Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund të gjesh «njohurinë e Perëndisë»

Mund të gjesh «njohurinë e Perëndisë»

Afrojuni Perëndisë

Mund të gjesh «njohurinë e Perëndisë»

PERËNDIA JEHOVA na ka vënë në dispozicion një thesar tepër të çmuar dhe dëshiron me gjithë zemër ta gjejmë atë. Ky thesar nuk sjell pasuri materiale, por do të sjellë diçka që gjithë paratë e botës s’mund ta blejnë: paqe të brendshme, kënaqësi dhe jetë domethënëse. Cili është ky thesar? Shpjegimin na e japin fjalët e mbretit të mençur Solomon te Proverbat 2:1-6.

Solomoni e identifikon këtë thesar si ‘njohuria e Perëndisë’, domethënë, e vërteta për Perëndinë dhe për qëllimet e tij siç zbulohen në Bibël. (Vargu 5) Ky thesar ka disa aspekte.

Mësime të vërteta. Bibla u përgjigjet pyetjeve të tilla, si: cili është emri i Perëndisë? (Psalmi 83:18) Çfarë ndodh kur vdesim? (Psalmi 146:3, 4) Pse jemi këtu? (Zanafilla 1:26-28; Psalmi 115:16) Vërtet, çfarë çmimi do t’u vije përgjigjeve të këtyre pyetjeve të rëndësishme?

Këshilla të mençura. Bibla na tregon mënyrën më të mirë të jetesës. Si ta bësh të qëndrueshme martesën? (Efesianëve 5:28, 29, 33) Si të rritësh fëmijë të përgjegjshëm? (Ligji i përtërirë 6:5-7; Efesianëve 6:4) Si të gjesh lumturi në jetë? (Mateu 5:3; Luka 11:28) Edhe një herë, si mendon, sa të çmuara janë këshillat e besueshme për çështje të tilla?

Gjykim të thellë për natyrën dhe personalitetin e Perëndisë. Bibla është burimi kryesor i informacioneve të sakta për Perëndinë. Ç’person është ai? (Gjoni 1:18; 4:24) A interesohet për ne? (1 Pjetrit 5:6, 7) Cilat janë disa nga cilësitë e tij të shquara? (Dalja 34:6, 7; 1 Gjonit 4:8) Sa vlerë ka për ty informacioni i vërtetë për Krijuesin tonë?

‘Njohuria e Perëndisë’ është vërtet një thesar. Si ta gjesh? Te Proverbat 2:4 gjejmë një të dhënë. Atje Solomoni e krahason këtë njohuri me «thesare të fshehura». Mendo për këtë: një thesar i fshehur nuk do të kërcejë nga vendi i fshehtë e t’i hidhet në krahë dikujt që rri duarkryq. Nevojiten përpjekje për ta gjetur. E njëjta gjë vlen edhe për njohurinë e Perëndisë. Ky thesar, si të thuash, është i groposur në Bibël. Duhet të bëjmë përpjekje që ta gjejmë.

Solomoni shpjegon çfarë duhet të bëjmë që të gjejmë «njohurinë e Perëndisë». Shprehjet «pranon fjalët e mia» dhe «për ta prirur zemrën» tregojnë se duhet të kemi një zemër të ndjeshme. (Vargjet 1, 2) Fjalët «thërret», «vazhdon t’i kërkosh» dhe «vazhdon të rrëmosh», tregojnë se duhet të jepemi me mish e me shpirt e të ngulmojmë. (Vargjet 3, 4) Pra, që ta gjejmë këtë thesar, duhet ta studiojmë Biblën me zell dhe me zemër të sinqertë.​—Luka 8:15.

Nëse ne ndërmarrim një nismë të tillë, pjesën tjetër do ta bëjë Jehovai. «Jehovai jep mençuri»,​—thotë vargu 6. Vetëm me ndihmën e Perëndisë mund t’i kuptojmë plotësisht të vërtetat biblike. (Gjoni 6:44; Veprat 16:14) Mund të jesh i sigurt se, po të rrëmosh me gjithë zemër në Fjalën e Perëndisë, do të gjesh «njohurinë e Perëndisë»​—thesar që do të ta pasurojë tej mase jetën.​—Proverbat 2:10-21. *

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë tetorit:

Proverbat 1-21

[Shënimi]

^ par. 8 Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën u ofrojnë studime biblike pa pagesë në shtëpi atyre që duan të kuptojnë Biblën. Pse të mos i kontaktosh në zonën tënde ose t’u shkruash në një nga adresat e faqes 4?