Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A kishte vërtet deve Abrahami?

A kishte vërtet deve Abrahami?

A kishte vërtet deve Abrahami?

BIBLA thotë se devetë ishin ndër kafshët shtëpiake që Abrahami mori nga faraoni. (Zan. 12:16) Kur shërbëtori i Abrahamit u nis për një udhëtim të gjatë drejt Mesopotamisë, «mori dhjetë deve nga devetë e zotërisë së tij». Pra, Bibla thotë qartë se Abrahami kishte deve rreth fillimit të mijëvjeçarit të dytë p.e.s.​—Zan. 24:10.

Disa nuk e pranojnë këtë. Një botim thotë: «Studiuesit kanë thënë se këto referime për devetë nuk janë të sakta nga ana historike, pasi shumica beson se këto kafshë nuk ishin zbutur gjerësisht deri afër vitit 1200 p.e.s., shumë kohë pas Abrahamit.» (New International Version Archaeological Study Bible) Si rrjedhim, çdo referim biblik më i hershëm për devetë do të konsiderohej një anakronizëm ose vendosje e gabuar e ngjarjeve nga ana kronologjike.

Mirëpo, studiues të tjerë argumentojnë që, ndonëse zbutja e deveve u bë një faktor i rëndësishëm rreth fundit të mijëvjeçarit të dytë, kjo nuk do të thotë se devetë nuk përdoreshin më parë. Në librin Qytetërimet e Lindjes së Afërt në lashtësi (angl.) thuhet: «Kërkimet e kohëve të fundit kanë hedhur idenë se zbutja e devesë ndodhi në juglindje të Arabisë aty nga mijëvjeçari i tretë [p.e.s.]. Në fillim, ka të ngjarë që deveja të mbahej për qumështin, leshin, lëkurën dhe mishin, por s’mund të ketë kaluar shumë kohë para se dobia e saj si kafshë barre të bëhej e dukshme.» Ky datim për kohën para Abrahamit duket se mbështetet nga fragmente kockore dhe nga mbetje të tjera arkeologjike.

Ekzistojnë edhe dëshmi të shkruara. E njëjta vepër referimi thotë: «Në Mesopotami, në listat kuneiforme përmendet kafsha [deveja] dhe paraqitet në mjaft vula, duke treguar kështu se deveja mund të ketë ardhur në Mesopotami nga fillimi i mijëvjeçarit të dytë», domethënë në kohën e Abrahamit.

Disa studiues besojnë se tregtarët e Arabisë Jugore që merreshin me tregtinë e temjanit, i përdornin devetë për t’i transportuar mallrat drejt veriut përmes shkretëtirës, duke shkuar në zona të tilla, si Egjipti e Siria, dhe duke futur kështu në këto zona devetë. Kjo tregti ka shumë mundësi që ishte e zakonshme tashmë në vitin 2000 p.e.s. Është interesante se Zanafilla 37:25-28 përmend tregtarët ismaelitë që, rreth njëqind vjet pas kohës së Abrahamit, i përdornin devetë për të transportuar përbërës të temjanit në Egjipt.

Ndoshta devetë nuk përdoreshin gjerësisht në Lindjen e Afërt në fillim të mijëvjeçarit të dytë p.e.s, por dëshmitë duket se vërtetojnë që ato nuk ishin fare të panjohura. Ja pse një enciklopedi arrin në përfundimin: «Nuk është më e nevojshme t’i shohim si anakronizma referimet për devetë në tregimet e patriarkëve, meqë ka dëshmi të shumta arkeologjike për zbutjen e devesë para kohës së patriarkëve.»​—The International Standard Bible Encyclopedia.