Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Qëndroni në fjalën time»

«Qëndroni në fjalën time»

«Qëndroni në fjalën time»

«Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.»​—GJONI 8:31, 32.

Domethënia: ‘Fjala’ e Jezuit janë mësimet e tij, të cilat erdhën nga një burim më i lartë. Jezui tha: «Vetë Ati që më dërgoi, më urdhëroi se çfarë të them e çfarë të flas.» (Gjoni 12:49) Kur iu lut Atit të tij qiellor, Perëndisë Jehova, Jezui tha: «Fjala jote është e vërteta.» Ai e citoi shpesh Fjalën e Perëndisë për të mbështetur mësimet e tij. (Gjoni 17:17; Mateu 4:4, 7, 10) Prandaj, të krishterët e vërtetë ‘qëndrojnë në fjalën e tij’, domethënë, pranojnë se Fjala e Perëndisë, Bibla, është «e vërteta» dhe autoriteti suprem për bindjet dhe praktikat e tyre.

A e kishin të krishterët e hershëm këtë karakteristikë? Apostulli Pavël, shkrimtari i krishterë që ka shkruar më tepër pjesë të Biblës, tregoi të njëjtin respekt si Jezui për Fjalën e Perëndisë. Ai shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.» (2 Timoteut 3:16) Burrat që ishin caktuar të mësonin të krishterët e tjerë, duhej ‘të mbaheshin fort pas Fjalës së Perëndisë që është e sigurt dhe e besueshme’. (Titit 1:7, 9, The Amplified Bible) Të krishterët e hershëm i këshilluan të hidhnin poshtë ‘filozofinë dhe mashtrimet boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit’.​—Kolosianëve 2:8.

Cilët e ndjekin modelin e tyre sot? Sipas Katekizmit të Kishës Katolike thuhet: «Kisha [Katolike] nuk e mbështet vetëm në Shkrimet e Shenjta sigurinë për çdo gjë që është zbuluar. Prandaj, si tradita e shenjtë, edhe Shkrimet e Shenjta duhen pranuar dhe përnderuar me të njëjtën besnikëri dhe përnderim.» Një artikull i revistës Maclean’s citonte një shërbëtore fetare në Toronto, Kanada, që pyeti: «Pse u dashka të na udhëheqë një zë ‘revolucionar’ dy mijë vjet i lashtë? Ne kemi idetë tona të mahnitshme, të cilat po dobësohen gjithnjë e më tepër ngaqë na duhet t’i lidhim me Jezuin dhe me Shkrimet.»

Në lidhje me Dëshmitarët e Jehovait, një enciklopedi katolike thotë: «Për ta, Bibla është i vetmi burim për besimin dhe i vetmi standard për sjelljen.» (New Catholic Encyclopedia) Kohët e fundit, një burrë në Kanada ndërpreu një Dëshmitare të Jehovait teksa ajo prezantohej: «E di kush je,—tha ai dhe drejtoi gishtin nga Bibla.—Kjo ju dallon juve.»