Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai m’i ka hapur sytë

Jehovai m’i ka hapur sytë

Jehovai m’i ka hapur sytë

Treguar nga Patris Ojaka

Ishte pasdite vonë. Pasi kalova edhe një tjetër ditë në errësirë të thellë​—i verbër, i vetmuar dhe duke dëgjuar çfarëdo gjëje që transmetohej në radio—​vendosa t’i jepja fund jetës sime të mjerë. Hodha helm në një filxhan me ujë dhe e vura në tavolinën përballë meje. Doja të bëja banjë për herë të fundit e të vishesha bukur, para se të pija atë helm vdekjeprurës e t’i jepja fund gjithçkaje. Pse doja të vritja veten dhe si ka mundësi që jam ende gjallë sot e po ju tregoj këtë histori?

LINDA më 2 shkurt 1958 në provincën e Kasaj-Orientalit në Republikën Demokratike të Kongos. Babai më vdiq kur isha nëntë vjeç dhe për mua u kujdes vëllai i madh.

Pasi mbarova shkollën, fillova punë në një plantacion kauçuku. Një mëngjes në vitin 1989, teksa po përgatitja një raport në zyrën time, papritur e gjeta veten në errësirë të plotë. Në fillim mendova se ikën dritat, por dëgjoja gjeneratorin që punonte dhe ishte mëngjes. I tmerruar e kuptova se s’shihja fare, madje as shënimet që kisha para vetes.

Menjëherë thirra një nga vartësit e mi që të më çonte te përgjegjësi i infermierisë, i cili më rekomandoi te një mjek më me përvojë në qytet. Kur pa se retinat më ishin çarë dhe se gjendja ime ishte e rëndë, ai më dërgoi në kryeqytet, në Kinshasë.

Jeta në Kinshasë

Në Kinshasë u konsultova me shumë okulistë, por asnjëri nuk më ndihmoi dot. Pasi kisha kaluar 43 ditë në spital, mjekët nxorën përfundimin se do të mbetesha i verbër gjithë jetën. Atëherë pjesëtarët e familjes s’lanë kishë pa më çuar që të shërohesha me anë të ndonjë mrekullie, por të gjitha përpjekjet e tyre dolën të kota.

Si përfundim i humba shpresat për të parë përsëri. Jetën ma kishte mbuluar terri. Humba shikimin dhe punën. Gjithashtu humba gruan, e cila më la dhe më mori gjithçka që kishim në shtëpi. Më vinte turp të dilja ose të shoqërohesha me të tjerët. U veçova nga njerëzit dhe i kaloja ditët në shtëpi. Isha i ndarë nga bota dhe ndihesha krejt i padobishëm.

U orvata dy herë t’i jepja fund jetës. Herën e dytë e kam përshkruar në fillim të kësaj historie. Më shpëtoi një fëmijë i vogël i familjes. Ai e mori filxhanin pa dashje dhe e derdhi përtokë, ndërkohë që po bëja banjë. Shyqyr që nuk e piu vetë! U zhgënjeva shumë që s’e gjeta dot filxhanin. Më pas, u rrëfeva familjarëve pse po e kërkoja atë filxhan dhe ç’kisha ndër mend të bëja.

Falënderoj Perëndinë e familjen që nuk m’i kanë ndarë sytë. Plani për vetëvrasje dështoi.

Sërish i gëzuar

Një të diel në vitin 1992, ndërsa isha ulur në shtëpi e po pija duhan, erdhën dy Dëshmitarë të Jehovait që po predikonin shtëpi më shtëpi. Kur e panë se isha i verbër, më lexuan Isainë 35:5 që thotë: «Në atë kohë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve.» Kur i dëgjova ato fjalë, zemra m’u mbush me gëzim. Ndryshe nga kishat ku pata shkuar, Dëshmitarët nuk bënin shërime të mrekullueshme. Përkundrazi më shpjeguan se do të më rikthehej shikimi në botën e re që premton Perëndia. Duhej vetëm ta njihja Perëndinë. (Gjoni 17:3) Menjëherë fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët me librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. Gjithashtu nisa të shkoja në të gjitha mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë dhe bëra ndryshime në jetë, për shembull lashë duhanin.

Megjithatë verbëria po ma pengonte përparimin frymor. Kështu që shkova në një institut për të verbrit që të mësoja lexim e shkrim në gjuhën braile. Falë kësaj, mora pjesë në stërvitjen për shërbim që jepet në Sallën e Mbretërisë. Shpejt nisa të predikoja në lagje. Fillova të ndieja sërish gëzim. Vazhdova të përparoja dhe ia kushtova jetën Jehovait. U pagëzova më 7 maj 1994.

Teksa më rritej dashuria për Jehovain e për njerëzit, më lindi dëshira të filloja shërbimin e plotkohor. Që nga 1 dhjetori 1995 kam shërbyer si pionier i rregullt, pra një pjesë të mirë të kohës e kaloj në predikim. Gjithashtu kam pasur privilegjin të shërbej si plak në kongregacionin tim që nga shkurti i 2004-s. Ndonjëherë më ftojnë si orator në kongregacione të tjera në zonën time, që të mbaj fjalime biblike. Tërë këto bekime më sjellin gëzim të pamasë dhe më bëjnë të kuptoj se s’ka asnjë kufizim që të na pengojë t’i shërbejmë Perëndisë Jehova.

Jehovai më ka dhënë «sy»

Siç e përmenda më sipër, gruaja më braktisi për shkak të verbërisë. Por Jehovai më ka bekuar tej mase. Në një kuptim të veçantë më ka dhënë sy. Ani Mavambuja, e cila pranoi të bëhej gruaja ime edhe pse jam i kufizuar, u bë sy për mua. Ngaqë edhe ajo predikon në kohë të plotë, më shoqëron gjithnjë në predikim. Gjithashtu më lexon materialet për fjalime që të mbaj shënime në braile. Është një bekim i veçantë për mua. Falë saj kam parë sa të vërteta janë fjalët e Proverbave 19:14: «Shtëpia dhe pasuria janë trashëgimi nga etërit, por një grua e matur vjen prej Jehovait.»

Gjithashtu, Jehovai na ka bekuar mua dhe Anin me dy fëmijë, djalë e vajzë. Mezi pres t’ua shoh fytyrën në Parajsë! Një bekim tjetër është se vëllai im i madh, që me dashamirësi na lejon të jetojmë në pronën e tij, ka pranuar të vërtetën biblike dhe është pagëzuar. Të gjithë jemi në të njëjtin kongregacion.

Edhe pse i kufizuar, dëshiroj me gjithë zemër të bëj akoma më tepër në shërbim të Perëndisë, pasi ai më ka bekuar kaq shumë. (Malakia 3:10) S’ka ditë të mos lutem që Mbretëria e tij të vijë e të heqë të gjitha vuajtjet nga toka. Që kur njoha Jehovain e them me bindje: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje.»​—Proverbat 10:22.

[Figurat në faqen 13]

Duke mbajtur një fjalim biblik; me familjen dhe me vëllanë