Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si nxjerrim dobi nga ligjet e Perëndisë?

Si nxjerrim dobi nga ligjet e Perëndisë?

Mëso nga Fjala e Perëndisë

Si nxjerrim dobi nga ligjet e Perëndisë?

Ky artikull ngre pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.

1. Pse duhet t’i bindemi Perëndisë?

Është më se e drejtë t’i bindemi Perëndisë​—jemi krijesa të tij. Edhe Jezui i bindej gjithmonë Atij. (Gjoni 6:38; Zbulesa 4:11) Ligjet e Perëndisë na japin mundësi të tregojmë se e duam atë.​—Lexo 1 Gjonit 5:3.

Të gjitha ligjet e Perëndisë Jehova janë për të mirën tonë. Ato na mësojnë cila është mënyra më e mirë për të jetuar tani dhe na tregojnë si të marrim shpërblime të përhershme në të ardhmen.​—Lexo Psalmin 19:7, 11; Isainë 48:17, 18.

2. Sa të dobishme janë për shëndetin ligjet e Perëndisë?

Ligji i Perëndisë kundër dehjes na mbron nga sëmundje dhe aksidente vdekjeprurëse. Kur pi alkool me tepri, krijon varësi ndaj tij, dhe kjo çon në sjellje të pamend. (Proverbat 23:20, 29, 30) Jehovai na lejon të pimë alkool, por vetëm me karar.​—Lexo Psalmin 104:15; 1 Korintasve 6:10.

Gjithashtu, Jehovai na këshillon të mos shfaqim xhelozi, zemërim të pakontrolluar dhe qëndrime të tjera shkatërrimtare. Sa më shumë t’i zbatojmë këto këshilla, aq më shumë dobi do të nxjerrim për shëndetin.​—Lexo Proverbat 14:30; 22:24, 25.

3. Si na mbron ligji i Perëndisë?

Ligji i Perëndisë e ndalon seksin jashtë martese. (Hebrenjve 13:4) Çiftet që i binden këtij ligji ndihen më të sigurta dhe krijojnë një ambient më të mirë për fëmijët. Nga ana tjetër, seksi jashtë martese shpesh sjell sëmundje, divorc, dhunë, traumë emocionale dhe familje me prind të vetëm.​—Lexo Proverbat 5:1-9.

Kur shmangim situata që na tundojnë të kryejmë seks jashtë martese, mbrojmë miqësinë me Perëndinë, si dhe nuk i dëmtojmë të tjerët.​—Lexo 1 Selanikasve 4:3-6.

4. Si na sjell dobi respekti për jetën?

Njerëzit që e respektojnë jetën si dhuratë nga Perëndia, mbrojnë shëndetin kur i lënë zakone të tilla, si duhani dhe vese të tjera jetëkërcënuese. (2 Korintasve 7:1) Perëndia çmon edhe jetën e një foshnje që zhvillohet në barkun e nënës. (Dalja 21:22, 23) Prandaj, nuk duhet ta vrasim me qëllim një foshnjë të palindur. Po ashtu, ata që e vlerësojnë pikëpamjen që ka Perëndia për jetën, marrin masa mbrojtëse në punë, shtëpi dhe në makinë. (Ligji i përtërirë 22:8) Përveç kësaj, ata nuk e rrezikojnë jetën për sport, sepse jeta është dhuratë nga Perëndia.​—Lexo Psalmin 36:9.

5. Si na sjell dobi shenjtëria e gjakut?

Gjaku është i shenjtë, sepse Perëndia thotë se përfaqëson jetën ose shpirtin e një krijese. (Zanafilla 9:3, 4) Ligji i Perëndisë, i cili e barazon vlerën e gjakut me atë të jetës, na sjell dobi. Si? Në bazë të këtij ligji, Perëndia bëri të mundur faljen e mëkateve.​—Lexo Levitikun 17:11-13; Hebrenjve 9:22.

Gjaku i Jezuit ishte veçanërisht i çmuar sepse Jezui ishte i përsosur. Ai i paraqiti Perëndisë diçka që përfaqësonte jetën e tij​—gjakun e vet. (Hebrenjve 9:12) Falë gjakut që derdhi mund të kemi jetë të përhershme.​—Lexo Mateun 26:28; Gjonin 3:16.

Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitujt 12 dhe 13, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.