Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Martesa të tendosura: Si të ruajmë një pikëpamje pozitive?

Martesa të tendosura: Si të ruajmë një pikëpamje pozitive?

Martesa të tendosura: Si të ruajmë një pikëpamje pozitive?

«Të martuarit po i udhëzoj, megjithatë jo unë, por Zotëria.»​—1 KOR. 7:10.

A MUND TË SHPJEGONI?

Në ç’kuptim i bashkon Perëndia bashkëshortët?

Si mund t’i ndihmojnë pleqtë të krishterët që kanë probleme në martesë?

Si duhet ta konsiderojmë martesën?

1. Si e shohin të krishterët martesën dhe pse?

KUR të krishterët martohen, marrin një zotim para Perëndisë dhe kjo është një përgjegjësi që nuk duhet marrë lehtë. (Ekl. 5:4-6) Duke qenë Nismëtari i martesës, Jehovai ka «bashkuar» ata që janë lidhur në martesë. (Mar. 10:9) Bashkëshortët janë të bashkuar në sytë e Perëndisë, pavarësisht nga ligjet e vendit për martesën. Shërbëtorët e Jehovait duhet ta shohin zotimin e martesës si ai, edhe nëse nuk ishin adhurues të tij në kohën kur u martuan.

2. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Një martesë e suksesshme mund të sjellë shumë gëzim. Por, ç’mund të bëhet nëse lidhja martesore është tendosur? A mund të forcohet një lidhje martesore që është dobësuar? Ç’ndihmë ekziston kur rrezikohet paqja në martesë?

DO TË SJELLË GËZIM APO DHEMBJE?

3, 4. Ç’mund të ndodhë nëse dikush merr një vendim jo të mençur kur zgjedh bashkëshortin?

3 Kur martesa e një të krishteri është e suksesshme, i sjell atij gëzim dhe nderon Jehovain. Kur dështon, më e pakta, sjell dhembje. Një i krishterë i pamartuar që po mendon të martohet, ka mundësi ta nisë shkëlqyeshëm martesën duke ndjekur drejtimin e Perëndisë. Nga ana tjetër, kush merr një vendim jo të mençur kur zgjedh bashkëshortin, mund të përjetojë pakënaqësi dhe trishtim. Për shembull, disa të rinj fillojnë një periudhë njohjeje kur nuk janë gati për përgjegjësitë e jetës martesore. Disa kërkojnë bashkëshort me anë të Internetit dhe nxitojnë të martohen, por pastaj s’janë aspak të lumtur. Të tjerë kryejnë një mëkat të rëndë gjatë periudhës së njohjes dhe kështu mund ta nisin jetën martesore pa shumë respekt për njëri-tjetrin.

4 Disa të krishterë nuk martohen «në Zotërinë» dhe vuajnë pasojat e dhembshme që ka shpesh në një shtëpi të ndarë nga ana fetare. (1 Kor. 7:39) Nëse ke vepruar edhe ti kështu, lutju Perëndisë për falje dhe ndihmë. Ai nuk ia heq ndokujt pasojat e gabimeve të së kaluarës, por i ndihmon ata që pendohen, të përballojnë sprovat. (Psal. 130:1-4) Nëse përpiqesh me gjithë shpirt t’i pëlqesh atij tani e përgjithmonë, ‘gëzimi i Jehovait do të jetë kalaja jote’.​—Neh. 8:10.

KUR LIDHJA MARTESORE ËSHTË NË RREZIK

5. Cila mënyrë të menduari duhet shmangur në një martesë të palumtur?

5 Ata që po përjetojnë dhembje në martesë, mund të mendojnë: «A ia vlen vërtet të shpëtohet martesa ime e palumtur? Ah, sikur ta ktheja mbrapsht kohën e t’ia filloja nga e para me një bashkëshort tjetër!» Ata mund të ëndërrojnë prishjen e martesës: «Eh, sikur të isha i lirë përsëri! Pse të mos divorcohem? Edhe nëse nuk mund të divorcohem nga ana biblike, pse të mos ndahem e ta gëzoj përsëri jetën?» Në vend që të mendojnë kështu ose të fantazojnë se si mund të kishin shkuar gjërat, të krishterët duhet të bëjnë më të mirën për situatën e tyre duke i kërkuar drejtim Perëndisë dhe duke e ndjekur atë.

6. Shpjegoni atë që tha Jezui te Mateu 19:9.

6 Sikur një i krishterë të divorcohet, mund të jetë ose mund të mos jetë i lirë nga ana biblike të martohet përsëri. Jezui tha: «Unë po ju them se kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» (Mat. 19:9) Këtu fjala «kurvëri» përfshin kurorëshkeljen dhe mëkate të tjera seksuale të rënda. Është jetësore që i krishteri ta peshojë në lutje çdo mendim për t’u divorcuar kur asnjëri nga bashkëshortët nuk është fajtor për imoralitet seksual.

7. Ç’mund të mendojnë të tjerët nëse një martesë e krishterë dështon?

7 Një martesë e dështuar mund të ngjallë dyshime për gjendjen frymore të një individi. Apostulli Pavël bëri këtë pyetje serioze: «Në të vërtetë, nëse një njeri nuk di të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kongregacionin e Perëndisë?!» (1 Tim. 3:5) Në fakt, nëse të dy bashkëshortët thonë se janë të krishterë e megjithatë martesa e tyre dështon, të tjerët mund të mendojnë se ata nuk po praktikojnë vërtet atë që predikojnë.​—Rom. 2:21-24.

8. Ku duhet të jetë problemi nëse bashkëshortët e krishterë vendosin të ndahen ose të divorcohen?

8 Kur dy bashkëshortë të pagëzuar planifikojnë të ndahen a të divorcohen pa pasur bazë biblike, me siguri kanë ndonjë problem frymor në jetën e tyre. Me sa duket, parimet biblike nuk po zbatohen nga njëri bashkëshort ose ndoshta nga të dy. Nëse ata ‘do të besonin [vërtet] te Jehovai me gjithë zemër’, s’do të kishin arsye të mendonin se dështimi i martesës është i pashmangshëm.​—Lexo Proverbat 3:5, 6.

9. Si janë shpërblyer disa të krishterë që janë përpjekur me durim të shpëtojnë martesën?

9 Shumë martesa që dukej sikur po dështonin, me kalimin e kohës patën sukses. Të krishterët që nuk heqin dorë kollaj nga një martesë me probleme, shpesh shpërblehen në mënyrë të shkëlqyer. Shqyrtoni se çfarë mund të ndodhë në një shtëpi të ndarë nga ana fetare. Apostulli Pjetër shkroi: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.» (1 Pjet. 3:1, 2) Po, për shkak të sjelljes së shkëlqyer të bashkëshortit, një jobesimtar mund të pranojë të vërtetën. Të krishterët që shpëtojnë martesën dhe qëndrojnë me bashkëshortin, nderojnë Perëndinë dhe e gjithë familja mund të ketë bekime.

10, 11. Cilat probleme të papritura mund të lindin në një martesë, por për çfarë mund të jetë i sigurt një i krishterë?

10 Nga dëshira për t’i pëlqyer Jehovait, shumica e të krishterëve beqarë zgjedhin si bashkëshort një bashkëbesimtar të kushtuar. Por edhe në këto raste, rrethanat mund të marrin një kthesë të papritur. Për shembull, në raste të rralla, një bashkëshort mund të ketë më pas probleme të rënda emocionale. Ose ca kohë pas martesës, një bashkëshort mund të bëhet lajmëtar joaktiv. Ta ilustrojmë: Linda, * një e krishterë e zellshme dhe nënë e përkushtuar, u ndie e pashpresë kur burri i saj i pagëzuar filloi të kishte një sjellje jobiblike dhe, ngaqë nuk u pendua, u përjashtua. Ç’duhet të bëjë një i krishterë nëse lidhja martesore tendoset në mënyrë të pashpresë për një arsye të tillë?

11 «A duhet të vazhdoj të përpiqem për ta shpëtuar martesën, pavarësisht se çfarë ndodh?»—mund të pyesësh. Askush nuk mund ose nuk duhet ta marrë këtë vendim për ty. Gjithsesi, ka arsye të shëndosha që të mos heqësh dorë nga një lidhje martesore që po dobësohet. Bashkëshorti i krishterë që duron sprovat e një martese të vështirë për hir të ndërgjegjes, është i çmuar në sytë e Perëndisë. (Lexo 1 Pjetrit 2:19, 20.) Me anë të Fjalës dhe frymës së tij, Jehovai do ta ndihmojë një të krishterë që përpiqet me zell ta forcojë lidhjen martesore të tendosur.

ATA JANË GATI TË NDIHMOJNË

12. Si do të na shohin pleqtë nëse u kërkojmë ndihmë?

12 Nëse ke probleme në martesë, mos ngurro të kërkosh ndihmën frymore të të krishterëve të pjekur. Pleqtë shërbejnë si barinj të kopesë dhe me kënaqësi do të ta drejtojnë vëmendjen te këshillat e frymëzuara që gjenden në Shkrime. (Vep. 20:28; Jak. 5:14, 15) Mos nxirr përfundimin se ti dhe bashkëshorti do të humbni respektin e pleqve nëse kërkoni ndihmë frymore dhe flitni me ta për një problem martesor serioz. Ata do t’ju duan e do t’ju respektojnë edhe më shumë kur të shohin se dëshironi me gjithë zemër t’i pëlqeni Perëndisë.

13. Cila këshillë gjendet te 1 Korintasve 7:10-16?

13 Kur të krishterët që jetojnë në familje të ndara nga ana fetare u kërkojnë ndihmë, pleqtë u referohen këshillave të tilla, si kjo që dha Pavli: «Të martuarit po i udhëzoj, megjithatë jo unë, por Zotëria, që gruaja të mos ndahet nga burri. Nëse ndahet, le të mbetet e pamartuar ose përndryshe të pajtohet sërish me burrin. Edhe burri nuk duhet ta lërë gruan. . . . Sepse ku e di ti, o grua, që s’do ta shpëtosh burrin? Apo ku e di ti, o burrë, që s’do ta shpëtosh gruan?» (1 Kor. 7:10-16) Ç’bekim është kur një bashkëshort jobesimtar përqafon adhurimin e vërtetë!

14, 15. Kur mund të mendojë të ndahet një i krishterë? Pse është e rëndësishme që ai ta shqyrtojë këtë çështje me ndershmëri dhe duke u lutur?

14 Për cilat arsye mund ‘të ndahet’ një grua e krishterë? Disa kanë vendosur të ndahen ngaqë bashkëshorti refuzonte të kujdesej për familjen nga ana materiale deri në atë pikë sa e linte pa para ose pa ushqim. Të tjera kanë vendosur kështu sepse trajtoheshin aq keq fizikisht saqë jeta e tyre vihej në rrezik ose veprimet e bashkëshortit ua bënin të pamundur t’i shërbenin Perëndisë.

15 Vendimi për t’u ndarë ose jo është personal. Megjithatë, bashkëshorti i pagëzuar duhet ta shqyrtojë këtë çështje me ndershmëri dhe duke u lutur. Për shembull, a e ka pasur bashkëshorti jobesimtar të gjithë fajin për vënien në rrezik të gjendjes frymore apo i krishteri e ka lënë vetë pas dore studimin e Biblës, nuk shkonte rregullisht në mbledhje ose nuk dilte rregullisht në shërbim?

16. Çfarë duhet t’i frenojë të krishterët që të mos marrin vendime të nxituara për divorcin?

16 Fakti që e çmojmë shumë marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe i jemi mirënjohës për martesën, dhuratën e tij, duhet të na frenojë që të mos marrim vendime të nxituara për divorcin. Si shërbëtorë të Jehovait kemi merak shenjtërimin e emrit të tij. Prandaj, kurrë nuk do të donim të kurdisnim plane për t’i dhënë fund martesës sonë e ndërkohë në zemër të bënim plane për t’u martuar me dikë tjetër.​—Jer. 17:9; Mal. 2:13-16.

17. Në cilat rrethana mund të thuhet se Perëndia i ka thirrur në paqe të krishterët e martuar?

17 Një i krishterë që është martuar me një jobesimtar duhet të përpiqet me gjithë zemër ta ruajë martesën të fortë. Sidoqoftë, një i krishterë nuk duhet të ndihet fajtor nëse, pavarësisht nga përpjekjet e tij të sinqerta për ta ruajtur martesën, bashkëshorti jobesimtar nuk pranon të qëndrojë me të. Pavli shkroi: «Nëse jobesimtari po largohet, le të largohet. Vëllai ose motra nuk janë të skllavëruar në këto rrethana, por Perëndia ju ka thirrur në paqe.»​—1 Kor. 7:15. *

SHPRESO TE JEHOVAI

18. Ç’rezultat i mirë mund të vijë nga përpjekjet për të shpëtuar martesën, edhe kur nuk arrijmë ta shpëtojmë atë?

18 Kur ke probleme martesore, kërkoji Jehovait guxim dhe shpreso gjithnjë tek ai. (Lexo Psalmin 27:14.) Të flasim përsëri për Lindën që përmendëm më parë. Martesa e saj përfundoi me divorc, ndonëse ishte përpjekur për vite të tëra që ta shpëtonte. A mendon ajo se humbi kohë kot? «Aspak,—thotë Linda.—Me përpjekjet e mia u dhashë dëshmi të mirë të tjerëve. Kam një ndërgjegje të pastër dhe më kryesorja, ato vite e ndihmuan vajzën tonë të qëndronte e patundur në të vërtetën. Kur u rrit, ajo u bë një Dëshmitare e kushtuar dhe e zellshme e Jehovait.»

19. Ç’rezultate mund të vijnë nëse bëhen përpjekje për të shpëtuar martesën?

19 Një e krishterë me emrin Merilina ndihet e lumtur që besoi te Perëndia dhe bëri shumë përpjekje për ta shpëtuar martesën. Ajo thotë: «Tundohesha të ndahesha nga burri ngaqë nuk më mbështeste nga ana financiare dhe isha në rrezik nga ana frymore. Megjithatë, burri kishte shërbyer si plak para se të përfshihej në disa biznese të pamençura. Ai nisi të linte mbledhjet dhe bashkë nuk komunikonim më. Një sulm terrorist në qytetin tonë më frikësoi aq shumë, saqë u mbylla në guaskën time e nuk rrija me të tjerët. Atëherë kuptova se edhe unë kisha faj. Filluam të komunikonim përsëri, të bënim studimin familjar dhe të shkonim rregullisht në mbledhje. Pleqtë ishin mirëdashës dhe shumë të gjindshëm. Martesa jonë lulëzoi sërish. Me kalimin e kohës, burri u kualifikua prapë për privilegje në kongregacion. Nxorëm mësim nga vuajtjet, dhe gjërat përfunduan mirë.»

20, 21. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë për sa i përket martesës?

20 Pavarësisht nëse jemi beqarë a të martuar, le të veprojmë gjithnjë me guxim dhe të shpresojmë te Jehovai. Nëse kemi probleme martesore, duhet të përpiqemi me gjithë zemër t’i zgjidhim, duke kujtuar se ata që janë bashkuar në martesë «nuk janë më dy, por një mish i vetëm». (Mat. 19:6) Gjithashtu, të mbajmë ndër mend që, nëse durojmë në një shtëpi të ndarë nga ana fetare me gjithë vështirësitë, mund të përjetojmë gëzimin që ta shohim bashkëshortin të pranojë adhurimin e vërtetë.

21 Cilatdo qofshin rrethanat tona, le të jemi të vendosur të ecim me maturi, me qëllim që të lëmë një dëshmi të shkëlqyer për të tjerët jashtë kongregacionit. Nëse martesa vihet në rrezik, le të lutemi me gjithë zemër, të analizojmë motivet tona me ndershmëri, të shqyrtojmë me kujdes Shkrimet dhe të kërkojmë ndihmë frymore nga pleqtë. Mbi të gjitha, le të jemi të vendosur t’i pëlqejmë Perëndisë Jehova në çdo gjë dhe të tregojmë çmueshmëri të vërtetë për martesën, dhuratën e tij të mrekullueshme.

[Shënimet]

^ par. 10 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 17 Shih librin ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, faqet 219-221; Kullën e Rojës 1 nëntor 1988, faqet 26-27, angl.; 15 shtator 1975, faqja 575, angl.

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 10]

Të krishterët që s’heqin dorë kollaj nga një martesë me probleme, shpesh shpërblehen në mënyrë të shkëlqyer

[Diçitura në faqen 12]

Shpreso gjithnjë te Jehovai dhe kërkoji guxim

[Figura në faqen 9]

Jehovai i bekon bashkëshortët e krishterë që përpiqen të forcojnë një lidhje martesore të tendosur

[Figura në faqen 11]

Kongregacioni i krishterë mund të jetë burim ngushëllimi dhe ndihme frymore