Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë gjithë «të krishterët» të krishterë?

A janë gjithë «të krishterët» të krishterë?

A janë gjithë «të krishterët» të krishterë?

SA TË krishterë ka sot? Sipas Atlasit të krishterimit global (anglisht), në vitin 2010 kishte thuajse 2,3 miliardë të krishterë në mbarë botën. Por i njëjti botim tregonte se ata të krishterë ishin të ndarë në më tepër se 41.000 grupe fetare, ku secili kishte doktrinat dhe rregullat e veta të sjelljes. Për shkak të kësaj larmie marramendëse të feve «të krishtere», kuptohet pse disa veta pështjellohen, madje zhgënjehen. Mbase pyesin veten: «A janë vërtet të krishterë tërë ata që pohojnë se janë të krishterë?»

Le ta shqyrtojmë këtë çështje nga një këndvështrim tjetër. Zakonisht, një udhëtari i kërkohet ta deklarojë shtetësinë në kufi. Gjith­ashtu duhet të vërtetojë se është personi që pohon, duke treguar ndonjë mjet identifikimi, ndoshta një pasaportë. Në mënyrë të ngjashme, i krishteri i vërtetë nuk duhet vetëm të pohojë se beson te Krishti. Duhet të ketë shenja të tjera identifikuese. Cilat janë ato?

Termi «i krishterë» nisi të përdorej për herë të parë diku pas vitit 44 të e.s. Historiani biblik, Luka, raporton: «Dishepujt u quajtën të krishterë, me anë të drejtimit hyjnor, për herë të parë në Antioki.» (Veprat 11:26) Vër re se ata që u quajtën të krishterë, ishin dishepuj të Krishtit. Çfarë do të thotë të jesh dishepull i Krishtit? Një fjalor teologjik shpjegon: «Të ndjekësh Jezuin si dishepull do të thotë ta sakrifikosh tërë jetën pa kushte . . . për sa kohë je gjallë.» (The New International Dictionary of New Testament Theology) Prandaj, i krishterë i vërtetë është ai që i ndjek pa kushte të gjitha mësimet dhe udhëzimet e Jezuit, Themeluesit të Krishterimit.

A është e mundur t’i gjesh sot këta njerëz mes shumë atyre që pohojnë se janë të krishterë? Çfarë tha Jezui se do t’i identifikonte dishepujt e tij të vërtetë? Të ftojmë të shqyrtosh si u përgjigjet Bibla këtyre pyetjeve. Në artikujt vijues, do të shqyrtojmë pesë pohime të Jezuit, të cilat karakterizojnë dishepujt e tij të vërtetë dhe na ndihmojnë t’i identifikojmë. Do të shqyrtojmë si treguan të krishterët e shekullit të parë se i kishin këto karakteristika. Po ashtu do të përpiqemi të kuptojmë cilët mes shumë atyre që pohojnë se janë të krishterë sot, po e ndjekin modelin e tyre.