Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë duhet të bëjnë të krishterët sot?

Çfarë duhet të bëjnë të krishterët sot?

Çfarë duhet të bëjnë të krishterët sot?

SOT të krishterët e vërtetë nuk marrin pjesë në politikë. Pse? Sepse ndjekin shembullin e Jezuit. Ai tha për veten: «Unë nuk jam pjesë e botës.» Dishepujve të tij u tha: «Nuk jeni pjesë e botës.» (Gjoni 15:19; 17:14) Shqyrto disa arsye pse të krishterët nuk duhet të përzihen në politikë.

1. Aftësia e njeriut është e kufizuar. Bibla thotë se njerëzit s’kanë as aftësi, as të drejtë të vetëqeverisen. Profeti Jeremia shkroi: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.»​—Jeremia 10:23.

Ashtu si nuk u krijuan me krahë që të fluturonin, njerëzit nuk u krijuan që të vetëqeveriseshin me sukses. Duke folur për kufizimet e qeverisë, historiani David Fromkin vërejti në librin e tij Çështja e qeverisë (anglisht): «Qeveritë përbëhen nga qenie njerëzore; prandaj janë të gabueshme dhe e ardhmja e tyre është e pasigurt. Ato ushtrojnë njëfarë fuqie, por të kufizuar.» Nuk habitemi pse Bibla na paralajmëron të mos kemi besim te njeriu.​—Psalmi 146:3.

2. Forcat e liga frymore ushtrojnë ndikim. Kur Satanai i ofroi Jezuit sundimin e botës, Jezui nuk e mohoi autoritetin që kishte Djalli për t’i dhënë të gjitha mbretëritë e botës. Në fakt, në një rast tjetër më vonë, Jezui e quajti Satanain «sundimtari i kësaj bote». Disa vite më tej, apostulli Pavël e përshkroi Satanain si «perëndia i kësaj bote». (Gjoni 14:30; 2 Korintasve 4:4) Pavli u shkroi të bashkëkrishterëve: «Kemi një përleshje . . . me sundimtarët botërorë të kësaj errësire, me forcat e liga frymore në vendet qiellore.» (Efesianëve 6:12) Edhe pse qëndrojnë prapa skene, forcat e liga frymore janë sundimtarët e vërtetë të kësaj bote. Si duhet të ndikojë ky fakt te pikëpamja jonë për politikën?

Mendo për këtë krahasim: ashtu si rrymat e forta detare i marrin me vete barkat e vogla, edhe forcat e liga frymore e të fuqishme tërheqin sistemet politike njerëzore. Dhe, ashtu si marinarët e këtyre barkave s’mund të bëjnë gjë për t’i ndryshuar rrymat e forta, edhe politikanët s’bëjnë dot gjë për ta hequr ndikimin e forcave frymore të fuqishme. Këto forca janë të vendosura t’i prishin krejtësisht njerëzit dhe të shkaktojnë ‘mjerime për tokën’. (Zbulesa 12:12) Prandaj, ndryshimin e vërtetë mund ta sjellë vetëm dikush më i fuqishëm se Satanai dhe demonët e tij. Ky person është vetë Perëndia Jehova.​—Psalmi 83:18; Jeremia 10:7, 10.

3. Të krishterët e vërtetë i qëndrojnë besnikë vetëm Mbretërisë së Perëndisë. Jezui dhe dishepujt e tij e dinin se në një kohë të caktuar, vetë Perëndia do të themelonte një qeveri në qiell për të sunduar tërë tokën. Bibla e quan këtë qeveri Mbretëria e Perëndisë dhe zbulon se Jezu Krishti është emëruar mbreti i saj. (Zbulesa 11:15) Ngaqë kjo mbretëri ndikon tek i gjithë njerëzimi, tema kryesore e mësimeve të Jezuit ishte ‘lajmi i mirë për mbretërinë e Perëndisë’. (Luka 4:43) Gjithashtu, i mësoi dishepujt të luteshin: «Ardhtë mbretëria jote.» Pse? Sepse nën këtë mbretëri, vullneti i Perëndisë do të bëhet patjetër si në qiell, edhe në tokë.​—Mateu 6:9, 10.

Po çfarë do të ndodhë me qeveritë njerëzore? Bibla përgjigjet duke thënë se qeveritë «e mbarë tokës së banuar» do të shkatërrohen. (Zbulesa 16:14; 19:19-21) Nëse dikush beson vërtet se Mbretëria e Perëndisë do t’i heqë tërë sistemet politike njerëzore, është e logjikshme që nuk do t’i mbështetë këto sisteme politike. Në fund të fundit, po të përpiqej të mbështeste qeveri njerëzore që do të shkatërrohen, faktikisht do të dilte kundër Perëndisë.

Meqë të krishterët e vërtetë nuk marrin pjesë në politikë, a do të thotë kjo se s’u intereson fare të përmirësojnë komunitetin ku jetojnë? Shqyrto përgjigjen e artikullit vijues.

[Diçitura në faqen 7]

Dëshmitarët e Jehovait mbështetin aktivisht Mbretërinë e Perëndisë, jo reformat politike