Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ëndërroja një jetë mbi rrota

Ëndërroja një jetë mbi rrota

Ëndërroja një jetë mbi rrota

Treguar nga Zoja Dimitrova

Në moshën 15-vjeçare ëndrra ime po bëhej realitet: tërë gëzim jepja shfaqje dhe udhëtoja me trupën e cirkut. Pastaj, më 4 shtator 1970, ndodhi një tragjedi. Një moment po fluturoja në ajër tërë hijeshi. Momentin tjetër u shemba përdhe.

LINDA më 16 dhjetor 1952 dhe jetoja në Sofje, Bullgari, me prindërit dhe motrën. Në atë kohë, Bullgaria ishte vend komunist ku feja nuk ndalohej, por propagandohej mospraktikimi i saj. Shumica e njerëzve thjesht nuk besonin në Perëndi dhe mjaft prej atyre që besonin, i mbanin sekret bindjet. Megjithëse familja ime e quante veten ortodokse, nuk u rrita si fetare dhe nuk mendoja fare për Perëndinë.

Që në moshë të njomë, u bë e dukshme se më tërhiqnin vërtet të gjitha llojet e sporteve, por veçanërisht gjimnastika. Kur isha 13 vjeçe, në shkollë erdhi një burrë i cili kërkonte një vajzë që të stërvitej për cirk. Mësuesi i fizkulturës më rekomandoi mua. Kur shkoja për intervista dhe prova te një grup trajnerësh, emocionohesha që hipja në makinën e menaxherit, automjet amerikan. U kënaqa kur më zgjodhën. Ky ishte fillimi i një regjimi të rregullt me stërvitje dhe praktikë të rreptë, që zgjati mbi dy vjet. Më pas, në moshën 15-vjeçare, e përfundova stërvitjen dhe nisa jetën mbi rrota​—një jetë plot udhëtime me cirkun. Në fillim, udhëtova në mbarë Bullgarinë dhe pastaj në vende të ish-Bashkimit Sovjetik, madje, edhe në Algjeri, Hungari dhe ish-Jugosllavi.

Për tre vjet po jetoja tejet e lumtur ëndrrën time. Më pas, teksa jepja shfaqje në Titov-Veles, Maqedoni, ndodhi aksidenti i përshkruar në hyrje të artikullit. Po bëja një numër akrobacie në ajër. Partneri, i cili ishte i varur kokëposhtë në ajër, do të më rrotullonte dhe më pas do të më kapte në rënie e sipër. Nuk ia kapa dot duart dhe, kur litari i sigurisë u këput, u plandosa përdhe nga 6 metra lartësi. Më çuan shpejt në spital ku u kuptua se kisha thyer njërin krah, disa brinjë dhe shtyllën kurrizore. Ngela e tronditur për disa ditë dhe nuk kujtoja asgjë nga ajo ngjarje. Kur e mora disi veten, kuptova se isha paralizuar nga mesi e poshtë. Por meqë isha e re, me optimizëm shpresoja se me terapi ose një operacion do të arrija të ecja përsëri dhe të kthehesha në cirk.

Për dy vjet e gjysmë, u trajtova në disa sanatoriume dhe ende shpresoja me shpirt të shërohesha. Si përfundim, m’u desh të pranoja faktin se ëndrra ime kishte marrë fund. Si për ironi, tani duhej t’i përshtatesha ‘një jete mbi rrota’, por në karrocë invalidi, krejt ndryshe nga ajo që kisha ëndërruar.

Filloj një jetë të re

Pas një jete aq aktive, kjo lloj përshtatjeje ishte e pamundur. Meqë nuk kisha më asnjë shpresë, rashë në depresion. Pastaj, në vitin 1977, më erdhi në shtëpi një i ri me emrin Stojan. Sa mora vesh se ishte vëllai i një koleges sime të mëparshme, e ftova brenda. Gjatë bisedës, më pyeti nëse shpresoja të shërohesha. Pa pikë besimi dhe e zhgënjyer nga jeta, iu përgjigja se nuk kishte shpresë. Kur më tha se vetëm Perëndia mund të më ndihmonte, iu përgjigja hidhur: «Epo, nëse ka Perëndi, pse jam në këtë gjendje?»

Me këtë hyrje, Stojani, i cili kohët e fundit ishte bërë Dëshmitar i Jehovait teksa punonte në Shtetet e Bashkuara si artist cirku, me shumë dashamirësi më shpjegoi premtimet e mrekullueshme të Biblës për të ardhmen. U emocionova tej mase kur mësova se së shpejti toka do të bëhet parajsë. Më preku zemrën premtimi: «Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.» (Zbulesa 21:4) Sa shumë doja të rifitoja shëndetin fizik! Pranova menjëherë të studioja Biblën rregullisht. Kështu, për mua filloi një jetë e re. Më në fund, kisha gjetur bazën për një shpresë të vërtetë.

Çdo javë prisja me zjarr të bëja studimin e Biblës. Në fillim studiova me Stojanin, pastaj me Totkën, një Dëshmitare shumë dashamirëse. Me ndihmën e saj, m’u rrit shpejt njohuria biblike dhe ia kushtova jetën Perëndisë Jehova. Në atë kohë, në Sofje nuk kishte asnjë të kualifikuar të më pagëzonte, prandaj më duhej të prisja për vizitën e një vëllai nga Maqedonia. Më 11 shtator 1978, rreth një vit pasi fillova të studioja Biblën, u pagëzova në vaskën e apartamentit tim. Pagëzimi si Dëshmitare e Jehovait më solli gëzim të thellë dhe jeta ime mori kuptim të vërtetë.

E vërteta e Biblës që mësova, më digjte përbrenda si zjarr. Kujtdo që më vinte në shtëpi, i flitja me zell për shpresën time të re. Mjerisht, asnjë nuk dukej se e merrte seriozisht, ndoshta ngaqë mendonin se për shkak të aksidentit nuk isha krejt në rregull.

Një gabim tejet i rëndë

Në atë kohë, Dëshmitarët e Jehovait në Bullgari ishin nën ndalim, dhe në të gjithë vendin kishte vetëm disa prej tyre. S’mbahej asnjë mbledhje kongregacioni që të shkoja dhe shoqërimi me të tjerë që kishin besimin tim ishte shumë i kufizuar. Kjo, bashkë me mungesën e kuptueshmërisë për rrezikun e shoqërimit të ngushtë me ata që nuk jetonin sipas normave biblike, më çuan në një gabim tejet të rëndë.

Ndërgjegjja më torturonte vazhdimisht dhe provova dhembjen therëse të largimit nga Perëndia Jehova. E dërrmuar dhe e turpëruar, ia zbraza zemrën në lutje Jehovait duke iu përgjëruar për falje. Më vonë, me ndihmën e pleqve të dashur të krishterë, u riktheva në besim dhe rifitova gëzimin në shërbim të Jehovait. Sa e çmoj privilegjin që t’i shërbej Jehovait me ndërgjegje të pastër dhe të shoqërohem me organizatën e tij të pastër!

E lumtur pavarësisht nga kufizimet

Aksidenti që pata 40 vjet më parë ma shkatërroi ëndrrën e një jete me shfaqje e udhëtime, dhe më ngujoi në karrocë invalidi. Megjithatë, nuk shoh pas me trishtim e keqardhje, sikur jeta ime të ishte dështim. E vërteta biblike më ndihmoi të kuptoj se ëndrra për lumturi dhe jetë me domethënie në cirk, lidhej me gjëra që kanë pak vlerë të qëndrueshme. Kam parë me sytë e mi si ish-kolegët që vazhduan karrierën në cirk janë zhgënjyer thellë në jetë. Nga ana tjetër, kam gjetur thesarin më të madh, një marrëdhënie personale me Krijuesin tim, Perëndinë Jehova. Kjo më ka sjellë gëzim shumë më të madh se ç’mund të kisha gjetur në jetën e cirkut.

Përveç kësaj, kam pasur gëzimin të shoh shumë të tjerë të fitojnë njohurinë e së vërtetës biblike dhe t’ia kushtojnë jetën Perëndisë tonë të dashur, Jehovait. Kur nisa të studioja Biblën në vitin 1977, në Bullgari kishte vetëm një grusht Dëshmitarësh të Jehovait. Madje, edhe kur Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan zyrtarisht për herë të parë pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991, nuk kishte më tepër se njëqind Dëshmitarë në të gjithë vendin. Ç’kënaqësi ka qenë për mua të shoh rritjen e vazhdueshme të numrit të lajmëtarëve të Mbretërisë deri në maksimumin e tanishëm prej thuajse 1.800 vetash!

Ende duhet bërë mjaft punë në Bullgari. Shumë veta po kërkojnë njohurinë e Fjalës së Perëndisë. Kjo shihet nga pjesëmarrja e jashtëzakonshme prej 3.914 vetash në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit në vitin 2010. Emocionohem tepër kur mendoj se sa e ka bekuar Jehovai atë grup të vogël që ishte në fillim në Bullgari. Kam qenë Dëshmitare okulare se «i vogli» është bërë «një komb i fuqishëm», siç është parathënë tek Isaia 60:22.

Një tjetër burim gëzimi dhe një pikë vërtet kulmore në jetën time ishte dalja e Biblës Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re në bullgarisht. Kjo ndodhi në gusht të vitit 2009 në kongresin krahinor «Qëndroni Vigjilentë!», që u mbajt në Sofje. Dalja e kësaj Bible në gjuhën time ishte një ëndërr që u bë realitet. Patjetër që do jetë mjet kyç për të ndihmuar shumë të tjerë të fitojnë njohurinë e së vërtetës biblike në Bullgari.

Ndonëse gjymtimi më kufizon në atë që mund të bëj në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë, gëzoj pa masë kur u flas për të vërtetën biblike fqinjëve dhe kujtdo që më vjen në shtëpi. Në një rast, i thirra nga ballkoni një fqinje që po kalonte atypari. Ajo pranoi të vinte brenda dhe pasi i thashë ca mendime inkurajuese nga Bibla, pranoi menjëherë të studionte Biblën me mua. Gëzimi im s’kishte kufij kur më vonë ajo u pagëzua si motra ime në besim. Kam pasur privilegjin të ndihmoj katër veta derisa t’ia kushtonin jetën Jehovait.

Ndoshta gëzimi dhe inkurajimi më i madh për mua vjen ngaqë shkoj rregullisht në mbledhjet e krishtere ku ka më se njëqind vëllezër e motra, të cilët janë bërë si familje për mua. Jetoj në një vend ku mungojnë shërbimet e transportit të veçantë për të moshuarit dhe të sëmurët, prandaj e kam të vështirë të shkoj në mbledhjet e kongregacionit. Por i jam mjaft mirënjohëse një vëllai të ri për kujdesin e dashur që tregon. Për çdo mbledhje ai më merr nga apartamenti në makinën e vet, nga makina në Sallën e Mbretërisë dhe më pas më kthen sërish. Sa e falënderoj Jehovain për privilegjin që të jem pjesë e kësaj familjeje kaq të dashur në besim!

Kur shoh pas, e kuptoj se gjërat në jetën time kanë dalë shumë ndryshe nga ç’kisha ëndërruar në rini. Shërbimi ndaj Jehovait më ka sjellë lumturinë më të madhe që mund të provoj tani dhe një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen. E çmoj tej mase premtimin e Perëndisë se në parajsën në tokë «i çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre». (Isaia 35:6) Pres me padurim dhe siguri të plotë kohën kur të hov përpjetë nga karroca e invalidit dhe të kem shëndet e gjallëri të përsosur.

[Diçitura në faqen 30]

«Gëzimi dhe inkurajimi më i madh për mua vjen ngaqë shkoj rregullisht në mbledhjet e krishtere»

[Diçitura në faqen 31]

«Një pikë vërtet kulmore në jetën time ishte dalja e Biblës Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re në bullgarisht»

[Figura në faqen 29]

Fillova karrierën e cirkut në moshën 15-vjeçare