Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

PSE e la karrierën një këngëtare e famshme që të bëhej pjesëtare e një organizate fetare e ta kalonte një pjesë të mirë të kohës duke folur me të tjerët për Perëndinë? Si arriti një kriminel të bëhej qytetar i mirë, edhe pse një gjykatës tha se ishte i pandreqshëm? Lexoni këto tregime që të gjeni përgjigjet.

«Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve.»​—ANTOLINA ORDEN-KASTIJO

LINDUR: 1962

VENDI I LINDJES: SPANJA

MË PARË: AKTORE DHE KËNGËTARE ZARZUELA

E KALUARA IME: Linda në fshatin e vogël të Tresunkos, në rajonin e njohur si La Mança. Familja merrej me bujqësi. Mamaja ishte katolike dhe babai protestant. Ai më mësoi ta respektoja Biblën. Gjithë kohës e shihja me Bibël në dorë. Por mamaja më rriti si katolike dhe më çonte në meshë çdo të diel.

Kur isha 15 vjeçe, u largova nga fshati dhe shkova të jetoja në Madrid me motrën e madhe. Më merrte shumë malli për prindërit, por me kalimin e kohës u përshtata me jetën e qytetit. Në moshën 17-vjeçare, pata mundësinë të punoja pak muaj në një zarzuela, operetë spanjolle tradicionale. Kënaqesha shumë me jetën që bëja dhe vendosa të bëhesha aktore. E lashë kursin për sekretari dhe nisa të punoja me trupa të ndryshme zarzuela. Në këtë periudhë nisa një lidhje romantike me vëllanë e njërës prej shoqeve të mia. Ndihesha kaq fatlume që kisha punë të mirë, para dhe dashuri.

Fillova të udhëtoja me trupa të ndryshme zarzuela në të gjithë Spanjën dhe në vende të tjera, si Ekuador, Kolumbi, Kosta-Rikë dhe Venezuelë. Gjithashtu këndoja me grupe të ndryshme që i përkitnin një lëvizjeje muzikore të famshme në Madrid, me emrin La movida madrilenja. Njëri nga grupet ku isha vokalistja kryesore, u bë shumë i suksesshëm.

Puna më pëlqente, kurse atmosfera imorale jo. Për më tepër u bëra e fiksuar pas pamjes sime dhe që të tjerët të kishin mendime të larta për mua. Mbaja dietë mjaft të rreptë dhe fillova të vuaja nga anoreksia dhe bulimia.

Synimi im kryesor ishte ende të bëhesha aktore. Me kalimin e kohës më pranuan në Shkollën e Arteve Dramatike në Madrid. Na mësuan se aktrimi kërkonte që aktori të zhytej në ndjenjat e veta dhe t’i përjetonte ato. Kur e zbatova këtë këshillë, kuptova se isha bosh emocionalisht. Isha bërë një grua sipërfaqësore dhe egoiste.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: E dija se, nëse doja të kisha cilësi të mira, duhej të përpiqesha për këtë. Por nuk dija nga t’ia filloja. Vendosa të shkoja në një kishë evangjeliste në Madrid ku kisha qenë njëherë me prindërit. Iu luta Perëndisë me emrin e tij, Jehova.

Shpejt pas kësaj, në shtëpi më erdhën dy Dëshmitare të Jehovait. Megjithëse bisedova me to e etur për Biblën, i kundërshtova për shumë gjëra që mësonin. Estera, Dëshmitarja që bënte rregullisht studim biblik me mua, ishte shumë e durueshme. Ajo me familjen e saj, u treguan tejet të dashur dhe të butë ndaj meje. Fillova të shkoja në mbledhjet e Dëshmitarëve dhe shpejt kuptova se kisha gjetur të vërtetën që po kërkoja.

Sapo kisha mbaruar studimet në artet dramatike dhe kisha mundësi të panumërta për karrierë. Më dhanë rol në një prodhim që do të vihej në skenë në një teatër të famshëm të Madridit. Por kuptova edhe se, që të bëhesha aktore e suksesshme, duhej t’i përkushtohesha krejtësisht artit. Më në fund vendosa të gjeja një punë tjetër që të më lejonte të përqendrohesha në shërbimin ndaj Perëndisë. Mora për zemër fjalët e Jezuit: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të ngjitet pas njërit e do të përbuzë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» (Mateu 6:24) I dashuri që kisha prej tetë vjetësh nuk ishte dakord me bindjet e mia, kështu që vendosa t’i jepja fund lidhjes. Asnjë nga këto ndryshime s’ishte i lehtë.

DOBITË: Tani punoj me orar të shkurtuar; ndihmoj të moshuarit. Kjo punë më lejon ta kaloj pjesën më të madhe të kohës duke u mësuar Biblën njerëzve që flasin arabisht në zonën time. Më duhet të punoj shumë që të mësoj këtë gjuhë të re. Megjithatë ndiej mjaft kënaqësi kur flas për gjërat e mira që kam mësuar, me njerëz kaq mikpritës dhe që duan të mësojnë për Perëndinë.

Boshllëku që ndieja kur studioja për t’u bërë aktore tani ia ka lënë vendin një qëllimi në jetë. E ndiej se Jehovai më ka ndihmuar të bëhem njeri më i mirë dhe më i lumtur.

«Provova se gjykatësi e kishte gabim.»​—POL-KEVIN RUBERI

LINDUR: 1954

VENDI I LINDJES: ANGLIA

MË PARË: KRIMINEL I DHUNSHËM

E KALUARA IME: Linda në Dadli, qytet i madh industrial në Uest-Midlends. Që kur isha i vogël, babai nguliti tek unë dashurinë për leximin. Po ashtu më nxiste t’i çmoja mrekullitë e natyrës, edhe pse ia jepte meritën evolucionit për to. Ai më mësoi se Perëndia s’ekzistonte. Gjithsesi, prindërit më çuan në një shkollë Metodiste të së Dielës.

Në moshën tetëvjeçare pashë disa djem t’i vinin zjarrin një barke në kanal. Policia erdhi, por nuk u thashë gjë nga frika pasi djemtë më kishin kërcënuar. Më akuzuan padrejtësisht për krimin, dhe kjo më mbushi tërë mllef. Si kundërpërgjigje, bëra vandalizma ndaj disa shkollave, kishave dhe fabrikave ku dëmtimet shkonin mijëra dollarë. Kur isha dhjetë vjeç, futesha nëpër shtëpi e dyqane dhe i vidhja. Më magjepste zjarri dhe u vura zjarrin shumë objekteve. Në shkollë mësuesit thoshin se kisha dalë nga binarët.

Në moshën 12-vjeçare zbulova një libër për okultizmin dhe u përfshiva në aktivitete okultiste. Ngaqë prindërit nuk besonin te Perëndia, mendonin se nuk kishte gjë të keqe të merresha me spiritizëm dhe se ai do të më mbante larg telasheve. Por, kur mbarova shkollën, tashmë kisha dalë shumë herë para gjykatës së të miturve. Isha bashkuar me një grup të dhunshëm që quheshin skinheads. Me vete mbaja brisk dhe zinxhir biçiklete si armë. Gjeta punë, por shpejt e humba sepse u dënova me burg për njëfarë kohe. Pasi u lirova, fillova prapë të shkatërroja prona dhe më arrestuan e më dënuan me dy vjet burg. Gjykatësi tha se isha i pandreqshëm dhe kërcënim për shoqërinë.

Pasi u lirova nga burgu, u takova me ish të dashurën, Anitën. U martuam dhe, për pak kohë, nuk vodha e nuk hyra në telashe. Por, pas disa vjetësh, iu ktheva krimit. Fillova të hyja me forcë nëpër godina biznesi dhe u vidhja kasafortat. Fillova të drogohesha, të pija rëndshëm dhe të mbaja armë. Sërish më arrestuan dhe më dënuan me burg.

Jeta që bëja e stresoi jashtëzakonisht Anitën. Mjeku i dha qetësues, por i tha se ajo që i duhej vërtet ishte divorci. Sa i kënaqur jam që ajo s’e ndoqi këshillën e tij.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Në fillim të martesës sonë, Anita studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait për pak kohë. Më pas, ndërsa po vuaja dënimin e fundit në burg, Dëshmitarët u takuan prapë me të. Ndodhi që po atë ditë, iu luta Perëndisë: «Nëse ekziston vërtet, më jep prova.»

Kur dola nga burgu ca muaj më vonë, takova priftin vendës dhe i kërkova të studionte Biblën me mua dhe Anitën. Ai na tha se do të na mësonte vetëm doktrinat themelore të kishës dhe një lutje.

Më në fund fillova të lexoja Biblën. U habita kur mësova se ajo e dënon spiritizmin. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Më vonë gjeta një revistë Kulla e Rojës, që Dëshmitarët ia kishin lënë Anitës ditën kur i isha lutur Perëndisë për ndihmë. Ajo që lexova më shtyu të takohesha me Dëshmitarët.

Familjet, miqtë tanë dhe shokët e mi kriminelë nuk ishin të lumtur kur morën vesh që po studionim Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Disa thanë se po më bënin lavazh truri. Për të qenë krejt i sinqertë, truri im duhej pastruar. Kisha mjaft të meta personaliteti, ndërgjegje të mpirë dhe, përveç veseve të tjera, pija deri 60 cigare në ditë. Dëshmitarët që na ndihmuan të mësonim për Biblën dhe ata me të cilët shoqëroheshim në kongregacionin vendës, ishin shumë të durueshëm dhe dashamirës. Me kalimin e kohës, u lirova nga zakonet e këqija.​—2 Korintasve 7:1.

DOBITË: Anita dhe unë kemi 35 vjet të martuar. Një nga fëmijët tanë, një nip e një mbesë i shërbejnë Jehovait përkrah nesh. Vitet e fundit, unë dhe Anita kemi arritur të kalojmë një pjesë të mirë të kohës duke i ndihmuar të tjerët të mësojnë për Biblën.

Shërbimi ndaj Perëndisë Jehova, i kanë dhënë jetës sonë qëllim dhe domethënie të vërtetë. Në vitin 1970 një gjykatës tha në gjyq se isha i pandreqshëm. Por, me ndihmën e Perëndisë dhe drejtimin e Biblës, provova se gjykatësi e kishte gabim.