Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imitoni besimin e tyre

Ai siguroi mbrojtje, gjërat e nevojshme dhe ngulmoi

Ai siguroi mbrojtje, gjërat e nevojshme dhe ngulmoi

JOZEFI vuri një ngarkesë tjetër mbi samarin e gomarit. Imagjinoje pak teksa i hedh sytë përreth në mugëtirën e qytezës së Betlehemit dhe i bie lehtas në ijë kafshës së vogël e të fortë. Pa dyshim që mendjen e kishte te rruga e gjatë që e priste. Egjipti! Popull i huaj, gjuhë e huaj, zakone të huaja​—si do të arrinte familja e tij e vogël të përshtatej me kaq shumë ndryshime?

Nuk e kishte të lehtë t’ia thoshte lajmin e keq gruas së dashur, Marisë, por i mblodhi forcat dhe e bëri. I tregoi për ëndrrën ku një engjëll i përcolli këtë mesazh nga Perëndia: mbreti, Herodi, donte t’ua vriste djalin e vogël. Duhej të largoheshin menjëherë. (Mateu 2:13, 14) Marinë e kaploi meraku. Si mund të donte njeri t’ia vriste fëmijën e pafajshëm që s’i bënte keq kujt? As Maria dhe as Jozefi s’e konceptonin dot. Por ata besuan te Jehovai, prandaj u bënë gati.

Teksa njerëzit e Betlehemit flinin, të pavetëdijshëm si do të rridhnin gjërat, Jozefi, Maria dhe Jezui ikën fshehurazi nga fshati nëpër errësirë. Ndërsa shkonin drejt jugut dhe qielli po ndriçohej në lindje, ndoshta Jozefi vriste mendjen se çfarë i priste. Si mund ta mbronte familjen një zdrukthëtar i thjeshtë ndaj forcave kaq të fuqishme? A do të arrinte gjithmonë t’ua siguronte gjërat e nevojshme të vetëve? A do t’ia dilte të ngulmonte e të përmbushte caktimin e vështirë që i kishte dhënë Jehovai, të kujdesej për këtë fëmijë unik dhe ta rriste? Jozefi hasi sfida të rënda. Ndërkohë që shqyrtojmë si e përballoi secilën prej tyre, do të shohim pse baballarët dhe të gjithë ne sot duhet ta imitojmë besimin e Jozefit.

Jozefi e mbrojti familjen

Muaj më parë, në qytetin e tij të lindjes, në Nazaret, jeta e Jozefit ndryshoi një herë e mirë pasi u fejua me vajzën e Helit. Jozefi e njihte Marinë si vajzë të pafajshme dhe besimplotë. Por më pas mori vesh se Maria ishte shtatzënë. Mendoi ta divorconte fshehurazi që ta mbronte nga ndonjë skandal. * Gjithsesi, një engjëll i foli në ëndërr e i shpjegoi se Maria kishte ngelur shtatzënë me anë të frymës së shenjtë të Jehovait. Engjëlli shtoi se djali që do të lindte, ‘do ta shpëtonte popullin nga mëkatet’. Më tej e siguroi Jozefin: «Mos ki frikë ta marrësh gruan tënde, Marinë, në shtëpi.»​—Mateu 1:18-21.

Jozefi, një burrë i drejtë e i bindur, bëri pikërisht ashtu. Mori përsipër caktimin më të rëndë: të rriste dhe të kujdesej për një djalë që s’ishte i veti, por që ishte tejet i çmuar për Perëndinë. Më vonë, duke iu bindur një dekreti perandorak, Jozefi e çoi gruan shtatzënë në Betlehem që të regjistroheshin. Këtu lindi fëmija. *

Jozefi nuk e çoi prapë në Nazaret familjen. Por u vendosën me banim në Betlehem, pak kilometra larg Jerusalemit. Ishin të varfër, por Jozefi bëri të pamundurën që ta mbronte Marinë dhe Jezuin nga varfëria e vuajtjet. S’kaloi shumë dhe nisën të jetonin në një shtëpi të thjeshtë. Pastaj, papritur jeta e tyre ndryshoi sërish kur Jezui nuk ishte më foshnjë, por fëmijë i vogël​—mbase mbi një vjeç.

Tek ata erdhi një grup burrash, astrologë nga Lindja, ka të ngjarë nga Babilonia e largët. Ata kishin ndjekur një yll deri në shtëpinë e Jozefit e të Marisë dhe po kërkonin fëmijën që do të bëhej mbret i judenjve. Burrat kishin respekt të thellë.

E dinin apo s’e dinin, astrologët e kishin vënë Jezuin para një rreziku të madh. Ylli që kishin parë, si fillim i udhëhoqi për në Jerusalem, jo për në Betlehem. Atje i thanë mbretit të lig Herod se po kërkonin një fëmijë që do të bëhej mbret i judenjve. Kjo ia ndezi zemërimin mbretit xheloz.​—Shih artikullin «Lexuesit pyesin . . . Kush e dërgoi ‘yllin’?» në faqen 29.

Por sa mirë që në këtë mes ishin përfshirë forca më të mëdha se Herodi. Në ç’mënyrë? Vizitorët kishin sjellë dhurata, pa kërkuar asgjë në këmbim. Sa e çuditshme mund t’u jetë dukur Jozefit dhe Marisë kur papritur u bënë me «ar, temjan të bardhë dhe mirrë», artikuj kaq të çmuar! Astrologët kishin ndër mend t’i tregonin mbretit Herod ku ndodhej fëmija që kërkonin. Por, Jehovai ndërhyri. Nëpërmjet një ëndrre, ai i udhëzoi astrologët të ktheheshin në shtëpi nga një rrugë tjetër.​—Mateu 2:1-12.

Pak pasi u larguan astrologët, Jozefi mori këtë paralajmërim nga engjëlli i Jehovait: «Ngrihu, merre fëmijën dhe nënën e tij, dhe ik për në Egjipt e qëndro atje derisa të të çoj fjalë të kthehesh, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën që ta vrasë.» (Mateu 2:13) Prandaj, siç e përmendëm në fillim, Jozefi u bind menjëherë. E vuri sigurinë e fëmijës mbi gjithçka tjetër dhe e çoi familjen në Egjipt. Kishin edhe të ardhura me të cilat mund të jetonin përkohësisht atje, sepse astrologët paganë i kishin dhënë familjes dhurata të kushtueshme.

Më vonë, mite dhe legjenda apokrife e idealizuan udhëtimin për në Egjipt. Sipas tyre, falë mrekullive të Jezuit të vogël, udha u shkurtua, banditët s’u bënë gjë, madje edhe hurma arabie përkuleshin që nëna e tij të këpuste frytin. * Në të vërtetë, ishte një udhëtim i gjatë e i vështirë drejt së panjohurës.

Prindërit mund të mësojnë shumë gjëra nga Jozefi. Ai e ndërpreu punën pa u menduar dy herë dhe sakrifikoi rehatinë personale që të mbronte familjen nga rreziku. Qartë, e shihte familjen si diçka të shenjtë që ia kishte besuar Jehovai. Sot prindërit i rritin fëmijët në një botë të rrezikshme, botë plot me forca që i vënë në rrezik të rinjtë, i dëmtojnë, madje i shkatërrojnë. Janë për t’u admiruar ato nëna dhe baballarë që veprojnë me vendosmëri si Jozefi, që përpiqen fort t’i mbrojnë fëmijët nga këto ndikime.

Jozefi siguroi gjërat e nevojshme për familjen

Me sa duket, kjo familje nuk qëndroi gjatë në Egjipt, sepse s’kaloi shumë dhe engjëlli e njoftoi Jozefin se Herodi kishte vdekur. Jozefi u kthye bashkë me familjen në mëmëdhe. Një profeci e lashtë kishte parathënë se Jehovai do ta thërriste të birin «nga Egjipti». (Mateu 2:15) Jozefi bëri pjesën e vet që të përmbushej kjo, por ku do ta çonte tani familjen?

Ai u tregua i kujdesshëm. Me mençuri iu ruajt pasardhësit të Herodit, Arkelaut, i cili, po ashtu, ishte i egër dhe vrasës. Me anë të drejtimit hyjnor, Jozefi e nisi familjen për në veri, larg Jerusalemit plot intriga dhe e ktheu në qytetin e tij, në Nazaretin e Galilesë. Atje, bashkë me Marinë, ngritën familjen.​—Mateu 2:19-23.

Ata bënin jetë të thjeshtë, por jo të lehtë. Bibla thotë se Jozefi ishte zdrukthëtar dhe fjala që përdor ajo përfshin punë të ndryshme me dru, si prerja e pemëve, tërheqja e tyre dhe staxhionimi i drurit për të ndërtuar shtëpi, barka, ura të vogla, karroca, rrota, zgjedha dhe të gjitha llojet e veglave bujqësore. (Mateu 13:55) Ishte punë e rëndë fizike. Shpesh, zdrukthëtari në kohët biblike punonte afër hyrjes së shtëpisë së tij të thjeshtë ose në një punishte ngjitur me të.

Jozefi përdorte larmi veglash dhe ka të ngjarë që disa t’i kishte trashëguar nga i ati. Mund të ketë përdorur goné, plumbçe, spango me shkumës për të hequr vija, sëpatë të vogël, sharrë, sqepar, çekiç, çekiç druri, dalta, turjelë që shponte duke tërhequr harkun para-mbrapa, disa lloje ngjitësish dhe ndoshta disa gozhdë, megjithëse kushtonin.

Përfytyroje Jezuin, një djalë i vogël, që e sheh në punë babanë adoptues. Gjithë sy e veshë ndaj çdo lëvizjeje të Jozefit, pa dyshim që e admironte forcën e shpatullave të gjera dhe krahëve muskulozë, mjeshtërinë e duarve dhe sytë e mprehtë. Ndoshta Jozefi i tregonte djalit të vogël si t’i kryente disa detyra të thjeshta, siç ishte lëmimi i drurit me lëkurë të thatë peshku. Ka të ngjarë t’i mësonte Jezuit nga ndryshonin llojet e ndryshme të drurit që përdorte, si për shembull, fiku i Egjiptit, lisi ose ulliri.

Gjithashtu, Jezui mësoi se ato duar të forta që rrëzonin pemë, latonin trarë dhe goditnin fort nyjet për t’i bashkuar, ishin edhe duar të buta që e ledhatonin dhe i jepnin zemër atij, nënës dhe motrave e vëllezërve. Po, Jozefi dhe Maria po rritnin një familje që së fundmi u bë me të paktën gjashtë fëmijë, përveç Jezuit. (Mateu 13:55, 56) Jozefi duhej të punonte më shumë se kurrë që të kujdesej për ta dhe t’i ushqente.

Gjithsesi, Jozefi e kuptonte se të kujdesej për adhurimin familjar dhe për marrëdhënien e tyre me Perëndinë, kishte rëndësi parësore. Prandaj kalonte kohë duke i mësuar fëmijët për Perëndinë Jehova dhe ligjet e Tij. Jozefi dhe Maria i merrnin rregullisht fëmijët në sinagogën vendëse, atje ku Ligji lexohej me zë dhe shpjegohej. Mbase Jezui bluante në mendje shumë pyetje më pas, dhe Jozefi bënte çmos t’ia shuante urinë për të njohur më shumë Perëndinë. Për më tepër Jozefi e merrte me vete familjen në festat fetare që zhvilloheshin në Jerusalem. Në Pashkën e përvitshme, ndoshta Jozefi bënte udhëtim dyjavor rreth 112,5 kilometra për të kremtuar këtë festë dhe për t’u kthyer.

Sot, kryefamiljarët e krishterë ndjekin një model të ngjashëm. Ata japin nga vetja për fëmijët, pasi, t’i ndihmojnë të afrohen me Perëndinë, e konsiderojnë më të rëndësishme se çdo merak tjetër, përfshirë edhe rehatinë materiale. Ata bëjnë çmos t’i marrin fëmijët në mbledhjet e krishtere, qoftë të vogla apo të mëdha. Si Jozefi, e dinë se ky është investimi më i mirë që mund të bëjnë për fëmijët.

«Me dëshpërim»

Kur Jezui ishte 12 vjeç, Jozefi e çoi familjen në Jerusalem si zakonisht. Ishte Pashka, kohë festive, dhe familje të mëdha udhëtonin së bashku në karvanë të gjatë përmes fushave plot gjelbërim pranveror. Teksa u afroheshin zonave më të zhveshura pranë Jerusalemit që ndodhej lart, shumë veta këndonin psalmet e famshme të ngjitjeve. (Psalmet 120-134) Qindra mijë njerëzit që e vizitonin, duhet ta kenë bërë qytetin të gëlonte. Më pas, familjet dhe karvanët e tyre merrnin udhën e kthimit. Jozefi dhe Maria ndoshta ishin tepër të zënë, prandaj menduan se Jezui po udhëtonte me të tjerët, mbase me të afërmit. Por, pasi kishin bërë një ditë udhë nga Jerusalemi, morën vesh një të vërtetë që i frikësoi​—Jezui ishte zhdukur!​—Luka 2:41-44.

Të kapluar nga ankthi, u kthyen në Jerusalem dhe e kërkuan Jezuin kudo ku kishin qenë. Përfytyro sa bosh dhe i çuditshëm u dukej tani Jerusalemi, teksa endeshin nëpër rrugë duke thirrur emrin e të birit. Ku mund të ishte djali? Pas tri ditësh kërkim, mos vallë Jozefi pyeste veten në kishte dështuar keqas të kujdesej për përgjegjësinë e shenjtë që i kishte besuar Jehovai? Në fund, ata shkuan në tempull. Kërkuan atje deri në një dhomë ku ishin mbledhur shumë burra të ditur e njohës të mirë të Ligjit, dhe Jezui i vogël rrinte ulur mes tyre. Imagjino ç’lehtësim provuan Jozefi dhe Maria!​—Luka 2:45, 46.

Jezui po dëgjonte burrat e ditur dhe tërë zell bënte pyetje. Burrat habiteshin nga kuptueshmëria dhe përgjigjet e fëmijës. Megjithatë, Maria me Jozefin nuk ishin më në vete. Sipas tregimit, Jozefi nuk thotë gjë. Por fjalët e Marisë i tregojnë qartë ndjenjat e të dyve: «O biri im, përse na shqetësove kështu? Ati yt dhe unë po të kërkojmë me dëshpërim.»​—Luka 2:47, 48, Bibla ECM.

Kështu, Fjala e Perëndisë me pak penela pikturon me mjeshtëri një tablo realiste të detyrës prindërore. Edhe kur fëmija është i përsosur, mund të jetë stresuese. Të jesh prind në botën e sotme të rrezikshme, mund të sjellë «dëshpërim» të paparë, por baballarët dhe nënat ngushëllohen kur kuptojnë se Bibla e pranon sa të vështirë e kanë.

Sa bukur që Jezui kishte qëndruar tek i vetmi vend në botë ku ndihej më afër Atit të tij qiellor, Jehovait, dhe përpinte gjithçka që mësonte! Prandaj iu përgjigj prindërve tërë sinqeritet: «Pse duhej të më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?»​—Luka 2:49.

S’ka dyshim se Jozefi i ka bluar në mendje këto fjalë. Mbase rrezatonte tërë krenari për to. Në fund të fundit, ishte përpjekur maksimalisht t’i mësonte djalit të adoptuar që të ndihej ashtu për Perëndinë Jehova. Që në atë moshë të njomë, Jezui kishte ndjenja të ngrohta për fjalën «átë». Këto ndjenja ishin modeluar në një masë të madhe nga lidhja me Jozefin.

Nëse je baba, a e kupton ç’privilegj ke të ndihmosh fëmijët të krijojnë konceptin e babait të dashur dhe mbrojtës? Në mënyrë të ngjashme, nëse je njerk ose ke fëmijë të adoptuar, mos e harro shembullin e Jozefit dhe trajtoje secilin si individ unik dhe të çmuar. Ndihmoji t’i afrohen më tepër Atit të tyre qiellor, Perëndisë Jehova.

Jozefi ngulmoi me besnikëri

Ndonëse Bibla na thotë vetëm pak gjëra të tjera për jetën e Jozefit, ia vlen t’i shqyrtojmë nga afër ato. Në Shkrime lexojmë se Jezui «vazhdoi t’u nënshtrohej atyre», prindërve të tij. Gjithashtu aty na thuhet se «Jezui rritej në mençuri, në shtat dhe fitonte gjithnjë e më shumë pëlqimin e Perëndisë dhe të njerëzve». (Luka 2:51, 52) Çfarë na zbulojnë këto fjalë për Jozefin? Disa gjëra. Mësojmë se Jozefi vazhdonte të merrte drejtimin në shtëpi, pasi djali i tij i përsosur e respektonte autoritetin e të atit dhe i nënshtrohej.

Veç kësaj, mësojmë se Jezui vazhdoi të rritej në mençuri dhe sigurisht që Jozefi ndikoi goxha që i biri të përparonte në këtë drejtim. Në ato kohë, mes judenjve qarkullonte një proverb që vlerësohej prej kohësh. Ai thoshte se vetëm burrat që kishin kohë të lirë mund të bëheshin vërtet të mençur, ndërsa zejtarët, si për shembull, zdrukthëtarët, bujqit dhe farkëtarët «nuk mund të shpallin drejtësi dhe gjykim, si dhe nuk mund t’i gjesh aty ku flitet me ilustrime». Më vonë, Jezui e demaskoi pavërtetësinë e këtij proverbi. Kur ishte fëmijë, kushedi sa herë e kishte dëgjuar babanë adoptues, një zdrukthëtar të thjeshtë, të mësonte me efektshmëri për ‘drejtësinë dhe gjykimin’ e Jehovait. S’ka dyshim se kishte pasur raste të panumërta.

Po ashtu, ndikimin e Jozefit e shohim edhe në rritjen fizike të Jezuit. Atij i ishte treguar përkujdesje që në fëmijëri dhe, kur u rrit, Jezui u bë një burrë i fortë e i shëndetshëm. Më tej, Jozefi e stërviti dhe e aftësoi të birin në punën fizike që kishte. Jezui u bë i njohur jo vetëm si i biri i zdrukthëtarit, por edhe si «zdrukthëtari». (Marku 6:3) Prandaj, stërvitja që i dha Jozefi, doli me sukses. Kryefamiljarët e imitojnë me mençuri Jozefin, duke u kujdesur për mirëqenien e fëmijëve dhe duke u siguruar që të jenë të aftë të mbajnë veten.

Në momentin kur dokumentimi biblik thotë se Jezui pagëzohet në moshën 30-vjeçare, Jozefi nuk përmendet më. Kjo dëshmi lë të kuptohet se Maria ishte vejushë kur Jezui nisi shërbimin. (Shih kutinë «Kur vdiq Jozefi?» në faqen 27.) Prapëseprapë, Jozefi la gjurmë të qarta: shembullin e shkëlqyer të babait që siguroi mbrojtje, gjërat e nevojshme për familjen dhe që ngulmoi me besnikëri deri në fund. Çdo baba, çdo kryefamiljar dhe çdo i krishterë tjetër bën mirë të imitojë besimin e Jozefit.

[Shënimet]

^ par. 7 Në ato kohë, fejesa konsiderohej thuajse njësoj si martesa.

^ par. 8 Shih artikullin «Imitoni besimin e tyre: ‘Arsyetonte në zemër për kuptimin’», në Kullën e Rojës të 1 tetorit 2008.

^ par. 14 Bibla e tregon qartë se Jezui e bëri mrekullinë e parë pas pagëzimit. (Gjoni 2:1-11) Për të ditur më tepër rreth tregimeve të ungjijve apokrifë, shih artikullin «Ungjijtë apokrifë: A janë të vërteta të fshehura rreth Jezuit?» në faqen 18.

[Kutia në faqen 27]

Kur vdiq Jozefi?

E dimë se Jozefi jetonte kur Jezui ishte 12 vjeç. Në atë moshë, shumë të rinj judenj fillonin të mësonin zanatin e të atit dhe bëheshin çirakë në moshën 15-vjeçare. Jozefi duhet të ketë jetuar aq sa t’i mësonte zdrukthëtarinë Jezuit. A ishte ende gjallë Jozefi kur Jezui nisi shërbimin rreth moshës 30-vjeçare? Kjo duket tepër e dyshimtë. Nëna e Jezuit, vëllezërit dhe motrat e tij përmenden të gjithë gjallë në atë kohë, por Jozefi jo. Madje, në një rast Jezuin e quajtën «biri i Marisë», jo biri i Jozefit. (Marku 6:3) Maria përmendet si grua që vepronte dhe i merrte vetë vendimet, pa u konsultuar me të shoqin. (Gjoni 2:1-5) Në kohët biblike kjo do të ishte e pazakontë, përveçse po të ishte vejushë. Në fund, kur po vdiste, Jezui i tha apostullit Gjon të kujdesej për nënën. (Gjoni 19:26, 27) Kjo nuk do të nevojitej nëse Jozefi do të ishte ende gjallë. Prandaj, duke u bazuar në këto fakte mund të themi pa frikë se Jozefi vdiq kur Jezui ishte relativisht i ri. Si djali i madh, pa dyshim që Jezui drejtonte punën e zdrukthëtarisë dhe u kujdes për familjen deri kur u pagëzua.

[Figura në faqen 24]

Jozefi veproi me vendosmëri dhe me altruizëm që të mbronte fëmijën

[Figura në faqen 25]

Jozefi punoi fort që t’i siguronte gjërat e nevojshme familjes

[Figura në faqen 26]

Jozefi e çonte familjen rregullisht në tempullin e Jerusalemit që të adhuronin

[Figura në faqen 28]

Jozefi e stërviti të birin si zdrukthëtar