Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Jehovai është Bariu im»

«Jehovai është Bariu im»

Afrojuni Perëndisë

«Jehovai është Bariu im»

SHIKOJE pikturën në këtë faqe. A e ndien sigurinë e qengjit që strehohet në gjirin e bariut? Në Psalmin 23, Bibla përdor metaforën e një bariu me delet e veta për të ilustruar kujdesin e butë që Jehovai tregon ndaj adhuruesve të tij. Ai dëshiron të ndiejmë sigurinë e atyre që, ashtu si psalmisti David, mund të thonë me bindje: «Jehovai është bariu im.» *​—Vargu 1.

Shkrimtari i këtij psalmi, Davidi, ishte bari në rini. Ai i njihte mirë nevojat e deleve dhe përgjegjësitë e një bariu. Davidi, që e kishte provuar kujdesin e Perëndisë në jetë, shkroi atë që është quajtur «një psalm që jep siguri ose besim». Emri hyjnor, Jehova, shfaqet në fillim dhe në fund të psalmit. (Vargjet 16) Fjalët ndërmjet këtyre vargjeve përshkruajnë tri mënyra si kujdeset Jehovai për popullin e tij, ashtu si një bari kujdeset për delet e veta.​—Psalmi 100:3.

Jehovai u prin deleve të tij. Delet priren të humbin pa bari. Në mënyrë të ngjashme, kemi nevojë për ndihmë që të gjejmë shtegun e duhur në jetë. (Jeremia 10:23) Davidi shpjegon se Jehovai e udhëheq popullin e tij në «livadhe plot bar» dhe «vende të ujitura mirë». Ai i prin «nëpër shtigjet e drejtësisë». (Vargjet 23) Këto përshkrime baritore na sigurojnë se mund t’i besojmë Perëndisë. Kur ecim sipas drejtimit të tij, siç na tregohet në Bibël, mund të ndjekim një mënyrë jetese që na sjell kënaqësi, freskim dhe siguri.

Jehovai i mbron delet e tij. Delet pa bari i zë frika dhe ndihen të pambrojtura. Jehovai i thotë popullit të tij se s’ka pse të frikësohet, as kur ‘ecën nëpër luginën e territ’​—gjatë momenteve që mund të duken më të errëtat në jetë. (Vargu 4) Jehovai i ruan, duke qenë gjithmonë gati për t’i ndihmuar. Ai mund t’u japë adhuruesve të tij mençurinë dhe forcën e nevojshme që t’u bëjnë ballë sprovave.​—Filipianëve 4:13; Jakovi 1:2-5.

Jehovai i ushqen delet e tij. Delet i drejtojnë sytë te bariu për të gjetur ushqim. Ne kemi nevojë që të mësojmë për Perëndinë, dhe kjo nevojë mund të plotësohet vetëm me ndihmën e tij. (Mateu 5:⁠3) Jemi të lumtur që Jehovai i siguron gjërat me bujari, duke u servirur shërbëtorëve të tij një tryezë plot e përplot. (Vargu 5) Bibla dhe mjetet për studimin e saj, si kjo revistë që po lexon, janë burim ushqimi frymor që plotëson nevojën tonë për të ditur kuptimin e jetës dhe qëllimin që ka Perëndia për ne.

Davidi ndihej i sigurt, pasi e dinte se po t’i rrinte pranë Bariut të tij qiellor, do të përjetonte kujdesin e dashur të Jehovait «çdo ditë të jetës së [tij]». (Vargu 6) A e dëshiron me zjarr këtë siguri? Nëse po, mëso si t’i afrohesh Jehovait. Kështu, mund të ndihesh i sigurt në krahët e Bariut më të Madh, i cili u prin, i mbron dhe i ushqen ata që i rrinë besnikë.​—Isaia 40:11.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë majit:

Jobi 38Psalmi 25

[Shënimi]

^ par. 1 Shumë lexues e njohin mirë këtë përkthim: «ZOTI është bariu im.» Që të kuptojmë pse disa përkthime të Biblës e heqin emrin hyjnor, Jehova, shih faqet 195-197 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.