Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tingëllonte si muzikë e këndshme

Tingëllonte si muzikë e këndshme

Letër nga Madagaskari

Tingëllonte si muzikë e këndshme

BASHKË me tim shoq ishim nisur për në caktimin e ri misionar​—ishulli i Madagaskarit. I përshëndetëm për herë të fundit miqtë dhe familjarët dhe u përpoqëm të merrnim kurajë, me besimin se Jehovai po na çonte në një caktim të përshtatshëm dhe do të na ndihmonte të kishim sukses.

Nuk do ta harrojmë kurrë mbledhjen e parë të kongregacionit në caktimin e ri. Vëllai që po drejtonte Studimin e Kullës së Rojës dukej sikur po dirigjonte një orkestër simfonike. Kaq pak e kuptonim gjuhën, sa ajo që dëgjonim na tingëllonte si muzikë e këndshme. Do të na duhej shumë kohë para se ta kuptonim mirë atë që thuhej.

Herën e parë që kuptova një pyetje që s’ishte shkruar në paragraf, pa dashje u përgjigja me zë lartë. Ata që ishin ulur pranë meje më dëgjuan dhe mezi e mbajta të qeshurën. U ndjeva në siklet, por në të njëjtën kohë edhe e emocionuar që i kapa disa fjalë.

Në vend që të isha unë ajo që duhej të ndihmonte lajmëtarët e tjerë në predikim, ndihesha si ajo që duhej ndihmuar. Vëllezërit e motrat më thoshin me dashuri si të bëja një prezantim të kuptueshëm në predikim, duke më treguar se ç’fjalë dhe shkrime të përdorja.

Më kujtohet një ditë kur isha në shërbim dhe një fëmijë thirri «Vazá! Vazá!» Në gjuhën malagase, ky është termi i zakonshëm për fjalën «i huaj». I shpejtuam hapat duke shpresuar që të mos mblidheshin fëmijë të tjerë e të këlthitnin të njëjtin refren. Pastaj një djalë e qortoi atë që po bërtiste. Ai i tha: «Ajo nuk është e huaj! E flet gjuhën tonë!» Motrës vendëse që ishte me mua, iu desh të m’i përkthente fjalët e tyre, pasi po flitnin shumë shpejt. Prapëseprapë, përbrenda më vërshoi kënaqësia. Më në fund, në Madagaskar po filloja të ndihesha si në shtëpinë time.

Jam ndier vetëm më tepër se një herë. Në këto raste një dorë e vogël më kapte dorën dhe, kur ulja sytë, shihja një fytyrë të qeshur që dukej shumë e lumtur që më shihte, ndonëse nuk komunikoja mjaft mirë. Të rinjtë në kongregacion janë bekim i pashoq nga Jehovai. Një motër e re, Hasina, është bërë përkthyesja ime. Kur askush tjetër s’më kupton, ajo duket se po. Shpesh më vjen në ndihmë kur përpiqem të komunikoj me miqtë në kongregacion, dhe u shpjegon çfarë dua të them.

Unë dhe burri ishim në një kongregacion që do të ndahej për t’u formuar një i ri. Kjo nënkuptonte se disa studime biblike duhej t’i drejtonin të tjerë, ngaqë studentët jetonin në territorin e kongregacionit të ri. Një motër më nxiti të drejtoja një studim të sajin. Kisha frikë dhe ngulja këmbë se nuk isha ende gati, por ajo u tregua shumë bindëse. Më siguroi se do t’ia dilja me ndihmën e Jehovait. Me sy të ngrohtë e mirëdashës dhe me fjalë tepër të thjeshta, ajo më tha se shpejt do të isha në gjendje t’i mësoja të tjerët siç doja. Ato fjalë më dhanë shumë zemër.

Që atëherë, ajo studente ka bërë përparim të mirë. Një ditë kur isha përjashta, e dëgjova teksa më thërriste. Bashkë me burrin po shkonin që të regjistronin ligjërisht martesën. Ai ka filluar të studiojë dhe kanë disa synime frymore që po përpiqen t’i arrijnë, ku përfshihet edhe pagëzimi. Më gufoi zemra nga kjo, megjithëse e dija se është Jehovai ai që e tërheq dikë drejt vetes e jo ne.

Kemi mësuar shumë gjëra nga ky caktim i ri. Megjithëse na merr malli për miqtë dhe familjarët që kemi lënë pas, ndihemi sikur e kemi marrë me vete një pjesë të tyre. Ua përmendim shpesh vëllezërve dhe motrave këtu e madje tani na pyesin për ta. Mezi e presim kohën kur «familjet» tona të bashkohen dhe të takohen me njëra-tjetrën.

Ende dëgjoj «muzikë» kur njerëzit flasin. Por tani e kuptoj ç’thonë. Pres me padurim kohën kur do të bashkohem në muzikë pa stonuar, në vend se të nxjerr nota të shpejta aty-këtu si ndonjë trumbetë. Jezui tha: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.» (Mateu 6:34) Kështu që do të vazhdojmë t’i mësojmë një e nga një ‘notat’ ose fjalët. Për momentin, do të vazhdoj t’i akordoj veshët, mendjen dhe zemrën, që të jem në gjendje të punoj përkrah motrave dhe vëllezërve tanë të dashur e të durueshëm këtu në Madagaskar.

[Figura në faqen 25]

Në predikim me Hasinën