Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Ç’donte të thoshte Jezui kur tha shko edhe një kilometër?

Në Predikimin e famshëm në Mal, Jezui këshilloi: «Nëse dikush të detyron të ecësh me të një kilometër, shko me të dy kilometra.» (Mateu 5:41) Ka të ngjarë që dëgjuesit e Jezuit e lidhën këtë shprehje me shërbimin e detyrueshëm që autoritetet u kërkonin qytetarëve.

Në shekullin e parë të e.s., Izraeli ishte nën sundimin romak. Këta nuk ngurronin t’i merrnin në angari njerëzit a kafshët ose të shfrytëzonin çdo gjë tjetër që e konsideronin të nevojshme për të përshpejtuar punët e shtetit. Për shembull, ushtarët romakë e detyruan Simonin nga Kirena të mbante shtyllën e torturës të Jezuit deri në vendin e ekzekutimit. (Mateu 27:32) Për judenjtë ky detyrim ishte shtypës, tejet i papëlqyer dhe i mbushte tërë mllef.

Nuk dihet sa larg i detyronin qytetarët të mbartnin një ngarkesë. Por vështirë të ishin të gatshëm që të shkonin më larg nga sa u kërkohej. Prandaj, kur Jezui i nxiti dëgjuesit që, si të thuash, të shkonin edhe një kilometër, po u thoshte të kryenin pa mllef ato shërbime që autoritetet i kërkonin me ligj, nëse nuk binin ndesh me ligjin e Perëndisë.​—Marku 12:17.

Kush ishte Hanai i përmendur në tregimet e ungjijve?

Në kohën e gjyqit të Jezuit, Hanai (Anani) përshkruhej si ‘kreu i priftërinjve’. (Luka 3:2; Gjoni 18:13; Veprat 4:6) Ç’është e vërteta, ai ishte vjehrri i kryepriftit të Izraelit, Kajafës, e kishte shërbyer edhe vetë si kryeprift nga viti 6 ose 7 i e.s., deri rreth vitit 15 të e.s., kur guvernatori romak Valer Grati e shkarkoi nga detyra. Megjithatë, si ish kryeprift, Hanai ushtronte ende pushtet të madh në Izrael. Pesë nga bijtë dhe dhëndri i tij arritën të merrnin detyrën e kryepriftit.

Për sa kohë që Izraeli ishte komb i pavarur, kryeprifti qëndronte në atë pozitë gjatë gjithë jetës. (Numrat 35:25) Mirëpo, kur Izraeli sundohej nga romakët, kryeprifti shërbente si vegël në duart e guvernatorëve romakë dhe mbretërve të emëruar nga Roma, si dhe mund të shkarkohej nga detyra prej tyre. ­Historiani Jozef Flavi raporton se rreth vitit 6 ose 7 të e.s, Kuirini, guvernatori romak i Sirisë, shkarkoi nga detyra e kryepriftit njëfarë Joazari dhe në vend të vij caktoi Hanain. Gjithsesi, me sa duket këta sundimtarë paganë siguroheshin që t’i zgjidhnin mes priftërinjve të sapoemëruarit.

Familja e Hanait ishte famëkeqe për lakminë dhe për pasurinë tejet të ­madhe. Ka mundësi që pasurinë ta vinin me anë të monopolit të shitjeve të artikujve për flijime të tilla, si: pëllumba, dele, vaj dhe verë, të cilat shiteshin në rrethinat e tempullit. Jozefi thotë se Anani (Anania), biri i Hanait, kishte «shërbëtorë tejet të ligj, të cilët e merrnin me forcë të dhjetën e priftërinjve, dhe nuk ngurronin t’i rrihnin ata që s’pranonin t’ua jepnin të dhjetën».