Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta në kohët biblike​—Muzikantët dhe veglat e tyre muzikore

Jeta në kohët biblike​—Muzikantët dhe veglat e tyre muzikore

Jeta në kohët biblike​—Muzikantët dhe veglat e tyre muzikore

«Lëvdojeni [Perëndinë], duke i rënë bririt! Lëvdojeni me veglën me tela e me harpë! Lëvdojeni me dajre e me valle! Lëvdojeni, duke u rënë telave dhe pipëzës! Lëvdojeni me tingujt e ëmbël të cimbaleve! Lëvdojeni me cimbale kumbuese!»​—PSALMI 150:3-5.

PREJ kohësh muzika dhe muzikantët kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në adhurimin e Perëndisë Jehova. Për shembull, kur Jehovai i çliroi izraelitët përmes Detit të Kuq me anë të një mrekullie, motra e Moisiut, Miriami, u priu grave në këngë e valle fitoreje. Ndërsa hidhnin valle, kërcimtarët u binin dajreve. Kjo ngjarje tregon sa e rëndësishme ishte muzika për izraelitët. Sapo i kishin shpëtuar ushtrisë egjiptiane, e prapëseprapë mjaft nga gratë mbanin me vete vegla muzikore, gati për t’i përdorur. (Dalja 15:20) Më vonë, mbreti David mori masa që mijëra muzikantë t’u binin veglave muzikore në tabernakull si pjesë e adhurimit. Ky organizim vazhdoi në tempullin që ndërtoi i biri, Solomoni.​—1 Kronikave 23:5.

Me se bëheshin këto vegla muzikore? Ç’pamje kishin? Ç’tinguj nxirrnin? Kur përdoreshin?

Llojet e veglave muzikore

Veglat muzikore që përshkruhen në Bibël bëheshin me dru të çmuar, me lëkurë të tendosur kafshësh, me metale, me brirë dhe me kocka. Ndërsa të tjera ishin të veshura me fildish. Telat bëheshin me fibra bimësh ose me zorrë kafshësh. Sot nuk ka mbijetuar thuajse asnjë vegël muzikore e lashtë, por kanë mbijetuar figurat e tyre.

Veglat muzikore që përdoreshin në kohët biblike mund t’i ndajmë në tri kategori kryesore: vegla me tela, si harpa, lira (1), llauta (2); vegla frymore, si briri ose shofari (3), trumbeta (4), fyelli aq i dashur ose pipëza (5); vegla të perkusionit, si dajrja (6), sistra (7), cimbalet (8), zilet (9). Muzikantët u binin këtyre veglave që të shoqëronin poezitë, vallet plot gjallëri dhe të kënduarit. (1 Samuelit 18:6, 7) Ç’është më e rëndësishmja, i përdornin në adhurimin e Perëndisë, i cili i kishte bekuar me dhuratën e muzikës. (1 Kronikave 15:16) Të shqyrtojmë nga afër secilën kategori.

Veglat me tela: Harpa dhe lira ishin vegla me tela të tendosur mbi një skelet druri, ishin të lehta e kështu barteshin kollaj. Davidi i ra një vegle me tela që të qetësonte shpirtin e trazuar të mbretit Saul. (1 Samuelit 16:23) Gjatë kushtimit të tempullit të Solomonit orkestra përdori vegla të tilla. Ato u përdorën edhe në raste të tjera të gëzueshme, si në festa.​—2 Kronikave 5:12; 9:11.

Zakonisht llauta kishte formë tjetër nga harpa. Shpesh përbëhej nga disa tela të tendosur në një kasë kumbuese. Telat që dridheshin mund të nxirrnin tinguj melodikë që nuk ndryshonin shumë nga tingujt e kitarës së zakonshme sot. Telat bëheshin me fibra të përdredhura perimesh ose me zorrë kafshësh.

Veglat frymore: Këto vegla përmenden shpesh në Bibël. Një nga veglat më të lashta është briri judaik, që njihej si shofari. Ky bri dashi i zgavërt nxirrte tinguj kumbues e të mprehtë. Izraelitët përdornin shofarin që të mblidhnin trupat në betejë dhe ta sinjalizonin kombin të vepronte.​—Gjykatësit 3:27; 7:22.

Një tjetër vegël frymore ishte trumbeta prej gypi të metaltë. Një dokument i gjetur mes rrotullave të Detit të Vdekur tregon se, me këto vegla, muzikantët mund të nxirrnin një shumëllojshmëri të mahnitshme tingujsh. Jehovai e udhëzoi Moisiun të bënte dy trumbeta argjendi që të përdoreshin në tabernakull. (Numrat 10:2-7) Më vonë, gjatë përurimit të tempullit të Solomonit, atmosferën festive e pasuroi tingulli i fuqishëm i 120 trumbetave. (2 Kronikave 5:12, 13) Zejtarët bënin trumbeta të gjatësive të ndryshme. Madje disa ishin më të gjata se 91 centimetra nga pjesa ku vihej buza deri te pjesa në formë hinke.

Një vegël frymore e preferuar e izraelitëve ishte fyelli. Tingulli i tij i këndshëm e melodik ua çonte shpirtin peshë njerëzve në grumbullime familjare, në bankete e në dasma. (1 Mbretërve 1:40; Isaia 30:29) Tingulli lirik i fyellit mund të dëgjohej edhe në funerale, ku muzikantët luanin këngë gjatë vajtimit (shih faqen 14).​—Mateu 9:23.

Veglat e perkusionit: Kur izraelitët festonin, përdornin një sërë veglash muzikore të perkusionit. Tingujt ritmikë ngjallnin ndjenja të forta. Dajrja, e cila përbëhej nga lëkurë kafshësh e tendosur fort në një skelet druri të rrumbullakët, nxirrte një tingull si të daulles ndërkohë që muzikanti ose valltari e godiste me dorë. Kur muzikanti e tundte dajren, zilet e lidhura lehtas tringëllinin ritmikisht.

Një tjetër vegël e perkusionit ishte sistra. Kishte skelet metali në formë vezake, një dorezë dhe shufra horizontale me disqe metalike që lëviznin lirshëm. Kur tundej shpejt para-prapa, sistra tringëllinte fort.

Cimbalet prej bronzi nxirrnin tinguj edhe më të mprehtë. Ato ishin disqe me dy përmasa. Cimbalet e mëdha kumbuese i përplasnin fort me njëri-tjetrin. Kurse cimbalet më të vogla melodike i përplasnin me dy gishta. Të dyja kumbonin, por me intensitete të ndryshme.​—Psalmi 150:5.

Ndjekin modelin

Sot Dëshmitarët e Jehovait i nisin e i mbarojnë me muzikë e këngë mbledhjet për adhurim. Në mbledhjet më të mëdha, muzika orkestrale e incizuar që dëgjohet, është luajtur me versione moderne të veglave muzikore me tela, frymore dhe të perkusionit.

Duke përfshirë muzikë e këngë në adhurim, Dëshmitarët ndjekin modelin e lënë nga izraelitët e lashtë dhe nga të krishterët e shekullit të parë. (Efesianëve 5:19) Si shërbëtorët e Perëndisë në kohët biblike, Dëshmitarët e Jehovait sot kënaqen teksa ndërthurin poezinë me melodinë, që të lëvdojnë Jehovain.

[Figurat në faqen 23]

(Veglat nuk janë në përmasa reale)

(Shih botimin)