Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ‘të kesh sukses në udhën tënde’?

Si ‘të kesh sukses në udhën tënde’?

Si ‘të kesh sukses në udhën tënde’?

«SUKSESI»​—një fjalë që tërheq vëmendjen e shumë njerëzve. Disa kanë bërë karrierë dhe kanë arritur sukses të madh duke u pasuruar e duke bërë emër. Të tjerë e kanë ëndërruar suksesin, por kanë dështuar plotësisht.

Në një masë të madhe, suksesi varet nga ajo që konsideron si qendrën e jetës sate. Dy faktorë të tjerë të rëndësishëm janë mënyra si e përdor kohën e energjinë dhe nëse ke apo jo iniciativë.

Shumë të krishterë kanë vërejtur se pjesëmarrja e plotë në shërbim u ka sjellë kënaqësi të madhe. Të rinj e të moshuar kanë pasur një jetë të suksesshme ngaqë kanë zgjedhur si karrierë shërbimin në kohë të plotë. Mirëpo, disa ndoshta mendojnë se shërbimi është paksa i mërzitshëm dhe e vënë në vend të dytë në jetë, ndërkohë që jepen pas synimeve të tjera. Pse mund të ndodhë kjo? Ç’mund të bësh që të mos humbësh nga sytë atë që ka vërtet vlerë? Si ‘të kesh sukses në udhën tënde’?​—Jos. 1:8.

Aktivitetet jashtëshkollore dhe ato që kemi pasion

Të rinjtë e krishterë kanë nevojë të ruajnë ekuilibrin e duhur midis shërbimit ndaj Perëndisë së vërtetë dhe pjesëmarrjes në aktivitete të tjera. Ata që po e bëjnë këtë po u buzëqesh suksesi në jetë dhe meritojnë të lavdërohen me gjithë zemër.

Por, disa të rinj të krishterë zhyten tej mase në aktivitetet jashtëshkollore dhe në aktivitete të ndryshme që i kanë pasion. Këto mund të mos jenë të gabuara. Sidoqoftë, të rinjtë e krishterë duhet të pyesin veten: «Sa kohë mund të më marrin këto aktivitete? Ç’mund të them për shoqëritë? Nga cila frymë rrezikoj të ndikohem kur marr pjesë në këto aktivitete? Çfarë mund të bëhet qendra e jetës sime?» Ka të ngjarë që e kupton se dikush mund të përfshihet aq shumë pas këtyre aktiviteteve, saqë t’i mbetet pak kohë ose energji për të ruajtur një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Ja pse, siç mund të kuptosh, është e rëndësishme të vendosësh përparësitë.​—Efes. 5:15-17.

Të shqyrtojmë rastin e Viktorit. * Ai tregon: «Kur isha 12 vjeç, u futa në një klub volejbolli. Me kalimin e kohës fitova shumë çmime. Kisha mundësinë të bëhesha yll në volejboll.» Pas ca kohësh, Viktori u shqetësua për pasojat që kishte në gjendjen e tij frymore dhënia pas sportit. Një ditë, atë e zuri gjumi ndërsa përpiqej të lexonte Biblën. Gjithashtu, kuptoi se nuk provonte shumë gëzim në shërbim. Ai thotë: «Sporti më rrëmbente energjitë, dhe shpejt kuptova se po më rrëmbente edhe zellin për të vërtetën. E dija se nuk po bëja gjithçka që mundesha.»

Më tepër arsimim?

Sipas Biblës, një i krishterë ka detyrimin të kujdeset për familjen, dhe kjo përfshin t’i sigurojë gjërat e nevojshme materiale. (1 Tim. 5:8) Prapëseprapë, a kërkohet vërtet një diplomë universiteti për këtë?

Do të ishte mirë të shqyrtohej se ç’ndikim mund të ketë arsimimi i mëtejshëm në marrëdhënien e dikujt me Jehovain. Le ta ilustrojmë duke shqyrtuar një shembull nga Bibla.

Baruku ishte sekretari i profetit Jeremia. Në njëfarë pike, në vend që të përqendrohej te privilegjet që kishte në shërbim të Jehovait, Baruku u bë ambicioz. Jehovai e vuri re këtë dhe përmes Jeremisë e paralajmëroi: «Ti kërkon gjëra të mëdha për veten. Mos kërko!»​—Jer. 45:5.

Cilat ishin ‘gjërat e mëdha’ që po kërkonte Baruku? Ndoshta ishte i tunduar që të bënte emër në sistemin judaik. Ose ndër gjërat e mëdha, mund të ketë qenë begatia materiale. Sido që të ketë qenë, ai humbi nga sytë gjërat më të rëndësishme, ato që kishin vlerë frymore. (Filip. 1:10) Gjithsesi, Baruku e dëgjoi paralajmërimin e Jehovait nëpërmjet Jeremisë dhe shpëtoi nga shkatërrimi i Jerusalemit.​—Jer. 43:6.

Ç’mësim mund të nxjerrim nga ky tregim? Këshilla që mori Baruku tregon se diçka nuk shkonte. Ai po kërkonte gjëra të mëdha për veten. Nëse ke mundësi ta mbash veten nga ana financiare, a ke vërtet nevojë të harxhosh kohën, paratë dhe përpjekjet për t’u arsimuar më tepër, vetëm e vetëm që të realizosh aspiratat e tua ose të prindërve a të të afërmve të tu?

Shqyrto rastin e Gzhegoshit, një programues kompjuterësh. I shtyrë nga kolegët, nisi një kurs intensiv specializimi të mëtejshëm. S’kaloi shumë dhe nuk kishte më kohë për aktivitetet frymore. Ai kujton: «Ndihesha vazhdimisht nervoz. Ndërgjegjja më trazonte ngaqë nuk mund t’i arrija synimet frymore që i kisha vënë vetes.»

Dhënia pas punës

Fjala e Perëndisë i nxit të krishterët që të punojnë pa u lodhur dhe të jenë punëdhënës ose punëtorë të përgjegjshëm. Apostulli Pavël shkroi: «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.» (Kolos. 3:22, 23) Sidoqoftë, edhe pse puna e palodhur është e lavdërueshme, nevojitet diçka më tepër​—një marrëdhënie e mirë me Krijuesin. (Ekl. 12:13) Nëse një i krishterë do të jepej pas punës në botë, fare lehtë aktivitetet frymore mund të kalonin në vend të dytë.

Në rast se një i krishterë jepet pas punës në botë, ajo mund t’i thithë energjinë e nevojshme për të ruajtur ekuilibrin frymor dhe për të ndihmuar familjen e vet. Mbreti Solomon vërejti se «dy grushte me mund» shpesh shoqërohen nga ‘një rropatje pas erës’. Në qoftë se një i krishterë është tepër i zënë pasi po jepet pas karrierës në botë, në fund mund të ketë stres të zgjatur e të rëndë. Ai madje mund të bëhet skllav i karrierës deri në atë pikë sa të rraskapitet fizikisht dhe emocionalisht. Pastaj, a do të jetë vërtet në gjendje ‘të gëzojë dhe të shohë të mira për gjithë mundin e tij’? (Ekl. 3:12, 13; 4:6) Për më tepër, a do të kishte forcë të mjaftueshme fizike dhe emocionale që të përmbushte detyrimet në familje dhe të përfshihej në aktivitetet frymore?

Janushi, i cili jeton në Evropën Lindore, u zhyt në biznesin e kopshtarisë. Ai kujton: «Njerëzit në botë më admironin, sepse isha plot iniciativë dhe arrija të kryeja çdo detyrë që kisha. Por, u dobësova frymësisht dhe si pasojë nuk dilja më në shërbim. Shumë shpejt lashë edhe mbledhjet. U bëra aq krenar, saqë i hodha poshtë këshillat e pleqve dhe u largova nga kongregacioni.»

Mund të kesh një jetë të suksesshme

Kemi shqyrtuar tri fusha ku një i krishterë mund të jepet me tepri duke e paguar me gjendjen frymore. A je i përfshirë në ndonjërën prej tyre? Po të jetë kështu, pyetjet, shkrimet dhe komentet vijuese, mund të të ndihmojnë të përcaktosh nëse je apo jo vërtet në udhën e suksesit.

Aktivitetet jashtëshkollore dhe ato që ke pasion: sa je zhytur në këto aktivitete? A të harxhojnë kohën që më parë ua kushtoje gjërave frymore? A të tërheq më pak shoqëria me bashkëbesimtarët? Atëherë, pse të mos imitosh mbretin David, i cili iu përgjërua Jehovait: «Më trego udhën ku duhet të eci.»​—Psal. 143:8.

Viktorin e përmendur më parë, e ndihmoi një mbikëqyrës qarkor. Ai i tha: «Ti flet gjithë pasion për karrierën tënde në volejboll.» «Kjo më shkundi,—thotë Viktori.—Kuptova se kisha shkuar shumë larg. Pas ca kohe, i preva shoqëritë nga bota në klubin e volejbollit dhe u përpoqa të gjeja miq në kongregacion.» Sot Viktori po i shërben me zell Jehovait në kongregacionin e tij. Ai sugjeron: «Pyet miqtë, prindërit ose pleqtë e kongregacionit nëse kanë vërejtur që aktivitetet shkollore po të afrojnë më tepër me Jehovain apo po të largojnë.»

Pse të mos u tregosh pleqve se do të dëshiroje të kishe më shumë privilegje në shërbim të Perëndisë? A mund të ndihmosh të moshuarit që kanë nevojë për shoqëri ose mbështetje, ndoshta duke i ndihmuar me pazarin a me punët e shtëpisë? Pavarësisht nga mosha që ke, mund të fillosh shërbimin e plotkohor duke u folur të tjerëve për lajmin e mirë, i cili është baza e gëzimit tonë.

Më tepër arsimim: Jezui paralajmëroi që të mos ‘kërkojmë lavdinë tonë’. (Gjoni 7:18) Sado arsimim të vendosësh të marrësh në botë, a ‘je siguruar për gjërat më të rëndësishme’?​—Filip. 1:9, 10.

Gzhegoshi, programuesi i kompjuterëve, bëri disa ndryshime në jetë. Ai tha: «E mora seriozisht këshillën e pleqve dhe e thjeshtova jetën. Kuptova se nuk kisha nevojë për më tepër arsimim në botë. Kjo vetëm sa do të më thithte kohën dhe energjinë.» Gzhegoshi u përfshi më shumë në aktivitetet e kongregacionit. Me kohë, u diplomua në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, e cila tani quhet Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë. Po, ai ‘bleu kohë’ që të merrte më tepër arsimim hyjnor.​—Efes. 5:16.

Puna në botë: a je dhënë kaq shumë pas punës në botë, saqë interesat frymore po lihen mënjanë? A lë mjaft kohë për të biseduar me familjen? Po në kongregacion, a po e përmirëson cilësinë e pjesëve që të janë caktuar? A përfshihesh në biseda ndërtuese me të tjerët? «Frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij» e kështu do të kesh bekimin e pasur të Jehovait dhe ‘do të shohësh të mira, për shkak të mundit tënd’.​—Ekl. 2:24; 12:13.

Janushi i përmendur më parë, nuk pati shumë sukses në biznesin e kopshtarisë, përkundrazi, falimentoi. Pa asnjë të ardhur dhe i zhytur thellë në borxhe, u rikthye te Jehovai. Janushi i rregulloi punët e tij dhe tani shërben si pionier i rregullt e plak kongregacioni. Ai thotë: «Kur kënaqem me gjërat bazë dhe, në të njëjtën kohë, i përdor energjitë për aktivitetet frymore, kam paqe mendore dhe një zemër të qetë.»​—Filip. 4:6, 7.

Lër ca kohë që të shqyrtosh me ndershmëri motivet dhe përparësitë e tua. T’i shërbesh Jehovait është udha drejt suksesit jetëgjatë. Bëje këtë shërbim qendrën e jetës sate.

Ndoshta duhet të bësh disa ndryshime, madje të eliminosh gjërat e panevojshme, që të vërtetosh «se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë». (Rom. 12:2) Gjithsesi, ti mund ‘të kesh sukses në udhën tënde’ duke i shërbyer atij me gjithë shpirt.

[Shënimi]

^ par. 8 Disa emra janë ndryshuar.

[Kutia dhe figura në faqen 31]

Si të kesh sukses në udhën tënde?

Ç’mund të bësh që të mos humbësh nga sytë atë që ka vërtet vlerë, ndërkohë që ka shumë gjëra që mund të të shpërqendrojnë? Lër ca kohë që të shqyrtosh motivet dhe përparësitë e tua, duke medituar rreth pyetjeve të mëposhtme:

AKTIVITETET JASHTËSHKOLLORE DHE ATO QË KE PASION

▪ Nga cilat qëndrime rrezikon të ndikohesh kur merr pjesë në këto aktivitete?

▪ Sa kohë kërkojnë?

▪ A mund të bëhen qendra e jetës sate?

▪ A të harxhojnë kohën që më parë ua kushtoje aktiviteteve frymore?

▪ Ç’mund të thuash për shoqëritë?

▪ A të duken këto shoqëri më tërheqëse se shoqëria me bashkëbesimtarët?

MË TEPËR ARSIMIM

▪ Nëse ke mundësi të mbash veten nga ana financiare, a ke vërtet nevojë të harxhosh kohën, paratë dhe përpjekjet për t’u arsimuar më tepër?

▪ A është vërtet e nevojshme një diplomë universiteti për të mbajtur veten?

▪ Si do të ndikonte në ndjekjen e mbledhjeve?

▪ A ‘je siguruar për gjërat më të rëndësishme’?

▪ A ke nevojë të forcosh sigurinë tek aftësia e Jehovait për të të siguruar gjërat e nevojshme?

PUNA

▪ A të lejon puna që ke zgjedhur, ‘të gëzosh dhe të shohësh të mira për gjithë mundin tënd’?

▪ A ke forcë të mjaftueshme fizike dhe emocionale që të përmbushësh detyrimet në familje dhe të përfshihesh në aktivitetet frymore?

▪ A lë mjaft kohë për të biseduar me familjen?

▪ A je dhënë kaq shumë pas punës në botë, saqë gjërat frymore po lihen mënjanë?

▪ A ka ndikuar në cilësinë e pjesëve që të janë caktuar?

[Figura në faqen 30]

Jehovai e paralajmëroi Barukun që të ruhej nga ambicia