Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kam pasur shumë bekime

Kam pasur shumë bekime

Kam pasur shumë bekime

Treguar nga Artur Bonoja

ISHTE viti 1951. Gruaja ime, Edita, dhe unë ndodheshim në një kongres krahinor kur dëgjuam njoftimin se do të mbahej një mbledhje për të interesuarit për shërbimin misionar.

—Eja të dëgjojmë!—thirra.

—Art, nuk është për ne!—u përgjigj Edita.

—Hajde Eda, vetëm sa të dëgjojmë.

Pas mbledhjes, na ofruan kërkesa për Shkollën e Galaadit.

—T’i plotësojmë,—e nxita unë.

—Por Art, si do t’ia bëjmë për familjet tona?

Rreth një vit e gjysmë pas atij kongresi, ndoqëm Shkollën e Galaadit dhe u caktuam që të shërbenim në Ekuador, në Amerikën e Jugut.

Siç mund ta kuptoni nga biseda me gruan në atë kongres, kisha një personalitet disi të fortë dhe mendoja se mund të bënim çfarëdo gjëje që vendosnim të bënim. Por Eda ishte e butë dhe modeste. Ajo ishte rritur në qytezën Elizabeth të Pensilvanisë, SHBA, dhe kurrë nuk kishte provuar të largohej shumë nga shtëpia ose nuk kishte takuar një të huaj. E kishte të vështirë të largohej nga familja. Prapëseprapë, me gjithë zemër pranoi caktimin që të shërbente jashtë shtetit. Më 1954 mbërritëm në Ekuador dhe që atëherë kemi shërbyer në këtë vend si misionarë. Gjatë viteve që kemi qenë këtu, kemi pasur shumë bekime. A dëshironi të dëgjoni disa prej tyre?

Kujtime të këndshme

Caktimi ynë i parë ishte kryeqyteti Kuito, në një lartësi rreth 2.850 metra në vargmalet e Andeve. Që të shkonim atje nga qyteti bregdetar i Guajakuilit, na u deshën dy ditë me tren dhe kamion​—një udhëtim që tani zgjat vetëm 30 minuta me avion. Shërbyem në Kuito për katër vite të paharrueshme. Pastaj, më 1958, patëm një tjetër bekim: u ftuam të shërbenim në veprën qarkore.

Atëherë kishte vetëm dy qarqe të vogla në mbarë vendin. Prandaj, përveçse vizitonim kongregacionet, kalonim shumë javë gjatë vitit duke predikuar nëpër fshatrat ku nuk jetonte asnjë Dëshmitar. Në këto fshatra, zakonisht vendi ku strehoheshim ishte një dhomë pa dritare, me një krevat e asgjë tjetër. Mbanim me vete një sënduk druri ku vinim një furnelë vajguri, një tigan, pjata, një legen, çarçafë, një rrjetë kundër mushkonjave, rroba, gazeta të vjetra dhe ca sende të tjera. Gazetat i përdornim për të zënë vrimat në mur, që minjtë ta kishin më të vështirë të hynin.

Megjithëse këto dhoma ishin të errëta dhe të zymta, kemi kujtime të këndshme të bisedave të përnatshme që bënim ndërsa rrinim në krevat, duke ngrënë një vakt të thjeshtë të gatuar në furnelën me vajgur. Meqë isha tip i rrëmbyer dhe shpesh flitja pa u menduar, ndonjëherë gruaja i shfrytëzonte këto çaste të qeta për të më thënë se si të shprehesha më mirë me vëllezërit që vizitonim duke treguar takt. E dëgjoja dhe vizitat e mia u bënë më inkurajuese. Gjithashtu, kur pa u menduar flitja keq për ndokënd, ajo nuk pranonte të përfshihej në bisedë. Kështu mësova të ruaja një pikëpamje pozitive për vëllezërit. Megjithatë, kryesisht bisedat tona në mbrëmje përqendroheshin në pikat që mësonim nga artikujt e Kullës së Rojës dhe në përvojat e shërbimit që kishim pasur gjatë ditës. Dhe sa përvoja emocionuese kishim!

Si gjetëm Karlosin

Në qytezën Hipihapa, në perëndim të Ekuadorit, na dhanë emrin e një të interesuari, por vetëm emrin, Karlos Mehia, e jo adresën. U nisëm atë mëngjes, pa e ditur se ku të fillonim ta kërkonim, prandaj thjesht vazhduam të ecnim kuturu. Duhej të shmangnim shumë pellgje me baltë në rrugët e pista, pasi një natë më parë kishte rënë mjaft shi. Po ecja para gruas kur papritur dëgjova nga pas një thirrje ankuese: «Art!» U ktheva dhe pashë që Eda ishte zhytur në baltën e zezë deri në gju. Ishte një skenë kaq humoristike, sa do t’ia kisha krisur të qeshurit po të mos shihja fytyrën e saj me lot.

E nxora nga balta, por këpucët ngecën brenda. Një djalë dhe një vajzë po na shihnin, atëherë u thashë: «Do t’ju jap ca para po t’i nxirrni këpucët nga balta.» I gjetën këpucët sa hap e mbyll sytë, por Edës i duhej një vend ku t’i pastronte. Mamaja e fëmijëve po vërente këtë skenë dhe na ftoi në shtëpinë e saj. Ajo e ndihmoi gruan të lante këmbët, kurse fëmijët pastruan këpucët e ndotura. Para se të largoheshim, ndodhi diçka që ishte vërtet një bekim. E pyeta atë grua nëse njihte një burrë me emrin Karlos Mehia. Me një shprehje habie në fytyrë, tha: «Është burri im.» Me kalimin e kohës filluam një studim biblik dhe të gjithë pjesëtarët e asaj familjeje u pagëzuan. Vite më vonë, Karlosi, gruaja dhe dy prej fëmijëve u bënë pionierë specialë.

Udhëtime sfiduese, mikpritje inkurajuese

Ishte një sfidë të udhëtoje në veprën qarkore. Përdornim autobusë, trena, kamionë, kanoe dhe aeroplanë të vegjël. Një herë Xhon Meklenëkëni, që shërbente si mbikëqyrës krahinor, dhe gruaja e tij, Doroti, na shoqëruan ndërsa predikonim në fshatrat e peshkatarëve pranë kufirit me Kolumbinë. Udhëtuam me një kanoe primitive të pajisur me motor. Anash nesh notonin peshkaqenë të mëdhenj sa kanoeja. Edhe lundruesi me përvojë që ishte me ne, u alarmua kur pa sa ishin peshkaqenët dhe menjëherë e çoi kanoen më afër bregut.

Gjithsesi, sfidat që hasnim në veprën qarkore ia vlenin që ç’ke me të. Njohëm vëllezër mikpritës e të mrekullueshëm. Shumë herë familjet ku rrinim, ngulnin këmbë që të hanim tri vakte në ditë, ndërkohë që ata hanin vetëm një. Ose na linin të flinim në të vetmin krevat të shtëpisë, kurse ata vetë flinin përdhé. Shpesh gruaja thoshte: «Këta vëllezër e motra të shtrenjta më ndihmojnë të kuptoj se për sa pak gjëra kemi vërtet nevojë për të jetuar.»

«Nuk duam të tërhiqemi»

Më 1960, patëm një tjetër bekim​—u ftuam të shërbenim në zyrën e degës në Guajakuil. Unë bëja punë administrative, kurse Edita predikonte me një kongregacion pranë zyrës së degës. Kurrë nuk mendoja se isha për punë zyre dhe ndihesha disi i paaftë, por siç tregon Hebrenjve 13:21, Perëndia na pajis «me çdo gjë të mirë për të bërë vullnetin e tij». Dy vjet më pas, më ftuan të ndiqja një kurs dhjetëmujor të Galaadit që do të mbahej në Bethelin e Bruklinit, Nju-Jork. Në atë kohë, nga gratë pritej që të qëndronin në caktimin e tyre. Nga Bruklini erdhi një letër që i drejtohej gruas. I kërkonin të mendohej mirë nëse do të ishte e gatshme të pranonte që burri të largohej për dhjetë muaj.

Edita u përgjigj: «Jam e sigurt se kjo nuk do të jetë gjëja më e lehtë në botë, por e di se me siguri Jehovai do të na ndihmojë të kapërcejmë çfarëdo vështirësie që mund të lindë. . . . Nuk duam të tërhiqemi para asnjë privilegji që mund të na jepet ose para asnjë mundësie që të jemi më të kualifikuar për të përmbushur përgjegjësitë.» Gjatë kohës që isha në Bruklin, gruaja më dërgoi një letër çdo javë.

Shërbejmë me bashkëbesimtarë besnikë

Më 1966, për shkak të problemeve shëndetësore, Edita dhe unë u kthyem në Kuito, ku rifilluam shërbimin misionar bashkë me vëllezërit dhe motrat vendëse. Sa besnikë ishin!

Një motër besnike, e rrihte shpesh burri jobesimtar. Një ditë, në gjashtë të mëngjesit, dikush na telefonoi e na tha se motrën e kishin rrahur përsëri. U turra te shtëpia e saj. Kur e pashë, nuk u besoja syve. Ishte shtrirë në krevat, plot të ënjtura dhe mavijosje. Burri e kishte rrahur me bishtin e fshesës derisa ishte thyer më dysh. Më vonë atë ditë, e gjeta dhe i thashë se ishte sjellë si burracak. Më kërkoi falje njëqind herë.

Në fillim të viteve 70, isha më mirë me shëndet dhe rifilluam veprën qarkore. Qyteti i Ibarës ishte pjesë e qarkut tonë. Kur vizituam atë qytet në fund të viteve 50, kishte vetëm dy Dëshmitarë: një misionar dhe një vëlla vendës. Prandaj mezi pritnim të takonim shumë të rinj që i ishin shtuar kongregacionit.

Atje, në mbledhjen e parë, vëlla Rodrigo Vaka shkoi në podium dhe drejtoi një pjesë me pjesëmarrjen e auditorit. Sa herë bënte një pyetje, të pranishmit thërritnin «Jo, jo!» («Unë, unë!»), në vend që të ngrinin dorën. Edita dhe unë vështruam njëri-tjetrin të habitur. «Ç’po ndodh?»—mendova. Më vonë mora vesh se vëlla Vaka është i verbër, por i dallon zërat e pjesëtarëve të kongregacionit kur thërrasin. Ai është një bari që vërtet i njeh delet e tij. Kjo më solli ndër mend fjalët e Jezuit te Gjoni 10:3, 4, 14 për Bariun e Shkëlqyer dhe delet, që e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Sot në Ibarë ka gjashtë kongregacione në gjuhën spanjolle, një në gjuhën kiçua dhe një në gjuhën e shenjave. Vëlla Vaka vazhdon të shërbejë besnikërisht si plak dhe pionier special. *

Mirënjohës për mirësinë e Jehovait

Më 1974 Jehovai na e shfaqi përsëri mirësinë e tij kur u ftuam të ktheheshim në Bethel, ku u caktova prapë të bëja punë administrative dhe më vonë u emërova në Komitetin e Degës. Edita punonte në fillim në kuzhinë dhe më pas nisi të punonte në zyrë, ku shërben deri më sot për shpërndarjen e postës.

Gjatë viteve kemi provuar gëzimin që t’u jepnim mirëseardhjen qindra misionarëve të stërvitur në Galaad, të cilët përcjellin pjekuri e zell në kongregacionet ku shërbejnë. Gjithashtu, marrim zemër nga mijëra vëllezër e motra që kanë ardhur nga më tepër se 30 shtete për të shërbyer në këtë vend. Sa mbresa na lë fryma e tyre vetëmohuese! Disa kanë shitur shtëpinë dhe biznesin që të vijnë këtu për të shërbyer në zona ku ka shumë nevojë për predikues të Mbretërisë. Ata kanë blerë automjete që të predikojnë në zona të thella, kanë formuar kongregacione të reja dhe kanë ndihmuar për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Shumë motra beqare kanë ardhur nga jashtë që të shërbejnë këtu si pioniere​—dhe ç’punëtore të zellshme e të zonja që janë!

Vërtet, kam pasur shumë bekime në vitet e shërbimit ndaj Perëndisë. Kryesorja ndër to është marrëdhënia ime me Jehovain. Po ashtu, jam mirënjohës që Jehovai më dha ‘një ndihmëse’. (Zan. 2:18) Kur mendoj për 69 vitet si burrë e grua, më vijnë ndër mend fjalët e Proverbave 18:22: «Kush gjen një grua të mirë, gjen një gjë të mirë.» Ka qenë një kënaqësi të jem në shoqërinë e Editës. Më ka ndihmuar në shumë mënyra. Ka qenë edhe një vajzë e dashur për të ëmën. Që kur mbërritëm në Ekuador, gruaja i dërgonte letra mamasë së saj çdo javë, deri më 1990, kur mamaja mbylli sytë në moshën 97-vjeçare.

Tani jam 90 vjeç dhe Edita 89. E konsiderojmë një thesar gëzimin që kemi provuar duke ndihmuar 70 veta të njohin Jehovain. Patjetër jemi të lumtur që plotësuam kërkesat për Shkollën e Galaadit 60 vjet më parë. Falë atij vendimi kemi pasur një jetë plot bekime.

[Shënimi]

^ par. 29 Jetëshkrimi i vëlla Vakës doli në revistën Zgjohuni! të 8 shtatorit 1985, angl.

[Figura në faqen 29]

Më 1958 në stadiumin «Jenki», Nju-Jork, me misionarë të tjerë nga klasa e Galaadit

[Figura në faqen 31]

Më 1959 ndërsa vizitonim një familje Dëshmitarësh kur isha në veprën qarkore

[Figura në faqen 32]

Më 2002, në zyrën e degës së Ekuadorit