Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të mbajë lidhje të ngushta babai me djalin?

Si të mbajë lidhje të ngushta babai me djalin?

Si të mbajë lidhje të ngushta babai me djalin?

«BABI, nga i di ti gjithë këto gjëra?» A të ka habitur ndonjëherë djali me një pyetje të tillë? Ndoshta në atë moment u ndjeve krenar që je baba. Por, nëse djali ka shkuar më tej​—t’i ka zbatuar këshillat e mençura dhe ka nxjerrë dobi—​pa dyshim që zemra të është bërë mal. *​—Proverbat 23:15, 24.

Gjithsesi, ndërsa vitet kalojnë, a të admiron ende djali, si në të kaluarën? Apo, teksa rritet, duket sikur vlerësimi për ty po i venitet? Si mund të mbash lidhje të ngushta me djalin ndërkohë që rritet e bëhet burrë? Së pari, le të shohim disa vështirësi që hasin baballarët.

Tri vështirësi të zakonshme

1. MUNGESA E KOHËS: Në mjaft vende, shumicën e të ardhurave për familjen e sigurojnë baballarët. Shpesh, për shkak të punës, nuk janë në shtëpi pjesën më të madhe të ditës. Në disa vende, baballarët kalojnë fare pak kohë me fëmijët. Për shembull, një anketë e kohëve të fundit në Francë, zbuloi se baballarët atje kalojnë mesatarisht më pak se 12 minuta në ditë me fëmijët.

PËR TË MENDUAR: Sa kohë kalon me tët bir? Në javën a dy javët e ardhshme, pse të mos e shënosh totalin e kohës që kalon me të çdo ditë? Përfundimi mund të të habitë.

2. MUNGESA E NJË SHEMBULLI TË MIRË: Disa burra s’kanë qenë thuajse fare të lidhur me baballarët e tyre. «Babanë e shihja tepër rrallë»,—thotë Zhan-Mari, i cili jeton në Francë. Si ndikoi kjo tek ai? Ai tregon: «Kjo ka krijuar probleme që s’i kisha imagjinuar kurrë. Për shembull, e kam të vështirë të bëj biseda domethënëse me djemtë e mi.» Në raste të tjera, burrat i njohin shumë mirë baballarët, por lidhja atë e bir nuk është e ngushtë. Filipi 43 vjeç thotë: «Babai e kishte të vështirë të ishte i ngrohtë me mua. Ndaj, më duhet të mundohem shumë që të tregohem i ngrohtë me djalin tim.»

PËR TË MENDUAR: A mendon se lidhja që ke me babanë ndikon në mënyrën si e trajton tët bir? A të duket se po ndjek shembullin e babait, qoftë për mirë, qoftë për keq? Në ç’mënyrë?

3. MUNGESA E KËSHILLAVE TË EKUILIBRUARA: Në disa kultura nënvlerësohet roli i babait në rritjen e fëmijëve. «Atje ku jam rritur, njerëzit mendonin se të kujdesesh për fëmijët është punë grash»,—thotë Luka që është rritur në një vend të Evropës Perëndimore. Në kultura të tjera, në përgjithësi baballarët nxiten të jenë disiplinues të rreptë. Për shembull, Zhorzhi është rritur në një vend afrikan. Ai thotë: «Në kulturën e vendit tim, baballarët nuk luajnë me fëmijët nga frika se mos u bie autoriteti. Prandaj, asnjëherë s’e kam gëzuar shoqërinë e tim biri.»

PËR TË MENDUAR: Çfarë roli pritet të luajnë baballarët në vendin ku jeton ti? A janë mësuar ta shohin rritjen e fëmijëve si punë grash? A nxiten t’ua shprehin dashurinë dhe ngrohtësinë bijve, apo ide të tilla shihen shtrembër?

Nëse je baba që has ndonjë nga këto vështirësi, si mund t’ia dalësh mbanë? Shqyrto sugjerimet vijuese.

Fillo kur yt bir është i vogël

Duket se djemtë lindin me dëshirën për të imituar babanë. Prandaj shfrytëzoje këtë dëshirë që kur djali yt është i vogël. Si mund ta bësh këtë dhe kur ta gjesh kohën të rrish me të?

Kurdo që të jetë e mundur, përfshije djalin në aktivitetet e tua të përditshme. Për shembull, nëse po bën ndonjë punë, ftoje të të ndihmojë. Jepi një furçë boje ose lopatë të vogël, në varësi të punës. S’ka dyshim se do të kënaqet që punon përkrah heroit dhe modelit të tij, babait! Mbase të duhet pak më tepër kohë për ta mbaruar punën, por kjo do ta forcojë lidhjen mes jush dhe do t’i mësosh zakone pune të mira. Kohë më parë, Bibla i nxiste etërit t’i përfshinin fëmijët në aktivitetet e përditshme dhe t’i përdornin këto raste për të biseduar dhe për t’i mësuar. (Ligji i përtërirë 6:6-9) Këshilla të tilla janë ende të vlefshme.

Përveçse të punosh me tët bir, gjej kohë edhe të luash me të. Loja nuk është vetëm rast për t’u argëtuar së bashku. Studimet tregojnë se, kur baballarët luajnë me fëmijët e vegjël, i nxitin të jenë më të guximshëm e të mos tremben nga gjërat e reja.

Kur një baba luan me të birin, kjo vlen për diçka edhe më të rëndësishme. «Pikërisht, nëpërmjet lojës, djali komunikon më së miri me të atin»,—thotë sociologu Mishel Fizí. Gjatë lojës, babai mund t’i shprehë ngrohtësi të birit, si me fjalë, edhe me veprime. Kështu i mëson si të tregohet i ngrohtë edhe ai. Andrei, një baba që jeton në Gjermani, thotë: «Kur im bir ishte fëmijë, luanim shpesh së bashku. E përqafoja dhe ai mësoi të ma kthente dashurinë.»

Koha para gjumit është një rast tjetër kur babai mund t’i forcojë lidhjet e dashurisë me të birin. Lexoji rregullisht një tregim dhe dëgjoje teksa shprehet për gjërat që e kanë kënaqur ose mërzitur gjatë ditës. Nëse vepron kështu, do t’ia bësh më të lehtë të komunikojë vazhdimisht me ty ndërsa rritet.

Vazhdo të ndjekësh interesa të përbashkëta

Disa djem adoleshentë mund të duken indiferentë ndaj përpjekjeve të baballarëve për të komunikuar me ta. Nëse yt bir duket sikur u shmanget pyetjeve të tua, mos mendo se s’ka qejf të bëjë asnjë bisedë. Ndoshta do të ishte më i gatshëm të të hapej në rast se gjen një mënyrë më të përshtatshme komunikimi.

Zhaku, një baba që jeton në Francë, ndonjëherë e kishte të vështirë të bisedonte me të birin, Zheromin. Por, në vend që ta detyronte të birin të fliste, ai i përshtatej: luante futboll me të. Zhaku thotë: «Pas lojës, e kishim zakon të uleshim në fushë dhe të pushonim pak. Shpesh, në ato momente djali më zbrazte zemrën. Mes nesh u krijua një lidhje e veçantë ngaqë rrinim bashkë dhe ndoshta ngaqë e dinte se më kishte pranë në momente të tilla.»

Po nëse yt bir nuk i pëlqen sportet? Andrei i kujton me nostalgji orët që kalonte duke kundruar yjet bashkë me të birin. Ai thotë: «Uleshim në karrige portative në ajrin e ftohtë të natës të mbuluar me batanije. Me një filxhan çaj në dorë ia ngulnim sytë qiellit. Flitnim për Atë që krijoi yjet, për gjëra personale, thuajse për gjithçka.»​—Isaia 40:25, 26.

Ç’të themi nëse s’të pëlqen të bësh disa gjëra që yt bir i ka për zemër? Në këtë rast, mund të të duhet t’i lësh mënjanë preferencat e tua. (Filipianëve 2:4) Jani, që jeton në Afrikën Jugore, thotë: «Sportet më pëlqenin shumë më tepër sesa i pëlqenin tim biri, Vonit. Ai ishte i dhënë pas aeroplanëve dhe kompjuterëve. Prandaj nisa të interesohesha për këto. E çoja në shfaqje me aeroplanë dhe luanim me një program kompjuteri që simulonte fluturimin. Them se, ngaqë kënaqeshim duke u zbavitur së bashku, Voni më fliste më lirshëm.»

Rritja besimin te vetja

«Shiko babi, shiko!» Kështu të ka folur djali kur mësoi të bëjë diçka të re? Nëse tani është adoleshent, a ndihet ende kaq i lirshëm sa të të kërkojë miratimin? Mbase jo. Por ka nevojë patjetër për këtë, që të bëhet një i rritur i ekuilibruar.

Vër re ç’shembull la vetë Perëndia Jehova me një nga bijtë e tij. Kur Jezui do të fillonte një fazë të veçantë në jetën e tij tokësore, Perëndia e shprehu publikisht çfarë kishte në zemër për të: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mateu 3:17; 5:48) Sigurisht, ke detyrimin ta disiplinosh dhe ta mësosh tët bir. (Efesianëve 6:4) Megjithatë, a kërkon mundësi që t’ia shprehësh miratimin për gjërat e mira që thotë e bën?

Disa burra e kanë të vështirë të shprehin miratimin dhe ngrohtësinë. Ndoshta janë rritur në familje ku prindërit u vinin në dukje gabimet e jo arritjet. Nëse edhe me ty ka ndodhur kështu, të duhen shumë përpjekje që t’ia rritësh djalit besimin te vetja. Si ta bësh këtë? Luka, që u përmend më sipër, bën rregullisht punë në shtëpi me të birin 15-vjeçar, Manuelin. Ai tregon: «Ndonjëherë, i them Manuelit ta nisë vetë një punë dhe se do ta ndihmoj po të ketë nevojë për mua. Shumicën e punës arrin ta bëjë me forcat e veta. Kur ia del mbanë, kënaqet dhe i rritet besimi te vetja. Kur e bën mirë, e lavdëroj. Kur nuk e bën siç shpresonte, sërish ia shpreh vlerësimin për përpjekjet.»

Gjithashtu, mund t’ia rritësh djalit besimin te vetja duke e ndihmuar të arrijë synime më të mëdha në jetë. Mirëpo, ç’të themi nëse yt bir nuk i arrin synimet aq shpejt sa dëshiron ti? Ose, po sikur synimet e tij, edhe pse jo të këqija, të mos jenë njëlloj me synimet që do të doje për të? Në këtë rast, mbase të duhet t’i shqyrtosh edhe një herë gjërat që pret nga ai. Zhaku, që u citua më sipër, thotë: «Përpiqem ta ndihmoj tim bir të vërë synime të arritshme. Po ashtu, përpiqem të sigurohem se janë synimet e tij, jo të miat. Pastaj i kujtoj vetes se duhet t’i arrijë objektivat e tij me ritmin e vet.» Nëse i dëgjon mendimet e djalit, e lavdëron për gjërat që bën mirë dhe e nxit t’i kapërcejë dështimet, do ta ndihmosh t’i arrijë synimet.

Të jemi realistë, marrëdhënia juaj do të ketë tensione dhe vështirësi. Sidoqoftë, në udhën tuaj të gjatë, ka të ngjarë që djali të dojë të rrijë pranë teje. Në fund të fundit, kush nuk dëshiron të mbajë lidhje të ngushta me atë që e ndihmon të jetë i suksesshëm?

[Shënimi]

^ par. 2 Edhe pse ky artikull përqendrohet në marrëdhënien unike që ekziston mes etërve dhe bijve, parimet që trajtohen këtu, zbatohen edhe për marrëdhëniet e etërve me bijat.