Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ke hyrë në pushimin e Perëndisë?

A ke hyrë në pushimin e Perëndisë?

A ke hyrë në pushimin e Perëndisë?

«Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.»​—HEBR. 4:12.

1. Cila është një mënyrë si mund të hyjmë në pushimin e Perëndisë sot? Pse kjo mund të jetë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet?

NË ARTIKULLIN e mëparshëm pamë se mund të hyjmë në pushimin e Perëndisë duke vepruar në përputhje me qëllimet e tij. Kjo mund të jetë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Për shembull, kur mësojmë se Jehovai nuk e miraton diçka që neve na pëlqen, si fillim mund të kundërshtojmë. Nëse na ndodh kështu, kemi nevojë të mësojmë që të jemi ‘të gatshëm të bindemi’. (Jak. 3:17) Në këtë artikull, do të shqyrtojmë disa situata ku mund të vihet në provë gatishmëria jonë për t’u përshtatur me qëllimin e Perëndisë, pra për t’u bindur nga zemra.

2, 3. Çfarë përpjekjesh duhet të vazhdojmë të bëjmë që të mbetemi të dëshirueshëm në sytë e Perëndisë?

2 A je gati të bindesh kur të jepen këshilla të bazuara në Bibël? Shkrimet thonë se vullneti i Perëndisë është që të mbledhë në organizatën e tij «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve». (Hag. 2:7) Natyrisht, shumica prej nesh nuk ishim aspak të dëshirueshëm kur mësuam të vërtetën. Por, dashuria për Perëndinë dhe për Birin e tij të shtrenjtë na nxiti të bënim ndryshime domethënëse në qëndrimin dhe në zakonet tona, që të ishim plotësisht të këndshëm në sytë e Perëndisë. Në fund, pas shumë lutjesh dhe përpjekjesh nga ana jonë, erdhi dita e lumtur kur mundëm të pagëzoheshim si të krishterë.​—Lexo Kolosianëve 1:9, 10.

3 Megjithatë, beteja kundër papërsosmërisë nuk mbaroi me pagëzimin. Ajo vazhdoi dhe do të vazhdojë derisa të jemi të papërsosur. Sidoqoftë, kemi sigurinë që, nëse vazhdojmë të luftojmë dhe jemi të vendosur të bëhemi edhe më të dëshirueshëm në sytë e Perëndisë, Ai do t’i bekojë përpjekjet tona.

Kur nevojiten këshilla

4. Cilat janë tri mënyra se si mund të marrim këshilla biblike?

4 Para se të fillojmë të ndreqim papërsosmëritë tona, duhet të dimë se cilat janë ato. Një fjalim në Sallën e Mbretërisë që zbulon se ç’kemi në zemër ose një artikull në botimet tona që na bën të mendojmë, mund të nxjerrë në pah një të metë serioze. Por, edhe sikur të mos e kapim një pikë kur paraqitet në një fjalim ose të mos ia zbatojmë vetes këshillën e shkruar në botim, Jehovai mund të përdorë një të bashkëkrishterë që të na e drejtojë vëmendjen tek e meta jonë.​—Lexo Galatasve 6:1.

5. Përmend disa mënyra të padëshirueshme se si mund të reagojmë kur na jepen këshilla. Shpjego pse barinjtë e krishterë duhet të këmbëngulin në përpjekjet e tyre për të na ndihmuar.

5 Nuk është e lehtë të pranosh këshilla nga një njeri i papërsosur, sado me takt dhe dashuri të të jepen. Gjithsesi, siç theksohet te Galatasve 6:1, Jehovai i urdhëron ata që kanë kualifikime frymore ‘të përpiqen’ të na ndreqin dhe këtë ta bëjnë «me një frymë butësie». Nëse reagojmë mirë, do të bëhemi edhe më të dëshirueshëm në sytë e Perëndisë. Çuditërisht, kur lutemi, e pranojmë kollaj se jemi të papërsosur. Mirëpo, kur dikush na tërheq vëmendjen te një e metë specifike, kemi prirjen që të përpiqemi të justifikohemi, të minimizojmë problemin, të vëmë në dyshim motivin e atij që na këshilloi ose të kundërshtojmë mënyrën si na e dha këshillën. (2 Mbret. 5:11) Përveç kësaj, nëse këshilla na prek te një aspekt veçanërisht i ndjeshëm​—mënyra si ka vepruar një pjesëtar i familjes, veshja dhe paraqitja jonë e jashtme, higjiena personale ose një lloj zbavitjeje që na pëlqen, por që Jehovai e urren​—mund të reagojmë mjaft negativisht. Ky reagim mund të na sjellë trishtim neve dhe atij që na dha këshillën. Por, pasi qetësohemi, zakonisht e pranojmë se këshilla ishte me vend.

6. Si i zbulon fjala e Perëndisë «mendimet dhe qëllimet e zemrës»?

6 Shkrimi bazë i këtij artikulli na kujton se fjala e Perëndisë «ushtron fuqi». Po, fjala e Perëndisë ka fuqinë t’ua ndryshojë jetën njerëzve. Është po aq e efektshme që të na ndihmojë të bëjmë ndryshimet e nevojshme pas pagëzimit, sa ishte edhe para se të ndërmerrnim këtë hap. Në Letrën drejtuar Hebrenjve, Pavli shkruan gjithashtu se fjala e Perëndisë «depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës». (Hebr. 4:12) Me fjalë të tjera, kur kuptojmë qartë se çfarë kërkon Perëndia prej nesh, mënyra si reagojmë më pas tregon se si jemi përbrenda. A ka ndonjëherë një ndryshim midis asaj që dukemi (‘shpirtit’) dhe asaj që jemi në të vërtetë (‘frymës’)? (Lexo Mateun 23:27, 28.) Mendo se si do të reagoje ti në situatat vijuese.

Qëndro në një hap me organizatën e Jehovait

7, 8. (a) Pse disa të krishterë hebrenj donin të vazhdonin t’u bindeshin disa pjesëve të Ligjit të Moisiut? (b) Pse mund të themi se ata po vepronin kundër qëllimit të Jehovait?

7 Shumë prej nesh mund të citojnë përmendsh Proverbat 4:18: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë.» Kjo nënkupton se sjellja dhe kuptueshmëria jonë për qëllimet e Perëndisë do të përmirësohen me kalimin e kohës.

8 Siç diskutuam në artikullin e mëparshëm, pas vdekjes së Jezuit, shumë të krishterë judenj e kishin të vështirë të shkëputeshin nga Ligji i Moisiut. (Vep. 21:20) Ndonëse Pavli argumentoi me mjeshtëri se të krishterët nuk ishin më nën Ligj, disa e hodhën poshtë arsyetimin e tij të frymëzuar. (Kolos. 2:13-15) Ndoshta mendonin se, po të vazhdonin të zbatonin të paktën disa pjesë të Ligjit, do të shmangnin përndjekjen. Sido që të ketë qenë, Pavli u shkroi të krishterëve hebrenj dhe u tha troç se po të vazhdonin të vepronin kundër qëllimit të Perëndisë, nuk do të mund të hynin në pushimin e Tij. * (Hebr. 4:1, 2, 6; lexo Hebrenjve 4:11.) Që të kishin miratimin e Jehovait, duhej të pranonin se tani ai donte që populli i tij ta adhuronte në një mënyrë tjetër.

9. Ç’qëndrim duhet të kemi kur bëhen ndryshime në kuptueshmërinë e disa çështjeve biblike?

9 Në kohët tona, ka pasur përmirësime në kuptueshmërinë e disa mësimeve biblike. Kjo nuk duhet të na trazojë, përkundrazi duhet të na rritë sigurinë te skllavi i besueshëm dhe i matur. Kur përfaqësues të ‘skllavit’ dallojnë se pikëpamja jonë për disa pika të së vërtetës ka nevojë të sqarohet ose të ndreqet, nuk ngurrojnë të bëjnë ndryshimet. Skllavit i intereson më shumë të veprojë në përputhje me qëllimin e Perëndisë, sesa të mbrohet nga kritikat për ndryshimin e kuptueshmërisë. Si reagon ti kur paraqitet një ndryshim në kuptueshmërinë tonë për Shkrimet?​—Lexo Lukën 5:39.

10, 11. Ç’mësime mund të nxjerrim nga mënyra si reaguan disa kur u futën metoda të reja për predikimin e lajmit të mirë?

10 Le të shqyrtojmë një shembull tjetër. Në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, disa Studentë të Biblës që ishin oratorë të shkëlqyer, mendonin se mund ta kryenin më mirë caktimin për të predikuar duke mbajtur fjalime të përgatitura mirë para njerëzve që kishin çmueshmëri. Atyre u pëlqente oratoria dhe disa vdisnin për lëvdatat e dëgjuesve. Megjithatë, më vonë u bë e dukshme se Jehovai dëshiron që populli i tij të angazhohet në një larmi formash predikimi, përfshirë veprën shtëpi më shtëpi. Disa oratorë të zotë refuzuan prerazi të bënin një gjë të tillë. Në pamje të parë dukej sikur ishin burra frymorë, plotësisht të kushtuar ndaj Zotërisë. Por, kur u gjendën përballë dëshmive të qarta të asaj që dëshironte Perëndia për veprën e predikimit, dolën në shesh mendimet, qëllimet dhe motivet e tyre të vërteta. Çfarë mendonte Jehovai për ta? Nuk i bekoi. Ata e lanë organizatën.​—Mat. 10:1-6; Vep. 5:42; 20:20.

11 Me këtë nuk duam të themi se të gjithë ata që i qëndruan besnikë organizatës e kishin të lehtë të predikonin publikisht. Shumë vetave kjo u dukej e vështirë, sidomos në fillim. Por u treguan të bindur. Me kohë e kapërcyen ankthin, dhe Jehovai i bekoi me bollëk. Si reagon ti kur skllavi të thotë të marrësh pjesë në një formë predikimi që nuk e ke provuar më parë? A bindesh, edhe nëse kjo formë predikimi të duket shumë e vështirë?

Kur dikush që e duam, largohet nga Jehovai

12, 13. (a) Pse Jehovai kërkon që të përjashtohen keqbërësit e papenduar? (b) Çfarë sprove hasin disa prindër të krishterë dhe pse është kaq e vështirë ajo?

12 Pa dyshim të gjithë jemi dakord me parimin se, që t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet të jemi të pastër fizikisht, moralisht dhe frymësisht. (Lexo Titit 2:14.) Por, ka situata që na e bëjnë të vështirë t’i bindemi këtij urdhri. Për shembull, ta zëmë se djali i vetëm i një çifti të krishterë shembullor lë të vërtetën. Ai preferon ‘të gëzojë kënaqësinë e përkohshme të mëkatit’ në vend të një marrëdhënieje personale me Jehovain dhe me prindërit e tij të krishterë, prandaj përjashtohet.​—Hebr. 11:25.

13 Prindërit ndihen të dërrmuar shpirtërisht. Për sa i përket përjashtimit, ata e dinë se Bibla thotë që ‘të mos përzihemi më në shoqëri me këdo që quhet vëlla, por që është kurvar, lakmitar, idhujtar, sharës, pijanec ose zhvatës, madje as të mos hamë me një njeri të tillë’. (1 Kor. 5:11, 13) Po ashtu, e kuptojnë se fjala «këdo» në këtë varg, përfshin edhe familjarët që nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi me ta. Megjithatë, prindërit e duan shumë të birin. Për shkak të kësaj, ndoshta arsyetojnë: «Si mund ta ndihmojmë djalin të kthehet te Jehovai nëse e kufizojmë rreptësisht shoqërimin me të? A nuk do ta ndihmonim më shumë duke mbajtur kontakte të rregullta me të?» *

14, 15. Çfarë vendimi duhet të marrin prindërit e fëmijëve të përjashtuar?

14 Na pikon në zemër për këta prindër. Djali i tyre kishte mundësi të zgjidhte, por zgjodhi të ndiqte një mënyrë jetese jo të krishterë, në vend që të vazhdonte të gëzonte shoqërimin e ngushtë me prindërit dhe me bashkëbesimtarët e tjerë. Nga ana tjetër, prindërit nuk kishin gjë në dorë. Ja pse ndihen keq.

15 Por, çfarë do të bëjnë këta prindër të dashur? A do t’i binden drejtimit të qartë të Jehovait? Apo do të arsyetojnë se mund të shoqërohen rregullisht me djalin e përjashtuar e t’i quajnë këto raste «çështje familjare të pashmangshme»? Kur të marrin vendimin, ata duhet të kenë parasysh se çfarë mendon Jehovai për atë që po bëjnë. Ai ka si qëllim që ta mbajë të pastër organizatën dhe, nëse është e mundur, t’i nxitë keqbërësit të vijnë në vete. Si mund të veprojnë prindërit e krishterë në përputhje me këtë qëllim?

16, 17. Çfarë mund të mësojmë duke medituar për shembullin e Aaronit?

16 Aaroni, vëllai i Moisiut, hasi një situatë të vështirë për shkak të dy prej djemve të tij. Mendo si duhet të jetë ndier kur ata, Nadabi dhe Abihu, paraqitën para Jehovait zjarr të palejueshëm dhe ai i vrau. Natyrisht, kjo i dha fund lidhjes së këtyre burrave me prindërit. Por nuk mbaroi me kaq. Jehovai e urdhëroi Aaronin dhe djemtë e tij të tjerë besnikë: «Mos i lini flokët të çrregullt e mos i shqyeni rrobat [për të vajtuar], që të mos vdisni e që [Jehovai] të mos indinjohet me tërë asamblenë.» (Lev. 10:1-6) Mësimi është i qartë. Dashuria për Jehovain duhet të jetë më e fortë se dashuria për familjarët jobesnikë.

17 Sot Jehovai nuk i ekzekuton menjëherë ata që shkelin ligjet e tij. Me dashuri u jep një mundësi që të pendohen për veprat e tyre të padrejta. Por, si do të ndihej Jehovai nëse prindërit e një keqbërësi të papenduar do të vazhdonin ta vinin në provë Atë, duke u shoqëruar me djalin ose vajzën e përjashtuar pa ndonjë arsye të domosdoshme?

18, 19. Ç’bekime mund të kenë pjesëtarët e familjes që veprojnë sipas udhëzimeve të Jehovait për të përjashtuarit?

18 Shumë nga ata që dikur ishin përjashtuar, tani e pranojnë hapur se qëndrimi i vendosur i miqve dhe i familjarëve i ndihmoi të vinin në vete. Kur rekomanduan rivendosjen e një vajze të re, pleqtë shkruan se ajo e kishte pastruar jetën e vet «edhe ngaqë vëllai i saj respektoi masën e përjashtimit». Ajo tha se «bindja e tij me besnikëri ndaj udhëzimeve biblike, e ndihmoi që të dëshironte të kthehej në kongregacion».

19 Ç’përfundim duhet të nxjerrim? Kemi nevojë të luftojmë kundër prirjes së zemrës sonë të papërsosur për të mos iu bindur këshillave biblike. Duhet të jemi absolutisht të bindur se mënyra si i trajton Perëndia problemet tona, është gjithnjë më e mira.

«Fjala e Perëndisë është e gjallë»

20. Cilat janë dy mënyrat se si mund të zbatohet Hebrenjve 4:12? (Shih shënimin.)

20 Kur Pavli shkroi se «fjala e Perëndisë është e gjallë», nuk po i referohej në mënyrë specifike Fjalës së shkruar të Perëndisë, Biblës. * Konteksti tregon se ai po u referohej premtimeve të Jehovait. Pavli po theksonte se Perëndia nuk e bën një premtim e pastaj e harron. Jehovai e përforcoi këtë nëpërmjet profetit Isaia: «Fjala . . . ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, . . . do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.» (Isa. 55:11) Pra, duhet të jemi të durueshëm nëse Perëndia nuk i plotëson premtimet e tij atëherë kur do të donim ne. Jehovai «vazhdon të punojë» me synimin që ta plotësojë me sukses qëllimin e tij.​—Gjoni 5:17.

21. Si mund t’u japë zemër Hebrenjve 4:12 pjesëtarëve më të moshuar dhe besnikë të ‘shumicës së madhe’?

21 Pjesëtarë më të moshuar dhe besnikë të ‘shumicës së madhe’ i kanë shërbyer Jehovait për dekada. (Zbul. 7:9) Shumë nga ata as që e mendonin të plakeshin në këtë sistem. Megjithatë, nuk janë shkurajuar. (Psal. 92:14) E dinë se fjala ose premtimet e Jehovait nuk janë të vdekura, përkundrazi janë të gjalla dhe ai po punon për plotësimin e tyre. Meqë Perëndia e ka për zemër qëllimin e tij, e gëzojmë atë kur e konsiderojmë të rëndësishëm këtë qëllim. Gjatë kësaj dite të shtatë Jehovai ka pushuar, duke qenë i sigurt se qëllimi i tij do të plotësohet dhe se, si grup, populli i tij do të vazhdojë të veprojë në përputhje me këtë qëllim. Ç’mund të thuhet për ty? A ke hyrë ti në pushimin e Perëndisë?

[Shënimet]

^ par. 8 Shumë udhëheqës fetarë judenj e zbatonin me kujdes të madh Ligjin e Moisiut, por kur erdhi Mesia, nuk e pranuan. Ata vepruan kundër qëllimit të Perëndisë.

^ par. 20 Sot, Perëndia na flet me anë të Fjalës së tij të shkruar, e cila ka fuqinë të ndikojë në jetën tonë. Prandaj, në një kuptim më të gjerë, fjalët e Pavlit të dokumentuara te Hebrenjve 4:12 mund të zbatohen në mënyrë të përshtatshme edhe për Biblën.

A të kujtohet?

• Çfarë nevojitet që të hyjmë në pushimin e Perëndisë sot?

• Si e tregojmë se duam t’i pëlqejmë Perëndisë kur kuptojmë nga Bibla se çfarë kërkon ai prej nesh?

• Në cilat situata mund të jetë e vështirë bindja ndaj drejtimit që jepet në Shkrime, por pse është e domosdoshme të bindemi?

• Cilat janë dy mënyrat se si mund të zbatohet Hebrenjve 4:12?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 31]

Prindërit ndihen të dërrmuar shpirtërisht