Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet t’i paguani taksat?

A duhet t’i paguani taksat?

A duhet t’i paguani taksat?

PAK njerëz kanë qejf të paguajnë taksat. Mjaft veta mendojnë se paratë e taksave harxhohen kot, shpërdorohen dhe me to mashtrohet haptazi. Megjithatë, disa nuk pranojnë t’i paguajnë taksat për shkak të mënyrës së pamoralshme si përdoren paratë. Duke shpjeguar pse kishin vendosur të mos i paguanin taksat, banorët e një qyteti të Lindjes së Mesme thanë: «Nuk do të financojmë plumbat që vrasin fëmijët tanë.»

Mendime të tilla, që nuk janë të reja, i kanë edhe vende të tjera. Ja si u shpreh udhëheqësi hinduist i kohëve të fundit, Mohandas Gandi, pse ndërgjegjja nuk e lejonte të paguante taksat: «Ai ose ajo që përkrah një shtet që mbështetet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo nga forca të armatosura, merr pjesë në mëkat. Çdokush, i ri ose i moshuar, merr pjesë në mëkat nëse mbështet shtetin duke paguar taksat.»

Po njësoj, filozofi i shekullit të 19-të, Henri Dejvid Thorou citoi arsye morale pse ishte kundër pagimit të taksave me të cilat përkrahej lufta. Ai pyeti: «A duhet që qytetari për një moment të vetëm, qoftë edhe për vogëlsira, të heqë dorë nga ndërgjegjja për t’iu bindur pushtetit legjislativ? Atëherë, pse ka ndërgjegje çdo njeri?»

Kjo çështje u intereson të krishterëve, pasi Bibla mëson qartë se ata duhet të mbajnë ndërgjegje të pastër në çdo gjë. (2 Timoteut 1:3) Nga ana tjetër, Bibla pranon edhe autoritetin e qeverive për të mbledhur taksa. Ajo thotë: «Çdo shpirt të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta [qeverive njerëzore], sepse nuk ka autoritet veçse nga Perëndia. Autoritetet ekzistuese qëndrojnë në pozitat e tyre relative nga Perëndia. Prandaj, keni arsye që ju detyrojnë të jeni të nënshtruar, jo vetëm për shkak të atij zemërimi, por edhe për shkak të ndërgjegjes suaj. Për këtë arsye paguani edhe taksa, sepse ata janë shërbëtorë publikë të Perëndisë, që shërbejnë vazhdimisht pikërisht për këtë qëllim. Jepuni të gjithëve atë që u takon: taksën atij që kërkon taksën.»​—Romakëve 13:1, 5-7.

Ja pse të krishterët e shekullit të parë njiheshin si individë që i paguanin taksat pa ngurruar, ndonëse një pjesë e mirë shkonte në mbështetje të ushtrisë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Dëshmitarët e Jehovait në ditët tona.  * Si mund të shpjegohet kjo mospërputhje në dukje? A duhet që një i krishterë të ndrydhë ndërgjegjen kur ka për të paguar taksat?

Taksat dhe ndërgjegjja

Vlen të përmendet se një pjesë e taksave që të krishterët e shekullit të parë ishin udhëzuar të paguanin, shkonte për ushtrinë. Pikërisht kjo është arsyeja pse më vonë ndërgjegjja i nxiti Gandin dhe Thoroun të mos i paguanin taksat.

Vini re se të krishterët i bindeshin urdhrit te kapitulli 13 i Romakëve jo thjesht sepse donin të shmangnin ndëshkimin, por edhe «për shkak të ndërgjegjes [së tyre]». (Romakëve 13:5) Po, faktikisht ndërgjegjja e një të krishteri i kërkon të paguajë taksat, edhe nëse këto përdoren në mbështetje të veprimtarive që ai vetë nuk i pranon. Që të kuptojmë këtë paradoks në dukje, duhet të pranojmë një të vërtetë themelore për ndërgjegjen, zërin e brendshëm që na tregon nëse veprimet tona janë të drejta ose të gabuara.

Të gjithë e kanë këtë zë të brendshëm, siç vërejti Thorou, por ky zë nuk është medoemos i besueshëm. Që të kënaqim Perëndinë, ndërgjegjen duhet ta përputhim me normat e tij morale. Shpesh na duhet të ndreqim mënyrën e të menduarit ose pikëpamjen, që të jetë në përputhje me atë të Perëndisë, pasi mendimet e tij janë më të larta se tonat. (Psalmi 19:7) Prandaj duhet të përpiqemi ta kuptojmë pikëpamjen e Perëndisë për qeveritë njerëzore. Cila është ajo?

Shohim se apostulli Pavël i quajti qeveritë njerëzore «shërbëtorë publikë të Perëndisë». (Romakëve 13:6) Ç’do të thotë kjo? Kryesisht do të thotë se qeveritë ruajnë rendin dhe kryejnë detyra të vlefshme për shoqërinë. Edhe qeveritë më të korruptuara shpesh sigurojnë shërbime, si: posta, arsimi publik, zjarrfikësit dhe ruajtja e rendit. Ndonëse Perëndia është plotësisht i vetëdijshëm për të metat e autoriteteve të krijuara nga njeriu, ai e toleron ekzistencën e tyre për njëfarë kohe dhe urdhëron që t’i paguajmë taksat nga respekti për këtë masë që ka marrë, domethënë, që i lejon qeveritë të sundojnë njerëzimin.

Megjithatë, Perëndia e lejon vetëm përkohësisht sundimin e qeverive njerëzore. Vullneti i tij është që t’i zëvendësojë të gjitha qeveritë me Mbretërinë e tij qiellore dhe në fund të zhbëjë gjithë dëmin që u ka sjellë njerëzve gjatë shekujve sundimi njerëzor. (Danieli 2:44; Mateu 6:10) Por, ndërkohë, Perëndia nuk i autorizon të krishterët që të mos i binden ligjit duke refuzuar të paguajnë taksat ose duke vepruar në ndonjë mënyrë tjetër.

Po sikur, ashtu si Gandi, ende të mendoni se pagimi i taksave që mbështetin luftën është mëkat? Një pamje bëhet më e plotë kur ngjitemi në një vend më të lartë. Po ashtu, mund të ndreqim më kollaj mënyrën e të menduarit që ta përputhim me atë të Perëndisë, duke menduar thellë sa e lartë është pikëpamja e tij në krahasim me tonën. Me anë të profetit Isaia, Perëndia tha: «Ashtu si qiejt qëndrojnë më lart se toka, edhe udhët e mia janë më lart se udhët tuaja, dhe mendimet e mia më lart se mendimet tuaja.»​—Isaia 55:8, 9.

A kanë autoritet absolut?

Ajo që mëson Bibla për pagimin e taksave nuk nënkupton se qeveritë njerëzore mund të pretendojnë autoritet absolut nga nënshtetasit. Jezui mësoi se Perëndia u jep qeverive vetëm autoritet të kufizuar. Kur e pyetën nëse ishte e përshtatshme në sytë e Perëndisë t’i paguanin taksa qeverisë romake të asaj kohe, Jezui u përgjigj me këtë pohim të thellë: «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»​—Marku 12:13-17.

Qeveritë​—që përfaqësohen nga ‘Cezari’—​prodhojnë monedha ose kartëmonedha dhe ndihmojnë të përcaktohet vlera e tyre. Kështu, sipas pikëpamjes së Perëndisë ato kanë të drejtë të kërkojnë që paratë t’u kthehen në formë taksash. Prapëseprapë, Jezui tregoi se «gjërat e Perëndisë»​—jetën dhe adhurimin tonë—​s’mund t’i pretendojë asnjë institucion njerëzor. Kur ligjet ose kërkesat njerëzore bien ndesh me ligjet e Perëndisë, të krishterët ‘duhet t’i binden Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’.​—Veprat 5:29.

Sot të krishterët mund të shqetësohen për mënyrën si harxhohet një pjesë e taksave të tyre, por nuk përpiqen të ndërhyjnë ose të ndikojnë në veprimet e qeverisë duke i kundërshtuar ose duke mos pranuar të paguajnë taksat. Kjo do të tregonte se nuk kanë besim te zgjidhja që ka Perëndia për mjerimet e njerëzimit. Në vend të kësaj, ata presin me durim që Perëndia të ndërhyjë në çështjet njerëzore në kohën e duhur sipas tij, me anë të sundimit të të Birit, Jezuit, i cili tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.»​—Gjoni 18:36.

Dobitë kur zbatojmë mësimet e Biblës

Mund të keni disa dobi kur zbatoni atë që mëson Bibla në lidhje me pagimin e taksave. Do të shmangni ndëshkimin që i pret shkelësit e ligjit, si dhe frikën se mos ju kapin. (Romakëve 13:3-5) Më e rëndësishmja, do të keni ndërgjegje të pastër para Perëndisë dhe do ta nderoni me sjelljen tuaj si ata që i binden ligjit. Ndonëse mund të përjetoni disi humbje financiare në krahasim me ata që nuk paguajnë e madje mashtrojnë në lidhje me taksat, mund të mbështeteni te premtimi i Perëndisë se do të kujdeset për shërbëtorët e tij besnikë. Shkrimtari biblik, Davidi, u shpreh kështu: «Isha i ri dhe u plaka, por s’kam parë asnjë të drejtë të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë.»​—Psalmi 37:25.

Së fundi, kur kuptoni dhe zbatoni urdhrin e Biblës për të paguar taksat, keni paqe mendore. Perëndia nuk ju quan përgjegjës për gjithë veprimet qeveritare që përkrahen nga taksat tuaja, ashtu si ligji nuk ju quan përgjegjës për atë që bën qiradhënësi juaj me qiranë që paguani. Para se të mësonte të vërtetën biblike, një burrë me emrin Stelvio kishte kërkuar për disa vjet ndryshime politike në Evropën Jugore. Duke shpjeguar pse i la ato përpjekje, tha: «M’u desh ta pranoja se njeriu nuk është në gjendje të sjellë drejtësinë, paqen dhe vëllazërinë në botë. Vetëm Mbretëria e Perëndisë mund të sjellë vërtet një shoqëri ndryshe e më të mirë.»

Ashtu si Stelvio, nëse me besnikëri ‘i paguani Perëndisë gjërat e Perëndisë’ edhe ju mund të jeni të sigurt për të njëjtën gjë. Do të shihni kohën kur Perëndia të sjellë sundimin e drejtë në të gjithë tokën, duke ndrequr dëmin dhe padrejtësinë që ka shkaktuar sundimi njerëzor.

[Shënimi]

^ par. 6 Për më shumë informacion se si njihen Dëshmitarët e Jehovait si taksapagues, shih Kullën e Rojës të 1 nëntorit 2002, faqja 13, paragrafi 15 dhe të 1 majit 1996, faqja 17, paragrafi 7.

[Diçitura në faqen 22]

Duhet të ndreqim pikëpamjen që ta përputhim me atë të Perëndisë, sepse mendimet e tij janë më të larta se tonat

[Diçitura në faqen 23]

Të krishterët tregojnë bindje duke paguar taksat, e kështu mbajnë një ndërgjegje të mirë para Perëndisë, si dhe tregojnë besim se ai do t’ua plotësojë nevojat

[Figurat në faqen 22]

«Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë»

[Burimi]

Copyright Muzeu Britanik