Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Actekët e sotëm bëhen të krishterë të vërtetë

Actekët e sotëm bëhen të krishterë të vërtetë

Actekët e sotëm bëhen të krishterë të vërtetë

«Tempujt ranë dhe u bënë shkrumb e hi, idhujt u shkatërruan dhe librat e shenjtë u përpinë nga flakët, por perënditë e lashta vazhdojnë të jetojnë në zemrat e indianëve.»​—Las antiguas culturas mexicanas (Kulturat e lashta meksikane).

MEKSIKA është shtëpia e actekëve të cilët, nga një fis i vogël emigrantësh në shekullin e 13-të, u bënë perandori e ngjashme me atë të inkasve në Peru. Ndonëse perandoria acteke ra kur spanjolli Hernan Kortes pushtoi Tenoçtitlanin në vitin 1521, gjuha e actekëve, nahuatlja, nuk është zhdukur aspak. * Ajo flitet nga rreth një milion e gjysmë indigjenë në të paktën 15 shtete të Meksikës. Kjo ka ndihmuar që të ruhen disa prej besimeve të lashta acteke, siç vërejti më sipër studiuesi Valter Krikeberg. Cilat ishin disa nga këto besime?

Tradita të çuditshme, por të zakonshme

Mbase praktika më e famshme e actekëve është flijimi i njerëzve. Ai bazohej në bindjen se dielli do të vdiste po të mos ushqehej me zemrën dhe gjakun e njerëzve. Sipas fratit spanjoll Diego Duran, në vitin 1487, me rastin e kushtimit të tempullit të madh në formë piramide të Tenoçtitlanit, u flijuan mbi 80.000 viktima për katër ditë.

Edhe pse spanjollët u tmerruan nga kjo praktikë, u habitën kur zbuluan se shumë bindje të tjera acteke ngjanin me ato të Kishës së tyre Katolike. Për shembull, actekët praktikonin një formë kungimi gjatë të cilit hanin shëmbëlltyra të perëndive të bëra me misër. Po ashtu, ndonjëherë hanin edhe mishin e viktimave të flijuara. Actekët përdornin kryqin dhe praktikonin rrëfimin me gojë dhe pagëzimin e foshnjave. Ndoshta ngjashmëria më e habitshme ishte adhurimi i Tonacinit, virgjëreshës «Nëna e Perëndive», të cilën actekët e quajnë me përzemërsi «Nëna jonë e vogël».

Pikërisht në kodrën ku actekët adhuronin Tonacinin, thuhet se virgjëresha zeshkane katolike e Guadalupes që flet nahuatl, i është shfaqur një indiani actek në vitin 1531. Kjo e përshpejtoi kthimin e actekëve në katolikë. Në themelet e tempullit të Tonacinit u ngrit një faltore e virgjëreshës Guadalupe. Më 12 dhjetor, bazilikën e saj e vizitojnë qindra mijë meksikanë të përkushtuar, mjaft nga të cilët flasin gjuhën nahuatle.

Në komunitetet e tyre të thella në male, nahuatlfolësit mbajnë shumë festa kushtuar shenjtorëve mbrojtës, e disa zgjatin për ditë ose javë të tëra. Libri El universo de los aztecas (Universi i actekëve) komenton se indigjenët «e lidhin adhurimin e shenjtorëve të Kishës Katolike me ceremonitë që praktikoheshin para Kortesit». Gjithashtu, nahuatlfolësit janë tepër të përfshirë në spiritizëm. Kur sëmuren, shkojnë te shërues që praktikojnë pastrimin ritual dhe flijimin e kafshëve. Për më tepër është i përhapur analfabetizmi, pasi shumica nuk lexojnë as spanjisht, as nahuatl. Meqë janë shumë të dhënë pas traditave dhe gjuhës së tyre, e ngaqë janë tejet të varfër, shoqëria i shpërfill.

E vërteta biblike arrin actekët e sotëm

Për shumë vjet, Dëshmitarët e Jehovait në Meksikë janë përpjekur t’u japin të gjithëve ‘lajmin e mirë për mbretërinë’. (Mateu 24:14) Në vitin 2000, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë nisi një projekt që t’u predikohej gjithë nahuatlfolësve në gjuhën e tyre dhe që të organizoheshin kongregacione në këtë gjuhë për ata që ndiqnin mbledhjet në spanjisht. U formua një grup përkthimi që të përkthente literaturë biblike në gjuhën nahuatle. Gjithashtu u bënë përpjekje që t’u mësonin nahuatlfolësve shkrimin e leximin e gjuhës së tyre. Cili ishte rezultati? Lexo përvojat e mëposhtme.

Kur një grua indigjene dëgjoi për herë të parë një fjalim biblik në gjuhën nahuatle, tha me entuziazëm: «I kemi ndjekur mbledhjet në spanjisht për dhjetë vjet dhe kemi ikur me dhembje koke ngaqë s’kuptonim shumë. Kurse tani është sikur ta nisim jetën nga e para.» Huani gjashtëdhjetë vjeç studionte Biblën dhe ndiqte mbledhjet në spanjisht me gruan e fëmijët për tetë vjet, pa bërë përparim. Më pas filloi të studionte në gjuhën nahuatle dhe brenda një viti u bë Dëshmitar i pagëzuar.

Siç e tregojnë këto përvoja, edhe pse mjaft veta fillimisht e dëgjuan në spanjisht mesazhin e Biblës, nuk e kuptuan plotësisht domethënien e tij. Mbledhjet, asambletë dhe botimet në gjuhën e tyre i kanë ndihmuar të përqafojnë të vërtetën biblike dhe të kuptojnë përgjegjësitë e krishtere.

Kapërcejnë pengesat

Përparimi frymor mes nahuatlfolësve ka pasur pengesat e veta. Për shembull, u bëhet shumë presion që të marrin pjesë në festat fetare. Në San-Agustin-Opan, Dëshmitarët e Jehovait nuk i linin të predikonin shtëpi më shtëpi nga frika se mos njerëzit nuk jepnin më para që të mbështetnin festat. Kur Florensio dhe një grup i vogël Dëshmitarësh nahuatl po predikonin, tre prej tyre i arrestuan. Brenda 20 minutash u mblodh një turmë që të vendosnin ç’do të bënin me ta.

Florensio kujton: «Donin të na vritnin në vend. Disa sugjeruan të na lidhnin e të na hidhnin në lumë që të mbyteshim. E kaluam natën në burg. Ditën tjetër erdhën për ndihmë një Dëshmitar avokat dhe dy vëllezër të tjerë. Edhe ata i futën në burg. Në fund autoritetet na liruan me kusht që të iknim nga qyteti.» Pavarësisht nga kjo përvojë, një vit më vonë u formua një kongregacion me 17 Dëshmitarë të pagëzuar dhe 50 veta ndjekin mbledhjet.

Në komunitetin nahuatl të Koapalës, Alberton, një Dëshmitar të Jehovait, e ftuan të merrte pjesë në një festë vendëse. Ai s’pranoi dhe e burgosën. U bë një mbledhje e komunitetit dhe disa bërtitnin që ai të varej, që të frikësohej kushdo që do të donte të bashkohej me fenë e tij e të linte zakonet vendëse. Disa Dëshmitarë të tjerë u munduan ta lironin, por edhe ata i arrestuan. Kur mbaroi festa, që zgjati një javë, të gjithë u liruan. Ndërsa kundërshtimi vazhdonte, u bë e nevojshme t’u kërkohej ndihmë zyrtarëve të lartë, të cilët nxorën një urdhër që i dha fund përndjekjes. Është interesante se, pak më vonë, kundërshtari kryesor pranoi të vërtetën biblike dhe u pagëzua. Tani në atë qytet ka një kongregacion.

Gati për korrje

Tek shohin mundësinë për rritje në fushën nahuatle, mjaft Dëshmitarë po e mësojnë këtë gjuhë. Por kjo ka sfidat e veta. Nahuatlfolësit janë shumë të ndrojtur dhe ngurrojnë të flasin në gjuhën e tyre për shkak të trajtimit që u kanë bërë. Ka edhe mjaft dialekte.

Sonia, një shërbëtore në kohë të plotë, shpjegon pse vendosi të mësonte gjuhën nahuatle. Ajo tha: «Dy orë larg shtëpisë sime ka rreth 6.000 punëtorë nahuatl që kanë migruar, të cilët jetojnë në streha që ruhen me roje. Njerëzit aty janë të kërcënuar e të poshtëruar. Gjendja e tyre më trishton tepër, pasi nahuatlfolësit dikur ishin popull krenar, djepi i kulturës sonë. Kishim 20 vjet që u predikonim në spanjisht, megjithatë nuk kuptonin tamam dhe tregonin pak interes. Por, kur mësova disa fjalë në gjuhën e tyre, u krijuan më shumë mundësi që t’u flitja. Mblidheshin rrotull meje që të dëgjonin. I thashë një gruaje se do t’i mësoja shkrim e lexim nëse më mësonte gjuhën nahuatle. Tani më njohin në të gjitha strehët si ‘gruaja që flet nahuatl’. Ndihem si misionare në vendin tim.» Sot, në atë zonë ka një kongregacion të gjuhës nahuatle.

Marisela, një tjetër shërbëtore në kohë të plotë, po bën çmos të mësojë nahuatl. Në fillim drejtonte një studim biblik në spanjisht me Feliksin 70-vjeçar. Teksa mësonte më mirë gjuhën nahuatle, Marisela nisi t’ia shpjegonte gjërat në gjuhën e tij. Kjo ndikoi shkëlqyeshëm tek ai. Sa u prek kur Feliksi e pyeti: «A më dëgjon Jehovai kur i flas në gjuhën nahuatle?» Feliksi u kënaq kur mori vesh se Jehovai i kupton të gjitha gjuhët. Ai shkon rregullisht në mbledhje, ndonëse i duhet të ecë për një orë e gjysmë dhe tani është i pagëzuar. Marisela thotë: «Sa e lumtur jam që bashkëpunoj me engjëllin që ka një lajm të mirë për t’ia shpallur çdo populli!»​—Zbulesa 14:6, 7.

Vërtet, fusha e gjuhës nahuatle është ‘e bardhë për korrje’. (Gjoni 4:35) Lutemi që Perëndia Jehova të vazhdojë të ftojë njerëz nga të gjitha kombet, përfshirë actekët e sotëm fisnikë, që të ngjiten në malin e tij dhe të mësojnë udhët e tij.​—Isaia 2:2, 3.

[Shënimi]

^ par. 3 Gjuha nahuatle hyn në familjen e gjuhëve uto-acteke që fliten nga fise të tilla, si: hopët, shoshonët dhe komançët e Amerikës së Veriut. Mjaft fjalë të gjuhës nahuatle, si avokado, çokollatë janë futur edhe në shqip.

[Harta në faqen 13]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

QYTETI I MEKSIKOS

SHTETE ME POPULLSI ACTEKE

150.000 BANORË

NËN 1.000 BANORË