Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezu Krishti: Pyetjet marrin përgjigje

Jezu Krishti: Pyetjet marrin përgjigje

Jezu Krishti: Pyetjet marrin përgjigje

«Çfarë thonë turmat: kush jam unë?»​—LUKA 9:18.

JEZUI ua bëri këtë pyetje dishepujve sepse e dinte që ekzistonin mendime të ndryshme për të. Por s’kishte arsye të vlefshme që njerëzit të ishin konfuzë. Jezui nuk ishte vetmitar e nuk vepronte në fshehtësi. Përkundrazi, shoqërohej hapur me të tjerët në fshatrat e qytetet e tyre. Predikonte e mësonte publikisht sepse donte që njerëzit ta njihnin të vërtetën për të.​—Luka 8:1.

E vërteta rreth Jezuit mund të dallohet në fjalët dhe veprimet e tij të dokumentuara në katër ungjijtë e Biblës​—Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Te ky dokumentim i frymëzuar do të bazohemi që të marrim përgjigjet e pyetjeve rreth Jezuit. *​—Gjoni 17:17.

PYETJA: A ka ekzistuar vërtet Jezui?

PËRGJIGJJA: Po. Historianët, përfshirë Jozefin dhe Tacitin e shekullit të parë, e përmendin Jezuin si personazh historik. Ç’është më e rëndësishmja, ungjijtë tregojnë në mënyrë bindëse se Jezui ishte person real, jo personazh i trilluar. Ky dokumentim është specifik dhe i hollësishëm kur përmend kohën dhe vendin e ngjarjeve. Për shembull, për të përcaktuar vitin kur Jezui filloi shërbimin, shkrimtari i Ungjillit, Luka, përmend shtatë zyrtarë qeveritarë. Emrat e tyre janë vërtetuar edhe nga historianët.​—Luka 3:1, 2, 23.

Provat se Jezui ka ekzistuar janë bindëse. Libri Prova për ekzistencën e Jezuit (anglisht) thotë: «Shumë studiues e pranojnë se në shekullin e parë ka jetuar një njeri i njohur si Jezui i Nazaretit.»

PYETJA: A është Jezui Perëndia?

PËRGJIGJJA: Jo. Jezui s’e konsideroi kurrë veten të barabartë me Perëndinë. Përkundrazi tregoi vazhdimisht se ishte më i ulët se Jehovai. * Për shembull, Jezui e quajti Jehovain «Perëndia im» dhe «të vetmin Perëndi të vërtetë». (Mateu 27:46; Gjoni 17:3) Vetëm dikush në një pozitë më të ulët do të përdorte shprehje të tilla për dikë tjetër. Një punëtor që e quan punëdhënësin «shefi im» ose «përgjegjësi», po tregon qartë se ka pozitë më të ulët.

Gjithashtu, Jezui tregoi se nuk ishte një person me Perëndinë. Një herë, ai u tha kundërshtarëve që sfiduan autoritetin e tij: «Në vetë Ligjin tuaj është shkruar: ‘Dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë.’ Unë jam njëri që jap dëshmi për veten time dhe Ati që më dërgoi, jep dëshmi për mua.» (Gjoni 8:17, 18) Jezui s’mund të jetë një person me Jehovain. Përndryshe, si mund të quhen dy dëshmitarë? *

PYETJA: A ishte Jezui vetëm një njeri i mirë?

PËRGJIGJJA: Jo. Ai ishte shumë më tepër. Jezui e kuptoi se pati një sërë rolesh të rëndësishme në përmbushjen e vullnetit të Perëndisë. Ja disa prej tyre:

‘Biri i vetëmlindur i Perëndisë.’ (Gjoni 3:18) Jezui e dinte nga e kishte origjinën. Jeta e tij filloi mjaft kohë para se të lindte në tokë. Ai shpjegoi: «Zbrita nga qielli.» (Gjoni 6:38) Jezui ishte krijesa e parë e Perëndisë dhe e ndihmoi për të krijuar gjithçka tjetër. Si i vetmi i krijuar drejtpërdrejt nga Perëndia, Jezui mund të quhej me të drejtë ‘Biri i vetëmlindur i Perëndisë’.​—Gjoni 1:3, 14; Kolosianëve 1:15, 16.

«Biri i njeriut.» (Mateu 8:20) Shumë herë Jezui tha se ishte «Biri i njeriut», shprehje që del rreth 80 herë në ungjij. Kjo shprehje tregon se ai ishte krejtësisht njeri dhe jo Perëndia i mishëruar. Në ç’mënyrë lindi si njeri Biri i vetëmlindur i Perëndisë? Me anë të frymës së shenjtë, Jehovai e transferoi jetën e të Birit në barkun e virgjëreshës judeje Mari, e kështu bëri të mundur ngjizjen. Si rrjedhojë, Jezui lindi pa mëkat e i përsosur.​—Mateu 1:18; Luka 1:35; Gjoni 8:46.

«Mësues.» (Gjoni 13:13) Jezui e bëri të qartë se vepra që i kishte dhënë Perëndia ishte ‘të mësonte dhe të predikonte lajmin e mirë’ për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 4:23; Luka 4:43) Me qartësi e thjeshtësi të jashtëzakonshme ai shpjegoi çfarë është Mbretëria e Perëndisë dhe ç’do të bëjë ajo për të përmbushur vullnetin e Jehovait.​—Mateu 6:9, 10.

«Fjala.» (Gjoni 1:1) Jezui shërbeu si zëdhënësi i Perëndisë; me anë të tij Perëndia u dha informacione e udhëzime të tjerëve. Jehovai e përdori Jezuin që t’ua jepte mesazhin e Tij njerëzve në tokë.​—Gjoni 7:16, 17.

PYETJA: A ishte Jezui Mesia i premtuar?

PËRGJIGJJA: Po. Profecitë biblike parathanë ardhjen e Mesisë ose të Krishtit, që do të thotë «I Mirosuri». Mesia i Premtuar do të luante rol kyç në përmbushjen e qëllimit të Jehovait. Në një rast, një grua samaritane i tha Jezuit: «Unë e di se po vjen Mesia, i cili quhet Krisht.» Më pas Jezui i tha qartë: «Unë që po të flas, jam ai.»​—Gjoni 4:25, 26.

A ka ndonjë provë se Jezui ishte vërtet Mesia? Ka tri linja dëshmish që, së bashku, japin prova të pakundërshtueshme, ashtu si shenjat e gishtave identifikojnë vetëm një person. A të çojnë te Jezui këto shenja? Le ta shqyrtojmë.

Gjenealogjia. Bibla paratha se Mesia do të vinte nga Abrahami e më pas nga linja familjare e Davidit. (Zanafilla 22:18; Psalmi 132:11, 12) Jezui ishte pasardhës i të dyve.​—Mateu 1:1-16; Luka 3:23-38.

Profeci të përmbushura. Shkrimet Hebraike përmbajnë dhjetëra profeci për jetën e Mesisë në tokë, përfshirë hollësi për lindjen dhe vdekjen e tij. Të gjitha profecitë u përmbushën te Jezui. Disa prej tyre ishin: lindi në Betlehem (Mikea 5:2; Luka 2:4-11), u thirr nga Egjipti (Hozea 11:1; Mateu 2:15) dhe e ekzekutuan pa i thyer asnjë kockë (Psalmi 34:20; Gjoni 19:33, 36). Jezui s’ka si t’i ketë manovruar rrethanat në jetë që t’u përshtatej elementeve që duheshin për të përmbushur të gjitha profecitë mesianike. *

Dëshmia e vetë Perëndisë. Kur lindi Jezui, Perëndia dërgoi engjëj që të lajmëronin barinjtë për lindjen e Mesisë. (Luka 2:10-14) Në disa raste gjatë shërbimit të Jezuit, Perëndia foli vetë nga qielli duke shprehur miratimin ndaj tij. (Mateu 3:16, 17; 17:1-5) Jehovai i dha Jezuit aftësi që të bënte mrekulli të fuqishme, e kështu siguroi prova të mëtejshme se Jezui ishte Mesia.​—Veprat 10:38.

PYETJA: Pse duhej të vuante e të vdiste Jezui?

PËRGJIGJJA: Jezui ishte pa mëkat, prandaj nuk e meritonte të vuante. Nuk e meritonte as ta gozhdonin në një shtyllë si kriminel e ta linin të vdiste në mënyrë çnderuese. Megjithatë, Jezui e priste një keqtrajtim të tillë dhe iu nënshtrua me gatishmëri.​—Mateu 20:17-19; 1 Pjetrit 2:21-23.

Profecitë mesianike parathoshin se Mesisë do t’i duhej të vuante e të vdiste që të mbulonte mëkatet e të tjerëve. (Isaia 53:5; Danieli 9:24, 26) Vetë Jezui tha se erdhi që ‘të jepte shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz’. (Mateu 20:28) Ata që besojnë në vlerën shpenguese të vdekjes së tij flijuese, kanë shpresën që të shpëtojnë nga mëkati e vdekja, si dhe të jetojnë përgjithmonë në Parajsën në tokë. *​—Gjoni 3:16; 1 Gjonit 4:9, 10.

PYETJA: A mund të besojmë vërtet se Jezui u ringjall nga të vdekurit?

PËRGJIGJJA: Po. Jezui priste i sigurt të ngrihej nga të vdekurit. (Mateu 16:21) Por është e rëndësishme të theksojmë se as Jezui, as shkrimtarët biblikë nuk pohuan asnjëherë se do të ngrihej nga të vdekurit si të ishte diçka normale. Ky do të ishte koncept i pabesueshëm. Me të drejtë Bibla thotë: «Perëndia e ringjalli, duke e liruar nga vargonjtë e vdekjes.» (Veprat 2:24) Nëse pranojmë se ka një Perëndi dhe se është Krijuesi i gjithçkaje, atëherë kemi çdo arsye të besojmë se ai mund ta ngrinte të Birin nga të vdekurit.​—Hebrenjve 3:4.

A ka dëshmi të besueshme se Jezui u ringjall? Shqyrto sa thuhet më poshtë.

Dëshmitarë okularë. Rreth 22 vjet pas vdekjes së Jezuit, apostulli Pavël shkroi se Jezuin e ringjallur e kishin parë mbi 500 dëshmitarë okularë dhe se shumica e tyre ishin ende gjallë kur Pavli shkroi këtë. (1 Korintasve 15:6) Dëshminë e një a dy dëshmitarëve është kollaj ta hedhësh poshtë, por kush mund të hedhë poshtë dëshminë e 500 dëshmitarëve okularë?

Dëshmitarë të besueshëm. Dishepujt e hershëm të Jezuit, të cilët ishin në pozitën më të mirë për të ditur se ç’ndodhi vërtet, shpallën me guxim se Jezui ishte ringjallur. (Veprat 2:29-32; 3:13-15) Ata e shihnin besimin te ringjallja e tij si diçka thelbësore të besimit të krishterë. (1 Korintasve 15:12-19) Ata dishepuj ishin gati të vdisnin, në vend se të mohonin besimin te Jezui. (Veprat 7:51-60; 12:1, 2) A njeh ndonjë që me vetëdije e gatishmëri do të vdiste për një gënjeshtër?

Kemi shqyrtuar përgjigjet e Biblës për gjashtë pyetje të rëndësishme rreth Jezuit. Përgjigjet na tregojnë qartë kush është ai. Por, a kanë vërtet rëndësi ato? Me fjalë të tjera, a ndryshon gjë për ty se çfarë zgjedh të besosh për Jezuin?

[Shënimet]

^ par. 4 Për një shqyrtim se si ndryshojnë ungjijtë e Biblës nga shkrimet e rreme për Jezuin, shih artikullin «Ungjijtë Apokrifë​—A janë të vërteta të fshehura rreth Jezuit?» në faqet 18, 19.

^ par. 9 Në Bibël, Jehova është emri i Perëndisë.

^ par. 10 Për një trajtim më të hollësishëm, shih artikullin «Bisedë me një të interesuar​—A është Jezui Perëndia?» në faqet 20-22.

^ par. 21 Për një listë me disa profeci që u përmbushën te Jezui, shih faqen 200 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?

^ par. 25 Për më shumë informacion rreth vlerës shpërblyese të vdekjes së Jezuit, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?