Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A mund të bëhet aq i keq zakoni i pornografisë, saqë një i krishterë të përjashtohet nga kongregacioni?

▪ Po, mund të bëhet. Kjo thekson pse është jetësore të shmangim me forcë çdo lloj pornografie​—materiale të shkruara e figura—​në revista, në filma, në video dhe në Internet.

Pornografia është sheshit anembanë globit. Interneti e ka bërë më të kollajshme se kurrë gjetjen e materialeve pornografike dhe ka shtuar numrin e viktimave të kësaj murtaje të tmerrshme. Disa, të rinj e të moshuar, kanë hasur rastësisht site Interneti pornografike. Të tjerë janë futur me dashje, duke u ndier më të shpenguar ngaqë mund të lexojnë a të shohin fshehurazi materiale pornografike në shtëpi ose në zyrë. Përse të krishterët duhet të ruhen seriozisht nga rreziku i pornografisë?

Një arsye thelbësore e gjejmë në këtë paralajmërim të Jezuit: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Mat. 5:28) Kuptohet që marrëdhëniet seksuale normale janë me vend dhe burim kënaqësie mes të martuarve. (Prov. 5:15-19; 1 Kor. 7:2-5) Por pornografia nuk përqendrohet aty. Përkundrazi, ajo paraqet marrëdhënie seksuale të paligjshme që stimulojnë ato mendime imorale për të cilat na paralajmëroi Jezui. Qartë, të lexosh ose të shohësh pornografi është diçka që shkon hapur kundër drejtimit hyjnor: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.»​—Kolos. 3:5.

Po sikur një i krishterë të ketë parë pornografi një a dy herë? Në njëfarë kuptimi, rasti i tij mund të krahasohet me situatën e rrezikshme ku u gjend psalmisti Asaf: «Mirëpo mua, hapat gati m’u larguan nga udha, për pak më shkanë këmbët.» Si mund të ketë i krishteri ndërgjegje të pastër e të jetë në paqe me Perëndinë, nëse u ka ngulur sytë figurave pornografike të burrave a të grave të zhveshura ose të një çifti që kryen kurvëri? Edhe Asafi nuk ishte i qetë: «Gjithë ditën e ditës jam i plagosur në shpirt, i qortuar mëngjes për mëngjes.»​—Psal. 73:2, 14.

Një i krishterë që ka ngecur në këtë të keqe, duhet të zgjohet e të përballet me nevojën për ndihmë frymore. Këtë ndihmë mund ta gjejmë në kongregacion: «Edhe sikur një njeri të hedhë ndonjë hap të gabuar përpara se të jetë i vetëdijshëm për të, ju që keni kualifikime frymore, përpiquni ta ndreqni atë me një frymë butësie. Ndërkohë, secili të jetë vigjilent për veten.» (Gal. 6:1) Një ose dy pleq të krishterë mund t’i japin ndihmën e nevojshme, duke bërë edhe ‘lutje besimi që mund ta shërojnë të pamundurin dhe t’i falen mëkatet’. (Jak. 5:13-15) Ata që kanë kërkuar ndihmë për të hequr njollën e pornografisë, kanë parë sa mirë u ka bërë t’i afroheshin Perëndisë, ashtu si Asafi.​—Psal. 73:28.

Megjithatë, apostulli Pavël tha se disa që kishin mëkatuar, nuk u penduan «për ndyrësinë e tyre, për kurvërinë dhe sjelljen e shthurur». * (2 Kor. 12:21) Në lidhje me termin grek të përkthyer «ndyrësi», profesor Marvin R. Vinsenti shkroi se ka «kuptimin e papastërtisë që shkon deri në fëlliqësi». Është fakt i trishtueshëm që disa forma të pornografisë janë shumë më keq se thjesht skena lakuriqësie ose skena ku një burrë e një grua kryejnë kurvëri. Kjo lloj pornografie e fëlliqur dhe e urryer përfshin marrëdhëniet homoseksuale (seksin mes personave të së njëjtës gjini), marrëdhëniet seksuale në grup, marrëdhëniet seksuale me kafshët, pornografinë me fëmijët, përdhunimet nga disa persona radhazi, keqtrajtimin shtazarak të grave, lidhjen e personit gjatë marrëdhënieve seksuale ose torturat sadiste. Në kohën e Pavlit, disa që ishin «në errësirë mendërisht» nuk kishin «më asnjë ndjesi morale [dhe] u dhanë pas sjelljes së shthurur për të bërë me lakmi ndyrësi të çdo lloji».​—Efes. 4:18, 19.

Pavli e përmend ‘ndyrësinë’ edhe te Galatasve 5:19. Një studiues britanik vërejti se «në këtë varg ajo mund [të nënkuptojë] në veçanti të gjitha format e panatyrshme të epshit». A ka ndonjë të krishterë që do ta mohonte se llojet e lartpërmendura të urryera dhe degjeneruese në kuptimin seksual të pornografisë, janë forma «të panatyrshme të epshit» dhe të fëlliqura? Te Galatasve 5:19-21, Pavli nxori përfundimin se «ata që praktikojnë» ndyrësi të tillë «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». Për këtë arsye, sikur dikush të ketë zakonin e rrënjosur të shikimit dhe të leximit të formave të urryera të pornografisë që është degjeneruese në kuptimin seksual, mbase për një periudhë kohe të konsiderueshme, e të mos pendohet dhe të kthejë rrugë, ai nuk mund të mbetet pjesë e kongregacionit të krishterë. Duhet të përjashtohet që të ruhet pastërtia dhe fryma e kongregacionit.​—1 Kor. 5:5, 11.

Sa mirë që disa që kanë parë forma të urryera të pornografisë, kanë shkuar te pleqtë dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme frymore për të bërë ndryshime drastike. Jezui i kërkoi kongregacionit të Sardës së lashtë: «Forco ata që mbeten, të cilët gati po vdisnin, . . . mbaj parasysh se si e more e si e dëgjove fjalën, vazhdo ta zbatosh e pendohu. Sigurisht, nëse nuk zgjohesh, . . . s’do ta marrësh vesh se në ç’orë do të vij mbi ty.» (Zbul. 3:2, 3) Po, është e mundur të pendohemi e të shpëtojmë nga zjarri.​—Jud. 22, 23.

Sidoqoftë, është më mirë që secili prej nesh të jetë fortësisht i vendosur që as të mos i afrohet asaj situate të rrezikshme. Po, duhet të jemi plotësisht të vendosur për të shmangur të gjitha format e pornografisë!

[Shënimi]

^ par. 8 Në lidhje me dallimin mes ‘ndyrësisë, kurvërisë dhe sjelljes së shthurur’ shih Kullën e Rojës të 15 korrikut 2006, faqet 29-31.

[Diçitura në faqen 30]

Një i krishterë që ka ngecur në këtë të keqe, duhet të zgjohet e të përballet me nevojën për ndihmë frymore