Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ua kam bërë të njohur emrin tënd»

«Ua kam bërë të njohur emrin tënd»

«Ua kam bërë të njohur emrin tënd»

«Unë ua kam shfaqur emrin tënd njerëzve që më dhe nga bota. . . . Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur.»​—GJONI 17:6, 26.

Domethënia: Jezui e bëri të njohur emrin e Perëndisë duke e përdorur në shërbim. Kur lexonte nga shkrimet, siç bënte shpesh, ai e shqiptonte emrin e Perëndisë. (Luka 4:16-21) Jezui i mësoi dishepujt të luteshin: «Atë, u shenjtëroftë emri yt.»​—Luka 11:2.

A e kishin të krishterët e hershëm këtë karakteristikë? Apostulli Pjetër u tha pleqve në Jerusalem se Perëndia kishte nxjerrë nga kombet «një popull për emrin e tij». (Veprat 15:14) Apostujt bashkë me të tjerë predikuan se «kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë». (Veprat 2:21; Romakëve 10:13) Ata e përdorën emrin hyjnor edhe në shkrimet e tyre. Tosefta, një përmbledhje me ligje judaike që u përfundua rreth vitit 300 të e.s., tregon për djegien e shkrimeve të krishtere nga kundërshtarët: «Ata nuk i mbrojnë nga zjarri librat e ungjillëzuesve dhe të minimëve [që mendohej se ishin të krishterët judenj]. I lënë të digjen aty ku janë, . . . librat dhe referimet me Emrin Hyjnor që gjenden në to.»

Cilët e ndjekin modelin e tyre sot? Një përkthim i Biblës (Revised Standard Version) i autorizuar nga Këshilli Kombëtar i Kishave të Krishtit në Shtetet e Bashkuara, thotë në parathënie: «Çfarëdo emri i përshtatshëm për Perëndinë e vetëm, sikur të kishte perëndi të tjera nga të cilat duhej dalluar, nuk u përdor më në judaizëm përpara epokës së krishterë, dhe ky përdorim është krejt i papërshtatshëm për besimin universal të Kishës së Krishterë.» Kështu, emri hyjnor u zëvendësua me një titull, «Zot». Kohët e fundit, Vatikani u dha këtë direktivë peshkopëve: «Emri i Perëndisë në formën e tetragramit JHVH *, as duhet përdorur, as duhet shqiptuar në këngë dhe në lutje.»

Cilët e përdorin dhe e bëjnë të njohur emrin e Perëndisë sot? Kur Sergei ishte adoleshent në Kirgizistan, pa një film ku emri i Perëndisë dilte Jehova. Për nja dhjetë vjet, ai nuk e dëgjoi më emrin hyjnor. Më vonë, pasi Sergei u transferua në Shtetet e Bashkuara, dy Dëshmitare të Jehovait e vizituan në shtëpi dhe i treguan emrin e Perëndisë në Bibël. Sergei u emocionua kur zbuloi një grup që përdorte emrin Jehova. Është interesante se një fjalor e përkufizon Perëndinë Jehova si «një hyjni supreme të njohur, Perëndia i vetëm që adhurojnë Dëshmitarët e Jehovait».​—Webster’s Third New International Dictionary.

[Shënimi]

^ par. 5 Zakonisht në shqip emri hyjnor transliterohet «Jehova».