Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

1 Perëndia është mister​—A është e vërtetë?

1 Perëndia është mister​—A është e vërtetë?

1 Perëndia është mister​—A është e vërtetë?

Çfarë mund të kesh dëgjuar? «Punët e Perëndisë janë të mistershme.»

«Natyra e thellë e tij [e Perëndisë] si trinitet i shenjtë përfaqëson një mister që shkon përtej çdo arsyeje.»​—Katekizmi i Kishës Katolike (anglisht).

Çfarë mëson Bibla? Jezui tha se ata «që vazhdojnë të marrin njohuri për . . . të vetmin Perëndi të vërtetë», do të bekohen. (Gjoni 17:3) Por, si mund të marrim njohuri për Perëndinë nëse ai është mister? As që bëhet fjalë që ai të fshihet, por dëshiron që ta njohin të gjithë.​—Jeremia 31:34.

Sigurisht, kurrë nuk do të dimë gjithçka për Perëndinë. Kjo nuk është e çuditshme, sepse mendimet dhe udhët e tij janë më lart se tonat.​—Eklisiastiu 3:11; Isaia 55:8, 9.

Si të ndihmon njohja e së vërtetës? Nëse Perëndia është mister i pakonceptueshëm, atëherë pse ta marrësh mundimin ta njohësh? E vërteta është se ai na ndihmon jo vetëm ta kuptojmë, por edhe të bëhemi miq të ngushtë me të. Perëndia e quajti ‘miku im’ Abrahamin besnik. Gjithashtu, mbreti i Izraelit, Davidi, shkroi: «Ata që i frikësohen Jehovait, gëzojnë një miqësi të ngushtë me të.»​—Isaia 41:8; Psalmi 25:14.

A është e pamundur të kesh miqësi të ngushtë me Perëndinë? Ndoshta kështu duket, megjithatë vër re çfarë thuhet te Veprat 17:27: «[Perëndia] nuk është larg nga secili prej nesh.» Në ç’mënyrë? Perëndia na ka dhënë Biblën, që ta njohim mirë atë. *

Ai na thotë emrin që ka: Jehova. (Isaia 42:8) Në Bibël na tregon si ka vepruar me njerëzit, që të arrijmë të njohim Personin që fshihet pas emrit. Për më tepër, Perëndia flet për ndjenjat që ka ndaj nesh. Ai është ‘i mëshirshëm dhe hirmadh, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashamirësi e të vërtetë’. (Dalja 34:6) Veprimet tona ndikojnë te ndjenjat e tij. Për shembull, kombi i lashtë i Izraelit ‘e lëndoi’ kur ngriti krye kundër tij, ndërsa ata që i binden me mençuri, i sjellin gëzim.​—Psalmi 78:40; Proverbat 27:11.

[Shënimi]

^ par. 7 Për më shumë informacion se çfarë thotë Bibla për Perëndinë, shih kapitullin 1 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 4]

Nëse Perëndia është Trinitet i mistershëm, si mund ta njohim?

[Burimi i figurës në faqen 4]

Triniteti rreth vitit 1500, Shkolla Flamande, (shekulli i 16-të)/​ H. Shickman Gallery, Nju-Jork, SHBA/​ The Bridgeman Art Library International