Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ungjijtë apokrifë: A janë të vërteta të fshehura rreth Jezuit?

Ungjijtë apokrifë: A janë të vërteta të fshehura rreth Jezuit?

Ungjijtë apokrifë: A janë të vërteta të fshehura rreth Jezuit?

«ËSHTË zbulim madhështor! Shumë vetave s’do t’u pëlqejë.» «Kjo e ndryshon historinë e krishterimit të hershëm.» Këto deklarata të fuqi­shme i bënë studiues që e mirëpritën botimin e «Ungjillit të Judës», një tekst që mendohej i humbur për më tepër se 16 shekuj (figura lart).

Këta ungjij apokrifë ua kanë zgjuar sërish interesin njerëzve. Disa thonë se këto tekste hedhin dritë mbi ngjarje dhe mësime të rëndësishme të jetës së Jezuit, që u mbajtën në errësirë për shumë kohë. Por, çfarë janë ungjijtë apokrifë? A mund të na mësojnë të vërteta rreth Jezuit dhe krishterimit, të cilat Bibla s’i përmend?

Ungjijtë kanonikë dhe ungjijtë apokrifë

Mes viteve 41 dhe 98 të e.s., Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni hodhën me shkrim ‘historinë e Jezu Krishtit’. (Mateu 1:1) Këto tregime ndonjëherë quhen ungjij, që do të thotë ‘lajm i mirë’ për Jezu Krishtin.​—Marku 1:1.

Ndonëse mund të kishte mjaft tradita të përcjella gojarisht, si dhe shkrime të tjera rreth Jezuit, vetëm këta katër ungjij konsideroheshin të frymëzuar nga Perëndia dhe të denjë që të bëheshin pjesë e Shkrimeve të Shenjta. Prandaj, në ta tregohet «sa të sigurta janë gjërat» për mësimet dhe jetën tokësore të Jezuit. (Luka 1:1-4; Veprat 1:1, 2; 2 Timoteut 3:16, 17) Këta katër ungjij përmenden në të gjithë katalogët e lashtë të Shkrimeve të Krishtere Greke. S’ka asnjë bazë për të dyshuar që janë ungjij kanonikë, domethënë që janë pjesë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë.

Gjithsesi, me kalimin e kohës nisën të shfaqeshin shkrime të tjera që po ashtu ua vunë emrin ungjij. Këta ungjij të tjerë i quajtën apokrifë. *

Në fund të shekullit të dytë, Ireneu nga Lioni shkroi se apostatët që kishin devijuar nga krishterimi kishin «një numër të pallogaritshëm me shkrime apokrife e të pavërteta». Aty përfshiheshin ungjij që «ata vetë i kishin sajuar që të çoroditnin njerëzit e pamend». Kështu, ungjijtë apokrifë filluan t’i konsideronin të rrezikshëm jo vetëm t’i lexonin, por edhe të kishin kopje të tyre.

Gjithsesi, murgjit dhe kopistët mesjetarë nuk i lanë këto vepra të shkonin në harresë. Në shekullin e 19-të pati një interes të paparë për këtë temë dhe dolën në dritë shumë koleksione tekstesh dhe mjaft vepra kritike të shkrimeve apokrife, ku përfshiheshin disa ungjij. Sot, botime të tilla janë shtypur në shumë gjuhë kryesore.

Ungjijtë apokrifë: Tregime jorealiste për Jezuin

Shpesh ungjijtë apokrifë përqendrohen te njerëz që përmenden pak ose aspak në ungjijtë kanonikë, si dhe tregojnë ngjarje të supozuara për Jezuin kur ishte foshnjë. Shqyrtoni disa shembuj.

«Ungjilli i hershëm i Jakovit», i quajtur edhe «Lindja e Marisë», përshkruan lindjen dhe fëmijërinë e Marisë, si dhe martesën e saj me Jozefin. Ka arsye të mira pse përshkruhet si trillim fetar dhe si legjendë. Ai nxit idenë e vir­gjërisë së amshuar ose të përjetshme të Marisë dhe duket qartë se është shkruar për t’i dhënë lavdi.​—Mateu 1:24, 25; 13:55, 56.

«Ungjilli i Thomait për fëmijërinë» përqendrohet te Jezui kur ishte fëmijë​—nga 5 deri 12 vjeç—​dhe i atribuon disa mrekulli që vështirë t’i ketë kryer. (Shih Gjonin 2:11.) Jezui paraqitet si fëmijë mistrec, gjaknxehtë dhe hakmarrës, i cili i përdor fuqitë e mrekullueshme për t’u hakmarrë ndaj mësuesve, fqinjëve dhe ndaj fëmijëve të tjerë. Disa i verbon, i gjymton, madje i vret.

Disa ungjij apokrifë, si «Ungjilli i Pjetrit», përqendrohen në ngjarje që lidhen me gjyqin, vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit. Të tjerë, si «Veprat e Pilatit», pjesë e «Ungjillit të Nikodemit», flasin kryesisht për njerëzit e përfshirë në këto ngjarje. Sajimi i fakteve, madje edhe i njerëzve, i diskrediton kryekëput këto tekste. «Ungjilli i Pjetrit» orvatet ta shfajësojë Ponc Pilatin dhe përdor fantazinë kur përshkruan ringjalljen e Jezuit.

Ungjijtë apokrifë dhe apostazia nga krishterimi

Në dhjetor të vitit 1945, afër Nag-Hamadit, në Egjiptin e Sipërm, disa banorë të fshatit gjetën rastësisht 13 dorëshkrime papirusi që përmbanin 52 tekste. Këto dokumente të shekullit të katërt i janë atribuar një lëvizjeje fetare dhe filozofike që quhej Gnosticizëm. Kjo lëvizje përziente elemente të misticizmit, paganizmit, filozofisë greke, judaizmit dhe krishterimit, prandaj kishte ndikim ndotës te disa që e quanin veten të krishterë.​—1 Timoteut 6:20, 21.

«Ungjilli i Thomait», «Ungjilli i Filipit» dhe «Ungjilli i së vërtetës», që u gjetën në koleksionin e dorëshkrimeve afër Nag-Hamadit, i paraqitin disa ide gnostike e mistike sikur ta kishin origjinën nga Jezui. Edhe «Ungjilli i Judës» që u zbulua kohët e fundit, llogaritet mes ungjijve gnostikë. Ai e nxjerr Judën në një dritë pozitive si i vetmi apostull që e kuptoi vërtet kush ishte Jezui. Një specialist i këtij ungjilli vëren se në të Jezui përshkruhet si «mësues dhe zbulues të mençurisë e të njohurisë, jo si shpëtimtar që vdes për mëkatet e botës». Ungjijtë e frymëzuar mësojnë se Jezui faktikisht vdiq si flijim për mëkatet e botës. (Mateu 20:28; 26:28; 1 Gjonit 2:1, 2) Qartë, ungjijtë gnostikë nuk kanë si qëllim ta forcojnë besimin te Bibla, por ta minojnë atë.​—Veprat 20:30.

Epërsia e ungjijve kanonikë

Një shqyrtim nga afër i ungjijve apokrifë nxjerr në shesh se janë të rremë. Po t’i krahasojmë me ungjijtë kanonikë, duket qartë se nuk janë të frymëzuar nga Perëndia. (2 Timoteut 1:13) Meqë u shkruan nga njerëz që s’e kanë njohur kurrë Jezuin ose apostujt e tij, këta ungjij nuk zbulojnë asnjë të vërtetë të fshehur rreth Jezuit dhe rreth krishterimit. Përkundrazi përmbajnë tregime të pasakta, të shpikura dhe plot fantazi, që s’na ndihmojnë fare të njohim Jezuin e mësimet e tij.​—1 Timoteut 4:1, 2.

Nga ana tjetër, Mateu dhe Gjoni ishin ndër 12 apostujt; Marku dhe Luka kishin shoqëri të ngushtë përkatësisht me apostujt Pjetër dhe Pavël. Ata i shkruan ungjijtë nën drejtimin e frymës së shenjtë të Perëndisë. (2 Timoteut 3:14-17) Për këtë arsye, katër ungjijtë përmbajnë gjithçka që i nevojitet dikujt për të besuar se «Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë».​—Gjoni 20:31.

[Shënimi]

^ par. 7 Termi «apokrif» rrjedh nga një fjalë greke që do të thotë «të fshehësh». Fillimisht kjo fjalë i referohej një teksti që rezervohej për ata që ndiqnin një shkollë mendimi dhe u fshihej atyre që s’i përkitnin kësaj shkolle. Megjithatë, më vonë ajo filloi të përdorej për shkrime që nuk përfshiheshin në kanonin autentik të Biblës.

[Burimi i figurës në faqen 18]

Kenneth Garrett/​National Geographic Stock