shërben Perëndisë me gatishmëri nga zemra. (Jobi 1:9-11) Sikur t’i shërbenim Jehovait vetëm nga ndjenja e detyrës, por pa gëzim, flijimet e lëvdimit do të ishin gjysmake. Prandaj, përpiqemi t’i vëmë veshin thirrjes së psalmistit: «Shërbejini Jehovait me gëzim! Ejani përpara tij me një britmë hareje!» (Psal. 100:2) Shërbimi nga një zemër e gëzuar dhe e gatshme, i jep lavdi Perëndisë.

12, 13. Ç’mund të bëjmë për të luftuar ndjenjat negative?

12 Të jemi realistë, edhe shërbëtorët e kushtuar të Jehovait do të kenë momente shkurajimi e do të luftojnë që të ruajnë një pikëpamje pozitive. (Filip. 2:25-30) Ç’mund të na ndihmojë në momente të tilla? Tek Efesianëve 5:18, 19 thuhet: «Vazhdoni të mbusheni me frymë, dhe flitini njëri-tjetrit me psalme, lavde dhe këngë frymore, duke kënduar dhe duke i thurur melodi Jehovait në zemrat tuaja.» Si mund ta zbatojmë këtë këshillë?

13 Kur na mbytin ndjenjat negative, mund t’i përgjërohemi Jehovait në lutje dhe të mundohemi të meditojmë për gjëra të denja për t’u lëvduar. (Lexo Filipianëve 4:6-9.) Disa kanë zbuluar se shoqërimi nën zë i këngëve të regjistruara të Mbretërisë, ua ngre humorin dhe i ndihmon të mendojnë në mënyrë pozitive. Një vëlla që përballoi një hall, i cili shpesh e bënte të ndihej i zhgënjyer dhe i shkurajuar, kujton: «Përveçse lutesha rregullisht me gjithë zemër, mësova përmendsh disa këngë të Mbretërisë. Kur këndoja këto lavde të bukura për Jehovain, me zë të lartë ose me vete, ndieja paqe në zemër. Gjithashtu, rreth asaj kohe doli libri T’i afrohemi Jehovait. E lexova dy herë gjatë vitit pasues. Ishte si melhem për zemrën. E di që Jehovai i bekoi përpjekjet e mia.»

‘Lidhja e paqes’

14. Cila është një veçori e spikatshme e paqes që vjen nga fryma e shenjtë?

14 Në kongreset tona ndërkombëtare, delegatë me prejardhje të ndryshme ndiejnë ngrohtësinë e vëllazërisë së krishterë. Skena të tilla theksojnë një veçori të paqes që gëzon sot populli i Perëndisë​—unitetin global. Shpesh, ata që na vëzhgojnë mahniten kur shohin njerëz nga të cilët do të pritnin të ishin armiq me njëri-tjetrin, ‘duke u përpjekur me zell që të ruajnë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’. (Efes. 4:3) Ky unitet është vërtet i jashtëzakonshëm kur mendojmë se ç’u është dashur të kapërcejnë shumë prej tyre.

15, 16. (a) Cili ishte formimi i Pjetrit dhe si u bë një sfidë për të? (b) Si e ndihmoi Jehovai të ndreqte qëndrimin?

15 Të bashkosh njerëz me prejardhje të ndryshme, është sfidë. Që të kuptojmë se çfarë duhet të kapërcejmë për të arritur këtë unitet, le të shqyrtojmë një shembull nga shekulli i parë, apostullin Pjetër. Qëndrimin e tij ndaj jojudenjve të parrethprerë mund të na e zbulojnë këto fjalë: «Ju e dini mirë se për një jude është e paligjshme të shoqërohet me një njeri të një race tjetër ose të flasë me të. E megjithatë Perëndia më tregoi se nuk duhet të quaj asnjeri të ndotur ose të papastër.» (Vep. 10:24-29; 11:1-3) Siç ishte e zakonshme në atë kohë, me sa duket, edhe Pjetri ishte rritur me bindjen se Ligji e detyronte të donte vetëm judenjtë. Për të mund të ketë qenë fare normale t’i konsideronte jojudenjtë si armiq që duheshin urryer. *

16 Merre me mend se sa në siklet duhet të jetë ndier Pjetri, teksa hynte në shtëpinë e Kornelit. A ishte e mundur për një njeri që më parë kishte pasur pikëpamje negative për jojudenjtë, ‘të lidhej në mënyrë të harmonishme’ me ta ‘në lidhjen e paqes’? (Efes. 4:3, 16) Po, sepse vetëm pak ditë më parë, fryma e Perëndisë i kishte hapur zemrën Pjetrit dhe i kishte dhënë mundësi të fillonte të ndreqte qëndrimin e tij e të kapërcente paragjykimin. Në një vegim, Jehovai ia bëri të qartë se pikëpamja e Tij për njerëzit nuk varet nga raca ose kombësia. (Vep. 10:10-15) Ja përse Pjetri mund t’i thoshte Kornelit: «Tani e kuptoj fare qartë se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Vep. 10:34, 35) Pjetri ndryshoi dhe u bashkua me të vërtetë me «gjithë vëllazërinë».​—1 Pjet. 2:17.

17. Pse është i jashtëzakonshëm uniteti që gëzon populli i Perëndisë?

17 Përvoja e Pjetrit na ndihmon të vlerësojmë shndërrimin e jashtëzakonshëm që po ndodh sot mes popullit të Perëndisë. (Lexo Isainë 2:3, 4.) Miliona njerëz «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» i kanë ndrequr mendimet që t’i përputhin me ‘vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë’. (Zbul. 7:9; Rom. 12:2) Shumë nga këta, një herë e një kohë ishin zhytur në urrejtjet, armiqësitë dhe përçarjet e botës së Satanait. Por, nëpërmjet studimit të Fjalës së Perëndisë dhe me ndihmën e frymës së shenjtë, kanë mësuar ‘të ndjekin ato gjëra që i hapin rrugë paqes’. (Rom. 14:19) Uniteti që vjen si rezultat, i jep lavdi Perëndisë.

18, 19. (a) Si mund t’i kontribuojë secili nga ne paqes dhe unitetit të kongregacionit? (b) Ç’do të trajtojmë në artikullin vijues?

18 Si mund t’i kontribuojë secili nga ne paqes dhe unitetit që gjendet mes popullit të Perëndisë? Në shumë kongregacione ka vëllezër e motra që kanë ardhur nga vende të huaja. Disa mund të kenë zakone të tjera dhe mund të mos e flasin mirë gjuhën tonë. A përpiqemi t’i njohim? Kështu na porosit Fjala e Perëndisë. Kur i shkroi kongregacionit të Romës, që përbëhej nga besimtarë judenj dhe jojudenj, Pavli tha: «Mikpritni njëri-tjetrin, ashtu si na mikpriti edhe Krishti, për lavdi të Perëndisë.» (Rom. 15:7) A ka ndonjë në kongregacionin tënd që mund të përpiqesh ta njohësh më mirë?

19 Ç’mund të bëjmë tjetër që ta lejojmë frymën e shenjtë të veprojë në jetën tonë? Në artikullin vijues do të trajtohet kjo pyetje, ndërkohë që do të flasim për aspektet e tjera të frytit të frymës.

[Shënimet]

^ par. 3 Fryti që përmendi Jezui përfshin ‘frytin e frymës’ dhe «frytin e buzëve», të cilin të krishterët ia paraqitin Perëndisë nëpërmjet veprës së predikimit për Mbretërinë.​—Hebr. 13:15.

^ par. 15 Levitiku 19:18 thotë: «Mos merr hak dhe mos u mbaj mëri bijve të popullit tënd. Duaje tjetrin si veten.» Krerët fetarë judenj mësonin se shprehjet ‘bijtë e popullit tënd’ dhe «tjetrin» u referoheshin vetëm judenjve. Ligji kërkonte që izraelitët të qëndronin të veçuar nga kombet e tjera. Mirëpo, nuk mbështeste pikëpamjen që nxitnin krerët fetarë të shekullit të parë, domethënë, se të gjithë jojudenjtë ishin armiq dhe duheshin urryer.

Si do të përgjigjeshe?

• Si mund të tregojmë dashuri vetëmohuese për vëllezërit tanë?

• Pse është e rëndësishme t’i shërbejmë Perëndisë me gëzim?

• Si mund t’i kontribuojmë paqes dhe unitetit të kongregacionit?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 21]

«Këta janë të krishterët e vërtetë»

Në librin Mes rezistencës dhe martirizimit​—Dëshmitarët e Jehovait në Rajhun e Tretë (angl.), tregohen komentet e një të burgosuri të ri jude, ku përshkruan takimin e tij të parë me Dëshmitarët e Jehovait pasi kishte mbërritur në kampin e përqendrimit në Nojengame:

«Sapo ne judenjtë që vinim nga kampi i Dakaut mbërritëm në bllokun tonë, judenjtë e tjerë nisën të fshihnin gjithçka kishin, që të mos u duhej t’i ndanin me ne. . . . Jashtë [kampit të përqendrimit] i ishim gjendur njëri-tjetrit. Por këtu, ku bëhej fjalë për jetë a vdekje, secili mendonte në radhë të parë të shpëtonte veten, pa iu bërë vonë për të tjerët. Mirëpo, imagjinoni ç’bënin Studentët e Biblës. Në atë kohë, u duhej të punonin shumë, duke riparuar tubacionet e ujit. Bënte acar dhe ata qëndronin gjithë ditën me këmbët në ujë të ftohtë akull. Askush nuk e kuptonte si ia bënin. Ata thoshin se Jehovai u jepte fuqi. Kishin tmerrësisht nevojë për bukë, si edhe ne, sepse ishin të uritur. Por, çfarë bënë? E mblodhën gjithë bukën që kishin, mbajtën gjysmën për vete dhe gjysmën tjetër ua dhanë bashkëbesimtarëve që sapo kishin mbërritur nga Dakau. I pritën me përzemërsi dhe i puthën. Para se të hanin, bënë lutjen. Më pas, ishin të gjithë të kënaqur e të lumtur. Thoshin se nuk kishin më uri. Ja pra, pikërisht në atë çast mendova: këta janë të krishterët e vërtetë.»

[Figurat në faqen 19]

A blen kohë çdo ditë nga punët e tjera që t’i afrohesh Jehovait?