Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Afrojuni Perëndisë

«Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë»

«Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë»

«MA JEP dorën»,​—i thotë babai vogëlushit para se të kalojnë në një rrugë me trafik. Kur dora e fortë e babait mbërthen dorën e vockël, djali ndihet i sigurt, nuk ka frikë. A ke dashur ndonjëherë që dikush të të kapë për dore dhe të të udhëheqë shëndoshë e mirë teksa kalon pasiguritë e jetës? Nëse po, mund të të japin zemër fjalët që dokumentoi Isaia.​Lexo Isainë 41:10, 13.

Isaia këto fjalë ia tha Izraelit, i cili rrethohej nga armiq, edhe pse për Perëndinë ishin ‘prona e tij e veçantë’. (Dalja 19:5) A duhej të frikësohej Izraeli? Jehovai përdori Isainë që t’u jepte zemër. Ndërsa shqyrtojmë këto fjalë, të mbajmë parasysh se zbatohen edhe për adhuruesit e Perëndisë sot.​—Romakëve 15:4.

«Mos ki frikë»,​—i nxit Jehovai. (Vargu 10) Nuk janë fjalë të thëna kot. Jehovai shpjegon arsyen pse populli i tij s’duhet të ketë frikë kur pohon: «Unë jam me ty.» Ai nuk është një burim i largët mbështetjeje, që premton se do të vijë në ndihmë vetëm në rast nevoje. Ai do që populli i tij ta dijë se është me ta​—sikur ta kenë përkrah—​gjithnjë gati për t’i mbështetur. A nuk është ngushëlluese kjo?

Më tej Jehovai i siguron adhuruesit e tij duke thënë: «Mos i hidh sytë rreth e përqark.» (Vargu 10) Folja në hebraisht e përdorur këtu u referohet atyre që «shikojnë në të gjitha drejtimet se mos ka diçka që mund t’u bëjë keq». Jehovai shpjegon pse nuk është e nevojshme që populli i tij të shohë majtas-djathtas tërë frikë, kur thotë: «Unë jam Perëndia yt.» A ka gjë tjetër që mund të na qetësojë më shumë? Jehovai është ‘Më i Larti’, ‘i Plotfuqishmi’. (Psalmi 91:1) Pse duhet të tremben kur kanë Jehovain e gjithëpushtetshëm si Perëndi?

Atëherë, çfarë mund të presin adhuruesit e Jehovait prej tij? Ai premton: «Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.» (Vargu 10) Gjithashtu thotë: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë.» (Vargu 13) Çfarë të vjen në mendje kur dëgjon këto fjalë? Një vepër referimi shpjegon: «Këto dy vargje të marra së bashku paraqitin një tablo të gjallë të lidhjes prind-fëmijë. . . . [Babai] jo vetëm është gati për ta mbrojtur, por edhe është aty fizikisht me fëmijën. Kurrsesi nuk do të lejojë që fëmija të shkëputet prej tij.» Imagjino: Jehovai nuk do të lejojë që populli i tij të shkëputet nga ai, edhe gjatë momenteve më të zymta të jetës.​—Hebrenjve 13:5, 6.

Sot adhuruesit e Jehovait mund të marrin shumë zemër nga fjalët që dokumentoi Isaia. Në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», ndonjëherë mund të ndihemi të mbytur nga hallet. (2 Timoteut 3:1) Por, s’ka pse t’i përballojmë vetëm. Jehovai është i gatshëm të zgjatet që të na kapë për dore. Ashtu si fëmijët që kanë besim te prindërit, edhe ne mund të kapemi pas dorës së tij të fuqishme, të sigurt se do të na drejtojë në rrugën e duhur dhe se do të na ndihmojë kur të gjendemi ngushtë.​—Psalmi 63:7, 8.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë janarit:

Isaia 24-42