Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të mësojmë nga aspektet bazë të së vërtetës

Të mësojmë nga aspektet bazë të së vërtetës

«Në Ligj ke aspektet bazë të njohurisë e të së vërtetës.»​—ROM. 2:20, BR me referime, angl.

1. Pse na intereson të kuptojmë domethënien e Ligjit të Moisiut?

PO TË mos ishte për shkrimet e frymëzuara të apostullit Pavël, do ta kishim të vështirë të kuptonim domethënien e shumë aspekteve të Ligjit të Moisiut. Për shembull, në Letrën drejtuar Hebrenjve, Pavli sqaron se në ç’mënyrë Jezui si ‘kryeprift i besueshëm’ mund të paraqiste njëherë e përgjithmonë «një flijim pajtues», duke bërë të mundur që ata që tregojnë besim te ky flijim, të fitojnë «një çlirim të përhershëm». (Hebr. 2:17; 9:11, 12) Pavli shpjegoi se tabernakulli ishte vetëm një «hije e gjërave qiellore» dhe se Jezui u bë Ndërmjetësi i ‘një besëlidhjeje më të mirë’ se ajo me ndërmjetës Moisiun. (Hebr. 7:22; 8:1-5) Në ditët e Pavlit, shpjegime të tilla të Ligjit ishin me vlerë të madhe për të krishterët, e të tilla janë edhe sot. Ato na ndihmojnë të kuptojmë më plotësisht vlerën e masave që ka marrë Perëndia për ne.

2. Ç’epërsi kishin të krishterët judenj ndaj jojudenjve?

2 Kur Pavli u shkroi të krishterëve në Romë, disa prej fjalëve ua drejtoi pjesëtarëve të kongregacionit që ishin me prejardhje judaike dhe që u ishte mësuar Ligji i Moisiut. Ai pohoi se, ngaqë e njihnin atë Ligj hyjnor, ata kishin epërsinë të dinin «aspektet bazë të njohurisë dhe të së vërtetës» rreth Jehovait dhe parimeve të tij të drejta. Kuptueshmëria për ato ‘aspekte bazë’ ose «formën» e së vërtetës dhe respekti nga zemra për to, i ndihmuan të krishterët judenj, ashtu si judenjtë besnikë para tyre, që të drejtonin, të mësonin dhe të ndriçonin ata që s’e njihnin Ligjin që Jehovai i kishte dhënë popullit të tij.​Lexo Romakëve 2:17-20.

HIJE TË FLIJIMIT TË JEZUIT

3. Si nxjerrim dobi duke studiuar flijimet e lashta judaike?

3 Aspektet bazë të së vërtetës për të cilat foli Pavli, janë ende të rëndësishme për ne, që të kuptojmë qëllimet e Jehovait. Parimet në themel të Ligjit të Moisiut nuk e kanë humbur rëndësinë ose vlerën. Me këtë në mendje, le të shqyrtojmë vetëm një aspekt të atij Ligji​—në ç’mënyrë flijimet dhe blatimet e ndryshme i drejtonin judenjtë e përulur te Krishti dhe i ndihmonin të kuptonin se çfarë kërkonte Perëndia prej tyre. E meqë kërkesat bazë të Jehovait për shërbëtorët e tij nuk ndryshojnë kurrë, do të shohim edhe se ligjet që Perëndia u dha izraelitëve në lidhje me flijimet dhe blatimet, mund të na ndihmojnë të analizojmë cilësinë e shërbimit tonë të shenjtë.​—Mal. 3:6.

4, 5. (a) Çfarë i kujtonte Ligji i Moisiut popullit të Perëndisë? (b) Ku e drejtonte vëmendjen ligji i Perëndisë për flijimet?

4 Vështirë që judenjtë e lashtë të mos e kuptonin se shumë aspekte të Ligjit të Moisiut theksonin gjendjen e tyre mëkatare. Për shembull, kushdo që prekte një kufomë duhej të pastrohej. Për këtë qëllim therej dhe digjej një lopë e shëndetshme e kuqe. Hiri i saj ruhej për të bërë «ujin e pastrimit», me të cilin spërkatej personi që pastrohej ditën e tretë dhe të shtatë pasi ishte ndotur. (Num. 19:1-13) Gjithashtu, si një përkujtues se nëpërmjet riprodhimit të njerëzve transmetohej papërsosmëria dhe mëkati, një grua që lindte, duhej të respektonte një periudhë papastërtie pas së cilës duhej të bënte shlyerjen me anë të një flijimi.​—Lev. 12:1-8.

5 Flijimet në kafshë kërkoheshin edhe në shumë situata të tjera të jetës së përditshme, që të shlyheshin mëkatet. Pavarësisht nëse e kuptonte ose jo adhuruesi, këto flijime​—dhe ato që paraqiteshin më vonë në tempullin e Jehovait—​ishin «një hije» e flijimit të përsosur të Jezuit.​—Hebr. 10:1-10.

FRYMA E DUHUR KUR BËHEN FLIJIME

6, 7. (a) Çfarë mbanin parasysh izraelitët para se të zgjidhnin flijimet dhe ç’tregonte kjo? (b) Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes?

6 Një kërkesë themelore për çfarëdolloj kafshe që i flijohej Jehovait, ishte se ajo duhej të ishte ‘e shëndetshme’ në çdo drejtim​—jo e verbër, e plagosur, e deformuar ose e sëmurë. (Lev. 22:20-22) Kur izraelitët i paraqitnin fruta ose drithëra Jehovait, duhej të ishin «frytet e para», «më të mirat» që kishin mbledhur. (Num. 18:12, 29) Një blatim i dorës së dytë nuk ishte i pranueshëm për Jehovain. Kjo kërkesë e rëndësishme në lidhje me flijimet në kafshë tregonte se flijimi i Jezuit do të ishte i panjollë e i patëmetë dhe se Jehovai do të flijonte atë që ishte më e mirë e më e shtrenjtë për të, që të shpengonte njerëzimin.​—1 Pjet. 1:18, 19.

7 Nëse ai që do të bënte një flijim i ishte vërtet mirënjohës Jehovait për gjithë mirësinë e Tij, a nuk do të zgjidhte me kënaqësi më të mirën që kishte? Cilësia e blatimit lihej në dorë të individit. Megjithatë, ai e dinte se Perëndia nuk do të kënaqej me një blatim me të meta, pasi kjo do të tregonte se personi e konsideronte flijimin thjesht një formalitet, madje një barrë. (Lexo Malakinë 1:6-8, 13.) Kjo duhet të na nxitë të mendojmë thellë për shërbimin që i bëjmë Perëndisë: «Me ç’frymë po i shërbej Jehovait? Mos ndoshta duhet të shqyrtoj cilësinë e shërbimit dhe motivet pse po i shërbej?»

8, 9. Pse duhet të shqyrtojmë frymën me të cilën i bënin flijimet izraelitët?

8 Nëse flijimi i një izraeliti ishte një shfaqje e vullnetshme e mirënjohjes së sinqertë për Jehovain ose, si në rastin e një blatimi të djegur, një kërkesë për të pasur miratimin e tij, atëherë nuk do ta kishte të vështirë të zgjidhte një kafshë të përshtatshme. Adhuruesi do t’i jepte me kënaqësi Jehovait më të mirën. Të krishterët sot nuk paraqitin flijime të mirëfillta siç kërkohej nga Ligji i Moisiut; megjithatë bëjnë flijime kur përdorin kohën, energjinë dhe të ardhurat për t’i shërbyer Jehovait. Sipas apostullit Pavël, kur ‘shpallim publikisht’ shpresën e krishterë dhe ‘bëjmë të mira e ndajmë gjërat me të tjerët’, po bëjmë flijime që i pëlqejnë Perëndisë. (Hebr. 13:15, 16) Fryma me të cilën populli i Jehovait i bën këto, zbulon se sa mirënjohje dhe çmueshmëri ka për gjithçka që Perëndia i ka dhënë. Pra, ekziston një paralele mes qëndrimeve e motiveve të atyre që bëjnë shërbimin e krishterë sot dhe të atyre që paraqitnin flijime të vullnetshme në kohët e lashta.

9 Por, ç’mund të thuhet për rastin kur Ligji i Moisiut kërkonte një blatim për mëkatin ose një blatim për fajin nga shkelësi? A mendon se, meqë flijimi ishte i detyrueshëm, kjo do të ndikonte te gatishmëria dhe qëndrimi që do të kishte personi kur ta paraqiste? Mos vallë flijime të tilla paraqiteshin me pahir? (Lev. 4:27, 28) Nëse personi dëshironte me sinqeritet të mbante një marrëdhënie të mirë me Jehovain, nuk ndodhte kështu.

10. Çfarë «flijimesh» mund t’u duhet të bëjnë të krishterëve për të ndrequr marrëdhëniet e dëmtuara?

10 Po kështu sot, mund të ndodhë që pa menduar, pa dashje ose nga shkujdesja, të kesh fyer një vëlla. Ndërgjegjja mund të të thotë se je sjellë gabim. Kushdo që e merr seriozisht shërbimin ndaj Jehovait, bën gjithë ç’ka në dorë për ta ndrequr gabimin. Kjo do të thotë t’i kërkojë falje nga zemra atij që ka fyer ose, në rastin e një keqbërjeje të rëndë, të kërkojë ndihmën frymore të mbikëqyrësve të dashur të krishterë. (Mat. 5:23, 24; Jak. 5:14, 15) Kështu, për të ndrequr një mëkat që kemi kryer kundër një njeriu ose kundër Perëndisë na kushton diçka. Gjithsesi, kur bëjmë «flijime» të tilla, rivendosim marrëdhënien tonë me Jehovain e me vëllanë dhe fitojmë një ndërgjegje të pastër. Kjo pastaj na siguron se udha e Jehovait është më e mira.

11, 12. (a) Çfarë ishin flijimet në bashkësi? (b) Ç’lidhje kanë flijimet në bashkësi me adhurimin e pastër sot?

11 Disa flijime të përcaktuara në Ligjin e Moisiut konsideroheshin blatime në bashkësi. Ato nënkuptonin paqe me Jehovain. Ai që bënte një blatim të tillë, hante bashkë me familjen mishin e kafshës së flijuar, ndoshta në një nga dhomat e ngrënies në tempull. Prifti që ishte në detyrë merrte një pjesë të mishit, e po ashtu edhe priftërinjtë e tjerë që shërbenin në tempull. (Lev. 3:1; 7:31-33) Adhuruesi e bënte flijimin thjesht nga dëshira e sinqertë që të kishte një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Ishte sikur adhuruesi, familja e tij, priftërinjtë dhe vetë Jehovai të hanin bashkë një vakt me gëzim e në paqe.

12 A mund të kishte privilegj më të madh adhuruesi sesa, në mënyrë simbolike, të ftonte Jehovain në një vakt të tillë dhe Ai ta pranonte ftesën? Natyrisht, mikpritësi do të donte t’i paraqiste më të mirën këtij mysafiri të nderuar. Mundësia për të bërë flijime në bashkësi, ishte pjesë e aspekteve bazë të së vërtetës që gjendej në Ligj. Kjo e drejtonte vëmendjen te fakti se të gjithë ata që dëshirojnë të kenë një marrëdhënie paqësore dhe të ngushtë me Krijuesin, mund ta arrijnë këtë nëpërmjet flijimit më të madh të Jezuit. Sot mund të gëzojmë miqësinë dhe shoqërinë e Jehovait kur ofrojmë vullnetarisht të mirat dhe energjitë tona në shërbim të tij.

PARALAJMËRIME PËR FLIJIMET

13, 14. Pse flijimi që kishte ndër mend të paraqiste mbreti Saul, nuk ishte i pranueshëm për Jehovain?

13 Sigurisht, që flijimet e përcaktuara në Ligjin e Moisiut të pranoheshin nga Jehovai, duheshin paraqitur me frymën dhe gjendjen e duhur të zemrës. Sidoqoftë, Bibla përmban edhe shembuj paralajmërues për flijimet që nuk ishin të pranueshme për Perëndinë. Pse i hodhi poshtë ai? Le të shqyrtojmë dy situata.

14 Profeti Samuel i tha mbretit Saul se kishte ardhur koha që Jehovai të ekzekutonte gjykimin kundër amalekitëve. Prandaj, Sauli duhej ta shfaroste atë komb armik bashkë me bagëtinë. Por pasi fitoi betejën, Sauli lejoi që ushtarët të linin gjallë Agagun, mbretin e amalekitëve. Gjithashtu, kurseu bagëtinë më të mirë që t’ia flijonte Jehovait. (1 Sam. 15:2, 3, 21) Si reagoi Jehovai? E hodhi poshtë Saulin për mosbindjen që tregoi. (Lexo 1 Samuelit 15:22, 23.) Çfarë mësojmë nga kjo? Që një flijim të jetë i pranueshëm për Perëndinë, duhet edhe t’u bindemi urdhërimeve të tij.

15. Çfarë tregonte sjellja e keqe e disa izraelitëve që bënin flijime në kohën e Isaisë?

15 Një shembull i ngjashëm gjendet në librin e Isaisë. Në kohën e tij, izraelitët i bënin Jehovait flijime sa për të thënë. Për shkak të sjelljes së tyre të keqe, flijimet që bënin ishin pa pikë vlere. «Ç’më duhen mua flijimet tuaja të shumta?—i pyeti Jehovai.—U ngopa me blatimet e plota të djegura të deshve dhe me dhjamin e kafshëve të majme. Gjaku i demave të rinj, i qengjave meshkuj dhe i cjepve nuk më kënaqi. . . . Mjaft sollët blatime në drithë pa asnjë vlerë. Temjani më është pështirosur.» Cili ishte problemi? Perëndia u tha: «Edhe pse lutjet tuaja janë të shumta, unë nuk i dëgjoj. Duart tuaja janë tërë gjak. Lahuni, pastrohuni. M’i hiqni sysh ligësitë tuaja. Mjaft bëtë keq.»​—Isa. 1:11-16.

16. Çfarë e përcakton nëse një flijim është i pranueshëm për Perëndinë?

16 Jehovai nuk kënaqej me flijimet e mëkatarëve të papenduar. Megjithatë, lutjet dhe blatimet e atyre që përpiqeshin sinqerisht të jetonin sipas urdhërimeve të Perëndisë, ishin të pranueshme për të. Aspektet bazë të Ligjit u mësonin këtyre individëve se ishin mëkatarë dhe kishin nevojë për faljen e mëkateve. (Gal. 3:19) Kjo vetëdije i bënte me të drejtë të ndienin keqardhje nga zemra. Po ashtu sot, duhet të pranojmë se kemi nevojë për flijimin e Krishtit, i cili është vërtet në gjendje të shlyejë mëkatet. Nëse e kuptojmë dhe e vlerësojmë këtë, atëherë Jehovai ‘do të kënaqet’ me gjithçka që i ofrojmë në shërbimin tonë si adhurues të kushtuar.​Lexo Psalmin 51:17, 19.

TË TREGOJMË BESIM TE FLIJIMI I JEZUIT

17-19. (a) Si mund t’ia tregojmë në mënyrë të përshtatshme Jehovait mirënjohjen tonë për flijimin shpërblyes të Jezuit? (b) Për çfarë do të flasim në artikullin vijues?

17 Epërsia që kemi ne ndaj atyre që jetonin në kohën para krishterimit, është se nuk kemi vetëm «një hije» të qëllimeve të Perëndisë. (Hebr. 10:1) Ligjet për flijimet i nxitnin judenjtë të zhvillonin qëndrimet e duhura për të fituar një marrëdhënie të mirë me Perëndinë​—mirënjohje të sinqertë për të, dëshirën për t’i dhënë më të mirën dhe pranimin e nevojës për shpengim. Falë shpjegimeve në Shkrimet e Krishtere Greke mund të kuptojmë se, nëpërmjet shpërblesës, Jehovai do të heqë njëherë e mirë pasojat e mëkatit dhe se që tani na lejon të kemi një ndërgjegje të pastër para tij. Flijimi shpërblyes i Jezuit është një masë e mrekullueshme!​—Gal. 3:13; Hebr. 9:9, 14.

18 Patjetër, që të nxjerrim dobi nga flijimi shpërblyes, nuk mjafton vetëm të kuptojmë se çfarë është ai. Apostulli Pavël shkroi: «Ligji është bërë edukatori ynë që çon te Krishti, që të shpallemi të drejtë falë besimit.» (Gal. 3:24) Ky besim nuk mund të jetë pa vepra. (Jak. 2:26) Prandaj, Pavli i nxiti të krishterët e shekullit të parë që njihnin aspektet bazë të njohurisë që përcillte Ligji i Moisiut, ta vinin në praktikë këtë njohuri. Kështu sjellja e tyre do të ishte në harmoni me parimet hyjnore që u mësonin të tjerëve.​Lexo Romakëve 2:21-23.

19 Ndonëse të krishterëve sot nuk u kërkohet të zbatojnë Ligjin e Moisiut, prapëseprapë duhet të paraqitin flijime të pranueshme për Jehovain. Në artikullin vijues do të flasim se si mund ta bëjmë këtë.

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 17]

Kërkesat bazë të Jehovait për shërbëtorët e tij nuk ndryshojnë kurrë

[Figura në faqen 18]

Cilën kafshë do t’i paraqitje Jehovait?

[Figura në faqen 19]

Ata që i paraqitin Jehovait flijime të pranueshme gëzojnë miratimin e tij