Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai na ruan për shpëtim

Jehovai na ruan për shpëtim

Jehovai na ruan për shpëtim

«Fuqia e Perëndisë po ju ruan nëpërmjet besimit, për një shpëtim që është gati për t’u zbuluar në periudhën e fundit të kohës.»​—1 PJET. 1:5.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

Si na tërhoqi Jehovai drejt adhurimit të vërtetë?

Si mund ta lejojmë Jehovain të na prijë me këshillën e tij?

Si na inkurajon Jehovai?

1, 2. (a) Ç’siguri kemi se Perëndia do të na ndihmojë të ruajmë integritetin? (b) Sa mirë e njeh Perëndia secilin prej nesh?

«AI QË qëndron deri në fund, do të shpëtojë.» (Mat. 24:13) Me këto fjalë Jezui e bëri të qartë se, që të shpëtojmë kur Perëndia të sjellë gjykimin kundër botës së Satanait, duhet ta ruajmë integritetin deri në fund. Por kjo s’do të thotë se Jehovai pret që të qëndrojmë vetëm falë mençurisë dhe forcave tona. Bibla na siguron: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.» (1 Kor. 10:13) Çfarë nënkuptojnë këto fjalë?

2 Që Jehovai të sigurohet se nuk po tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë, duhet të dijë gjithçka për ne, përfshirë sfidat që hasim, natyrën tonë individuale dhe sa mund të durojmë. A na njeh vërtet Perëndia kaq mirë? Po. Shkrimet zbulojnë se Jehovai e njeh me imtësi secilin prej nesh. Ai e di mirë çfarë bëjmë çdo ditë, si dhe zakonet tona. Madje mund të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës sonë.​—Lexo Psalmin 139:1-6.

3, 4. (a) Si e tregon përvoja e Davidit se Jehovai u kushton vëmendje individëve? (b) Ç’vepër të jashtëzakonshme po kryen sot Jehovai?

3 A të duket jorealiste që Perëndia interesohet në këtë mënyrë për njerëzit e papërfillshëm? Psalmisti David meditoi për këtë pyetje dhe i tha Jehovait: «Kur shoh qiejt, veprën e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje?!» (Psal. 8:3, 4) Ndoshta Davidi e bëri këtë pyetje nisur nga përvoja e vet. Jehovai kishte parë se ai, djali më i vogël i Jeseut, ishte ‘një njeri siç ia donte zemra’ dhe e kishte marrë ‘ndërsa shkonte pas kopesë, që ta bënte prijës’ të Izraelit. (1 Sam. 13:14; 2 Sam. 7:8) Imagjino si duhet të jetë ndier Davidi kur kuptoi se Krijuesi i universit u kishte kushtuar vëmendje meditimeve të tij, përsiatjeve të një bariu të vogël!

4 Po kështu mbetemi pa fjalë kur mendojmë për interesin e jashtëzakonshëm që tregon Jehovai për ne sot. Ai po mbledh në adhurimin e vërtetë «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve» dhe po i ndihmon shërbëtorët e tij të ruajnë integritetin. (Hag. 2:7) Për të kuptuar më mirë se si na ndihmon Jehovai të ruajmë integritetin, le të mendojmë së pari se si i tërheq ai njerëzit drejt adhurimit të vërtetë.

PERËNDIA NA KA TËRHEQUR

5. Si i tërheq Jehovai njerëzit drejt Birit të tij? Ilustrojeni.

5 Jezui tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Këto fjalë nënkuptojnë se, që të bëhemi dishepuj të Krishtit, duhet të kemi ndihmën e Perëndisë. Si i tërheq Jehovai drejt Birit të tij ata që janë si dele? Me anë të predikimit të lajmit të mirë dhe frymës së shenjtë. Për shembull, kur Pavli dhe shokët e tij misionarë ishin në Filipi, takuan një grua me emrin Lidia dhe nisën t’i flitnin për lajmin e mirë. Tregimi i frymëzuar thotë: «Jehovai ia hapi plotësisht zemrën, që t’i pranonte gjërat që po thoshte Pavli.» Po, Perëndia i dha frymën e tij për ta ndihmuar të kapte kuptimin e mesazhit dhe, si rezultat, ajo e ata të shtëpisë së saj u pagëzuan.​—Vep. 16:13-15.

6. Si na tërhoqi Perëndia të gjithë ne drejt adhurimit të vërtetë?

6 Mos vallë përvoja e Lidias ishte unike? Jo, aspak. Nëse je një i krishterë i kushtuar, edhe ty të tërhoqi Perëndia drejt adhurimit të vërtetë. Ashtu si pa diçka të çmuar te zemra e Lidias, po kështu Ati ynë qiellor pa diçka të mirë te ti. Kur fillove të dëgjoje lajmin e mirë, Jehovai të ndihmoi ta kuptoje duke të dhënë frymë të shenjtë. (1 Kor. 2:11, 12) Kur u përpoqe të zbatoje atë që mësoje, ai t’i bekoi përpjekjet për të bërë vullnetin e tij. Kur ia kushtove jetën, iu gëzua zemra. Vërtet, që kur nise të ecje në udhën që të çon në jetë, Jehovai ka qenë me ty në çdo hap.

7. Si e dimë se Perëndia do të na ndihmojë të qëndrojmë besnikë?

7 Jehovai na ndihmoi të fillonim t’i shërbenim, prandaj jemi të sigurt se do të vazhdojë të na ndihmojë që të qëndrojmë besnikë. Ai e di se ashtu si nuk arritëm ta njihnim vetë të vërtetën, po kështu nuk do të arrijmë të qëndrojmë vetë në të vërtetën. Kur u shkroi të krishterëve të mirosur, apostulli Pjetër tha: «Fuqia e Perëndisë po ju ruan nëpërmjet besimit, për një shpëtim që është gati për t’u zbuluar në periudhën e fundit të kohës.» (1 Pjet. 1:5) Në parim, këto fjalë zbatohen për gjithë të krishterët dhe duhet t’i interesojnë secilit prej nesh sot. Pse? Sepse të gjithë kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë që t’i qëndrojmë besnikë.

NA NDIHMON TË MOS HEDHIM NJË HAP TË GABUAR

8. Pse duhet të ruhemi që të mos hedhim një hap të gabuar?

8 Presionet e jetës dhe papërsosmëritë tona mund të na shpërqendrojnë nga gjërat frymore dhe të na vënë përballë rrezikut që të hedhim një hap të gabuar pa qenë të vetëdijshëm për të. (Lexo Galatasve 6:1.) Kjo ilustrohet nga një ngjarje që ndodhi në jetën e Davidit.

9, 10. Si e ndihmoi Jehovai Davidin që të mos hidhte një hap të gabuar? Çfarë bën Ai për ne sot?

9 Kur e ndiqte mbreti Saul, Davidi kishte treguar vetëpërmbajtje të admirueshme duke mos ia kthyer me të njëjtën monedhë atij monarku xheloz. (1 Sam. 24:2-7) Por, pak kohë më pas, impulset e papërsosura të Davidit patën epërsi. I nevojiteshin ushqime për burrat që e shoqëronin dhe me respekt i kërkoi ndihmë një izraeliti me emrin Nabal. Kur Nabali ia ktheu me fyerje, Davidi u zemërua dhe vendosi të hakmerrej kundër të gjithë meshkujve të shtëpisë së Nabalit, pa kuptuar se duke vrarë të pafajshëm, do të bëhej me faj gjaku në sytë e Perëndisë. Vetëm ndërhyrja në kohën e duhur e Abigailës, gruas së Nabalit, e shpëtoi Davidin nga një gabim i tillë i kobshëm. Duke dalluar se pas kësaj çështjeje qëndronte Jehovai, Davidi i tha: «Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, që të ka dërguar sot të më dalësh përpara! Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë dhe bekuar qofsh ti që nuk më le sot të bëhesha me faj gjaku dhe ta sillja shpëtimin me duart e mia!»​—1 Sam. 25:9-13, 21, 22, 32, 33.

10 Ç’mësim mund të nxjerrim nga ky tregim? Jehovai përdori Abigailën që të mos e linte Davidin të hidhte një hap të gabuar. Diçka të ngjashme bën edhe sot. Natyrisht, s’duhet të presim që Perëndia të dërgojë dikë për të ndërhyrë kurdoherë që jemi duke bërë një gabim. As mund të pretendojmë të dimë saktësisht se si do të veprojë Perëndia në ndonjë situatë të caktuar ose çfarë do të lejojë që të përmbushet qëllimi i tij. (Ekl. 11:5) Megjithatë, mund të jemi të sigurt se Jehovai është gjithnjë i vetëdijshëm për rrethanat tona dhe do të na ndihmojë t’i qëndrojmë besnikë. Ai na siguron: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.» (Psal. 32:8) Si na këshillon Jehovai? Si mund të nxjerrim dobi nga këshillat e tij? Pse jemi të sigurt se Jehovai po e udhëheq popullin e tij sot? Vër re se si këto pyetje marrin përgjigje në librin e Zbulesës.

NA RUAN ME ANË TË KËSHILLAVE

11. Deri në ç’masë është i vetëdijshëm Jehovai për atë që ndodh në kongregacionet e popullit të tij?

11 Në vegimin e dokumentuar te kapitulli i 2-të dhe i 3-të i Zbulesës, Jezu Krishti i ngritur në lavdi heton shtatë kongregacionet e Azisë së Vogël. Vegimi zbulon se Krishti nuk sheh vetëm prirjet e përgjithshme, por edhe situatat specifike. Madje në disa raste përmend edhe individë, e çdo herë jep lavdërime ose këshilla të përshtatshme. Çfarë tregon kjo? Në përmbushjen e vegimit, shtatë kongregacionet përfaqësojnë të krishterët e mirosur pas vitit 1914 dhe këshillat që u jep shtatë kongregacioneve në parim vlejnë për të gjitha kongregacionet e popullit të Perëndisë sot në mbarë tokën. Prandaj, është e drejtë të nxjerrim përfundimin se Jehovai po e udhëheq aktivisht popullin e tij me anë të Birit. Si mund të nxjerrim dobi nga kjo udhëheqje?

12. Si mund ta lejojmë Jehovain të na drejtojë hapat?

12 Një mënyrë se si mund të nxjerrim dobi nga udhëheqja e dashur e Jehovait, është nëpërmjet studimit personal. Me anë të botimeve të klasës së skllavit të besueshëm e të matur, Jehovai na jep me bollëk këshilla biblike. (Mat. 24:45) Por, që të nxjerrim dobi prej tyre, duhet të lëmë kohë për të studiuar e për të zbatuar atë që mësojmë. Studimi personal është një mjet me anë të të cilit Jehovai mund ‘të na ruajë që të mos pengohemi’. (Jud. 24) A ke studiuar ndonjëherë diçka në literaturën tonë që dukej sikur ishte shkruar tamam për ty? Pranoje ndreqjen sikur të vinte nga Jehovai! Një mik mund të të prekë pak në shpatull që të të tërheqë vëmendjen për diçka. Po kështu edhe Jehovai mund të përdorë frymën e tij që të të tërheqë vëmendjen te një aspekt i sjelljes ose i personalitetit ku ti​—e pa dyshim edhe shumë të tjerë si ti—​ke nevojë të përmirësosh. Duke qenë të ndjeshëm ndaj drejtimit të frymës, lejojmë që Jehovai të na i drejtojë hapat. (Lexo Psalmin 139:23, 24.) Në këtë aspekt, bëjmë mirë të shqyrtojmë zakonet tona të studimit.

13. Pse do të ishte gjë e mençur të shqyrtonim zakonet tona të studimit?

13 Koha që kalojmë duke u zbavitur me tepri, mund të na vjedhë kohën që na nevojitet për studimin personal. Një vëlla thotë: «Sa e lehtë është të lëmë pas dore studimin personal! Tani mund të argëtohesh më lehtë se kurrë më parë dhe zbavitja kushton më pak se kurrë më parë. Mund të argëtohesh me televizorin, kompjuterin dhe celularin. Zbavitjen e gjen kudo.» Nëse nuk tregojmë kujdes, koha që na nevojitet për një studim të thellë personal, avash-avash mund të pakësohet deri sa të zhduket. (Efes. 5:15-17) Secili nga ne duhet të pyesë veten: «Sa shpesh lë kohë për të gërmuar thellë gjatë studimit të Fjalës së Perëndisë? A e bëj këtë vetëm kur kam fjalim ose kur duhet të përgatis një pjesë për mbledhje?» Nëse po, mbase mund ta shfrytëzojmë më mirë mbrëmjen e lënë për adhurimin familjar ose studimin personal, që të mbledhim si thesar mençurinë frymore që na jep Jehovai për të na ruajtur për shpëtim.​—Prov. 2:1-5.

NA MBËSHTET DUKE NA INKURAJUAR

14. Si tregojnë Shkrimet se Jehovai u kushton vëmendje ndjenjave tona?

14 Davidi hasi shumë rrethana të mundimshme në jetë. (1 Sam. 30:3-6) Fjalët e tij të frymëzuara zbulojnë se Jehovai i njihte ndjenjat e Davidit. (Lexo Psalmin 34:18; 56:8.) Perëndia njeh edhe ndjenjat tona. Kur jemi ‘zemërthyer’ ose me «frymën të dërrmuar», ai na afrohet. Kjo në vetvete mund të na ngushëllojë, siç ndodhi me Davidin që këndoi: «Do të gëzoj e do të ngazëlloj falë dashamirësisë sate, sepse pe mundimin tim. Ti m’i njeh vuajtjet e shpirtit.» (Psal. 31:7) Por, Jehovai nuk mjaftohet vetëm duke vërejtur vuajtjet tona. Ai na mbështet duke na dhënë ngushëllim dhe inkurajim. Një mënyrë si e bën këtë është me anë të mbledhjeve të krishtere.

15. Ç’mësim mund të nxjerrim nga përvoja e Asafit?

15 Një dobi që vjen kur ndjekim mbledhjet, ilustrohet nga përvoja e psalmistit Asaf. Ngaqë e mbante mendjen te padrejtësitë, ai nisi të dyshonte nëse ia vlente t’i shërbente Perëndisë. Asafi u shkurajua. Ai i përshkroi kështu ndjenjat e tij: «Zemra më ishte vrerosur, e në veshka kisha dhembje therëse.» Si pasojë, për pak sa nuk e la shërbimin ndaj Jehovait. Çfarë e ndihmoi të rifitonte ekuilibrin? «Vajta në shenjtëroren e madhërishme të Perëndisë»,—tha ai. Atje, mes bashkadhuruesve të Jehovait, rifitoi qëndrimin e duhur. Kuptoi se suksesi i të ligjve ishte vetëm i përkohshëm dhe se Jehovai do t’i ndreqte patjetër gjërat. (Psal. 73:2, 13-22) Njësoj është edhe me ne sot. Stresi që provojmë nga padrejtësitë e botës së Satanait mund të na rraskapitë. Por, kur mblidhemi me vëllezërit, përtërihemi dhe marrim ndihmë për të ruajtur gëzimin në shërbim të Jehovait.

16. Si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i Hanës?

16 Po sikur, për shkak të një situate në kongregacion ta kesh të vështirë të ndjekësh mbledhjet? Ndoshta të është dashur të heqësh dorë nga një privilegj shërbimi dhe ndihesh në siklet ose mbase ke pasur një mosmarrëveshje me një vëlla a një motër. Në këto raste, mund të të vlejë shembulli i Hanës. (Lexo 1 Samuelit 1:4-8.) Kujto që ajo ishte e acaruar keqas nga një situatë familjare që lidhej me shemrën e saj, Peninën. Gjendja bëhej veçanërisht e rëndë kur familja shkonte t’i paraqiste flijime Jehovait në Shiloh. Hana brengosej aq shumë sa «qante e nuk hante». Megjithatë, nuk lejonte që kjo situatë ta pengonte të shkonte në vendin ku adhurohej Jehovai. Ai e vërejti besnikërinë e saj dhe e bekoi.​—1 Sam. 1:11, 20.

17, 18. (a) Në cilat mënyra inkurajohemi në mbledhjet e kongregacionit? (b) Si ndihesh për kujdesin e butë që tregon Jehovai për të na ndihmuar të fitojmë shpëtimin?

17 Të krishterët sot kanë arsye të vlefshme të imitojnë shembullin e Hanës. Duhet t’i ndjekim mbledhjet me besnikëri. Siç e kemi provuar të gjithë, mbledhjet na japin inkurajimin që na nevojitet. (Hebr. 10:24, 25) Shoqëria e ngrohtë e krishterë na ngushëllon. Diçka e thjeshtë që dëgjojmë nga një fjalim ose koment, mund të na prekë zemrën. Gjatë bisedave para ose pas mbledhjes, një bashkëbesimtar mund të na dëgjojë me dashamirësi ose të na thotë fjalë ngushëlluese. (Prov. 15:23; 17:17) Teksa ngremë zërat duke i kënduar Jehovait, na çohet shpirti peshë. Sidomos kur na pushtojnë «mendime turbulluese», kemi nevojë për inkurajimin që marrim në mbledhje. Atje Jehovai na mbështet me ‘ngushëllimet e tij’ dhe na forcon vendosmërinë që të qëndrojmë besnikë.​—Psal. 94:18, 19.

18 Të sigurt në kujdesin e butë të Perëndisë, ndihemi si psalmisti Asaf që i këndoi Jehovait: «Ti më ke kapur nga dora e djathtë. Me këshillën tënde do të më prish.» (Psal. 73:23, 24) Sa mirënjohës jemi që Jehovai na ruan për shpëtim!

[Pyetjet]

[Figura në faqen 28]

Edhe ty të ka tërhequr Jehovai

[Figura në faqen 30]

Ruhemi duke zbatuar këshillat e Perëndisë

[Figura në faqen 31]

Inkurajimi na ndihmon të qëndrojmë