Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nën hijen e Malit të Zjarrit

Nën hijen e Malit të Zjarrit

Letër nga Kongo (Kinshasë)

Nën hijen e Malit të Zjarrit

TEKSA dielli ngrihet mbi qytetin e Gomës, qielli vishet ngjyrë rozë dhe portokalli. Pamja mahnitëse e malit Niragongo, një nga vullkanet më aktivë në botë, na përshëndet çdo ditë. Një shtëllungë e vazhdueshme tymi ngrihet nga krateri i hapur. Natën shtëllunga përflaket, duke pasqyruar lavën e kraterit.

Në gjuhën suahile, malin e quajnë edhe Mulima ya Moto​—Mali i Zjarrit. I fundit nga shpërthimet e mëdha të Niragongos ndodhi në vitin 2002. Shumë nga fqinjët dhe miqtë tanë këtu në Goma humbën gjithçka. Në disa nga zonat përreth ku predikojmë unë dhe burri, na bie të ecim përgjatë një sipërfaqeje shkëmbore të valëzuar të krijuar nga lava, dhe imagjinoj si është të ecësh mbi hënë. Njerëzit janë krejt e kundërta e lavës së ngurtësuar. Ata janë të gjallë, me zemër të butë e të hapur dhe të ndjeshme ndaj lajmit të mirë që shpallim. Kjo na e bën një aventurë të këndshme shërbimin nën hijen e Malit të Zjarrit.

Të shtunën mezi prisja të zgjohesha në mëngjes. Unë dhe burri, bashkë me miqtë dhe misionarët që na kanë vizituar, do ta kalojmë ditën në kampin e refugjatëve në Mugunga, në rrethinat e qytetit në perëndim. Shumë refugjatë ia kanë mbathur nga sulmet e dhunshme në qytetet e tyre.

Ngarkojmë kamionin me literaturë biblike në frëngjisht, kisuahile (suahile) dhe kiniaruande. Pastaj nisemi. Teksa ecim në rrugët gropa-gropa të Sakes, hyjmë në gjallërinë e qytetit. Të rinjtë shtyjnë çukudusat e ngarkuar deng (motorë druri që i bëjnë vetë për transport). Gratë veshin funde me ngjyra të ndezura që i mbështjellin rreth vetes dhe ecin tërë hijeshi anës rrugës me ngarkesa të rënda mbi krye. Triçiklat taksi janë shumë të zënë duke transportuar njerëzit për në punë e në treg. Në tërë zonën gjenden të shpërndara shtëpi druri të lyera me kafe të errët, zbukuruar me bojëqielli.

Mbërrijmë në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait në Ndosho që të takojmë disa bashkëbesimtarë, të cilët bashkohen me ne që të predikojmë në kamp. Prekem kur shoh të rinjtë, vejushat, jetimët dhe ata me kufizime fizike. Shumë prej tyre kanë përjetuar vuajtje të mëdha, por e kanë përmirësuar jetën ngaqë kanë zgjedhur të zbatojnë parimet biblike. Shpresën e Biblës e kanë si prush në gji dhe mezi presin ta ndajnë me të tjerët. Pas një mbledhjeje të shkurtër, ku marrim disa sugjerime se cilat vargje biblike mund të inkurajojnë njerëzit që takojmë, 130 prej nesh nisen me pesë minibusë dhe një kamion me të katra rrotat aktive.

Rreth 30 minuta më vonë, arrijmë në kamp. Te një fushë me lavë të ngurtësuar gjenden të ngritura qindra tenda të vogla e të bardha. Në mes të kampit janë radhitur banja publike dhe qendra të përbashkëta për të larë rrobat. Njerëzit janë gjithandej​—duke larë rrobat, duke gatuar, duke shirë fasule dhe duke fshirë para tendave.

Takojmë një burrë që quhet babë Zhaku, i cili është përgjegjës për një pjesë të kampit. Ai është në merak për rritjen e fëmijëve të tij në këto kohë të vështira. Preket kur i lëmë librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, dhe thotë se ka dëshirë ta lexojë e pastaj të mbledhë grupe të vogla që t’ua tregojë edhe të tjerëve këto mësime.

Pak më tutje, takojmë një zonjë që e quajnë nënë Beatrisja. Na pyet pse i lejon vuajtjet Perëndia. Mendon se Perëndia po e ndëshkon. Burrin ia kanë vrarë në luftë, vajzën e ka nënë të vetme që e rrit me vështirësi foshnjën në kamp, ndërsa djalin ia kanë rrëmbyer muaj më parë dhe s’e ka idenë ku është.

Historitë e trishta që na tregon nënë Beatrisja më sjellin ndër mend si duhej të ishte ndier Jobi me të marrë vesh gjithë lajmet e tij të tmerrshme. I tregojmë arsyet pse vuajmë dhe e sigurojmë se vuajtjet e saj nuk janë ndëshkim nga Perëndia. (Jobi 34:10-12; Jakovi 1:14, 15) Gjithashtu i theksojmë ndryshimet që Perëndia do të sjellë së shpejti në tokë nëpërmjet Mbretërisë së tij. Fytyra i çelet nga buzëqeshja dhe thotë se do të vazhdojë me vendosmëri të studiojë Biblën dhe t’i lutet Perëndisë për ndihmë.

I tërë grupi e shijoi ditën dhe të gjithë mendojmë se Jehovai na ka ndihmuar vërtet që t’u japim shpresë dhe inkurajim njerëzve që takuam. Ndërsa largohemi nga kampi, shumë nga banorët valëvitin fletushkat, revistat e librat për të na thënë mirupafshim.

Rruga për në shtëpi na ofron ca kohë për të medituar. Jam plot mirënjohje për këtë ditë të veçantë. Më kujtohet vlerësimi që shprehu babë Zhaku, lehtësimi që dukej në sytë e nënë Beatrises, shtrëngimi i fortë i dorës së një gruaje të moshuar që rrëzëllente nga buzëqeshja. Mendoj për adoleshentët që bënin pyetje inteligjente dhe tregoheshin më të pjekur se mosha që kishin. Admiroj forcën e karakterit që i bën ende njerëzit të buzëqeshin dhe të qeshin, edhe pse kanë vuajtje të paimagjinueshme.

Në këtë pjesë të botës, shohim shumë të tjerë që përpiqen sinqerisht t’u sjellin lehtësim atyre që vuajnë. Sot ishte vërtet privilegj ta përdornim Biblën për t’u treguar njerëzve zgjidhjen e përhershme të problemeve të tyre. Ndihem shumë e lumtur që jam pjesë e përpjekjes më të madhe që po bëhet për të ndihmuar të tjerët të kenë besim, pasi kjo nuk do të përsëritet më kurrë!