Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Emri hyjnor dhe përpjekjet e Alfonso de Zamorës për një tekst të saktë

Emri hyjnor dhe përpjekjet e Alfonso de Zamorës për një tekst të saktë

Emri hyjnor dhe përpjekjet e Alfonso de Zamorës për një tekst të saktë

NË VITIN 1492 Ferdinandi dhe Izabela, mbreti e mbretëresha e Spanjës, nxorën këtë dekret: «Urdhërojmë të gjithë judenjtë, burra e gra, . . . që në fund të korrikut të këtij viti të largohen nga të gjitha mbretëritë e zotërimet tona bashkë me bijtë e bijat e tyre, me shërbëtorët e shërbëtoret, si dhe me të gjithë të afërmit judenj, pavarësisht nga pozita a mosha, e të mos guxojnë të kthehen!»

Nën këtë urdhër dëbimi, çdo familje judeje në Spanjë u vu përballë një zgjedhjeje, ose të shkonin në mërgim, ose të hiqnin dorë nga feja e tyre. Një rabin i quajtur Kuan de Zamora mund të ketë menduar se ishte më mirë të bëhej katolik që të qëndronte në Spanjë, ku paraardhësit e tij kishin jetuar për breza me radhë. Duke marrë parasysh prejardhjen judeje, ka mundësi që Kuani ta ketë dërguar të birin, Alfonson, në shkollën e njohur të studimeve hebraike në Zamorë. Më vonë, Alfonsoja studioi thellë latinishten, greqishten dhe aramaishten. Pasi përfundoi studimet, nisi të jepte hebraisht në Universitetin e Salamankës. Shpejt pas kësaj, njohuritë e tij të mira gjuhësore u përdorën në dobi të studiuesve të Biblës në të gjithë Evropën.

Më 1512 Universiteti i ri i Alkala de Henaresit e vuri Alfonso de Zamorën në krye të studimeve hebraike. Meqë Zamora ishte një nga studiuesit më të shquar të kohës së tij, kardinali Himeneth de Thisneros, themeluesi i universitetit, e përfshiu ndihmën e tij në përgatitjen e Biblës Shumëgjuhëshe Komplutense, një punë kolosale. Kjo Bibël me gjashtë vëllime përmban tekstin e shenjtë në hebraisht, greqisht, latinisht e disa pjesë në aramaisht. *

Një studiues biblik, Mariano Revija Riko, thotë për këtë projekt: «Nga tre judenjtë që ndërruan fenë e që morën pjesë në punën e kardinalit [Thisneros], më i njohuri është Alfonso de Zamora, i cili s’ishte vetëm studiues i latinishtes, greqishtes, hebraishtes e aramaishtes, por edhe gramatikan, filozof e specialist i Talmudit.» Nga studimet, Zamora arriti në përfundimin se përkthimi i saktë i Biblës kërkonte njohuri të gjithanshme të gjuhëve të lashta origjinale. Në fakt ai u bë një nga nxitësit kryesorë të rilindjes së studimeve biblike, e cila filloi të lulëzonte në fillim të shekullit të 16-të.

Megjithatë, Zamora jetoi në një periudhë të vështirë e në një vend të rrezikshëm për të çuar përpara studimet biblike. Inkuizicioni spanjoll ishte në kulm dhe Kisha Katolike lartësonte Vulgatën Latine si përkthimin e vetëm «të autorizuar» të Biblës. Gjithsesi, që nga mesjeta, studiuesit katolikë tashmë kishin vënë re se teksti në latinisht i Vulgatës linte shumë për të dëshiruar. Në fillim të shekullit të 16-të, Alfonso de Zamora dhe të tjerë morën përsipër detyrën që të bënin diçka për këtë.

‘Shpëtimi kërkonte përkthim’

Ndër projektet që punoi Zamora, më i rëndësishmi ishte pa dyshim botimi në hebraisht i Dhiatës së Vjetër, siç quhet zakonisht, bashkë me përkthimin e saj në latinisht. Me sa duket ai kishte ndër mend që ky material të përdorej gjerësisht për përgatitjen e Biblës Shumëgjuhëshe Komplutense. Një nga dorëshkrimet e tij gjendet në bibliotekën «El Eskorial» pranë Madridit, Spanjë. Emërtuar si G-I-4, ajo përmban librin e plotë të Zanafillës në hebraisht, si edhe një përkthim interlinear (ose fjalë për fjalë) në latinisht.

Në parathënie pranohet: «Shpëtimi i kombeve kërkonte përkthimin e Shkrimeve të Shenjta në gjuhë të tjera. . . . Ne e kemi konsideruar . . . absolutisht të nevojshme që besnikët të kenë një përkthim fjalë për fjalë të Biblës, të bërë në atë mënyrë që për çdo fjalë në hebraisht të ketë një fjalë përkatëse në latinisht.» Alfonso de Zamora kishte kualifikimet e duhura që të merrte përsipër këtë përkthim të ri në latinisht, pasi ishte studiues i njohur i hebraishtes.

‘Shpirti im nuk gjen vend prehjeje’

Nga njëra anë, Spanja e shekullit të 16-të ishte vendi ideal ku mund të punonin studiues si Zamora. Gjatë mesjetës, Spanja ishte bërë qendra e kulturës judaike. Një enciklopedi shpjegon: «Me numrin e madh të popullatave myslimane e judeje, Spanja e mesjetës ishte i vetmi vend në Evropën Perëndimore me raca e fe të ndryshme dhe, falë kësaj, qytetërimi spanjoll pati një zhvillim të mirë në fe, në letërsi, në art dhe në arkitekturë gjatë mesjetës së vonë.»​—The Encyclopædia Britannica.

Meqë në Spanjë kishte popullsi të madhe judeje, gjendeshin me bollëk dorëshkrime të Biblës në hebraisht. Skribët judenj në mjaft pjesë të Spanjës i kishin kopjuar tërë mundim këto dorëshkrime, që të përdoreshin për leximin publik të Shkrimeve në sinagoga. Në librin e tij Botimet më të hershme të Biblës në hebraisht (anglisht), Lazar Goldshmidi vëren: «Mes studiuesve judenj, reputacionin më të mirë për saktësi nuk e kishte vetëm Pentateuku i shtypur në spanjisht e portugalisht, por edhe dorëshkrimet ku ishin bazuar këto dhe botimet shumëgjuhëshe akademike.»

Pavarësisht nga avantazhet që ofronte Spanja, mbi ata që donin të përkthenin Biblën po shfaqeshin re të zeza kundërshtimi. Në vitin 1492 ushtritë katolike të mbretit Ferdinand dhe të mbretëreshës Izabela pushtuan territorin e fundit arabo-berber në Spanjë. Siç u përmend më sipër, në po atë vit, monarkët dekretuan se të gjithë ata që i përmbaheshin fesë judeje duhej të dëboheshin nga Spanja. Një urdhër i ngjashëm dëboi edhe myslimanët dhjetë vjet më vonë. Që nga ajo kohë, katolicizmi u bë feja zyrtare e Spanjës dhe nuk lejohej më asnjë fe tjetër.

Si do të ndikonte kjo klimë e re fetare te përkthimi i Biblës? Këtë e tregon më së miri përvoja e Alfonso de Zamorës. Ndonëse ky studiues jude ishte kthyer në katolik, hierarkia spanjolle s’donte ta harronte prejardhjen e tij. Disa kundërshtarë e kritikuan kardinalin Thisneros se, për përgatitjen e Biblës Shumëgjuhëshe Komplutense, përdorte ekspertë judenj që kishin ndërruar fenë. Këto sulme i shkaktuan Zamorës shumë vuajtje. Në një koment të një dorëshkrimi që mund të gjendet në Universitetin e Madridit, Zamora ankohej: «Unë, . . . i braktisur dhe i urryer nga të gjithë miqtë, të cilët më janë bërë armiq, nuk gjej vend prehjeje as për shpirtin, as për këmbët.»

Një nga armiqtë e tij kryesorë ishte Kuan Tavera, i cili më vonë mori postin e kryeinkuizitorit të Inkuizicionit spanjoll. Zamorën e lëshoi kaq shumë zemra nga sulmet e Taverës, sa iu drejtua për ndihmë papës. Në letrën e tij pjesërisht thuhej: «Ne kërkojmë dhe lutemi që Shenjtëria Juaj të na ndihmojë . . . dhe të na ruajë nga armiku ynë, peshkopi i Toledos, Don Kuan Tavera. Çdo ditë, pa u dorëzuar, ai na shkakton mundime të shumta e të tmerrshme. . . . Patjetër që gjendemi në angështi të madhe, pasi në sytë e tij jemi tamam si kafshë për thertore. . . . Nëse Shenjtëria Juaj ia vë veshin kësaj kërkese që ju drejtohet, ‘Jahve do të jetë siguria juaj dhe do t’jua ruajë këmbën nga ndonjë lak’ (Prov. 3:23).» *

Trashëgimia e Alfonso de Zamorës

Me gjithë ato sulme, puna e Zamorës vazhdoi e lulëzoi për dobinë e shumë studentëve të Biblës. Ndonëse ai nuk i përktheu kurrë Shkrimet në gjuhët vendëse të kohës së tij, u bëri shërbim tejet të çmuar përkthyesve të tjerë. Që të kuptojmë kontributin e tij, duhet të kujtojmë se përkthimi i Biblës gjithmonë varet nga dy lloj studiuesish. Në fillim, duhet të jenë studiues që shqyrtojnë kopjet e tekstit të shenjtë në gjuhët origjinale​—hebraisht, aramaisht e greqisht—​që të nxjerrin një tekst të rafinuar e të saktë në këto gjuhë. Më pas përkthyesi mund ta përdorë këtë punë si pikënisje për përkthimin e tij në një gjuhë vendëse.

Alfonso de Zamora ishte studiuesi kryesor që përgatiti dhe rafinoi tekstin hebraik që, si përfundim, u botua në Biblën Shumëgjuhëshe Komplutense në vitin 1522. (Edhe fjalori i tij hebraisht-latinisht dhe gramatika hebraike që dolën në të njëjtën vepër, ua lehtësuan përpjekjet përkthyesve.) Erasmi, bashkëkohës i Zamorës, kreu një detyrë të ngjashme për Shkrimet e Krishtere Greke, që zakonisht quhen Dhiata e Re. Sapo dolën këto tekste të përpunuara në hebraisht e greqisht, përkthyes të tjerë mund të ndërmerrnin detyrën jetësore që të përkthenin Biblën në gjuhën e popullit. Kur Uilliam Tindali përktheu Biblën në anglisht, ishte nga përkthyesit e parë që nxori dobi nga teksti hebraik i Biblës Shumëgjuhëshe Komplutense.

Shpërndarja e gjerë e Biblës sot është me të drejtë meritë e punës së mundimshme të njerëzve si Zamora, të cilët ia kushtuan jetën përmirësimit të njohurisë për Shkrimet. Sikurse e zbuloi edhe Zamora, shpëtimi varet nga sa e kuptojnë dhe e zbatojnë njerëzit Fjalën e Perëndisë. (Gjoni 17:3) Nga ana tjetër, kjo kërkon që Bibla të përkthehet në gjuhët që njerëzit kuptojnë, pasi vetëm atëherë mesazhi i saj mund të prekë zemrat dhe mendjet e miliona vetave.

[Shënimet]

^ par. 4 Për të kuptuar rëndësinë e Biblës Shumëgjuhëshe Komplutense, shih Kullën e Rojës të 15 prillit 2004, faqet  28-31.

^ par. 15 Është interesante se, në kërkesën për ndihmë drejtuar papës së Romës, Zamora përdori emrin hyjnor, jo një titull. Në një përkthim spanjoll të kërkesës së Zamorës, ky emër shfaqet si «Jahve». Forma e këtij emri në latinishten origjinale nuk është e sigurt. Lidhur me përkthimin e Zamorës dhe përdorimin e emrit hyjnor, shih kutinë «Përkthimi i emrit hyjnor» në faqen 19.

[Figura në faqen 19]

Përkthimi i emrit hyjnor

Është me interes të veçantë të vërejmë si e ka transliteruar emrin hyjnor Alfonso de Zamora, njeri i arsimuar me prejardhje hebreje. Siç shihet në fotografinë shoqëruese, në përkthimin interlinear të Zanafillës në hebraisht-latinisht ka një shënim anash faqes që përmban emrin e Perëndisë të shkruar «jehovah».

Me sa duket, për Zamorën ishte i pranueshëm përkthimi i emrit hyjnor në latinisht. Gjatë shekullit të 16-të, kur Bibla u përkthye në gjuhët kryesore të Evropës, kjo formë emri ose një tjetër shumë e ngjashme u përvetësua nga shumë përkthyes të Biblës, përfshirë Uilliam Tindali (anglisht, 1530), Sebastian Mynsteri (latinisht, 1534), Pjer Rober (Olivetani), (frëngjisht, 1535) dhe Kasiodoro de Reina (spanjisht, 1569).

Kështu Zamora u bë një nga shumë studiuesit e parë biblikë të shekullit të 16-të që ndihmuan të hidhej dritë mbi emrin hyjnor. Në fillim padija për emrin e Perëndisë erdhi si pasojë e një besëtytnie judaike që nuk lejonte të shqiptohej ky emër. Nën ndikimin e kësaj tradite judaike, përkthyesit e Biblës të të ashtuquajturit krishterim​—si Jeronimi, përkthyesi i Vulgatës latine—​e zëvendësuan emrin hyjnor me fjalët «Zot» ose «Perëndi».

[Figura]

Pamje nga afër e tetragramit në hebraisht që Zamora e përktheu «jehovah»

[Figura në faqen 18]

Dekret i mbretit dhe i mbretëreshës së Spanjës, 1492

[Burimi]

Dekreti: me mirësjellje nga Archivo Histórico Provincial, Ávila, Spain

[Figura në faqen 18]

Universiteti i Alkala de Henaresit

[Figura në faqen 21]

Faqja e parë e përkthimit interlinear të Zamorës