Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lexuesit pyesin . . .

Pse Dëshmitarët e Jehovait predikojnë shtëpi më shtëpi?

Pse Dëshmitarët e Jehovait predikojnë shtëpi më shtëpi?

▪ Në Bibël gjejmë këtë urdhër që Jezui u dha dishepujve: ‘Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet dhe mësojini.’ (Mateu 28:19, 20) A zbatohet kjo për të gjithë të krishterët? Dishepujt e hershëm e kuptuan se po. Për shembull, apostulli Pjetër tha: «[Jezui] na urdhëroi t’i predikonim popullit dhe t’i jepnim dëshmi të plotë.» (Veprat 10:42) Edhe apostulli Pavël shkroi: «Një nevojë që më është ngarkuar. Në të vërtetë, mjerë unë, po të mos e shpall lajmin e mirë!»​—1 Korintasve 9:16.

Urdhrit të Jezuit s’iu bindën vetëm Pavli e Pjetri, por të gjithë të krishterët e shekullit të parë. Për ta, predikimi ishte shenjë dalluese. (Veprat 5:28-32, 41, 42) Edhe Dëshmitarët e Jehovait sot përpiqen të bëjnë njësoj. Ata predikojnë të njëjtin mesazh si Jezui, ‘mbretërinë e qiejve’.​—Mateu 10:7.

Kujt duhet t’i predikohet mesazhi për Mbretërinë? Jezui tregoi se duhet t’u predikohet të gjithë njerëzve anekënd. Ai u tha dishepujve: «Do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Veprat 1:8) Madje paratha se, para fundit të këtij sistemi, «ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi». (Mateu 24:14) Prandaj, të krishterët e shekullit të parë u përpoqën t’u flitnin të gjithëve, jo vetëm të njohurve ose atyre që nuk kishin ndonjë fe. (Kolosianëve 1:23; 1 Timoteut 2:3, 4) Po ashtu, Dëshmitarët e Jehovait sot përpiqen të flasin me këdo. *

Cila është mënyra më e efektshme për të përhapur mesazhin për Mbretërinë? Jezui, i cili e dinte si t’u jepej mesazhi sa më shumë njerëzve, i dërgoi dishepujt në qytete, fshatra dhe nëpër shtëpitë e njerëzve. (Mateu 10:7, 11, 12) Pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, dishepujt vazhduan të predikonin «shtëpi më shtëpi». (Veprat 5:42) Ashtu si Jezui, edhe ata predikonin kudo ku kishte njerëz, si për shembull në vende publike. (Gjoni 4:7-26; 18:20; Veprat 17:17) Në ditët tona, Dëshmitarët e Jehovait përdorin të njëjtat metoda që t’u predikojnë të gjithë njerëzve.

Jezui tha se nuk do të dëgjonin të gjithë. (Mateu 10:14; 24:37-39) A duhet t’i sprapsë kjo të krishterët që të mos predikojnë? Mendo për këtë krahasim: ta zëmë se ka rënë një tërmet i rëndë dhe ti je pjesë e një skuadre shpëtimi. A do t’i ndalje kërkimet thjesht sepse pas njëfarë kohe janë gjetur vetëm pak të mbijetuar? Jo, do të këmbëngulje derisa të kishte shpresë të shpëtonte dikush. Jezui i udhëzoi dishepujt që të këmbëngulnin për sa kohë të kishte shpresë që dikush të reagonte mirë ndaj lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 10:23; 1 Timoteut 4:16) Duke kërkuar njerëz të tillë shtëpi më shtëpi, Dëshmitarët e Jehovait tregojnë dashuri për Perëndinë dhe për të tjerët, jeta e të cilëve varet nga dëgjimi dhe pranimi i mesazhit për Mbretërinë.​—Mateu 22:37-39; 2 Selanikasve 1:8.

Kjo revistë që po lexon përmban këtë mesazh biblik. Për më shumë informacion, të lutemi fol me Dëshmitarët e Jehovait herën tjetër që do të të vijnë në shtëpi ose shkruaju botuesve të kësaj reviste.

[Shënimi]

^ par. 5 Dëshmitarët e Jehovait aktualisht predikojnë në 236 vende. Vitin e kaluar harxhuan 1,7 miliardë orë në predikim dhe drejtuan 8,5 milionë studime biblike në shtëpitë e njerëzve në mbarë botën.