Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

A përputhen emrat e gjetur në vulat e lashta prej argjile, me emrat e përmendur në Bibël?

▪ Në lashtësi, ata që merreshin me dokumente zyrtare, i mblidhnin ato rrotull, i lidhnin me një fill dhe pastaj i vinin një masë argjile të njomë te nyja, të cilën e vulosnin. Ata i përdornin vulat për të nënshkruar dokumentet, për të provuar autenticitetin e tyre dhe si dëshmi.

Nganjëherë vulat gdhendeshin në unazat që përdoreshin për të nënshkruar, të cilat konsideroheshin objekte të çmuara. (Zanafilla 38:18; Estera 8:8; Jeremia 32:44) Shpesh vula mbante emrin e pronarit, titullin zyrtar dhe emrin e të atit.

Studiuesit kanë gjetur qindra gjurmë vulash të lashta. Disa nga këto mbajnë emrat e njerëzve që përmend Bibla. Për shembull, arkeologët kanë gjetur gjurmë që mendojnë se janë të vulave personale të dy mbretërve judenj. Njëri tekst thotë: «I përket Akazit [bir i] Yehotamit [Jotamit], mbret i Judës.» Në vula të tjera lexohet: «I përket Hezekisë [bir i] Akazit, mbret i Judës.» (2 Mbretërve 16:1, 20) Akazi dhe Hezekia mbretëruan gjatë shekullit të tetë p.e.s.

Studiuesit kanë shqyrtuar gjurmë të disa vulave të tjera që mendohet se kanë qenë të personazheve biblike. Ndër këta, janë njerëz që përmenden në shkrimet e Jeremisë të tillë, si: Baruku (sekretari i Jeremisë), Gemariahu (‘biri i Shafanit’), Jerahmeli (‘biri i mbretit’), Jukali («biri i Shelemiahut») dhe Serajahu (vëllai i Barukut).​—Jeremia 32:12; 36:4, 10, 26; 38:1; 51:59.

Si matet koha në Bibël?

▪ Shkrimet Hebraike përdorin shprehje të tilla, si: ‘mëngjes’, «mesditë», ‘mes i ditës’ dhe ‘mbrëmje’. (Zanafilla 24:11; Ligji i përtërirë 28:29; 1 Mbretërve 18:26) Hebrenjtë e ndanin natën në tri ndërresa ose turne, me rreth katër orë secila, por më vonë adoptuan sistemin grek dhe romak me katër ndërresa nate. Me sa duket, Jezui përmendi këtë metodë të dytë për ndarjen e kohës kur tha: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini kur vjen i zoti i shtëpisë, në të ngrysur a në mesnatë, kur të këndojë gjeli a herët në mëngjes.» (Marku 13:35) Ndërresa «në të ngrysur» fillonte në perëndim të diellit dhe mbaronte në orën 21.00. Tjetra mbaronte në mesnatë, dhe e treta, ‘kur këndonte gjeli’, zgjaste deri rreth orës tre të mëngjesit. E fundit, ndërresa herët në mëngjes, përfundonte kur lindte dielli. Pikërisht «në kohën e ndërresës së katërt të natës», Jezui eci mbi ujë në detin e Galilesë.​—Mateu 14:23-26, shënimi.

Në Shkrimet e Krishtere Greke, termi «orë» ishte i barabartë me një të dymbëdhjetën e kohës që kalon nga lindja e diellit deri në perëndim. (Gjoni 11:9) Meqë në Izrael dielli lind dhe perëndon në orë të ndryshme sipas stinës, zakonisht jepej vetëm një përcaktim i përafërt i kohës së një ngjarjeje, si për shembull, «rreth orës së gjashtë».​—Veprat 10:9.

[Figura në faqen 15]

Vula prej argjile me emrin Hezekia dhe Akazi (vula para), dhe ndoshta Baruku (vula pas)

[Burimet]

Pas: me mirësjellje nga muzeu i Izraelit, Jerusalem

Para: www.BibleLandPictures.com/​Alamy

[Figura në faqen 15]

Orë diellore gjatë Perandorisë Romake (27 p.e.s.-476 të e.s.)

[Burimi]

© Gerard Degeorge/​The Bridgeman Art Library International