Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj»

«Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj»

«Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj»

«Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo me detyrim, por vullnetarisht.»​—1 PJET. 5:2.

1. Ç’rrethana po hasnin të krishterët kur Pjetri shkroi letrën e tij të parë?

CA KOHË para se Neroni të fillonte përndjekjen kundër të krishterëve në Romë, apostulli Pjetër shkroi letrën e tij të parë. Ai donte t’i forconte bashkëbesimtarët. Djalli ‘po vinte rrotull’, duke kërkuar të gllabëronte të krishterët. Që të qëndronin të patundur kundër tij, ata duhej ‘të ruanin gjykimin’ dhe ‘të përuleshin nën dorën e fuqishme të Perëndisë’. (1 Pjet. 5:6, 8) Gjithashtu, duhej të qëndronin të bashkuar. Nuk mund të lejonin ‘të kafshonin dhe të gllabëronin njëri-tjetrin’, pasi si pasojë ‘do të shfaroseshin nga njëri-tjetri’.​—Gal. 5:15.

2, 3. Kundër kujt duhet të luftojmë dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë seri?

2 Sot përballemi me një situatë të ngjashme. Djalli kërkon raste që të na gllabërojë. (Zbul. 12:12) Po ashtu, në horizont shquhen retë e ‘një shtrëngimi aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës’. (Mat. 24:21) Ashtu si të krishterët e shekullit të parë duhej të ruheshin që të mos haheshin me njëri-tjetrin, edhe ne duhet të ruhemi. Që ta bëjmë këtë, ndonjëherë kemi nevojë për ndihmën e pleqve, meqë ata janë të kualifikuar.

3 Le të shqyrtojmë se si pleqtë mund të rritin çmueshmërinë për privilegjin e kullotjes së ‘kopesë së Perëndisë që është nën kujdesin e tyre’. (1 Pjet. 5:2) Më pas të meditojmë rreth mënyrës së përshtatshme se si duhet kryer vepra baritore. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë se si kongregacioni mund ‘të ketë vlerësim për ata që po punojnë pa u lodhur dhe që po e drejtojnë’ kopenë. (1 Sel. 5:12) Trajtimi i këtyre argumenteve do të na ndihmojë t’i kundërvihemi të vendosur Kundërshtarit tonë kryesor, duke kuptuar se pikërisht me të kemi një përleshje.​—Efes. 6:12.

Kulloteni kopenë e Perëndisë

4, 5. Ç’pikëpamje duhet të kenë pleqtë për kopenë? Ilustrojeni.

4 Pjetri i nxiti pleqtë e krishterë në shekullin e parë që të kishin pikëpamjen e Perëndisë për kopenë që u ishte besuar. (Lexo 1 Pjetrit 5:1, 2.) Megjithëse shihej si një shtyllë në kongregacion, Pjetri nuk u foli pleqve me superioritet. Përkundrazi, i këshilloi si bashkëpunëtorë. (Gal. 2:9) Me një frymë si ajo e Pjetrit, edhe Trupi Udhëheqës sot u bën thirrje pleqve të kongregacioneve që të përpiqen të përmbushin përgjegjësinë serioze të kullotjes së kopesë së Perëndisë.

5 Apostulli shkroi se pleqtë duhej ‘të kullotnin kopenë e Perëndisë që ishte nën kujdesin e tyre’. Ishte shumë e rëndësishme që ata të kuptonin se kopeja i përket Jehovait dhe Jezu Krishtit. Pleqtë do të jepnin llogari për mënyrën si i ruanin delet e Perëndisë. Mendo sikur një mik i ngushtë të të kërkonte të kujdeseshe për fëmijët e tij ndërsa ai nuk ishte aty. A nuk do të kujdeseshe mirë dhe a nuk do t’i ushqeje ata? Nëse njëri prej tyre do të sëmurej, a nuk do të bëje çmos që të merrte çfarëdo ndihme mjekësore të nevojshme? Në mënyrë të ngjashme, pleqtë duhet ‘të kullotin kongregacionin e Perëndisë, të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet’. (Vep. 20:28) Ata mbajnë parasysh se çdo dele është blerë me gjakun e çmuar të Jezu Krishtit. Duke qenë se do të japin llogari, pleqtë e ushqejnë, e mbrojnë dhe kujdesen për kopenë.

6. Ç’përgjegjësi kishin barinjtë në kohët e lashta?

6 Mendoni për përgjegjësitë që kishin barinjtë e mirëfilltë në kohët biblike. Që të kujdeseshin për kopenë, duhej të duronin të nxehtët e ditës dhe të ftohtët e natës. (Zan. 31:40) Madje rrezikonin jetën për delet. Bariu i ri David e shpëtoi kopenë nga kafshët e egra, përfshirë edhe nga një luan e një ari. Për secilin prej tyre ai tha se ‘e mbërtheu nga nofulla, e goditi dhe e vrau’. (1 Sam. 17:34, 35) Çfarë trimërie! Sa afër duhet të ketë qenë me dhëmbët e bishës! Prapëseprapë nuk ngurroi ta shpëtonte delen.

7. Në kuptimin e figurshëm, si mund t’i rrëmbejnë pleqtë delet nga nofullat e Satanait?

7 Sot, pleqtë duhet të qëndrojnë syçelë ndaj sulmeve të Djallit që janë si ato të luanit. Për këtë mund t’u duhet të veprojnë me guxim, duke i rrëmbyer në kuptimin e figurshëm delet nga nofullat e Djallit. Duke e kapur, si të thuash, këtë bishë nga nofulla, pleqtë mund t’i shpëtojnë delet. Ata mund të arsyetojnë me vëllezërit e shkujdesur që tundohen nga grackat e Satanait. (Lexo Judën 22, 23.) Natyrisht, pleqtë nuk e bëjnë këtë pa ndihmën e Jehovait. Ata kujdesen me butësi për delen e plagosur, duke e lidhur me fashë dhe duke e lyer me balsamin qetësues të Fjalës së Perëndisë.

8. Ku e drejtojnë pleqtë kopenë dhe si?

8 Gjithashtu, bariu i mirëfilltë e drejton kopenë në një kullotë të përshtatshme dhe në një vend me ujë. Po kështu, pleqtë e drejtojnë kopenë te kongregacioni duke e nxitur të ndjekë rregullisht mbledhjet, që ajo të ushqehet mirë dhe ta marrë ‘ushqimin në kohën e duhur’. (Mat. 24:45) Pleqtë mund të kenë nevojë të kalojnë ca kohë më shumë duke i ndihmuar të sëmurët frymësisht që të pranojnë ushqimin nga Fjala e Perëndisë. Ndoshta një dele e humbur po përpiqet të kthehet te kopeja. Në vend që ta frikësojnë vëllanë, me butësi pleqtë i shpjegojnë parimet biblike dhe i tregojnë se si mund t’i zbatojë në jetën e tij.

9, 10. Si duhet të kujdesen pleqtë për të sëmurët frymësisht?

9 Kur je sëmurë, ç’lloj mjeku parapëlqen? Një që të dëgjon pak e më pas të jep shpejt e shpejt një recetë, që të vizitojë pacientin tjetër? Apo një mjek që të dëgjon mirë e mirë, të shpjegon se çfarë problemi ke dhe të tregon trajtimet e mundshme?

10 Po kështu, është mirë që pleqtë ta dëgjojnë personin e sëmurë frymësisht dhe ta ndihmojnë për t’i shëruar plagën, «duke e lyer» kështu në mënyrë të figurshme «me vaj në emër të Jehovait». (Lexo Jakovin 5:14, 15.) Ashtu si balsami i Galaadit, Fjala e Perëndisë mund ta qetësojë të sëmurin. (Jer. 8:22; Ezek. 34:16) Kur përdoren, parimet biblike mund ta ndihmojnë atë që po lëkundet, të rifitojë drejtpeshimin frymor. Po, pleqtë ndihmojnë shumë kur dëgjojnë shqetësimet e deles së sëmurë dhe luten me të.

Jo me detyrim, por vullnetarisht

11. Çfarë i shtyn pleqtë ta kullotin vullnetarisht kopenë e Perëndisë?

11 Më tej, Pjetri u kujtoi pleqve se si duhet bërë e si nuk duhet bërë vepra baritore. Ata duhet ta kullotin kopenë e Perëndisë «jo me detyrim, por vullnetarisht». Çfarë i shtyn pleqtë t’u shërbejnë vëllezërve vullnetarisht? E pra, çfarë e shtyu Pjetrin të kulloste e të ushqente delet e Jezuit? Një arsye ishte dashuria dhe përzemërsia për Zotërinë. (Gjoni 21:15-17) Nga dashuria, pleqtë ‘nuk jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta’. (2 Kor. 5:14, 15) Kjo dashuri, bashkë me dashurinë e tyre për Perëndinë dhe vëllezërit, i shtyn pleqtë t’i shërbejnë kopesë, duke i kushtuar përpjekje, kohë dhe çfarëdo gjëje që kanë në dispozicion. (Mat. 22:37-39) Ata japin nga vetja jo me pahir, por vullnetarisht.

12. Deri në ç’masë dha nga vetja apostulli Pavël?

12 Deri në ç’masë duhet të japin nga vetja pleqtë? Ndërsa kujdesen për delet, ata imitojnë apostullin Pavël, ashtu si edhe ai imitoi Jezuin. (1 Kor. 11:1) Ngaqë kishin përzemërsi të butë për vëllezërit selanikas, Pavli dhe shokët e tij patën kënaqësinë t’u jepnin atyre ‘jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat e tyre’. Kur vepruan kështu, u sollën ëmbëlsisht, «ashtu si nëna mënd e përkujdeset për fëmijët e saj». (1 Sel. 2:7, 8) Pavli e kuptonte se si ndihet për fëmijët e vet nëna që i mënd. Ajo do të bënte gjithçka për ta, madje do të çohej në mes të natës për t’i ushqyer.

13. Çfarë ekuilibri duhet të ruajnë pleqtë?

13 Pleqtë duhet të tregojnë kujdes që të ruajnë ekuilibrin midis përgjegjësive si barinj dhe detyrimeve ndaj familjes. (1 Tim. 5:8) Koha që ata kalojnë me kongregacionin është një kohë e çmuar që mund ta kalonin me familjen. Një mënyrë për t’i drejtpeshuar të dyja përgjegjësitë, është duke i ftuar me raste të tjerët në mbrëmjen e Adhurimit Familjar. Për vite të tëra, Masanaoja, një plak në Japoni, ftonte në studimin familjar beqarë dhe familje jetime në kuptimin frymor. Me kalimin e kohës, disa që u ndihmuan në këtë mënyrë, u bënë vetë pleq dhe imitonin shembullin e shkëlqyer të Masanaos.

Shmangni fitimin e pandershëm: Kulloteni kopenë me gatishmëri

14, 15. Pse pleqtë duhet të ruhen nga ‘fitimi i pandershëm’ dhe si mund ta imitojnë Pavlin në këtë drejtim?

14 Edhe Pjetri i nxiti pleqtë që të mos e kullotnin kopenë «për fitim të pandershëm, por me gatishmëri». Puna që bëjnë pleqtë merr një sasi të konsiderueshme kohe, megjithatë ata nuk presin ndonjë shpërblim financiar. Pjetri, i cili ishte edhe vetë plak, e pa të nevojshme t’i paralajmëronte pleqtë për rrezikun e kullotjes së kopesë «për fitim të pandershëm». Ky rrezik duket qartë në jetën luksoze të udhëheqësve fetarë të ‘Babilonisë së Madhe’, ndërkohë që shumë njerëz janë të detyruar të jetojnë në varfëri. (Zbul. 18:2, 3) Pleqtë sot kanë arsye të vlefshme që të ruhen nga çdo prirje në këtë drejtim.

15 Pavli la një shembull të shkëlqyer për pleqtë e krishterë. Ndonëse ishte apostull dhe mund t’u ishte bërë ‘një barrë e madhe’ të krishterëve në Selanik, nuk ‘hëngri falas bukën e ndokujt’. Përkundrazi, ‘me lodhje dhe me mund punoi natë e ditë’. (2 Sel. 3:8) Shumë pleq sot, përfshirë edhe ata në veprën qarkore, lënë një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt. Edhe pse pranojnë mikpritjen e bashkëbesimtarëve, nuk ‘i bëhen barrë e madhe’ askujt.​—1 Sel. 2:9.

16. Ç’do të thotë të kullotësh kopenë «me gatishmëri»?

16 Pleqtë e kullotin kopenë «me gatishmëri». Kjo shihet te qëndrimi vetëmohues që kanë për të ndihmuar kopenë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se e detyrojnë kopenë t’i shërbejë Jehovait dhe, po ashtu, pleqtë e dashur nuk i nxitin të tjerët ta bëjnë këtë shërbim nga fryma e konkurrencës. (Gal. 5:26) Ata e kuptojnë se çdo dele është unike. Pleqtë janë të gatshëm t’i ndihmojnë vëllezërit që t’i shërbejnë Jehovait me gëzim.

Mos u sillni si zotër me kopenë, por jini shembuj për ta

17, 18. (a) Pse ndonjëherë apostujt e kishin të vështirë të kapnin mësimin e Jezuit për përulësinë? (b) Në cilën situatë të ngjashme mund të gjendemi?

17 Siç e kemi trajtuar, pleqtë duhet të mbajnë ndër mend se kopeja që kullotin është e Perëndisë dhe jo e tyrja. Ata tregojnë kujdes që ‘të mos sillen si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë’. (Lexo 1 Pjetrit 5:3.) Ndonjëherë, apostujt e Jezuit kishin synime, por me motiv të gabuar. Ashtu si sundimtarët e kombeve, ata donin të kishin një pozitë të lartë.​—Lexo Markun 10:42-45.

18 Sot, vëllezërit që ‘synojnë detyrën e mbikëqyrësit’ është mirë të shqyrtojnë veten për arsyen pse po synojnë. (1 Tim. 3:1) Ata që tani shërbejnë si pleq, mund të pyesin veten sinqerisht nëse dëshirojnë autoritet ose pozitë të lartë, ashtu si dëshironin disa apostuj. Pleqtë e kuptojnë që, nëse apostujt kishin vështirësi në këtë drejtim, edhe ata duhet të përpiqen fort që të shmangin çdo prirje të botës për t’u kënaqur me autoritetin mbi të tjerët.

19. Çfarë duhet të kujtojnë pleqtë kur ndërmarrin një veprim për të mbrojtur kopenë?

19 Patjetër, ka raste kur pleqtë duhet të jenë të vendosur, si për shembull, kur mbrojnë kopenë nga «ujqër të ligj». (Vep. 20:28-30) Pavli i tha Titit që të vazhdonte ‘të nxiste dhe të qortonte me autoritet të plotë’. (Titit 2:15) Sidoqoftë, edhe kur duhet të ndërmarrin një veprim të tillë, pleqtë përpiqen t’i trajtojnë me dinjitet ata që janë përfshirë. E kuptojnë se, në vend që ta kritikojnë ashpër dikë, duhet ta bindin me ëmbëlsi, pasi kjo zakonisht është më e efektshme për t’ia prekur zemrën dhe për ta shtyrë të ndjekë udhën e drejtë.

20. Si mund ta imitojnë pleqtë Jezuin që të lënë një shembull të shkëlqyer?

20 Shembulli i shkëlqyer i Krishtit i nxit pleqtë ta duan kopenë. (Gjoni 13:12-15) Na ngrohet zemra kur lexojmë se si i mësonte dishepujt në predikim dhe në veprën e bërjes së dishepujve. Modeli i tij i përulësisë u preku zemrën dishepujve dhe i nxiti të ndiqnin një udhë që pasqyronte «përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten». (Filip. 2:3) Edhe sot pleqtë nxiten të ndjekin shembullin e Jezuit dhe ata vetë duan të jenë «shembuj për kopenë».

21. Cilin shpërblim mund të presin me padurim pleqtë?

21 Pjetri e përfundoi këshillën e tij drejtuar pleqve duke përmendur një premtim për të ardhmen. (Lexo 1 Pjetrit 5:4.) Mbikëqyrësit e mirosur ‘do të marrin kurorën e lavdisë që nuk mund të vyshket’ duke qenë me Krishtin në qiell. Nënbarinjtë nga ‘delet e tjera’ do të kenë privilegjin të kullotin kopenë e Perëndisë në tokë nën sundimin e ‘kryebariut’. (Gjoni 10:16) Në artikullin vijues do të trajtojmë disa mënyra se si pjesëtarët e kongregacionit mund të mbështetin ata që janë emëruar për të marrë drejtimin.

Pyetje për rishikim

• Pse ishte e përshtatshme që Pjetri t’i këshillonte pleqtë ta kullotnin kopenë e Perëndisë që kishin nën kujdes?

• Si duhet të kujdesen pleqtë për ata që janë të sëmurë frymësisht?

• Çfarë i shtyn pleqtë të kullotin kopenë e Perëndisë që kanë nën kujdes?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

Ashtu si barinjtë në kohët e lashta, pleqtë sot duhet t’i mbrojnë ‘delet’ që kanë nën kujdes