Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Pse një grua në të 60-at hoqi dorë nga adhurimi i idhujve? Çfarë e shtyu një prift shintoist të linte punën në faltore dhe të bëhej shërbëtor i krishterë? Si arriti një grua, të cilën e kishin adoptuar që nga lindja, të përballonte ndjenjat e braktisjes? Le të shohim çfarë kanë për të thënë.

«Nuk jam më skllave e idhujve.»​—ABA DANSU

LINDUR: 1938

VENDI I LINDJES: BENINI

MË PARË: ADHURUESE E IDHUJVE

E KALUARA IME: U rrita në So-Çahui, fshat në një zonë moçalore afër një liqeni. Banorët e fshatit merren me peshkim dhe rritin gjedhë, dhi, dele, derra e shpendë. Vendi nuk ka rrugë dhe njerëzit përdorin barka e kanoe që të lëvizin. Zakonisht i ndërtojnë shtëpitë me dru dhe kashtë, kurse disa me tulla. Shumica e banorëve janë të varfër. Megjithatë, krimi nuk është aq i përhapur sa në qytete.

Kur isha e vogël, babai më çoi bashkë me motrën në një manastir fetishist ku nisëm të mësonim këtë besim tradicional që ka të bëjë me adhurimin e sendeve jo të gjalla, të cilave u atribuohen cilësi çudibërëse. Kur u rrita, fillova të adhuroja si perëndinë tim Duduanë (Odudua) nga kultura jorube. Ndërtova një altar për këtë perëndi dhe rregullisht i ofroja flijime me jams, vaj palme, kërmij, pula, pëllumba dhe kafshë të tjera. Këto flijime kushtonin dhe shpesh më shteronin thuajse gjithë të ardhurat.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Kur fillova të studioja Biblën, mësova se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë. Po ashtu mësova se ai nuk e miraton adhurimin me idhuj. (Dalja 20:4, 5; 1 Korintasve 10:14) E kuptova se ç’duhet të bëja. Kështu që i hodha të gjitha shëmbëlltyrat dhe pastrova shtëpinë nga çdo gjë që lidhej me adhurimin e idhujve. Nuk këshillohesha më me orakujt dhe nuk merrja më pjesë në ritualet vendëse e ritet e varrimeve.

S’ishte e lehtë për mua të bëja këto ndryshime, pasi isha një grua në të 60-at. Miqtë, të afërmit dhe fqinjët më kundërshtonin e më tallnin. Por iu luta Jehovait për forcën që të bëja atë që ishte e drejtë. Mora zemër nga fjalët e Proverbave 18:10, ku thuhet: «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.»

Diçka tjetër që më ndihmoi ishte pjesëmarrja në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Atje përjetova dashurinë e krishterë dhe më bënte përshtypje, sepse ata njerëz përpiqeshin të jetonin sipas normave të larta morale të Biblës. Ajo që pashë më bindi se Dëshmitarët e Jehovait praktikojnë fenë e vërtetë.

DOBITË: Zbatimi i parimeve biblike më ka ndihmuar të kem marrëdhënie më të mira me fëmijët. Gjithashtu ndihem sikur kam hequr një barrë nga shpatullat. I shpërdoroja të ardhurat për idhujt e pajetë që s’më sillnin asnjë të mirë. Tani adhuroj Jehovain, i cili siguron zgjidhje të përhershme për të gjitha problemet tona. (Zbulesa 21:3, 4) Jam kaq e lumtur që nuk jam më skllave e idhujve, por jam skllave e Jehovait. Tek ai kam gjetur siguri dhe mbrojtje të vërtetë.

«E kisha kërkuar Perëndinë që nga fëmijëria.»​—SHINJI SATO

LINDUR: 1951

VENDI I LINDJES: JAPONIA

MË PARË: PRIFT SHINTOIST

E KALUARA IME: U rrita në një qytezë të prefekturës së Fukuokës. Prindërit ishin mjaft fetarë dhe më rritën që të përnderoja perënditë shintoiste. Që kur isha i vogël, mendoja shpesh për shpëtimin tim dhe kisha shumë dëshirë të ndihmoja njerëzit që kishin probleme. Më kujtohet njëherë kur isha në shkollën fillore dhe mësuesi e pyeti klasën se çfarë donin të bëheshin kur të rriteshin. Shokët i kishin shumë të qarta dëshirat, si për shembull, të bëheshin shkencëtarë. Unë thashë se ëndrra ime ishte t’i shërbeja Perëndisë. Të gjithë qeshën me mua.

Pas shkollës së mesme, hyra në një shkollë për mësues fetarë. Gjatë asaj stërvitjeje takova një prift shintoist i cili e kalonte kohën e lirë duke lexuar një libër me kapak të zi. Një ditë më pyeti: «Sato, e di çfarë libri është ky?» E kisha parë kapakun e librit, prandaj iu përgjigja: «Bibla.» Ai më tha: «Të gjithë ata që duan të bëhen priftërinj shintoistë duhet ta lexojnë këtë libër.»

Menjëherë dola dhe bleva një Bibël. E vura në vendin që dukej më kollaj në raft dhe e mbaja me kujdes. Por nuk gjeja kohë që ta lexoja, pasi jeta në shkollë më mbante tejet të zënë. Kur mbarova shkollën, nisa të punoja në një faltore si prift shintoist. Ëndrra e fëmijërisë u bë realitet.

Gjithsesi, shpejt zbulova se puna si prift shintoist nuk ishte siç e prisja. Shumica e priftërinjve s’tregonin dhe aq dashuri ose merak për të tjerët. Gjithashtu, mjaft prej tyre u mungonte besimi. Njëri nga eprorët e mi shkoi deri aty sa më tha: «Nëse do që të kesh sukses këtu, duhet të flasësh vetëm për çështje filozofike. Është e ndaluar të flasësh për besimin.»

Nga shprehje të tilla u zhgënjeva me fenë shintoiste. Edhe pse vazhdova të punoja në faltore, fillova të shqyrtoja fe të tjera. Por asnjë nga ato nuk dukej se ofronte ndonjë gjë më të mirë. Sa më shumë fe shqyrtoja, aq më tepër zhgënjehesha. Mendoja se asnjë fe nuk mësonte të vërtetën.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Në vitin 1988 takova një budist që më nxiti të lexoja Biblën. M’u kujtua prifti shintoist i cili vite më parë më kishte dhënë të njëjtën nxitje. Vendosa ta zbatoja këshillën. Teksa lexoja Biblën, shpejt u përfshiva i tëri në të. Ndonjëherë lexoja tërë natën, derisa dielli i mëngjesit trokiste në dritare.

Ajo që lexova më ngjalli dëshirën që t’i lutesha Perëndisë së Biblës. Fillova me lutjen model që gjendet te Mateu 6:9-13. E përsëritja këtë lutje çdo dy orë, edhe gjatë shërbesës në faltoren shintoiste.

Kisha mjaft pyetje për atë që lexoja. E dija se Dëshmitarët e Jehovait i mësojnë të tjerët për Biblën, pasi në te kaluarën kishin takuar gruan time. Kërkova një Dëshmitare dhe e mbyta me pyetje. Habitesha shumë kur përdorte Biblën që t’i përgjigjej çdo pyetjeje. Ajo i rregulloi gjërat që Dëshmitarët të studionin Biblën me mua.

Pak më vonë, fillova të shkoja në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Në atë kohë s’e dija, por mes Dëshmitarëve të pranishëm kishte disa me të cilët isha sjellë shumë keq në të kaluarën. Prapëseprapë më përshëndetnin ngrohtësisht dhe më bënin të ndihesha si në shtëpi.

Në ato mbledhje mësova se Perëndia pret nga burrat që t’i duan e t’i nderojnë pjesëtarët e familjes. Deri atëherë isha përqendruar kaq shumë te puna si prift, sa i kisha lënë pas dore gruan dhe dy fëmijët. U bëra i vetëdijshëm se i kisha dëgjuar gjithë sy e veshë njerëzit që vinin të adhuronin në faltore, kurse gruan time s’e kisha dëgjuar as edhe një herë.

Ndërsa përparoja me studimin, mësova mjaft gjëra për Jehovain që më afruan me të. U preka veçanërisht nga vargje të tilla, si Romakëve 10:13 që thotë: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» E kisha kërkuar Perëndinë që nga fëmijëria dhe tani, më në fund, e gjeta.

Nisa të mos e ndieja më veten pjesë të faltores. Në fillim shqetësohesha për atë që do të mendonin të tjerët nëse e lija fenë shintoiste. Por i kisha thënë gjithnjë vetes se do të largohesha po ta gjeja diku tjetër Perëndinë e vërtetë. Kështu që në pranverë të vitit 1989 vendosa t’i bindesha ndërgjegjes. U largova nga faltorja dhe e lashë veten në duart e Jehovait.

Nuk ishte e lehtë të lija faltoren. Eprorët më qortuan dhe u përpoqën të më bënin presion që të qëndroja. Por më e vështirë ishte t’ua thosha lajmin prindërve. Kur po shkoja te shtëpia e tyre ndihesha kaq në ankth, sa më dhimbte kraharori dhe nuk më bënin këmbët. Ndalova shumë herë gjatë rrugës që t’i lutesha Jehovait për forcë.

Kur mbërrita në shtëpinë e prindërve, në fillim kisha shumë frikë t’ua hapja bisedën. Kaluan orë. Më në fund, pas shumë lutjesh, i shpjegova gjithçka babait. I thashë se kisha gjetur Perëndinë e vërtetë dhe se po e lija fenë shintoiste që t’i shërbeja Atij. Babai u trondit dhe u trishtua. Të afërm të tjerë erdhën në shtëpi dhe u përpoqën të më ndryshonin mendjen. Nuk doja ta lëndoja familjen, por në të njëjtën kohë, e dija se t’i shërbeja Jehovait ishte gjëja e drejtë. Me kalimin e kohës, familja më respektoi për vendimin tim.

Ndonëse nuk shkoja më në faltore, prapëseprapë më duhej të ndreqja mënyrën e të menduarit. Jeta si prift ishte rrënjosur thellë brenda meje. U përpoqa fort ta harroja, por ngado që kthehesha, dukej sikur kishte përkujtues të jetës së mëparshme.

Dy gjëra më ndihmuan të lirohesha nga këto ndikime. Së pari, kërkova me themel nëpër shtëpi për gjëra që lidheshin me fenë e kaluar. Pastaj i dogja të gjitha: libra, piktura e madje objekte të kushtueshme. Së dyti, i shfrytëzoja sa më mirë rastet për t’u shoqëruar me Dëshmitarët. Miqësia dhe mbështetja e tyre më ndihmuan tej mase. Gradualisht, jeta e mëparshme po më fashitej nga kujtesa.

DOBITË: Dikur i lija pas dore gruan dhe fëmijët, e kjo i bënte të ndiheshin mjaft të vetmuar. Por, kur nisa të rrija me ta, ashtu si i mëson Bibla burrat, u lidhëm më shumë. Me kalimin e kohës, gruaja u bashkua me mua në shërbimin ndaj Jehovait. Edhe djali, vajza dhe burri i saj tani janë bashkuar me ne në adhurimin e vërtetë.

Kur mendoj për ëndrrën e fëmijërisë që t’i shërbeja Perëndisë dhe të ndihmoja njerëzit, e kuptoj se kam gjetur gjithçka që kërkoja, madje më tepër. S’gjej fjalë që të shpreh mirënjohjen ndaj Jehovait.

«E dija se diçka mungonte.»​—LINETA HAUTINGU

LINDUR: 1958

VENDI I LINDJES: AFRIKA E JUGUT

MË PARË: NDIHEJ E BRAKTISUR

E KALUARA IME: Linda në Germiston, një qytet-minierë i shtresës së mesme pa shumë krime. Prindërit vendosën të më jepnin për adoptim, ngaqë mendonin se nuk do të arrinin të kujdeseshin për mua. Në moshën delikate prej 14-ditësh, më adoptoi një çift i dashur të cilët m’u bënë nënë e baba. Megjithatë, pasi mora vesh historinë time, luftova me ndjenjat e braktisjes. Nisa të ndihesha sikur nuk u përkitja prindërve adoptues dhe se ata nuk më kuptonin vërtet.

Kur isha rreth 16 vjeçe, fillova të shkoja në lokale ku pihej alkool e bashkë me shoqërinë kërcenim dhe dëgjonim muzikë live. Në moshën 17-vjeçare nisa duhanin. Doja të isha e hollë si modelet që shihja në reklamat e duhanit. Kur u bëra 19 vjeçe, hyra në punë në Johanesburg, ku shpejt u pleksa me njerëz të gabuar. S’kaloi shumë dhe po përdorja gjuhë të ndyrë, pija shumë duhan dhe konsumoja rëndshëm alkool gjatë fundjavëve.

Megjithatë isha mjaft aktive. Bëja rregullisht aerobi, luaja futboll për femra dhe sporte të tjera. Po ashtu, punoja fort për karrierën time duke u bërë e njohur në industrinë e kompjuterëve. Si rrjedhojë, rashë në para dhe mjaft njerëz më konsideronin të suksesshme. Gjithsesi nuk isha fare e lumtur, por ndihesha e çorientuar dhe e zhgënjyer me jetën. Thellë brenda meje e dija se diçka mungonte.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Kur fillova të studioja Biblën, mësova se Jehovai është Perëndi i dashurisë. Gjithashtu mësova se ai na e ka treguar dashurinë duke na dhënë ­Fjalën e tij, Biblën. Është si të na shkruante një letër personale për të na drejtuar hapat. (Isaia 48:17, 18) E kuptova se, nëse doja të nxirrja dobi nga udhëheqja e dashur e Jehovait, më duhej të bëja ndryshime të mëdha në jetë.

Një ndryshim që duhej të bëja lidhej me shoqërinë. Mora për zemër fjalët e Proverbave 13:20 që thonë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» Ky parim më ndihmoi të lija shoqëritë e vjetra e të zija miq të rinj mes Dëshmitarëve të Jehovait.

Vështirësia më e madhe ishte të lija duhanin, pasi isha shumë e varur prej tij. Teksa e kapërceja gradualisht këtë pengesë, u përballa me një sfidë tjetër. Lënia e duhanit bëri të shtoja gati 14 kilogramë. Shtimi në peshë ma rrënoi komplet vlerësimin për veten dhe m’u deshën afro dhjetë vjet të hiqja kilet e tepërta. Por e dija se lënia e duhanit ishte gjëja e duhur. I lutesha vazhdimisht Jehovait dhe ai më dha forcën që t’ia dilja mbanë.

DOBITË: Tani kam shëndet më të mirë. Gjith­ashtu jam e kënaqur e nuk rend më pas lumturisë së rreme që premton karriera, pozita dhe pasuria në këtë botë. Në vend të kësaj, gjej gëzim duke u folur të tjerëve për të vërtetat biblike. Si rezultat, tri ish-kolege të miat tani i shërbejnë Jehovait bashkë me mua dhe burrin. Para se të më vdisnin prindërit adoptues, arrita t’u flisja për premtimin e Biblës për një ringjallje në tokë parajsore.

Miqësia me Jehovain më ka ndihmuar të përballoj ndjenjat e braktisjes. Falë tij e ndiej se të tjerët më duan pasi i përkas një familjeje mbarëbotërore me bashkëbesimtarë. Mes tyre kam shumë nëna, baballarë, vëllezër e motra.​—Marku 10:29, 30.

[Figura në faqen 12]

Midis Dëshmitarëve të Jehovait kam përjetuar dashurinë e krishterë

[Figura në faqen 13]

Faltorja shintoiste ku adhuroja dikur