Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse kishte këmbyes parash në tempullin e Jerusalemit?

▪ Pak para se të vdiste, Jezui u mor me një padrejtësi të madhe që po ndodhte në tempull. Bibla thotë: «Jezui . . . flaku jashtë të gjithë ata që shitnin e blinin atje, përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shitnin pëllumba. Pastaj u tha: “Është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje’, kurse ju po e bëni shpellë kusarësh.”»​—Mateu 21:12, 13.

Judenjtë e shekullit të parë dhe prozelitët judenj udhëtonin nga shumë vende e qytete për në tempullin e Jerusalemit, dhe kështu sillnin me vete valutë të huaj. Sidoqoftë, ata duhej të përdornin valutë të pranueshme që të paguanin taksën vjetore të tempullit, të blinin kafshë për flijime dhe të bënin blatime të tjera vullnetare. Kështu, kundrejt një tarife ose komisioni, këmbyesit e parave i kthenin monedhat e llojeve dhe vlerave të ndryshme në valutën e kërkuar. Teksa afroheshin festat judaike, këta këmbyes parash vinin tezga në tempull, në oborrin e jojudenjve.

Kritika e Jezuit se këmbyesit e parave po e kthenin tempullin në «shpellë kusarësh», me sa duket tregon se ata kërkonin tarifa marramendëse për shërbimet e tyre.

Pse pemët e ullirit ishin të çmuara në kohët biblike?

▪ Ullinjtë dhe vreshtat ishin ndër bekimet që Perëndia i premtoi popullit të tij nëse do t’i qëndronin besnikë. (Ligji i përtërirë 6:10, 11) Sot e kësaj dite, ulliri vlerësohet jashtë mase në zonat ku rritet. Ai jep shumë fryt për qindra vjet edhe me pak kujdes. Një pemë e kultivuar mund të lulëzojë edhe në tokë shkëmbore dhe mund t’u rezistojë thatësirave të shpeshta. Nëse pema pritet, nga cungu dalin disa filiza që mund të bëhen pemë të reja.

Në kohët biblike, lëvorja dhe gjethet e pemës çmoheshin si ilaç për të qetësuar ethet. Rrëshira që rrjedh nga degët e vjetra dhe që ka aromë vaniljeje, përdorej për parfume. Gjithsesi, pema çmohej kryesisht si burim ushqimi: për kokrrat dhe sidomos për vajin. Thuajse gjysma e tulit të një kokrre ulliri të pjekur është vaj.

Një pemë e mirë mund të jepte deri në 57 litra vaj në vit. Gjithashtu, vaji i ullirit përdorej për llambat si lëndë djegëse, për ceremoni dhe qëllime fetare, si produkt kozmetik për trupin dhe flokët dhe si qetësues për plagët dhe për të nxirat.​—Dalja 27:20; Levitiku 2:1-7; 8:1-12; Rutha 3:3; Luka 10:33, 34.