Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai është pjesa ime

Jehovai është pjesa ime

Jehovai është pjesa ime

‘Unë jam pjesa dhe trashëgimia jote mes bijve të Izraelit.’​—NUM. 18:20.

1, 2. (a) Cila ishte situata e levitëve kur fiset e tjera morën trashëgiminë? (b) Ç’siguri u dha Jehovai levitëve?

PASI izraelitët kishin shtënë në dorë një pjesë të madhe të Tokës së Premtuar, Josiu nisi të ndante vendin me short. Këtë e bëri bashkë me Eleazarin, kryepriftin, dhe me krerët e fiseve. (Num. 34:13-29) Ndryshe nga fiset e tjera, levitët nuk do të merrnin trashëgimi. (Jos. 14:1-5) Përse fisi i levitëve nuk do të kishte territore, ose pjesë, në Tokën e Premtuar? A i harruan?

2 Përgjigjen e gjejmë në fjalët që Jehovai i tha Aaronit për fisin e levitëve. Duke theksuar se nuk do ta braktiste, Jehovai tha: ‘Unë jam pjesa dhe trashëgimia jote mes bijve të Izraelit.’ (Num. 18:20) Ç’siguri e fortë: «Unë jam pjesa jote.» Si do të ndiheshe sikur Jehovai t’i kishte thënë ty këto fjalë? Reagimi i parë mund të ishte: «A jam i denjë të marr një siguri të tillë nga i Plotfuqishmi?» Gjithashtu, mund të pyesje veten: «A mund të jetë vërtet Jehovai pjesa ose trashëgimia e ndonjë të krishteri të papërsosur sot?» Këto pyetje të prekin ty dhe njerëzit e tu të dashur. Prandaj, le të përcaktojmë se ç’kuptim ka ky pohim i Perëndisë. Kjo do të na ndihmojë të kuptojmë se si mund të jetë Jehovai sot pjesa e të krishterëve. Në mënyrë edhe më specifike, ai mund të jetë pjesa jote, qoftë nëse shpreson të jetosh në qiell apo në një tokë parajsore.

Jehovai kujdeset për levitët

3. Si ndodhi që Perëndia mori levitët për t’i shërbyer atij?

3 Përpara se Jehovai t’u jepte Ligjin izraelitëve, kryefamiljarët shërbenin si priftërinj për familjet e tyre. Kur u dha Ligjin, Perëndia siguroi nga fisi i Levit një priftëri në shërbim të plotkohor, bashkë me ndihmës. Si u bë e mundur kjo? Kur Perëndia vrau të parëlindurit e Egjiptit, ai shenjtëroi të parëlindurit e Izraelit, duke i ndarë mënjanë si të vetët, si t’i përkitnin atij. Pastaj, Perëndia bëri këtë rregullim të rëndësishëm: «Unë po i marr levitët . . . në vend të të gjithë të parëlindurve.» Meqë nga numërimi i popullsisë doli që bijtë e parëlindur të Izraelit ishin më shumë se levitët meshkuj, u pagua një çmim shpërblese në këmbim të atyre ‘që e kalonin numrin e levitëve’. (Num. 3:11-13, 41, 46, 47) Kështu, levitët mund të përmbushnin rolin e tyre në shërbimin e Perëndisë së Izraelit.

4, 5. (a) Ç’nënkuptonte për levitët të kishin Perëndinë si pjesën e tyre? (b) Si u kujdes Perëndia për levitët?

4 Ç’nënkuptonte ai caktim për levitët? Jehovai tha se do të ishte pjesa e tyre në kuptimin që levitët nuk do të merrnin një trashëgimi, por do t’u besohej një privilegj i pashoq shërbimi. Trashëgimia e tyre ishte të shërbenin si «priftërinj» të Jehovait. (Jos. 18:7) Konteksti i Numrave 18:20 tregon se kjo nuk do t’i linte të varfër materialisht. (Lexo Numrat 18:19, 21, 24.) Levitët do të merrnin «si trashëgimi çdo të dhjetë në Izrael, si shpërblim për shërbimin». Ata do të merrnin 10 për qind të prodhimit të Izraelit dhe të pjellave të kafshëve shtëpiake. Në këmbim, levitët duhej të kontribuonin një të dhjetën e atyre që merrnin, «më të mirat», për të mbështetur priftërinjtë. * (Num. 18:25-29) Priftërinjve u jepeshin edhe «të gjitha kontributet e shenjta» që bijtë e Izraelit i sillnin Perëndisë në vendin e tij të adhurimit. Në këtë mënyrë, pjesëtarët e priftërisë kishin arsye të vlefshme për të besuar se Jehovai do të kujdesej për ta.

5 Duket se në ligjin e Moisiut ishin marrë masa edhe për një të dhjetë tjetër, e cila lihej mënjanë që familjet t’i kishin për nevojat e tyre dhe për t’u kënaqur gjatë kongreseve të shenjta çdo vit. (Ligj. 14:22-27) Megjithatë, në fund të çdo viti të tretë e të gjashtë të ciklit shtatëvjeçar të sabatit, kjo e dhjetë depozitohej brenda portave të qytetit që të përdorej nga të varfrit dhe nga levitët. Përse ishin të përfshirë edhe levitët? Sepse ata ‘nuk kishin as pjesë, as trashëgimi’ në Izrael.​—Ligj. 14:28, 29.

6. Ku do të banonin levitët meqenëse fisi i tyre nuk kishte pjesë në tokën e Izraelit?

6 Ndoshta mund të pyesësh veten: «Nëse levitëve nuk u ishte caktuar asnjë pjesë toke, ku do të banonin?» Perëndia u kujdes për ta. U dha 48 qytete bashkë me kullotat përreth. Ndër to ishin edhe gjashtë qytetet e strehimit. (Num. 35:6-8) Në këtë mënyrë, levitët kishin një vend ku të jetonin gjatë kohës që nuk shërbenin në shenjtëroren e Perëndisë. Jehovai u dha me bollëk atyre që ia përkushtuan veten shërbimit të tij. Qartë, levitët kishin mundësi të tregonin se Jehovai ishte pjesa e tyre duke pasur besim te gatishmëria dhe fuqia e tij për t’u kujdesur për ta.

7. Çfarë duhej të kishin levitët që Jehovai të ishte pjesa e tyre?

7 Ligji nuk parashikonte ndonjë dënim për izraelitët që nuk jepnin të dhjetat. Kur populli linte pas dore dhënien e të dhjetave, kjo ndikonte te priftërinjtë dhe levitët. Kështu ndodhi në kohën e Nehemisë. Për pasojë, levitët u detyruan të ktheheshin në arat e veta, duke lënë pas dore shërbimin. (Lexo Neheminë 13:10.) Sigurisht, nëse levitët do të kishin apo jo mjetet e jetesës, varej nga gjendja frymore e kombit. Për më tepër, vetë priftërinjtë dhe levitët duhej të kishin besim te Jehovai dhe te mënyra që ai kishte zgjedhur për t’u kujdesur për ta.

Individë që e kanë pasur Jehovain si pjesën e tyre

8. Përshkruaj problemin që hasi leviti Asaf.

8 Levitët në përgjithësi si fis do ta kishin Jehovain si pjesën ose trashëgiminë e tyre. Megjithatë, vlen të përmendet që edhe disa levitë në veçanti përdorën frazën «Jehovai është trashëgimia ime», për të shprehur përkushtimin ndaj Perëndisë dhe mbështetjen tek ai. (Vajt. 3:24) Një nga këta levitë ishte këngëtar dhe kompozitor. Do ta quajmë Asaf, ndonëse mund të ketë qenë një pjesëtar i shtëpisë së Asafit, levitit që drejtonte këngëtarët në kohën e mbretit David. (1 Kron. 6:31-43) Në Psalmin 73 lexojmë se Asafi (ose një nga pasardhësit e tij) u ndie i pështjelluar. Ai i pati zili të ligjtë që bënin një jetë të begatë dhe arriti deri aty sa të thoshte: «Më kot, pra, e kam pastruar zemrën e i laj duart në pafajësi.» Nga sa duket, e humbi nga sytë privilegjin e shërbimit; nuk arriti të kuptonte se Jehovai ishte pjesa e tij. Ishte i turbulluar frymësisht ‘gjersa vajti në shenjtëroren e madhërishme të Perëndisë’.​—Psal. 73:2, 3, 12, 13, 17.

9, 10. Përse Asafi mundi ta quante Perëndinë si pjesën e tij «për tërë jetën»?

9 Në shenjtërore, Asafi nisi t’i shihte gjërat nga pikëpamja e Perëndisë. Edhe ti mund të kesh pasur një përvojë të ngjashme. Ndoshta në ndonjë çast të jetës, ke humbur disi nga sytë privilegjet e shërbimit dhe ke nisur të përqendrohesh në gjërat materiale që të mungonin. Mirëpo, duke studiuar Fjalën e Perëndisë dhe duke shkuar në mbledhjet e krishtere, nise t’i shihje gjërat si Jehovai. Asafi arriti të kuptonte se ç’do t’u ndodhte në fund të ligjve. Ai mendoi për shortin e tij dhe e kuptoi se Jehovai e kishte kapur nga dora e djathtë e po e drejtonte. Kështu, Asafi mundi t’i thoshte Jehovait: «Kë tjetër kam unë në qiell? Veç teje, s’kam tjetër kënaqësi mbi dhé.» (Psal. 73:23, 25) Pastaj, e quajti Jehovain pjesa, ose trashëgimia, e tij. (Lexo Psalmin 73:26.) Edhe sikur ‘trupi dhe zemra t’i ligështoheshin’, Perëndia do të ishte pjesa e tij «për tërë jetën». Psalmisti ishte i sigurt se Jehovai do ta kujtonte si një mik. Shërbimi i tij besnik nuk do të harrohej. (Ekl. 7:1) Ç’siguri duhet t’i ketë dhënë kjo Asafit! Ai këndoi: «Për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë. Zotërinë Sovran Jehova e kam bërë strehën time.»​—Psal. 73:28.

10 Për Asafin kishte më shumë vlerë që Perëndia të ishte pjesa e tij, sesa mbështetja materiale që merrte si levit. Ai iu referua kryesisht privilegjit të shërbimit dhe marrëdhënies me Jehovain, miqësisë që kishte kultivuar me Më të Lartin. (Jak. 2:21-23) Që të ruante atë miqësi, psalmisti duhej të vazhdonte të kishte besim te Jehovai, duke u mbështetur tek ai. Asafi duhej të ishte i sigurt se, po të jetonte në përputhje me normat e Perëndisë, rezultati përfundimtar i jetës së tij do të ishte shpërblyes. Edhe ti mund të kesh të njëjtën siguri tek i Plotfuqishmi.

11. Cilën pyetje bëri Jeremia dhe ç’përgjigje mori?

11 Profeti Jeremia ishte një levit tjetër që e pranoi Jehovain si pjesën e tij. Le të shohim se ç’kishte ndër mend ai kur përdori këtë shprehje. Jeremia jetoi në Anatoth, një qytet levit pranë Jerusalemit. (Jer. 1:1) Në një moment të jetës së tij, Jeremia u ndie i pështjelluar: pse të ligjtë begatoheshin, kurse të drejtët vuanin? (Jer. 12:1) Pasi vërejti çfarë po ndodhte në Jerusalem dhe në Judë, ai u ndie i shtyrë ‘të ankohej’ për ato që pa. Jeremia e dinte se Jehovai është i drejtë. Fjalët që Jehovai e frymëzoi Jereminë të profetizonte dhe mënyra si Ai i përmbushi ato fjalë profetike, i dhanë një përgjigje të fortë pyetjes së profetit. Në përputhje me profecitë hyjnore, ata që iu bindën drejtimit të Jehovait ‘morën si plaçkë shpirtin e tyre’, kurse të ligjtë e pasur e shpërfillën paralajmërimin dhe vdiqën.​—Jer. 21:9.

12, 13. (a) Ç’e shtyu Jereminë të shpallte «Jehovai është trashëgimia ime» dhe çfarë qëndrimi pati? (b) Përse të gjitha fiset e Izraelit kishin nevojë të shfaqnin të njëjtin qëndrim?

12 Më vonë, kur shihte atdheun e tij të shkatërruar, Jeremisë i dukej sikur ecte në errësirë. Dukej sikur Jehovai e kishte bërë «si ata që kanë vdekur prej kohësh». (Vajt. 1:1, 16; 3:6) Jeremia i kishte thënë kombit rebel të ktheheshin tek Ati i tyre qiellor, por ligësia e tyre kishte arritur deri aty sa Perëndia e kishte lënë Jerusalemin dhe Judën të rrënoheshin. Kjo i shkaktoi dhembje Jeremisë, ndonëse ai vetë nuk kishte faj. Mes vuajtjeve, profeti kujtoi mëshirat e Perëndisë. Ai tha: «Nuk kemi marrë fund.» Vërtet, mëshirat e Perëndisë janë të reja çdo mëngjes! Pikërisht në këtë moment Jeremia shpalli: «Jehovai është trashëgimia ime.» Ai vazhdoi të gëzonte privilegjin e shërbimit si profet i Jehovait.​—Lexo Vajtimet 3:22-24.

13 Për 70 vjet, izraelitët do të ishin pa atdhe. Ai do të mbetej i shkretuar. (Jer. 25:11) Mirëpo fjalët e Jeremisë, «Jehovai është trashëgimia ime», zbuluan sigurinë e tij te mëshira e Perëndisë; dhe kjo i dha arsye ‘të rrinte në pritje’. Të gjitha fiset e izraelit kishin humbur trashëgiminë e tyre, prandaj kishin nevojë të shfaqnin të njëjtin qëndrim pritës si të profetit. Jehovai ishte shpresa e tyre e vetme. Pas 70 vjetësh, populli i Perëndisë u rivendos në atdhe dhe pati privilegjin t’i shërbente Atij atje.​—2 Kron. 36:20-23.

Edhe të tjerë mund ta kishin Jehovain pjesën ose trashëgiminë e tyre

14, 15. Kush tjetër përveç levitëve e la Jehovain të ishte pjesa e tij dhe pse?

14 Asafi dhe Jeremia ishin të dy nga fisi i Levit, por a do të thotë kjo se vetëm levitët mund të kishin privilegjin t’i shërbenin Jehovait? Patjetër që jo! Davidi i ri, mbreti i ardhshëm i Izraelit, e quajti Perëndinë «trashëgimia ime në vendin e të gjallëve». (Lexo Psalmin 142:1, 5.) Në kohën kur kompozoi këtë psalm, Davidi nuk ishte në ndonjë pallat, madje as në shtëpi. Ishte në një shpellë, duke u fshehur nga armiqtë. Në të paktën dy raste, Davidi u strehua në shpella: një herë pranë Adulamit dhe një herë tjetër në shkretëtirën e En-Gedit. Ka shumë mundësi që Psalmin 142 ta ketë kompozuar në një nga këto shpella.

15 Nëse ishte kështu, atëherë ai që e ndiqte ishte mbreti Saul, i cili kërkonte ta vriste. Davidi ia mbathi në një shpellë ku mund të shkohej me vështirësi. (1 Sam. 22:1, 4) Në këtë vend të humbur, Davidit mund t’i jetë dukur sikur s’kishte asnjë mik përkrah që ta mbështeste e ta mbronte. (Psal. 142:4) Në këtë moment, Davidi i thirri Perëndisë.

16, 17. (a) Ç’arsye kishte Davidi të ndihej i braktisur? (b) Kujt mund t’i drejtohej për ndihmë Davidi?

16 Në kohën kur kompozoi Psalmin 142, Davidi mund ta ketë mësuar ç’i kishte ndodhur kryepriftit Ahimelek, i cili e ndihmoi pa e ditur se Davidin po e ndiqte Sauli. Ngaqë ishte xheloz ndaj Davidit, Sauli vrau Ahimelekun dhe ata të shtëpisë së tij. (1 Sam. 22:11, 18, 19) Davidi u ndie fajtor për vdekjen e tyre. Ishte njësoj sikur ta kishte vrarë me dorën e vet priftin që e ndihmoi. Sikur të kishe qenë në vend të Davidit, a do të ishe ndier fajtor? Veç kësaj, Davidi ishte edhe më shumë në stres sepse nuk gjente prehje, pasi Sauli vazhdonte ta ndiqte.

17 Pak më vonë vdiq profeti Samuel, i cili e kishte mirosur Davidin si mbretin e ardhshëm. (1 Sam. 25:1) Kjo mund ta ketë bërë Davidin të ndihej edhe më i braktisur. Megjithatë, ai e dinte se kujt mund t’i drejtohej për ndihmë: Jehovait. Davidi nuk kishte të njëjtin privilegj shërbimi si levitët, por ishte mirosur tashmë për një formë tjetër shërbimi: të ishte mbreti i popullit të Perëndisë. (1 Sam. 16:1, 13) Prandaj, Davidi ia zbrazi zemrën Jehovait dhe vazhdoi t’i mbante sytë te Perëndia për drejtim. Edhe ti mund dhe duhet ta kesh Perëndinë si pjesën dhe strehën tënde, teksa përpiqesh fuqimisht në shërbim të tij.

18. Si treguan personazhet që shqyrtuam në këtë artikull se e kishin Jehovain pjesën e tyre?

18 Personazhet që kemi shqyrtuar, e kishin Jehovain pjesën e tyre në kuptimin që morën një caktim në shërbim të tij. Ata u mbështetën te Perëndia në shërbimin e tyre. Si levitët, ashtu edhe pjesëtarët e fiseve të tjera të Izraelit, si Davidi, mund ta linin Perëndinë të ishte pjesa e tyre. Si mund ta lësh edhe ti Jehovain të jetë pjesa jote? Këtë do ta trajtojmë në artikullin tjetër.

[Shënimi]

^ par. 4 Për hollësi se si mbështetej priftëria, shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqja 684, angl.

Si do të përgjigjeshe?

• Në ç’kuptim Jehovai ishte pjesa ose trashëgimia e levitëve?

• Çfarë bënë Asafi, Jeremia dhe Davidi, për të treguar se Jehovai ishte pjesa e tyre?

• Cila cilësi të duhet që Perëndia të jetë pjesa jote?

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 8]

Levitët nuk morën trashëgimi. Përkundrazi, Jehovai ishte trashëgimia e tyre, pasi kishin privilegjin e madh t’i shërbenin atij

[Figura në faqen 7]

Në ç’kuptim Jehovai ishte pjesa ose trashëgimia e priftërinjve dhe e levitëve?

[Figura në faqen 9]

Ç’e ndihmoi Asafin të vazhdonte ta kishte Jehovain pjesën e tij?