Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

4 Perëndia është i padrejtë​—A është e vërtetë?

4 Perëndia është i padrejtë​—A është e vërtetë?

4 Perëndia është i padrejtë​—A është e vërtetë?

Çfarë mund të kesh dëgjuar? «Këtë botë e ka në dorë Perëndia dhe çdo gjë ndodh siç do ai. Meqë bota është plot diskriminim, padrejtësi dhe shtypje, përgjegjës duhet të jetë Perëndia.»

Çfarë mëson Bibla? Perëndia nuk është burimi i padrejtësive. Kur përshkruan Jehovain, Bibla thotë: «E përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi.»​—Ligji i përtërirë 32:4.

Perëndia është bujar me të gjithë, edhe me ata që duket se nuk e meritojnë. Për shembull, «ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët». (Mateu 5:45) Ai i trajton me drejtësi njerëzit e të gjitha racave e kulturave, siç tregohet te Veprat 10:34, 35: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»

Atëherë, cili është burimi i padrejtësive? Mjaft njerëz zgjedhin të veprojnë padrejtësisht, ngaqë nuk ndjekin shembullin e Perëndisë për drejtësinë. (Ligji i përtërirë 32:5) Gjithashtu, Bibla tregon se Perëndia po e lejon armikun e tij, Djallin, të ushtrojë autoritet mbi botën. * (1 Gjonit 5:19) Por Perëndia do t’i japë fund së shpejti këtij sundimi të padrejtë. Tashmë e ka siguruar mjetin «për të zhbërë veprat e Djallit».​—1 Gjonit 3:8.

Si të ndihmon njohja e së vërtetës? Ndoshta turbullohesh kur dëgjon për korrupsionin, shtypjen dhe padrejtësitë që duket se s’kanë të sosur. Por, kur e di shkakun e problemeve, arrin ta kuptosh pse kemi kushte kaq të këqija dhe pse dështojnë vazhdimisht përpjekjet e zellshme të njerëzve për ta bërë botën një vend më të mirë. (Psalmi 146:3) Në vend që të harxhosh kohë dhe energji që mund të përmirësojnë gjendjen përkohësisht, mund të kesh një shpresë të fortë për të ardhmen që bazohet te besimi në premtimet e Perëndisë.​—Zbulesa 21:3, 4.

Njohja e burimit të vërtetë të padrejtësive na ndihmon veçanërisht kur prekemi vetë nga ndonjë vështirësi. Kur na trajtojnë padrejtësisht, mund të ngremë zërin siç bëri shërbëtori i Perëndisë, Habakuku: «Ligji mpihet dhe e drejta nuk del kurrë.» (Habakuku 1:4) Perëndia nuk e ndëshkoi Habakukun që u shpreh kështu. Në vend të kësaj, e siguroi shërbëtorin e Tij se kishte caktuar një kohë për t’i ndrequr gjërat dhe e ndihmoi të gjente gëzim pavarësisht nga problemet. (Habakuku 2:2-4; 3:17, 18) Në mënyrë të ngjashme, besimi te premtimi i Perëndisë për t’i ndrequr padrejtësitë, mund të të ndihmojë të gjesh qetësi dhe paqe mendore në një botë të padrejtë.

[Shënimi]

^ par. 5 Për të mësuar si erdhi në ekzistencë Djalli, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?

[Diçitura në faqen 7]

A është vërtet Perëndia përgjegjës për vuajtjet dhe padrejtësitë?

[Burimi i figurës në faqen 7]

© Sven Torfinn/​Panos Pictures