Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Afrojuni Perëndisë

A ka ndjenja Jehovai?

A ka ndjenja Jehovai?

NËSE përgjigjja është po, ngrihet një pyetje tjetër: «A ndikon sjellja jonë te ndjenjat e Perëndisë?» Me fjalë të tjera, a e gëzojmë ose e lëndojmë Perëndinë me veprimet tona? Disa filozofë të lashtë thoshin se jo. Sipas tyre askush nuk ndikon te Perëndia, dhe kështu Ai s’ka se si të ketë ndjenja. Por Bibla mëson diçka ndryshe, domethënë se Jehovai ka ndjenja të buta dhe interesohet shumë për atë që bëjmë. Le të shqyrtojmë fjalët e Psalmit 78:40, 41.

Psalmi 78 përmbledh marrëdhënien e Perëndisë me Izraelin e lashtë. Pasi e çliroi kombin nga skllavëria në Egjipt, Jehovai mori nismën që të futej në një marrëdhënie të veçantë me ta. Ai u premtoi se po t’u bindeshin ligjeve që u dha, do të bëheshin ‘prona e tij e veçantë’ dhe do të përdoreshin në mënyrë të jashtëzakonshme që të përmbushnin qëllimin e tij. Populli pranoi dhe hyri në besëlidhjen e Ligjit. A veproi populli siç ra dakord?​—Dalja 19:3-8.

S’ka gjë më të çmuar që mund t’i japim Jehovait, sesa të jetojmë në atë mënyrë që i sjell gëzim zemrës së tij

Psalmisti thotë: «Sa herë ngritën krye kundër tij, në shkretëtirë, dhe e lënduan kur ishin në vendin e shkretë!» (Vargu 40) Vargu tjetër shton: «Sa e sa herë e vunë Perëndinë në provë.» (Vargu 41) Vër re se shkrimtari përshkruan një udhë rebele. Kjo frymë e shëmtuar e kishte nxjerrë kokën më herët, në shkretëtirë, pak pas çlirimit nga Egjipti. Populli nisi të murmuriste kundër Perëndisë, duke dyshuar nëse Ai ishte i aftë dhe i gatshëm të kujdesej për ta. (Numrat 14:1-4) Një vepër referimi për përkthyesit e Biblës thotë se shprehja «ngritën krye kundër tij» mund «të përkthehet edhe ‘ngurtësuan zemrat ndaj Perëndisë’ ose ‘i thanë jo Perëndisë’». Megjithatë, me mëshirë Jehovai e falte popullin e tij kur pendohej. Por, më pas, u ktheheshin udhëve të vjetra dhe rebeloheshin prapë, e kështu ajo sjellje vazhdonte.​—Psalmi 78:10-19, 38.

Si ndihej Jehovai sa herë që populli i tij i paqëndrueshëm rebelohej? Vargu 40 thotë: ‘Lëndohej.’ Një përkthim tjetër thotë se «i jepnin arsye për hidhërim». Një vepër shpjeguese për Biblën thotë: «Kuptimi i kësaj shprehjeje është se sjellja e hebrenjve ishte e atillë që të shkaktonte dhembje, si sjellja e një fëmije të pabindur dhe rebel.» Ashtu si një fëmijë i pashtruar u shkakton shumë dhembje në zemër prindërve, izraelitët rebelë «i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit».​—Vargu 41.

Çfarë mësojmë nga ky psalm? Jehovai ka përzemërsi të madhe për adhuruesit e tij dhe nuk heq dorë kollaj prej tyre, e kjo na jep siguri. Në të njëjtën kohë, dijenia se Jehovai ka ndjenja dhe se sjellja jonë ndikon te ndjenjat e tij na bën të mendohemi thellë. Si ndikon te ti kjo dijeni? A s’të lind dëshira të bësh atë që është e drejtë?

Në vend që të ndjekim një udhë mëkatare dhe t’i shkaktojmë dhembje zemrës së Jehovait, mund të zgjedhim të ndjekim një udhë të drejtë dhe t’ia gëzojmë zemrën. Pikërisht këtë u kërkon adhuruesve të vet: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën.» (Proverbat 27:11) S’ka gjë më të çmuar që mund t’i japim Jehovait, sesa të jetojmë në atë mënyrë që i sjell gëzim zemrës së tij.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë korrikut: