Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Ç’E SHTYU një burrë të ndiqte sërish normat fetare që më parë i kishte braktisur? Si e gjeti një i ri figurën e babait që kishte dëshiruar gjithë jetën? Ja çfarë thonë ata.

«Duhej të kthehesha te Jehovai»​—ILI KELILI

LINDUR: 1976

VENDI I LINDJES: QIPROJA

MË PARË: BIR PLËNGPRISHËS

E KALUARA IME:Linda në Qipro, por u rrita në Australi. Prindërit janë Dëshmitarë të Jehovait dhe u përpoqën fort të më ngulitnin dashurinë për Jehovain dhe për Fjalën e tij, Biblën. Megjithatë, gjatë adoleshencës, nisa të rebelohesha. Natën dilja fshehurazi nga shtëpia që të takohesha me adoleshentë të tjerë. Vidhnim makina dhe hymë në mjaft telashe të tjera.

Në fillim këto gjëra i bëja fshehurazi se nuk doja t’i mërzitja prindërit. Por gradualisht nuk e vrisja më mendjen për këtë. U miqësova me njerëz shumë më të rritur se unë, të cilët nuk e donin Jehovain. Këta ndikuan për keq tek unë. Në fund u thashë prindërve se nuk doja të kisha më lidhje me besimin e tyre. Ata u përpoqën të më ndihmonin me durim, por unë as që doja t’ia dija. Ua theva zemrën prindërve.

Pasi ika nga shtëpia, fillova të merrja droga të ndryshme, madje të rritja e të shitja sasi të mëdha marihuane. Bëja jetë imorale dhe kaloja shumë kohë në disko. Gjithashtu u bëra nevrik. Po të më thoshin ndonjë gjë që s’më pëlqente, shfryja gjithë zemërim, shpesh duke u bërtitur të tjerëve dhe duke i goditur. Me pak fjalë, bëja çdo gjë që më kishin mësuar të mos bëja si i krishterë.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA? U bëra shok i ngushtë me një të droguar tjetër që i kishte vdekur babai në vogëli. Shpesh rrinim zgjuar deri vonë. Disa herë gjatë këtyre netëve, ai e hapte zemrën dhe thoshte sa shumë e kishte marrë malli për babanë. Ngaqë më kishin mësuar për shpresën e ringjalljes teksa rritesha, shpejt e gjeta veten duke i folur për Jezuin: se kishte ngritur të vdekurit dhe se premton ta bëjë sërish në të ardhmen. (Gjoni 5:28, 29) I thosha: «Imagjino pak ta shohësh sërish babanë. Të gjithë mund të jetojmë përgjithmonë në Parajsë në tokë.» Këto mendime ia prekën zemrën shokut.

Në raste të tjera, ai hapte tema të tilla, si ditët e fundit ose doktrina e Trinitetit. Ia rrëmbeja Biblën dhe i lexoja shkrime të ndryshme që tregonin të vërtetën për Perëndinë Jehova, për Jezuin dhe për ditët e fundit. (Gjoni 14:28; 2 Timoteut 3:1-5) Sa më shumë i flitja shokut për Jehovain, aq më shumë mendoja për Jehovain.

Dalëngadalë, farërat e së vërtetës biblike të fjetura në zemrën time​—fara që prindërit ishin përpjekur shumë t’i mbillnin—​nisën të rriteshin. Për shembull, kur isha në festa duke marrë drogë me shokët, ndonjëherë mendja më shkonte papritur te Jehovai. Shumë nga shokët e mi thoshin se e donin Pe­rëndinë, por sjellja e tyre tregonte të ku­ndërtën. Nuk doja të isha si ata dhe e kuptova ç’duhej të bëja. Duhej të kthehesha te Jehovai.

Natyrisht, nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë. Disa ndryshime ishin të lehta; drogën e lashë pa shumë vështirësi. Gjithashtu i shkëputa lidhjet me shoqëritë e vjetra dhe nisa të studioja Biblën me një plak të krishterë.

Kurse ndryshime të tjera ishin shumë më të vështira. E kisha të vështirë sidomos të kontrolloja zemërimin. Ndonjëherë ia dilja për bukuri për njëfarë kohe, pastaj bija sërish. Më pas ndihesha keq ngaqë mendoja se isha dështak. I shkurajuar, i afrohesha plakut që studionte Biblën me mua. Pa e humbur kurrë durimin e dashamirësinë, ai u tregua burim i vërtetë inkurajimi. Një herë më tha të lexoja një artikull në Kullën e Rojës që tregon sa rëndësi ka të mos dorëzohemi. * Trajtuam hapat që mund të bëja kur ta ndieja se po nxehesha. Pak nga pak, me atë artikull në mendje dhe duke iu lutur shumë Jehovait, arrita ta mbaja nën kontroll zemërimin. Më në fund, në prill të vitit 2000, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait. S’diskutohet që prindërit u gëzuan tej mase.

DOBITË: Tani kam paqe mendore dhe ndërgjegje të pastër, pasi e di se nuk po e ndot më trupin me drogë a me imoralitet. Pavarësisht nga çfarë bëj, qoftë kur punoj, qoftë kur shkoj në mbledhjet e krishtere a kur zbavitem, jam shumë më i lumtur. Kam një pikëpamje pozitive për jetën.

E falënderoj Jehovain për prindërit që nuk më harruan asnjëherë. Gjithashtu mendoj për fjalët e Jezuit te Gjoni 6:44: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq.» Prekem kur mendoj se ia dola të kthehem te Jehovai, ngaqë ai më tërhoqi sërish.

«Sa doja të kisha një baba!»​—MARKO ANTONIO ALVAREZ SOTOJA

LINDUR: 1977

VENDI I LINDJES: KILI

MË PARË: PJESËTAR I GRUPEVE MUZIKORE DEATH-METAL

E KALUARA IME: Më rriti nëna në Punta-Arenas, një qytet i këndshëm në ngushticën e Magelanit, afër kepit jugor të Amerikës së Jugut. Prindërit u ndanë kur isha pesë vjeç, dhe kjo bëri të ndihesha i braktisur. Sa doja të kisha një baba!

Nëna studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe më merrte në mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë. Sidoqoftë i urreja mbledhjet dhe shpesh shpërtheja gjithë nerva rrugës për atje. Në moshën 13-vjeçare nuk shkoja më në mbledhje.

Në atë kohë, më ishte rritur dashuria për muzikën dhe e kuptova se kisha dell për të. Kur isha 15 vjeç, luaja muzikë heavy-metal dhe death-metal në festivale, bare dhe kur mblidheshim me shoqërinë. Rrija me muzikantë të talentuar, të cilët ndezën tek unë interesin për muzikën klasike. Fillova të studioja për muzikë në një konservator vendës. Në moshën 20-vjeçare, shkova të jetoja në kryeqytet, në Santiago, që të vazhdoja më tej studimet. Ndërkohë vazhdoja të luaja në grupe heavy-metal dhe death-metal.

Gjatë gjithë kësaj kohe më pushtonin ndjenja boshllëku. Që të lehtësohesha nga këto ndjenja, i futesha pijes dhe drogës me shokët e grupit, të cilët për mua ishin familja. Sillesha si rebel, dhe kjo dukej nga paraqitja ime. Vishesha me të errëta, mbaja mjekër dhe i rrita flokët thuajse deri në mes.

Herë pas here, qëndrimi im më fuste në sherre, si dhe në telashe me policinë. Një herë, nën ndikimin e alkoolit, sulmova një grup shpërndarësish droge që po na bezdisnin mua dhe shokët. Ata më rrahën kaq keq, sa më thyen nofullën.

Gjithsesi, dhembjen më të madhe ma shkaktuan ata që kisha më afër. Një ditë zbulova se e dashura kishte vite që më tradhtonte me shokun tim të ngushtë dhe se gjithë shokët e tjerë ma kishin mbajtur të fshehur. Isha i dërrmuar.

U ktheva në Punta-Arenas ku fillova të jepja mësim muzike dhe të punoja si violonçelist. Gjithashtu vazhdoja të luaja e të regjistroja muzikë me grupe heavy-metal e death-metal. Takova një vajzë tërheqëse që quhej Suzana dhe nisëm të bashkëjetonim. Pak kohë më vonë, Suzana mori vesh se e ëma besonte te Triniteti, kurse unë jo. Ajo më pyeti: «Atëherë, cila është e vërteta?» I thashë se e dija që doktrina e Trinitetit ishte e rreme, por s’mund t’ia provoja dot me Bibël. Sidoqoftë e dija kush mund ta bënte këtë. I thashë se Dëshmitarët e Jehovait mund t’i tregonin të vërtetën nga Bibla. Pastaj bëra diçka që s’e kisha bërë prej shumë vitesh, iu luta Perëndisë për ndihmë.

Ca ditë më vonë, pashë një burrë që më dukej i njohur dhe e pyeta nëse ishte Dëshmitar i Jehovait. Edhe pse dukej i tronditur nga pamja ime, me dashamirësi iu përgjigj pyetjeve të mia për mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Isha i bindur se takimi ishte përgjigjja e lutjes sime. Shkova në Sallën e Mbretërisë dhe u ula në rreshtin e fundit që të mos më shihte asnjë. Por shumë veta më njohën se, kur isha i vogël, shkoja në mbledhje atje. Më mirëpritën e më përqafuan me kaq përzemërsi, sa më pushtoi paqja. Ishte si të kthehesha në shtëpi. Kur pashë burrin që më kishte mësuar Biblën në vogëli, i kërkova të studionte sërish me mua.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA? Një ditë lexova Proverbat 27:11 që thotë: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën.» Më bëri përshtypje që një vdekatar mund ta gëzonte Krijuesin e universit. Aty e kuptova se Jehovai ishte figura e babait që kisha kërkuar gjithë jetën.

Doja ta kënaqja Atin tim qiellor e të bëja vullnetin e tij, por kisha qenë skllav i drogës dhe i alkoolit për shumë vjet. Arrita të kuptoja mësimin e Jezuit te Mateu 6:24 që thotë: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve.» Teksa luftoja që të ndryshoja, parimi i 1 Korintasve 15:33 goditi në shenjë: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» E pashë se nuk mund të lija zakonet e dëmshme, nëse vazhdoja të shkoja në të njëjtat vende, me të njëjtët njerëz. Këshilla e Biblës ishte e qartë: duhej të merrja masa të rrepta që të ndahesha nga gjërat që po më pengonin.​—Mateu 5:30.

Të lija muzikën heavy-metal ishte vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë, ngaqë muzikën e kam pasion. Por me ndihmën e miqve në kongregacion, më në fund arrita të hiqja dorë. Lashë pijen me tepri dhe drogën. Gjithashtu preva flokët, hoqa mjekrën dhe nuk u vesha më veç me të errëta. Kur i thashë Suzanës se doja të pritja flokët, u bë kureshtare. Ajo tha: «Po vij të shoh si është puna me këtë Sallën e Mbretërisë.» I pëlqeu shumë ajo që pa dhe shpejt nisi të studionte Biblën. Me kalimin e kohës, unë dhe Suzana u martuam. Në vitin 2008 u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait. Jemi të lumtur që i shërbejmë Jehovait bashkë me mamanë.

DOBITË: Jam larguar nga një botë me lumturi të rreme dhe shoqëri të pabesë. Ende e dua muzikën, por tani jam përzgjedhës. Përdor përvojën time që t’u sjell dobi pjesëtarëve të familjes dhe të tjerëve, veçanërisht të rinjve. Dua t’i ndihmoj të kuptojnë se shumë nga gjërat që ofron kjo botë mund të duken tërheqëse, por në fund janë veçse «shumë plehra».​—Filipianëve 3:8.

Në kongregacionin e krishterë, ku mbizotëron dashuria e paqja, kam gjetur shokë besnikë. Mbi të gjitha, duke iu afruar Jehovait, më në fund gjeta babanë që doja.

[Shënimi]

^ par. 14 Artikulli me titull «Suksesi arrihet duke ngulmuar», doli në revistën e 1 shkurtit 2000, faqet 4-6.

[Diçitura në faqen 13]

«Ia dola të kthehem te Jehovai, ngaqë ai më tërhoqi sërish»