Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Kini vlerësim për ata që po punojnë pa u lodhur mes jush’

‘Kini vlerësim për ata që po punojnë pa u lodhur mes jush’

‘Kini vlerësim për ata që po punojnë pa u lodhur mes jush’

‘Kini vlerësim për ata që po punojnë pa u lodhur mes jush, që ju drejtojnë në veprën e Zotërisë dhe ju këshillojnë.’​—1 SEL. 5:12.

1, 2. (a) Cila ishte situata e kongregacionit selanikas kur Pavli i shkroi letrën e tij të parë? (b) Për çfarë i inkurajoi Pavli selanikasit?

IMAGJINO sikur je pjesëtar i kongregacionit selanikas të shekullit të parë, një nga më të hershmit që u krijua në Evropë. Apostulli Pavël kishte kaluar atje një kohë të konsiderueshme duke i forcuar vëllezërit. Ndoshta kishte emëruar pleq që të merrnin drejtimin, siç kishte bërë në kongregacionet e tjera. (Vep. 14:23) Por, pasi ishte formuar kongregacioni, judenjtë organizuan një turmë që të dëbonte nga qyteti Pavlin dhe Silën. Të krishterët që mbetën mund të jenë ndier të braktisur, madje të frikësuar.

2 Është e kuptueshme se, pasi iku nga Selaniku, Pavli ishte në merak për atë kongregacion pa përvojë. Ai u përpoq të kthehej atje, por ‘Satanai ia preu rrugën’. Prandaj, dërgoi Timoteun që t’i jepte zemër kongregacionit. (1 Sel. 2:18; 3:2) Kur Timoteu u kthye me lajme të mira, Pavli u nxit t’u shkruante një letër selanikasve. Ndër të tjera, Pavli i inkurajoi ‘të kishin vlerësim për ata që po i drejtonin’.​—Lexo 1 Selanikasve 5:12, 13.

3. Ç’arsye kishin të krishterët selanikas që t’i vlerësonin së tepërmi pleqtë?

3 Vëllezërit që merrnin drejtimin mes të krishterëve selanikas nuk kishin aq përvojë sa Pavli dhe shokët e tij të udhëtimit e as kishin atë bagazh të pasur frymor të pleqve në Jerusalem. Në fakt, kongregacioni kishte më pak se një vit që ishte krijuar. Megjithatë, pjesëtarët e kongregacionit kishin arsye që të tregoheshin mirënjohës ndaj pleqve, të cilët ‘po punonin pa u lodhur, po e drejtonin’ kongregacionin dhe ‘po i këshillonin’ vëllezërit. Vërtet, kishin arsye të vlefshme që ‘t’i vlerësonin së tepërmi pleqtë me dashuri’. Pas kësaj kërkese, Pavli i këshilloi që ‘të ishin paqësorë me njëri-tjetrin’. Nëse do të kishe qenë në Selanik, a do të kishe treguar çmueshmëri të thellë për punën e pleqve? Si i sheh ‘dhuratat në njerëz’ në kongregacion tënd, që Perëndia i ka siguruar nëpërmjet Krishtit?​—Efes. 4:8.

«Po punojnë pa u lodhur»

4, 5. Pse pleqtë në ditët e Pavlit duhej të punonin pa u lodhur për të mësuar kongregacionin dhe pse është kështu edhe sot?

4 Si vazhduan ‘të punonin pa u lodhur’ pleqtë në Selanik, edhe pasi e nisën Pavlin dhe Silën për në Bere? Duke imituar Pavlin, pa dyshim ata e mësonin kongregacionin duke përdorur Shkrimet. Ndoshta pyet veten: «A kishin çmueshmëri për Fjalën e Perëndisë të krishterët selanikas?» Në fund të fundit, Bibla thotë se judenjtë bereas ishin «me mendje më fisnikë se ata në Selanik, pasi . . . çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet». (Vep. 17:11) Gjithsesi, ky krahasim ishte me judenjtë selanikas në përgjithësi, jo me të krishterët. Ata që u bënë besimtarë ‘e pranuan Fjalën e Perëndisë jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë’. (1 Sel. 2:13) Pleqtë duhet të kenë punuar pa u lodhur për t’i ushqyer frymësisht këta vëllezër.

5 Sot skllavi i besueshëm dhe i matur po i siguron kopesë së Perëndisë «ushqim në kohën e duhur». (Mat. 24:45) Si rrjedhim, pjesëtarët e kongregacionit mund të kenë me bollëk literaturë të bazuar në Bibël dhe në disa gjuhë ka mjete të tilla, si Treguesi i Botimeve Watch Tower dhe Biblioteka Watchtower në CD-ROM. Gjithashtu, nën drejtimin e skllavit, pleqtë punojnë pa u lodhur që t’i ushqejnë frymësisht vëllezërit. Për të plotësuar nevojat frymore të kongregacionit, ata kalojnë kohë duke përgatitur pjesët e mbledhjeve që ta paraqitin informacionin e caktuar në mënyrë të efektshme. A ke menduar se sa kohë kalojnë pleqtë duke përgatitur pjesët që kanë në mbledhje, asamble dhe kongrese?

6, 7. (a) Çfarë shembulli la Pavli për pleqtë në Selanik? (b) Pse për pleqtë sot mund të jetë e vështirë të imitojnë Pavlin?

6 Pleqtë në Selanik kujtonin shembullin e shkëlqyer që la Pavli në veprën baritore. Kjo vepër nuk nënkuptonte bërjen e vizitave baritore në një mënyrë mekanike ose sa për të thënë. Siç u trajtua në artikullin e mëparshëm, Pavli ‘u soll ëmbëlsisht me ta, ashtu si nëna mënd e përkujdeset për fëmijët e saj’. (Lexo 1 Selanikasve 2:7, 8.) Ai ishte madje i gatshëm ‘të jepte edhe vetë shpirtin e tij’. Në veprën baritore, pleqtë duhej të ishin si ai.

7 Pleqtë e krishterë sot imitojnë Pavlin duke u përkujdesur për kopenë. Nga natyra, disa pjesëtarë të kongregacionit mund të mos jenë të përzemërt dhe miqësorë. Prapëseprapë, pleqtë përpiqen të tregojnë gjykim të thellë dhe të gjejnë anët e mira tek ata. Vërtet, duke qenë i papërsosur, ndoshta një plak duhet të përpiqet fort që të ketë pikëpamje pozitive për secilin. Megjithatë, ndërsa bën më të mirën që të jetë i ëmbël me të gjithë, a nuk duhet lavdëruar për përpjekjet që bën për të qenë një bari i mirë nën drejtimin e Krishtit?

8, 9. Cilat janë disa mënyra se si pleqtë sot ‘rrinë zgjuar për shpirtrat tanë’?

8 Të gjithë kemi arsye që ‘të jemi të nënshtruar’ ndaj pleqve. Siç shkroi Pavli, ata ‘rrinë zgjuar për shpirtrat tanë’. (Hebr. 13:17) Kjo shprehje na kujton bariun që rri pa gjumë për të mbrojtur kopenë. Po kështu, pleqtë sot mund të prishin gjumin për t’u kujdesur për nevojat e atyre që s’janë mirë me shëndet ose që kanë probleme emocionale a frymore. Për shembull, vëllezërit e Komiteteve të Lidhjes me Spitalet i kanë ngritur nga gjumi që të merreshin me ndonjë situatë mjekësore urgjente. Kur hasim një situatë të tillë, sa mirënjohës jemi për punën e tyre!

9 Edhe pleqtë e Komiteteve Rajonale të Ndërtimit dhe të komiteteve të ndihmës, punojnë pa u lodhur që të ndihmojnë vëllezërit. Ata meritojnë mbështetjen tonë me gjithë zemër. Të shqyrtojmë përpjekjet që u bënë për të dhënë ndihmë pasi cikloni Nargis goditi Mjanmarin në vitin 2008. Që të arrinte në kongregacionin e Bothingonit në zonën e goditur keqas rreth deltës së lumit Iravav, skuadra e ndihmës udhëtoi përmes terrenit të rrënuar të mbushur me kufoma. Kur vëllezërit vendës panë se në skuadrën e parë që mbërriti në Bothingon ishte edhe ish-mbikëqyrësi qarkor, thirrën: «Shikoni, është mbikëqyrësi qarkor! Jehovai na shpëtoi!» A e çmon punën e palodhur që bëjnë pleqtë ditë e natë? Disa pleq caktohen të shërbejnë në komitete të veçanta, që të trajtojnë probleme të vështira gjyqësore. Këta pleq nuk mbahen me të madh për gjërat që bëjnë, megjithatë ata që nxjerrin dobi nga puna e tyre janë vërtet mirënjohës.​—Mat. 6:2-4.

10. Ç’punë bëjnë pleqtë që nuk është shumë e njohur për pjesëtarët e kongregacionit?

10 Po ashtu, shumë pleq sot kanë punë të tjera që lidhen me organizimin e kongregacionit. Për shembull, koordinatori i trupit të pleqve përgatit programet për mbledhjet javore. Sekretari i kongregacionit përpilon raportet mujore dhe vjetore të shërbimit. Mbikëqyrësi i shkollës i kushton vëmendje të veçantë përgatitjes së programit të shkollës. Çdo tre muaj, verifikohet llogaria e kongregacionit. Pleqtë lexojnë letrat nga zyra e degës dhe zbatojnë drejtimin që jepet në to, i cili ndihmon të ruhet ‘njëjësia në besim’. (Efes. 4:3, 13) Me anë të përpjekjeve të këtyre pleqve të palodhur, ‘çdo gjë ndodh si ka hije dhe me rregull’.​—1 Kor. 14:40.

«Ju drejtojnë»

11, 12. Cilët e drejtojnë kongregacionin dhe çfarë përfshin kjo?

11 Pavli përshkroi pleqtë e zellshëm të Selanikut duke thënë se ata ‘drejtonin’ kongregacionin. Fjala në gjuhën origjinale e përdorur këtu ka kuptimin «qëndroj para». (1 Sel. 5:12) Po për këta pleq Pavli tha se ‘po punonin pa u lodhur’. Ai nuk po thoshte se drejtonte vetëm një mbikëqyrës, por të gjithë pleqtë e kongregacionit. Sot shumica e pleqve «qëndrojnë para kongregacionit» dhe mbajnë pjesë në mbledhje. Ndryshimi i kohëve të fundit për të përdorur termin «koordinator i trupit të pleqve» në vend të termit «mbikëqyrës drejtues», na ndihmon t’i shohim të gjithë pleqtë si pjesëtarë të një trupi të bashkuar.

12 ‘Të drejtosh’ kongregacionin përfshin më shumë se sa vetëm të mësosh. Po kjo shprehje është përdorur te 1 Timoteut 3:4. Pavli tha se mbikëqyrësi duhet të jetë «njeri që e drejton shkëlqyeshëm shtëpinë e vet, t’i ketë fëmijët të nënshtruar me plot seriozitet». Këtu shprehja «që e drejton», patjetër nuk nënkupton vetëm që i mëson fëmijët, por edhe që merr drejtimin në familje dhe ‘i ka fëmijët të nënshtruar’. Po, pleqtë e drejtojnë kongregacionin duke i ndihmuar të gjithë të jenë të nënshtruar ndaj Jehovait.​—1 Tim. 3:5.

13. Pse mund të duhet kohë për të marrë një vendim në një mbledhje pleqsh?

13 Që ta drejtojnë mirë kopenë, pleqtë diskutojnë mes tyre se si t’i trajtojnë nevojat e kongregacionit. Ndoshta do të dukej më e efektshme sikur të gjitha vendimet t’i merrte vetëm një plak. Por, duke ndjekur shembullin e trupit udhëheqës të shekullit të parë, trupat e sotëm të pleqve i diskutojnë lirisht çështjet, duke kërkuar drejtim nga Shkrimet. Synimi i tyre është që t’i zbatojnë parimet biblike për nevojat e kongregacionit vendës. Kjo është më e efektshme kur çdo plak përgatitet për mbledhjet e pleqve, duke shqyrtuar Shkrimet dhe udhëzimet e skllavit të besueshëm e të matur. Sigurisht, kjo kërkon kohë. Kur ka mendime të ndryshme, siç ndodhi kur trupi udhëheqës i shekullit të parë trajtoi çështjen e rrethprerjes, mund të duhet kohë dhe kërkime të mëtejshme për të arritur unanimitet të bazuar në Shkrime.​—Vep. 15:2, 6, 7, 12-14, 28.

14. A e çmon faktin që trupi i pleqve bashkëpunon në unitet? Pse mendon kështu?

14 Ç’mund të ndodhë nëse një plak këmbëngul te mendimi i vet a përpiqet të nxitë idetë e tij? Ose, po sikur dikush​—si Diotrefi në shekullin e parë—​të mbjellë farat e përçarjes? (3 Gjon. 9, 10) Me siguri, i gjithë kongregacioni do të vuajë. Nëse Satanai u përpoq të trazonte kongregacionin e shekullit të parë, mund të jemi të sigurt se ai do që të prishë paqen e kongregacionit edhe sot. Ai mund t’u bëjë thirrje prirjeve njerëzore egoiste të tilla, si dëshira për të qenë mbi të tjerët. Pra, pleqtë duhet të zhvillojnë përulësinë dhe të bashkëpunojnë si një trup i bashkuar. Sa e çmojmë përulësinë e pleqve që bashkëpunojnë si një trup!

«Ju këshillojnë»

15. Ç’motiv kanë pleqtë kur këshillojnë një vëlla ose një motër?

15 Më pas, Pavli theksoi një detyrë të vështirë, por të rëndësishme të pleqve: të këshillojnë kopenë. Në Shkrimet e Krishtere Greke, vetëm Pavli përdori një term grek që këtu është përkthyer «këshilloj». Ky term mund t’u referohet këshillave të forta, por nuk tregon ndjenja armiqësie. (Vep. 20:31; 2 Sel. 3:15) Për shembull, Pavli u shkroi korintasve: «Nuk po i shkruaj këto gjëra për t’ju turpëruar, por për t’ju këshilluar si fëmijët e mi të dashur.» (1 Kor. 4:14) Motivi që qëndronte pas këshillës së tij ishte meraku i dashur për të tjerët.

16. Çfarë është mirë të mbajnë parasysh pleqtë kur këshillojnë të tjerët?

16 Pleqtë mbajnë parasysh sa e rëndësishme është mënyra si i këshillojnë të tjerët. Ata përpiqen të imitojnë Pavlin, duke qenë të dashur e të gatshëm për të ndihmuar. (Lexo 1 Selanikasve 2:11, 12.) Natyrisht, pleqtë ‘i përmbahen fort fjalës së besueshme që të jenë në gjendje të nxitin me anë të mësimit të shëndoshë’.​—Titit 1:5-9.

17, 18. Çfarë duhet të mbash parasysh nëse një plak të këshillon?

17 Patjetër, pleqtë janë të papërsosur dhe mund të thonë gjëra për të cilat më vonë ndihen keq. (1 Mbret. 8:46; Jak. 3:8) Gjithashtu, ata e dinë se kur vëllezërit dhe motrat frymore marrin këshilla, zakonisht kjo nuk u «sjell gëzim, por hidhërim» këtyre të fundit. (Hebr. 12:11) Prandaj, kur një plak i flet dikujt për ta këshilluar, ka shumë të ngjarë që e bën këtë pasi është menduar shumë dhe është lutur. Nëse një plak të ka këshilluar, a e çmon merakun e tij të dashur?

18 Ta zëmë se ke një problem shëndetësor që duket i pashpjegueshëm nga ana mjekësore. Pastaj një mjek e identifikon problemin, por diagnoza është mjaft e vështirë për t’u pranuar. A do t’i mbash mëri doktorit? Jo. Edhe sikur të të këshillojë të operohesh, ka mundësi që do të pranosh sepse beson se kjo është për të mirën tënde. Mënyra se si ta përcjell informacionin doktori mund të ndikojë te ndjenjat e tua, por a do të lejosh që kjo të përcaktojë vendimin tënd? Ka shumë të ngjarë që jo. Po kështu, mos lejo që mënyra se si të këshillojnë, të të pengojë të dëgjosh ata që Jehovai dhe Jezui mund të jenë duke i përdorur me qëllim që të kuptosh se si të bësh përparim ose të mbrosh veten frymësisht.

Vlerësoji pleqtë, këtë masë nga Jehovai!

19, 20. Si mund të tregosh vlerësimin tënd për ‘dhuratat në njerëz’?

19 Ç’do të bëje nëse do të merrje një dhuratë të bërë enkas për ty? A nuk do ta tregoje vlerësimin tënd duke e përdorur? Jehovai dhe Jezu Krishti të kanë dhënë «dhurata në njerëz». Një mënyrë si mund ta tregosh mirënjohjen për këto dhurata është duke dëgjuar me vëmendje fjalimet që mbajnë pleqtë dhe duke u përpjekur të zbatosh pikat që përmendin. Mund ta tregosh vlerësimin tënd edhe duke dhënë komente domethënëse në mbledhje. Mbështete veprën në të cilën pleqtë po marrin drejtimin, siç është shërbimi. Nëse ke nxjerrë dobi nga këshilla e një plaku, pse të mos ia thuash? Gjithashtu, pse të mos tregosh vlerësim edhe për familjet e pleqve? Mos harro se kur një plak punon pa u lodhur në kongregacion, familja e tij po sakrifikon kohën që mund ta kalonte me të.

20 Po, kemi shumë arsye për të treguar mirënjohje ndaj pleqve, të cilët po punojnë pa u lodhur mes nesh, po na drejtojnë dhe po na këshillojnë. Këto «dhurata në njerëz» janë vërtet një masë e dashur nga Jehovai!

A të kujtohet?

• Çfarë arsyesh kishin të krishterët selanikas që të vlerësonin ata që merrnin drejtimin mes tyre?

• Si punojnë pa u lodhur për ty pleqtë në kongregacionin tënd?

• Si nxjerr dobi ngaqë pleqtë të drejtojnë?

• Ç’duhet të mbash parasysh nëse një plak të këshillon?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 27]

A i vlerëson mënyrat e shumta si e kullotin pleqtë kongregacionin?