Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Koverdali dhe Bibla e parë e plotë në anglisht

Koverdali dhe Bibla e parë e plotë në anglisht

Koverdali dhe Bibla e parë e plotë në anglisht

BIBLA e parë e plotë që u shtyp në anglisht s’e përmendte fare emrin e atij që e botoi. Përkthyesi i saj ishte Majls Koverdali dhe ky përkthim doli në vitin 1535. Në atë kohë, miku i tij Uilliam Tindali ishte në burg për shkak të veprave studimore që kishte bërë për përkthimin e Biblës. Tindalin e ekzekutuan vitin pasues.

Një pjesë e përkthimit të Koverdalit u bazua në punën e Tindalit. Si ia doli Koverdali të shtypte përkthimin dhe t’i shpëtonte ekzekutimit, ndërkohë që përkthyes të tjerë të Biblës në atë kohë e paguan me jetë? Çfarë arriti në fund Koverdali?

Mbillen farat

Majls Koverdali lindi në Jorkshir të Anglisë, ndoshta në vitin 1488. Ai studioi në Universitetin e Kembrixhit dhe u shugurua prift katolik romak në vitin 1514. Interesin për reformën ia nxiti Robert Barnsi, mësuesi i tij. Në vitin 1528, Barnsi u arratis në Evropën kontinentale. Dymbëdhjetë vjet më vonë, udhëheqësit e kishës e dogjën në turrën e druve këtë reformator.

Në vitin 1528, Koverdali kishte filluar të predikonte në kishë kundër praktikave katolike të pabazuara në Shkrime, siç janë: adhurimi i shëmbëlltyrave, rrëfimi dhe mesha. Ngaqë jeta iu vu në rrezik, ia mbathi në Evropën Kontinentale ku qëndroi rreth shtatë vjet.

Në Hamburg të Gjermanisë, Koverdali qëndroi me Uilliam Tindalin. Të dy bashkëpunuan për dëshirën që të nxirrnin një Bibël në një gjuhë që njerëzit mund ta lexonin. Gjatë kësaj kohe, Koverdali mësoi shumë nga Tindali për artin e përkthimit të Biblës.

Kohë për ndryshim

Ndërkohë, skena e Anglisë po ndryshonte. Në vitin 1534, mbreti Henriku VIII e sfidoi haptazi autoritetin e papës katolik të Romës. Gjithashtu ishte dakord me mendimin që populli ta kishte Biblën në anglisht. Me kalimin e kohës, Koverdali iu fut punës. Ai ishte mjeshtër i fjalës në anglisht, por i mungonin aftësitë gjuhësore të mikut e të këshilluesit të tij, Tindalit, i cili dinte rrjedhshëm si hebraishten, edhe greqishten. Koverdali e rishikoi përkthimin e Tindalit dhe punoi duke u bazuar në versionet latine e gjermane.

Bibla e Koverdalit u shtyp në Evropën Kontinentale më 1535, një vit para ekzekutimit të Tindalit. Në të përfshihej një kushtim plot respekt e disi lajkatues ndaj mbretit Henrik. Koverdali e siguroi Henrikun se Bibla nuk i kishte shënimet e Tindalit, për të cilat mendohej se ngjallnin debat ngaqë, mes të tjerash, tërhiqnin vëmendjen te mësimet e pabazuara në Shkrime të Kishës Katolike. Prandaj Henriku dha lejen për botimin e Biblës. Gjërat po ndryshonin.

Në vitin 1537, Bibla e Koverdalit doli sërish në dy botime, të cilat u shtypën në Angli. Po atë vit, mbreti Henrik miratoi një version të quajtur Bibla e Mateut, e cila u shtyp në Anversë. Ajo ishte një kombinim i punës së Tindalit e të Koverdalit.

Këshilltari kryesor i mbretit, Tomas Kromuelli, me përkrahjen e Kranmerit, kryepeshkopit të Kantërbërit, shpejt e pa të nevojshme që Bibla e Mateut të botohej e rishikuar. Kështu që ai i kërkoi sërish Koverdalit ta rishikonte të gjithë dorëshkrimin. Mbreti Henrik e autorizoi këtë version të ri në vitin 1539 dhe urdhëroi që disa kopje të çoheshin në kisha që t’i lexonin të gjithë. Kjo Bibël, që u quajt Bibla e Madhe (Great Bible) për shkak të përmasave, u prit gjithë entuziazëm në mbarë vendin.

Trashëgimia e Koverdalit

Pas vdekjes së Henrikut VIII dhe hipjes në fron të pasuesit të tij, Eduardit VI, Koverdalin e caktuan peshkop të Ekseterit në vitin 1551. Por Koverdalin e detyruan t’ia mbathte në Danimarkë kur mbretëresha katolike, Maria, pasoi në fron Eduardin në vitin 1553. Më vonë shkoi në Zvicër ku vazhdoi punën. Ai botoi edhe tri botime në anglisht të asaj që zakonisht quhet «Dhiata e Re», bashkë me tekstin në latinisht si mjete ndihmëse studimi për klerin.

Diçka që nuk pritej në Biblën e Koverdalit është se nuk përmendet emri hyjnor në formën «Jehova». Tindali e përdori emrin e Perëndisë mbi 20 herë në përkthimin e Shkrimeve Hebraike. Në librin Koverdali dhe Biblat e tij (anglisht), Xhejms F. Mozli vëren: «Në vitin 1535, Koverdali e hoqi fare fjalën [Jehova].» Sidoqoftë, më vonë e vuri emrin e Perëndisë, Jehova, tri herë në versionin Bibla e Madhe.

Megjithatë, Bibla e Koverdalit ishte Bibla e parë në anglisht që kishte në krye të kopertinës Tetragramin, katër shkronjat hebraike të emrit hyjnor. Është domethënëse që kjo ishte Bibla e parë e cila i grupoi të gjithë librat apokrifë në një shtojcë, në vend që t’i vendoste mes librave të Shkrimeve Hebraike.

Mjaft nga shprehjet e fjalët unike të Koverdalit janë përdorur nga përkthyes të mëvonshëm. Një shembull është shprehja «lugina e hijes së vdekjes» në Psalmin 23, vargu 4. Sipas profesor S. L. Grinsleidit fjala «dashamirësi» në vargun 6 është «një fjalë e veçantë që tregon dallimin e dashurisë së pashoqe që ka Perëndia për popullin e tij, nga dashuria për njerëzit në përgjithësi dhe nga mëshira». Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re, me referime (anglisht) përdor të njëjtën fjalë dhe shton shënimin: «Ose ‘dashuri besnike’.»

Sipas librit Biblat e Anglisë (anglisht), përkthimi Bibla e Madhe e Koverdalit «ishte kulmi i gjithë punës për nxjerrjen e Biblës në anglisht . . . që nga dita kur Tindali nisi përkthimin e Dhiatës së Re». Në thelb, falë përkthimit të Koverdalit, anglishtfolësit e kohës së tij mund të lexonin Biblën.

[Figurat në faqen 11]

Majtas, tetragrami në kopertinën e një botimi të vitit 1537

[Burimi i figurës në faqen 10]

Nga libri Bibla jonë në anglisht: Përkthimet dhe përkthyesit e saj

[Burimi i figurës në faqen 11]

Burimi i fotografive: The Holy Scriptures of the Olde and Newe Testamente With the Apocripha nga Majls Koverdali