Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Afrojuni Perëndisë

«Unë nuk do të të harroj»

«Unë nuk do të të harroj»

A INTERESOHET vërtet Jehovai për popullin e tij? Nëse po, sa shumë interesohet? Ka vetëm një mënyrë për të marrë përgjigjet e këtyre pyetjeve: me anë të fjalëve të vetë Perëndisë. Në Bibël, Jehovai tregon qartë si ndihet. Shqyrto fjalët që gjenden tek Isaia 49:15.

Me anë të Isaisë, Jehovai përmend një nga shembujt më prekës që mund të imagjinojmë, që të ilustrojë ndjenjat e thella për popullin e tij. Ai fillon me këtë pyetje që të vë në mendime: «A mund ta harrojë një grua foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut?» Në pamje të parë, përgjigjja duket e qartë. E si mund ta harrojë foshnjën e gjirit nëna që mënd? Foshnja e saj varet krejtësisht nga ajo, ditë e natë, dhe e sinjalizon kur ka nevojë për vëmendje. Por pyetja e Jehovait përfshin më tepër se kaq.

Pse nëna e mënd dhe kujdeset për çdo nevojë të foshnjës? Vetëm për ta qetësuar ngaqë qan? Jo. Një nëne i vjen keq natyrshëm për «fëmijën e barkut». Folja hebraike që këtu përkthehet ‘më vjen keq’, ka edhe kuptimin «tregoj mëshirë». (Dalja 33:19; Isaia 54:10) Kjo fjalë hebraike mbart edhe idenë e dhembshurisë së butë për të pambrojturit e të dobëtit. Dhembshuria e nënës për foshnjën e gjirit është një nga ndjenjat më të thella që mund të marrim me mend.

Por, mjerisht, jo çdo nëne i vjen keq për foshnjën që mezi pret të mëndet në gjirin e saj. Ja pse Jehovai thotë: «Edhe sikur ato të harrojnë.» Jetojmë në një botë ku shumë burra e gra janë «të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme». (2 Timoteut 3:1-5) Ndonjëherë dëgjojmë për nëna që e lënë pas dore beben e sapolindur, abuzojnë me të ose e braktisin. Një vepër shpjeguese biblike që komenton Isainë 49:15, thotë: «Nënat janë mëkatare dhe ndonjëherë mizoria ua mposht dashurinë. Edhe dashuria më e madhe njerëzore mund të dështojë.»

Jehovai na siguron: «Unë nuk do të të harroj.» Tani nisim të kuptojmë pse Jehovai e ngriti pyetjen tek Isaia 49:15. Këtu ai po bën më tepër kontrast, sesa krahasim. Nëna të papërsosura mund të mos ia dalin t’i tregojnë dhembshuri foshnjës së pambrojtur. Ndërsa Jehovai kurrë nuk do të dështojë a të harrojë t’u shfaqë dhembshuri adhuruesve të tij në nevojë. Ja pse, vepra shpjeguese e përmendur më lart thotë për Isainë 49:15: «Kjo është një nga shprehjet më të forta të dashurisë së Perëndisë, për të mos thënë më e forta në Dhiatën e Vjetër.»

A nuk marrim zemër kur mësojmë për ‘dhembshurinë e butë të Perëndisë tonë’? (Luka 1:78) Pse të mos mësosh si t’i afrohesh Jehovait? Ky Perëndi i dashur i siguron adhuruesit e tij: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»​—Hebrenjve 13:5.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë shkurtit:

Isaia 43-62