Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një njeri siç ia do zemra Jehovait

Një njeri siç ia do zemra Jehovait

Një njeri siç ia do zemra Jehovait

ÇFARË të vjen në mendje kur mendon për personazhin biblik David? Fitorja e tij kundër gjigantit filistin Goliad? Arratisja në shkretëtirë për shkak të armiqësisë së mbretit Saul? Mëkati me Beth-Shebën dhe vështirësitë që kaloi si rrjedhojë? Apo ndoshta poezitë e tij të frymëzuara, të ruajtura në librin biblik të Psalmeve?

Jeta e Davidit ishte plot privilegje, triumfe dhe tragjedi. Megjithatë, gjëja që na tërheq më shumë se gjithçka tek ai, janë fjalët që tha profeti Samuel për Davidin, se ai do të ishte «një njeri siç ia do zemra [Jehovait]».​—1 Samuelit 13:14.

Profecia e Samuelit u përmbush kur Davidi ishte ende i ri. A nuk do të të pëlqente të të përshkruanin si një njeri siç ia do zemra Jehovait? Prandaj, çfarë ndikoi në jetën e Davidit, veçanërisht në pjesën e parë të saj, që mund të të ndihmojë të bëhesh një njeri i tillë? Le ta shohim.

Familja dhe puna

Jeseu, babai i Davidit dhe nipi i Ruthës e Boazit, me sa duket ishte shërbëtor i përkushtuar ndaj Jehovait. Kur Davidi, shtatë vëllezërit dhe dy motrat e tij ishin ende të rinj, Jeseu u mësoi Ligjin e Moisiut. Në njërin nga psalmet e tij Davidi e quan veten bir të «skllaves» së Jehovait. (Psalmi 86:16) Kjo ka bërë që disa të nxjerrin përfundimin se edhe nëna e Davidit, që nuk i thuhet emri në Bibël, të ketë ndikuar pozitivisht në besimin e tij. Një studiues thotë: «Ka shumë mundësi që ai të ketë dëgjuar në fillim nga buzët e saj historinë e jashtëzakonshme se si kishte vepruar në të kaluarën Perëndia me popullin e tij», ku futej edhe historia e Ruthës dhe Boazit.

Kur na flitet në fillim për Davidin, ai është një bari në moshë të vogël me përgjegjësinë që të kujdeset për delet e të atit. Kjo punë me sa duket kërkonte që të kalonte i vetëm ditë e net të gjata në fusha. Përpiqu të përfytyrosh skenën.

Familja e Davidit jetonte në Betlehem, qytet i vogël në majën dhe në shpatet e një vargu kodrash në Judë. Fushat me gurishte përreth Betlehemit prodhonin të korra të shkëlqyera drithi. Pemishtet, ullishtat dhe vreshtat vishnin shpatet më pak të pjerrëta dhe luginën. Rrafshnaltat e pakultivuara ka të ngjarë të përdoreshin si kullotë në kohën e Davidit dhe përtej shtrihej shkretëtira e Judës.

Puna e Davidit kishte rreziqet e veta. Pikërisht në këto kodra ai u përball me një luan e një ari që donin t’i merrnin dele nga kopeja. * Ky i ri i guximshëm iu vu nga pas këtyre kafshëve grabitqare, i vrau dhe shpëtoi delet nga goja e tyre. (1 Samuelit 17:34-36) Ndoshta në këtë periudhë të jetës Davidi zhvilloi aftësitë me hobenë. Jo larg qytetit të tij të lindjes shtrihej territori i Beniaminit. Hobetarët e këtij fisi arrinin të gjuanin me gurë ‘edhe një fije floku pa i dalë huq’. Edhe shënjestra e Davidit me hobe ishte po kaq e saktë.​—Gjykatësit 20:14-16; 1 Samuelit 17:49.

Kohë e shfrytëzuar mirë

Kryesisht puna si bari ishte e qetë dhe kalohej në vetmi. Por Davidi nuk lejoi të mërzitej. Përkundrazi, paqja që përcillte qetësia i ofronte mundësi të shumta meditimi. Ndoshta disa nga meditimet që Davidi përfshiu në psalme i kanë rrënjët në rininë e tij. Mos ishin këto momente vetmie kur ai u zhyt në mendime rreth vendit të njeriut në univers dhe rreth mrekullive të qiellit​—dielli, hëna dhe yjet, që janë ‘vepra të gishtërinjve të Jehovait’? A ndodhej në fushat përreth Betlehemit kur mendonte për tokën pjellore, për bagëtinë dhe buajt, për zogjtë dhe «kafshët e fushës»?​—Psalmi 8:3-9; 19:1-6.

Pa dyshim, përvoja që kaloi Davidi si bari, bëri që ta kuptonte edhe më shumë butësinë e Jehovait ndaj besnikëve të tij. Ja si këndoi ai: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë. Ai më çon të shtrihem në livadhe plot bar, më çon të prehem në vende të ujitura mirë. Edhe sikur të eci nëpër luginën e territ, nuk do të kem frikë nga asgjë e keqe, sepse ti je me mua. Shkopi dhe thupra jote më ngushëllojnë.»​—Psalmi 23:1, 2, 4.

Ndoshta pyet veten se ç’lidhje ka e gjithë kjo me ty. Përgjigja është se një nga arsyet pse Davidit i pëlqente të rrinte vetëm me Jehovain dhe pse u quajt «një njeri siç ia do zemra atij», ishte se kishte medituar thellë dhe seriozisht për veprat e Jehovait dhe për marrëdhënien që kishte me të. A mund të thuhet e njëjta gjë edhe për ty?

A je nxitur ndonjëherë të lëvdosh Krijuesin kur ke shqyrtuar me kujdes ndonjë aspekt të krijimit? A ke pasur raste kur të është mbushur zemra plot me dashuri për Jehovain teksa ke parë cilësitë e tij të pasqyruara në mënyrën si ka vepruar me njerëzimin? Natyrisht, që të ndiesh këtë çmueshmëri për Jehovain duhet t’i lutesh dhe të kalosh kohë në qetësi duke medituar rreth Fjalës së Perëndisë dhe rreth krijimit të tij. Kur mediton në këtë mënyrë, kjo do të të ndihmojë të arrish ta njohësh Jehovain nga afër, e kështu ta duash. Këtë privilegj mund ta kenë si të rinjtë, edhe të moshuarit. Ka shumë të ngjarë që Davidi t’i jetë afruar Jehovait që nga rinia. Si e dimë?

Davidi miroset

Kur mbreti Saul tregoi se ishte i papërshtatshëm që të udhëhiqte popullin e Perëndisë, Jehovai i tha profetit Samuel: «Deri kur do të mbash zi për Saulin, ndërkohë që unë e kam hedhur poshtë, që të mos mbretërojë në Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj dhe nisu. Unë do të të dërgoj te Jeseu, betlehemiti, sepse kam zgjedhur për mbret një nga bijtë e tij.»​—1 Samuelit 16:1.

Kur profeti i Perëndisë arriti në Betlehem, i tha Jeseut të mblidhte bijtë. Cilin prej tyre do të miroste mbret Samueli? Sapo pa Eliabin e pashëm, më të madhin, Samueli mendoi se ai duhej të ishte i zgjedhuri. Por Jehovai i tha Samuelit: «Mos i shiko pamjen dhe shtatin e lartë, sepse unë e kam hedhur poshtë. Perëndia nuk sheh si sheh njeriu, sepse njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.» Po ashtu, Jehovai hodhi poshtë Abinadabin, Shamahun dhe katër vëllezërit e tjerë. Tregimi vazhdon: «Në fund Samueli e pyeti Jeseun: «Këta janë të gjithë djemtë?» Ai iu përgjigj: «Ka mbetur edhe më i vogli, që po kullot dhentë.»​—1 Samuelit 16:7, 11.

Dukej sikur Jeseu po thoshte se Davidi nuk mund të ishte ai që po kërkonte Samueli. Si më i vogli dhe më i parëndësishmi në familje, atë e kishin lënë të kujdesej për delet. Por ai ishte i zgjedhuri i Perëndisë. Jehovai sheh zemrën dhe duket se pa diçka shumë të çmuar te ky i ri. Kështu, kur Jeseu dërgoi të thërritnin Davidin, Jehovai i tha Samuelit: «‘Ngrihu dhe mirose, sepse ky është!’ Kështu Samueli mori bririn e vajit dhe e mirosi në mes të vëllezërve të vet. Që nga ajo ditë e tutje, fryma e Jehovait nisi të vepronte te Davidi.»​—1 Samuelit 16:12, 13.

Nuk na thuhet sa vjeç ishte Davidi kur ndodhi kjo. Megjithatë, ca kohë më vonë, tre vëllezërit më të mëdhenj, Eliabi, Abinadabi dhe Shamahu po shërbenin në ushtrinë e Saulit. Ndoshta pesë të tjerët ishin tepër të rinj që të shkonin në ushtri. Ka mundësi që asnjëri prej tyre s’kishte mbushur 20 vjeç, mosha kur burrat futeshin në ushtrinë e Izraelit. (Numrat 1:3; 1 Samuelit 17:13) Sido që të ketë qenë, Davidi ishte shumë i ri kur Jehovai e zgjodhi. Prapëseprapë, duket se për Davidin tashmë ishte shumë e rëndësishme marrëdhënia me Perëndinë. Me sa duket kishte lidhje të ngushtë me Jehovain, që e kishte zhvilluar duke bluar në mendje atë që dinte për Të.

Të rinjtë sot duhen nxitur të bëjnë të njëjtën gjë. Prandaj, prindër, a po i nxitni fëmijët që të meditojnë për tema biblike, që të çmojnë krijimin e Perëndisë dhe të studiojnë atë që thotë Bibla për Krijuesin? (Ligji i përtërirë 6:4-9) Dhe ju të rinj, a po e bëni vetë këtë? Botimet e bazuara në Bibël, si revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! * shkruhen që t’ju ndihmojnë.

I zoti në harpë

Ashtu si fjalët e shumë psalmeve të Davidit na tregojnë diçka për ditët e tij si bari, ka shumë mundësi që edhe muzika të bëjë po njësoj. Pa dyshim, asnjë nga meloditë që në fillim shoqëronte këto këngë të shenjta nuk ka mbijetuar deri më sot. Por e dimë se kompozitori i tyre ishte muzikant i shkëlqyer. Në fakt, Davidin e thirrën nga kullota që të shkonte te mbreti Saul, sepse ishte i zoti në harpë.​—1 Samuelit 16:18-23. *

Ku dhe kur e zhvilloi Davidi këtë aftësi? Ka të ngjarë gjatë ditëve që kalonte në fusha duke kullotur delet. Patjetër që nuk na duhet shumë për të kuptuar se, edhe në moshë kaq të re, tashmë Davidi i këndonte lavde të përzemërta Perëndisë së tij. Në fund të fundit, Jehovai e zgjodhi dhe e caktoi me detyrë sepse i shërbente atij me besnikëri dhe me përkushtim, apo jo?

Ajo që ndodhi vitet pasuese me Davidin është një histori tjetër. Por fryma që e karakterizoi gjatë gjithë jetës pasqyrohet në fjalët që ka të ngjarë të lidheshin me përvojat e hershme në fushat përreth Betlehemit. Vetëm përfytyro Davidin duke i kënduar Jehovait: «Kujtoj kohët e largëta, meditoj për gjithçka që ke bërë. Plot ëndje mbaj në mend veprën e duarve të tua.» (Psalmi 143:5) Ngrohtësia e këtij psalmi dhe e shumë psalmeve të Davidit i frymëzon të gjithë ata që duan të jenë siç ia do zemra Jehovait.

[Shënimet]

^ par. 9 Ariu sirian ngjyrë kafe, që më parë gjendej në Palestinë, peshonte mesatarisht 140 kilogramë dhe goditjet e panxhave të tij të stërmëdha mund të shkaktonin vdekjen. Dikur në zonë kishte edhe mjaft luanë. Në Isainë 31:4 thuhet se edhe «një numër i madh barinjsh» nuk ishin në gjendje të ndiqnin ‘luanin e ri me krifë’ që t’ia merrnin prenë.

^ par. 20 Botohen nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 22 Këshilltari i mbretit që rekomandoi Davidin gjithashtu tha për të se «flet me zgjuarsi, si dhe ka trup të mirë. Jehovai është me të».​—1 Samuelit 16:18.