Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mjekësi e saktë

Mjekësi e saktë

«A nuk të kam shkruar më parë me këshilla dhe njohuri, që të të tregoja se sa të besueshme janë këto fjalë të vërteta, në mënyrë që [të] përgjigjesh me fjalë të vërteta?»​—PROVERBAT 22:20, 21.

PSE ËSHTË NDRYSHE BIBLA? Librat e lashtë shpesh paraqesin ide jo të besueshme dhe të rrezikshme që shkenca e sotme i ka hedhur poshtë krejtësisht. Edhe në kohën tonë, autorët duhet t’i përditësojnë tekstet që të përputhen me zbulimet e reja. Por Bibla pohon se ka autor Krijuesin dhe se Fjala e tij «qëndron përgjithmonë».​—1 Pjetrit 1:25.

NJË SHEMBULL: Ligji i Moisiut i urdhëronte izraelitët që t’i groposnin jashtëqitjet «jashtë kampit». (Ligji i përtërirë 23:12, 13) Nëse preknin një kafshë të ngordhur a një njeri të vdekur, izraelitët duhej të lanin trupin ose rrobat me ujë. (Levitiku 11:27, 28; Numrat 19:13, 19) Në atë kohë, të lebrosurit i futnin në karantinë, derisa një ekzaminim fizik të vërtetonte se nuk ua ngjitnin më të tjerëve lebrën.​—Levitiku 13:1-8.

ÇFARË ZBULON MJEKËSIA E SOTME? Heqja siç duhet e jashtëqitjeve, larja e duarve dhe karantina mbeten mënyra të efektshme për të luftuar sëmundjet. Nëse diku afër s’ka nevojtore ose sisteme të tjera sanitare, ja çfarë rekomandohet nga Qendrat Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC): «Kryejini nevojat personale të paktën 30 metra larg çdo vendi me ujë dhe më pas groposini fekalet.» Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kur komunitetet i eliminojnë siç duhet jashtëqitjet, e ulin 36 për qind rrezikun e sëmundjeve diarreike. Më pak se 200 vjet më parë, mjekët zbuluan se infektonin shumë pacientë kur s’i lanin duart pasi kishin prekur kufoma. CDC-ja e quan ende larjen e duarve «mënyrën e vetme më të efektshme për të mos transmetuar sëmundje». Ç’të themi për vënien në karantinë të të lebrosurve ose të atyre me sëmundje të tjera? Kohët e fundit, një revistë tha: «Në fazat e hershme të një epidemie, izolimi dhe karantina mund të jenë e vetmja masë për të kontrolluar siç duhet sëmundjet ngjitëse.»​—Saudi Medical Journal.

SI MENDON? A ka ndonjë libër tjetër të lashtë që përputhet me shkencën e sotme? Apo Bibla është unike?

«Të gjithëve u bëjnë përshtypje masat e kujdesshme për higjienën në kohën e Moisiut.»​—LIBRI MANUALI I MJEKËSISË TROPIKALE (ANGLISHT) NGA DR. ALDO KASTELANI DHE DR. ALBERT ÇALMËRSI