Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Abrahami​—Njeri i dashurisë

Abrahami​—Njeri i dashurisë

Abrahami​—Njeri i dashurisë

Abrahami e ka zemrën copë nga dhembja. Gruaja e tij e dashur, Sara, i ka vdekur. Teksa i jep lamtumirën e fundit, në mendjen e këtij burri të moshuar vërshojnë një mori kujtimesh të bukura. Hidhërimi ia kaplon zemrën dhe lotët nisin t’i rrjedhin. (Zanafilla 23:1, 2) As që bëhet fjalë të turpërohet a të ndihet në siklet, por këta lot janë provë e njërës prej cilësive më të mira të Abrahamit​—dashurisë.

ÇFARË ËSHTË DASHURIA? Dashuria është ndjenjë që lind nga një lidhje e ngrohtë ose nga përzemërsia e thellë. Një person i dashur e tregon me veprime çfarë ndien për ata që i do, edhe nëse i duhet të bëjë sakrifica.

SI TREGOI DASHURI ABRAHAMI? Abrahami e tregoi me vepra se e donte familjen. S’ka dyshim se ishte i zënë me shumë punë. Prapëseprapë, kurrë nuk e la pas dore familjen me nevojat e saj emocionale ose nevojën për të mësuar për Perëndinë. Ç’është e vërteta, vetë Jehovai e shihte se Abrahami, si kryefamiljar, e merrte drejtimin në adhurim. (Zanafilla 18:19) Edhe vetë Jehovai e përmendi qartë dashurinë e Abrahamit. Kur foli me të, Jehovai iu referua Isakut si ‘birit të tij [Abrahamit] që e do aq shumë’.​—Zanafilla 22:2.

Dashurinë e Abrahamit e dallojmë më tej nga mënyra si e përjetoi vdekjen e gruas së tij të shtrenjtë, Sarës. Ai e vajtoi. Ndonëse ishte i fortë dhe burrë i vërtetë, nuk kishte frikë ta shfaqte hidhërimin. Abrahami shfaqi një gërshetim të bukur të forcës dhe të butësisë.

Abrahami e tregoi se e donte Perëndinë e tij. Gjithë drejtimi që mori në jetë ishte dëshmi e kësaj dashurie. Si? Mbase na kujtohet çfarë thotë Bibla te 1 Gjonit 5:3: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» Sipas këtij përkufizimi, Abrahami la një shembull tejet të madh për sa i përket dashurisë për Perëndinë.

Sa herë që Abrahami merrte ndonjë urdhër nga Jehovai, bindej menjëherë. (Zanafilla 12:4; 17:22, 23; 21:12-14; 22:1-3) Për të s’kishte rëndësi nëse ishte e lehtë a e vështirë të bindej, as nuk kishte shumë rëndësi nëse e dinte pse Jehovai i kërkonte ta zbatonte. Gjithë këto s’kishin rëndësi për të. Nëse Perëndia i tij i thoshte të bënte diçka, ai ishte gati. Çdo urdhër Abrahami e konsideronte si mundësi për të treguar dashurinë për Jehovain.

ÇFARË MËSOJMË? Abrahamin e imitojmë duke treguar përzemërsi të ngrohtë për të tjerët, veçanërisht për pjesëtarët e familjes. Kurrë nuk duam që presionet e jetës të na e rrëmbejnë kohën që duhet t’ua kushtojmë njerëzve më të shtrenjtë.

Duhet të zhvillojmë dashuri të përzemërt edhe për Jehovain. Një dashuri e tillë mund të bëhet forcë motivuese në jetë. Për shembull, mund të na motivojë të ndryshojmë qëndrime, të folurit dhe sjelljen që t’i pëlqejmë Perëndisë.​—1 Pjetrit 1:14-16.

Kuptohet, t’u bindesh urdhërimeve të Jehovait nuk është përherë e lehtë. Por jemi të sigurt se Ai që ndihmoi Abrahamin​—që e quajti ‘miku im’—​do të na mbështetë edhe neve. (Isaia 41:8) Fjala e tij, Bibla, premton: ‘Ai do të të bëjë të patundur, do të të bëjë të fortë.’ (1 Pjetrit 5:10) Sa ta ngroh zemrën ky premtim që vjen nga Miku i besuar i Abrahamit!

[Kutia në faqen 11]

A qan burri i vërtetë?

Shumë veta do të përgjigjeshin jo. Ndoshta do të habiteshin po të mësonin se Abrahami ishte vetëm një nga disa burrat besnikë e me karakter, për të cilët Bibla thotë se derdhën lot në momente të vështira. Bibla përmend edhe Jozefin, Davidin, apostullin Pjetër, pleqtë e kongregacionit të Efesit, madje dhe Jezuin. (Zanafilla 50:1; 2 Samuelit 18:33; Luka 22:61, 62; Gjoni 11:35; Veprat 20:36-38) Pra, Bibla nuk mëson se burri i vërtetë nuk qan.