Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të jetë e mërzitshme jeta e përhershme në Parajsë?

A do të jetë e mërzitshme jeta e përhershme në Parajsë?

Lexuesit pyesin . . .

A do të jetë e mërzitshme jeta e përhershme në Parajsë?

▪ Bibla na jep shpresën për të jetuar përgjithmonë në Parajsën në tokë. (Psalmi 37:29; Luka 23:43) A do të bëhet e mërzitshme jeta e pafund në një mjedis të përsosur?

Kjo është një pyetje që ia vlen ta mendosh. Studiuesit kanë zbuluar se mërzia kronike mund ta çojë një individ në ankth, depresion dhe ta bëjë të prirur për të rrezikuar. Ata që mendojnë se bëjnë jetë pa qëllim ose që lodhen me rutinën e përditshme, mund të bien pre e mërzisë. A do të jetë pa asnjë qëllim jeta e njerëzve në Parajsë? A do të bëhet pa pikë interesi rutina e përditshme?

Së pari, mos harro se ai që na e ofron jetën e përhershme është Perëndia Jehova, autori i Biblës. (Gjoni 3:16; 2 Timoteut 3:16) Cilësia kryesore e Perëndisë është dashuria. (1 Gjonit 4:8) Jehovai na do jashtëzakonisht shumë dhe na ka dhënë gjithë të mirat që gëzojmë sot.​—Jakovi 1:17.

Krijuesi ynë e di se, për të qenë të lumtur, kemi nevojë për punë domethënëse e me një qëllim. (Psalmi 139:14-16; Eklisiastiu 3:12) Në Parajsë, punëtorët nuk do të ndihen si një ingranazh i parëndësishëm në një makineri të stërmadhe. Puna që do të bëjnë, do t’u sjellë dobi drejtpërdrejt atyre dhe të tjerëve që i duan. (Isaia 65:22-24) Nëse do të kishe një punë në kohë të plotë që të ishte interesante, sfiduese dhe në të njëjtën kohë tërheqëse, a do të të dukej e mërzitshme jeta?

Gjithashtu kujto se Perëndia Jehova nuk ua jep të gjithëve mundësinë për të jetuar në Parajsë. Ai ua jep dhuratën e jetës së përhershme vetëm atyre që imitojnë Birin e tij, Jezuin. (Gjoni 17:3) Kur ishte në tokë, Jezui kënaqej duke bërë vullnetin e Atit të tij. U mësoi dishepujve, si me fjalë edhe me shembullin e tij, se lumturia jetëgjatë vjen më shumë kur jep, sesa kur merr. (Veprat 20:35) Në parajsën e rivendosur, të gjithë do të jetojnë sipas dy urdhërimeve më të mëdha, ku kërkohet ta duan Perëndinë dhe të afërmin. (Mateu 22:36-40) Përfytyroje veten mes njerëzve altruistë që të duan ty dhe punën që bëjnë. A mendon se do të mërziteshe me shoqëri të tillë?

Çfarë do të përfshijë tjetër jeta në Parajsë? Çdo ditë do të jemi në gjendje të mësojmë diçka të re për Krijuesin tonë. Tashmë studiuesit kanë bërë mjaft zbulime të jashtëzakonshme për krijimin e Jehovait. (Romakëve 1:20) Gjithsesi, as majën e ajsbergut s’e kemi zbuluar deri tani. Mijëra vjet më parë, Jobi, një burrë besnik, mori në shqyrtim ato që dinte për krijimin e Perëndisë dhe përfundimi që nxori vlen ende. Ai tha: «Këto s’janë veç thekët e udhëve të [Perëndisë]. Ne dëgjojmë veç pëshpërimën e zërit të tij, por bubullimën që lëshon ai, kush mund ta kuptojë?»​—Jobi 26:14.

Edhe nëse jetojmë përgjithmonë, kurrë nuk do të arrijmë të zbulojmë gjithçka për Perëndinë Jehova dhe për veprat e tij. Bibla thotë se Perëndia na e ka vënë në zemër dëshirën për të jetuar përgjithmonë. Por, gjithashtu, ajo thotë se ‘nuk do ta zbulojmë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë’. (Eklisiastiu 3:10, 11) A mendon se do të mërzitesh ndonjëherë duke mësuar gjëra të reja për Krijuesin tënd?

Edhe tani, ata që janë të angazhuar plotësisht në një punë që u sjell dobi të tjerëve dhe që i jep lavdi Perëndisë, zor se mërziten. Mund të jemi të sigurt se, për sa kohë të angazhohemi në punë të ngjashme, nuk do të mërzitemi kurrë​—edhe po të jetojmë përgjithmonë.

[Burimet e figurave në faqen 27]

Toka: Image Science and Analysis Laboratory, NASA-Johnson Space Center; galaktika: The Hubble Heritage Team (AURA/​STScI/​NASA)