Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta në kohët biblike​—Bujku

Jeta në kohët biblike​—Bujku

Jeta në kohët biblike​—Bujku

«[Jezui] u tha dishepujve: ‘Po, të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.’»​—MATEU 9:37, 38.

JEZUI përdorte shpesh metoda dhe vegla bujqësore që të ilustronte mësime të rëndësishme. (Mateu 11:28-30; Marku 4:3-9; Luka 13:6-9) Pse? Sepse jetonte në një shoqëri që merrej me bujqësi. Shumë nga dëgjuesit e tij ndiqnin teknika bujqësore që s’ndryshuan për shekuj. Ata e kuptonin kur ai përmendte veprimtaritë e tyre të përditshme. Ngaqë Jezui i njihte mirë këto metoda, arrinte t’i prekte njerëzit me mësimet e tij.​—Mateu 7:28.

Mund t’i çmojmë më tepër ilustrimet e Jezuit dhe tregimet e tjera biblike, nëse mësojmë pak për bujkun e shekullit të parë: për drithërat që mbillte, për veglat që përdorte dhe për vështirësitë që haste.

Përfytyroje bujkun teksa merret me punët e bujqësisë. Lexo shkrimet e cituara dhe nxirr mësime për veten.

Një kohë për të mbjellë

Me dorën mbi sy që të mbrohet nga rrezet e para të diellit, bujku qëndron te pragu i shtëpisë dhe mbushet me ajrin e freskët. Shirat e kanë zbutur tokën e zhuritur. Ka ardhur koha e lërimit të tokës. Ai hedh supeve një parmendë të lehtë druri dhe niset për në arë.

Atje, bujku mbledh qetë, i vë në zgjedhë dhe i drejton me hosten. Maja e mprehtë e parmendës çan dheun e fortë. Ajo s’e përmbys dheun, por vetëm e gërmon duke hapur një brazdë të cekët ose hulli (1). Ngaqë anohet majtas-djathtas, bujku mundohet shumë ta bëjë të drejtë hullinë. Nuk shikon kurrë prapa, përndryshe parmenda del nga vija. (Luka 9:62) Atij i duhet të qëndrojë brenda shenjave të kufirit dhe ta shfrytëzojë sa më mirë ngastrën e tij të vogël.

Tani, ara e krehur me hulli është gati për mbjellje. Me njërën dorë bujku mban trastën me elb, kurse me tjetrën shpërndan majtas-djathtas farat e çmuara (2). Nëpër arë bujku kalon në rreshta toke të ngjeshura, prandaj bën shumë kujdes që fara të bjerë në «tokë të mirë».​—Luka 8:5, 8.

Pas mbjelljes vjen lesimi. Bujku mbreh qetë me degë me gjemba dhe i tërheq përmes arës. Tufa zogjsh çirren dhe çukitin vjedhurazi farat para se t’i mbulojë dheu. Më pas, bujku përdor një shat (3) që të shkriftojë dheun e të heqë egjrat që do t’ia mbytnin fidanët para se të rriteshin.​—Mateu 13:7.

Një kohë për të korrur

Kalojnë muajt. Bien shirat. Tani fushat duken të bardha nga kallinjtë e elbit të pjekur që valëviten nën diell.​—Gjoni 4:35.

Koha e korrjes është periudhë e ngarkuar për bujkun dhe familjen e tij. Me dorën e majtë korrësi kap degëzat e drithit dhe me të djathtën i pret me drapër (4). Të tjerë mbledhin drithin, e lidhin në duaj (5) dhe e ngarkojnë në gomarë ose karro (6) që t’i çojnë në lëmin e fshatit.

Dielli shndrit si disk i bardhë në mes të qiellit blu. Familja çlodhet pak nën hijen e një fiku. Qeshin e flasin ndërsa hanë një vakt të shpejtë me bukë, drithë të tharë, ullinj, palë fiku dhe rrush të thatë. Në fund pinë ca gllënjka ujë burimi.​—Ligji i përtërirë 8:7.

Në një fushë aty pranë, nevojtarët mbledhin drithin e mbetur (7). Disa janë të varfër, s’kanë tokë.​—Ligji i përtërirë 24:19-21.

Më vonë, në lëmin e fshatit, bujku hap duajt në një shesh të fortë e të ngritur. Qetë i bien rreth e përqark duke tërhequr një trinë të rëndë (8). (Ligji i përtërirë 25:4) Gurët e mprehtë dhe pjesët metalike të ngulura poshtë trinës i grijnë degëzat.

Bujku pret flladin e mbrëmjes. (Rutha 3:2) Në muzg, ai fut sfurkun e drunjtë ose «terploten» (9) nën duajt e shirë dhe i vërtit në ajër. (Mateu 3:12) Kokrrat e drithit bien në shesh, kurse bykun e lehtë e merr era. Ai e përsërit këtë veprim derisa ta pastrojë gjithë drithin.

Në agim, gruaja dhe vajzat e bujkut nisin shoshitjen (10). Ato tundin shoshë plot me drithë e bëzhdila. Elbi bie në kosha, ndërsa lëmishtet i hedhin mënjanë. Ka pasur prodhim të mbarë. Një pjesë të vogël të drithit e ruajnë në qypa (11). Pjesën tjetër e ruajnë në vende të posaçme nën tokë.

Sipër në lëmë, bujku drejton shpinën, shtriq muskujt e lodhur dhe u hedh një sy fushave rreth fshatit. Sheh i kënaqur ngastrat e zverdhura të mbuluara me byk, që tregojnë për ditë të tëra pune të mundimshme. Ai vëren punëtorë që kujdesen për vreshtat, ullishtet e pemishtet me shegë e fiq. Aty afër, një fqinj e përshëndet me dorë teksa punon një ngastër të vogël në kopsht. Vendi do të prodhojë kastraveca, thjerrëza, fasule, presh, qiqra dhe qepë. Bujku ndalet pak, sheh drejt qiellit dhe bën një lutje të shkurtër nga zemra që ta falënderojë Perëndinë për dhuratat e mira që jep.​—Psalmi 65:9-11.

[Figurat në faqet 28-30]

(Shih botimin)