Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të përmbushim detyrimin ndaj Perëndisë

Të përmbushim detyrimin ndaj Perëndisë

Afrojuni Perëndisë

Të përmbushim detyrimin ndaj Perëndisë

A E KE pyetur ndonjëherë veten se cili është qëllimi i jetës? Jehovai na ka pajisur jo vetëm me aftësinë për të bërë një pyetje të tillë, por edhe me një nevojë të thellë të brendshme që të dimë përgjigjen. Sa mirënjohës jemi që Perëndia ynë i dashur nuk na ka lënë në errësirë. Përgjigjja që kërkojmë me zjarr gjendet në Fjalën e tij, në Bibël. Le të shqyrtojmë fjalët e Mbretit Solomon tek Eklisiastiu 12:13.

Solomoni, me rrethanat dhe përvojën unike që kishte, fare mirë mund të jepte një mendim se si të kemi lumturi dhe jetë kuptimplotë. I bekuar me mençuri të jashtëzakonshme, me pasuri tejet të madhe dhe me autoritet mbretëror, mund t’i hetonte me kujdes gjërat pas së cilave rendin njerëzit, përfshirë pasurinë dhe pozitën. (Eklisiastiu 2:4-9; 4:4) Më pas, nën frymëzim hyjnor, e përmblodhi kështu atë që kishte vërejtur: «Përfundimi i çështjes, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.» Këto fjalë theksojnë përpjekjen më shpërblyese dhe më fisnike të njeriut.

«Frikësoju Perëndisë së vërtetë.» Ideja që t’i frikësohemi Perëndisë fillimisht mund të mos duket tërheqëse. Por kjo frikë është një prirje e shëndetshme e zemrës. Nuk është si tmerri i një skllavi që ka inatosur zotërinë e ashpër, por si gëzimi i një fëmije që mezi pret të kënaqë babanë e dashur. Një vepër referimi thotë se frika ndaj Perëndisë është «qëndrimi me respekt e nderim të thellë që i tregon populli i tij, sepse e do dhe respekton fuqinë e madhështinë e tij». Ky qëndrim na shtyn t’i nënshtrohemi vullnetit të Perëndisë ngaqë e duam, si dhe e dimë që edhe ai na do. Kjo frikë e shëndetshme nuk është thjesht një ndjenjë, por tregohet me vepra. Si?

«Përmbushi urdhërimet e tij.» Frika ndaj Perëndisë na nxit t’i bindemi. Është me vend t’i bindemi Jehovait. Si Krijuesi ynë, ai e di cila është mënyra më e mirë e jetesës, ashtu si një prodhues di cila është mënyra më e mirë për të përdorur produktin e vet. Përveç kësaj, Jehovai na do më të mirën. Ai do që të jemi të lumtur dhe kërkesat e tij janë për dobinë tonë. (Isaia 48:17) Apostulli Gjon e shpjegoi këtë me fjalët: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjonit 5:3) Bindja jonë tregon se e duam Perëndinë, ndërsa urdhërimet e tij pasqyrojnë dashurinë që ka për ne.

«Ky është tërë detyrimi i njeriut.» Këto fjalë nxjerrin në pah një arsye të rëndësishme pse t’i frikësohemi dhe t’i bindemi Perëndisë. E kemi për detyrë. Jehovai është Krijuesi ynë, prandaj ia detyrojmë atij jetën. (Psalmi 36:9) Gjithashtu i detyrojmë bindjen tonë. Kur jetojmë siç do ai, përmbushim detyrimin që kemi.

Atëherë, cili është qëllimi i jetës? Me pak fjalë është ky: ekzistojmë që të bëjmë vullnetin e Perëndisë. S’ka mënyrë më të mirë si t’i japësh kuptim jetës. Pse të mos mësosh më tepër për vullnetin e Jehovait dhe si të jetosh në përputhje me të? Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë nëntorit:

Proverbat 22Kënga e Solomonit 8